Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Në kërkim të votës së artë!

| E diele, 04.04.2021, 09:49 AM |


Në kërkim të votës së artë!

Shkruan: Florim Zeqa

Zhvillimimet e (pa) pritura dhe dramatike në mbrëmjen e ditës së premte e shpërfaqën edhe një herë papjekurinë politike dhe tendencëne hapur të kryeministrit Albin Kurti për kontrabandim të ligjit për mërgatën dhe shantazhim të pjesës më të pavendosur të klasës politike në Kuvendin e Kosovës.

Tendenca e LVV-së e ngutshme dhe e pa kohë

Tendeca e Lëvizjes Vetëvendosje për shqyrtimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës, përveqse e gabuar në kohë, ishte formë e pastër e shantazit politik, kërcënim për rendin kushtetues dhe dhunim i demokracisë së brishtë kosovare.

Tendenca për kontrabandim dhe jo ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, që me procedurë të përshpejtuar ta ndryshojë këtë ligj, para se të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës, ishte tentimi i parë i kapjes së institucionit më të lartë ligjvënës në vendin tonë.

Mirëpo kjo tendencë urgjente e LVV-së hasi në kundërshtime të fuqishme të partive opozitare në Kuvend, shoqërisë civile dhe organizateve të ndryshme ndërkombëtare.

Moskalimi në Kuvend i kësaj nisme në procedurë të përshpejtuar shënon dështimin e parë dhe fillimin e mbrapsht të 'Qeverisë Kurti 2'.

Beteja për kalimim e pargut kushtetues

Pas dështimit të parë, partia fituese po e vazhdon me tentimin e dytë të zgjedhjes së presidentit pa konsensus politik.

Nëse ju referohemi dy votimeve të dështuara të Raundit të Parë, ku shkaku i mospjesëmarrjes së 80 deputetëve në votim nuk u arrit të kalohet pragu i parë kushtetues (kuorumi), pa sigurimin e votës së artë nuk ka logjikë të procedohet tutje me zgjedhjen e presidentit.

Mbetet të shihet se a do të kontrabandohet ndonjë deputet minoritar apo do të dali ndonjë margaritar i ri nga partitë opozitare që do t'i mundësoj kalimet e dy raundeve të para për të arritur në raundin e tretë, që pastaj me shumicën e thjeshtë të përmbyllet cikli i formiminit të institucioneve, për herë të parë monopartiake në vendin tonë!

"Institucionalistët" unik në seancë, të ndarë në votim

Dy votimet në raundin e parë për zgjedhjen e presidentit e shpërfaqën situatën laramane dhe alarmante që ekziston në LDK pas kuvendit zgjedhor të kësaj partie.

Edhe përkundër trumbetimeve të disa eksponentëve të LDK-së se kjo parti ka dalë unike nga kuvendi zgjedhor, faktet po ua thonë të kundërtën.

Tre prej 14 deputetëve nuk muarën pjesë fare në votim, ndërsa prej atyre që votuan, disa votuan pro e disa të tjerë e hudhën fletëvotimin e "bardhë", duke e bërë të pavlefshme votën dhe të pavlerë votimin e tyre!

Kjo situatë e paqartë dhe e pazakont e dëshmon gjëndjen reale në LDK, ku nuk dihet më se "kush qet e kush pret në këtë subjekt politik.

Sa do që lideri i ri po mundohet ta kapitalozojë personalitetin e tij mbi fatkeqësinë e ndarjes së LDK-së, me votën për presidentin po e rrezikon shkaktimin e një ndarje të re dhe akoma më të thellë të LDK-së.

Shihet qartë se LDK nuk është më në gjendje të mbrojë parime dhe as premtime elektorale, shkaku i interesave personale dhe lidhjeve klanore.

Seanca për zgjedhjen e presidentit e bëri akoma më të paqartë "konstruktivitetin" e LDK-së: se a do të jetë opozitë e Opozitës apo shtylla kryesore e pushtetarëve të rinjë!?