E shtune, 20.04.2024, 10:18 AM (GMT+1)

Mendime

Eshref Ymeri: Kujt i hyn në punë dialogu me Serbinë?

E premte, 02.04.2021, 07:28 PM


Kujt i hyn në punë dialogu me Serbinë?

(Serbia e konsideron Dardaninë si Greqia Epirin e Veriut)

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Çështja e dialogut të Dardanisë me Serbinë është përsëritur dhe stërpërsëritur kaq shumë, saqë është bërë fare bozë. Madje ajo të kujton një gjellë kaq të thartuar, saqë të vjen pështirë t’i afrohesh. Kasta politike e bandës së kryetradhtarit Thaçi, në qëndrimin ndaj dialogut me Serbinë, nën soditjet tallëse të Brukselizmit, kaq shumë e pati poshtëruar autoritetin e Republikës së Dardanisë, saqë do të duhet kohë për ta rivendosur në kornizat që i takon.

Në përgjigje të pyetjes që shtrohet në titull, dëshiroj të theksoj se dialogu i Dardanisë me Serbinë i ka interesuar dhe i intereson kryekëput Serbisë. Sepse këtë dialog me kastën politike të bandës së Thaçit, Serbia, me mbështetjen dhe përkrahjen e gjithanshme të Brukselizmit, e pati kthyer në “pëlhurë të Penellopës”, me të vetmen arsye që Dardaninë, në përputhje me kushtetutën e Serbisë, të vazhdojë ta konsiderojë pjesë të territorit të saj. E theksoj përkrahjen e gjithanshme të Brukselizmit për Serbinë, sepse kam parasysh deklaratën e ish-Shefit të UNMIK-ut Lamberto Zanieri, i cili, në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve, pati deklaruar:

“…pas ndërhyrjes ushtarake, një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare mori anën e Serbisë” (Citohet sipas: Lamberto Zanieri. “Kosova ka mbetur në mes të rrugës”. Faqja e internetit “Radio Evropa e Lirë”. 16 prill 2011).

Dhe nënkuptohet që me shprehjen “bashkësi ndërkombëtare”, Zanieri kishte parasysh vendet e Brukselizmit dhe sidomos Francën. Prandaj edhe Brukselizmi e ka manifestuar hapur përkrahjen e vet për Serbinë kriminale në raport me Dardaninë, duke caktuar Lajçakun dhe Borelin, si ndërmjetës për dialogun, njëri sllovak dhe tjetri spanjoll, që të dy përfaqësues nga dy shtete që nuk e njohin pavarësinë e Dardanisë. Ky qëndrim i Brukselizmit është fyerje për popullin shqiptar të Dardanisë. Aq më tepër kur Lajçaku, në një dalje publike ca kohë më parë, në përtejanë (sfond) kishte një hartë ku Dardania figuronte si pjesë e Serbisë. Kjo ishte një sjellje e turpshme e Lajçakut, e këtij servili të neveritshëm të Beogradit dhe të Moskës, të cilit i duhet ndaluar rreptësisht hyrja në Dardani.

Pas fitores bindëse të formacionit politik “Vetëvendosja”  në zgjedhjet e 14 shkurtit, udhëheqësi i tij emblematik Albin Kurti, deklaroi se dialogu me Serbinë do të jetë në vendin e gjashtë ose të shtatë në programin e qeverisë. Mandej ai e zhvendosi dialogun në vendin e katërt.

Albin Kurti është një intelektual i formuar i formatit nacionalist, një politikan i pjekur dhe me një vizion shumë të qartë për zhvillimet e ardhshme në Republikën e Dardanisë, në aspektin ekonomik dhe politik. Është fat i madh që Albin  Kurti ka në krah një intelektuale të shquar, një zonjë shumë të nderuar dhe politikane me shumë autoritet, si Vjosa Osmani. Jam i bindur se çdo shqiptar me vetëdije të lartë kombëtare, në personalitetin e këtyre dy politikanëve, shikon një rreze drite në fundin e tunelit shqiptar, një shenjë mbarësie kjo për mbarë kombin shqiptar.

Si dashamirës ndaj Albinit dhe Vjosës, dëshiroj të theksoj se, së pari, në respekt të plotë të autoritetit të Republikës së Dardanisë, dialogu me Serbinë që pati zhvilluar kasta e bandës së Thaçit, e meriton të hidhet poshtë kryekëput, se ka qenë tërësisht kundër interesave jetike të vendit. Aq më tepër që ajo bandë tradhtare jo vetëm që nuk pati menduar kurrë për të ngritur padi kundër Serbisë, por pati pranuar madje që të krijohej bashkësia e komunave serbe, e cila, në të vërtetë, do të ishte një “republikë serbe”, si një shtet brenda shtetit, dhe që Gjykata Kushtetuese, me shumë të drejtë, e pati hedhur poshtë krijimin e asaj bashkësie. Serbia pati ndër mend të krijonte republikën e Krajnës edhe në Kroaci, por Kroacia, si shtet me zot, në krye të të cilit ishte Presidenti Franjo Tuxhman(Franjo Tudjman  1922-1999), i cili, si një udhëheqës, i kalitur me ndjenja nacionalizmi të jashtëzakonshëm, bëri që ushtria kroate, Republikën e Krajnës Serbe brenda territorit kroat, ta zhdukte nga faqja e dheut midis 4 dhe 7 gushtit të vitit 1995 dhe jo pak nga banorët e saj, kryetradhtari Thaçi, si argat i regjur i Beogradit, i strehoi në Veriun e Mitrovicës.

Së dyti, dialogu dinjitoz me Serbinë, në këndvështrimin tim, mund të fillojë vetëm pas plotësimit të tre kushteve themelore.

Kushti i parë: Serbia duhet të dalë me një pendesë publike para opinionit ndërkombëtarë dhe t’i kërkojë ndjesë Republikës së Dardanisë për gjenocidin e rëndë dhe për të gjitha shkatërrimet që kreu atje, të informojë përfatin e të zhdukurve, si edhe të njohë pavarësinë e Dardanisë.

Kushti i dytë:Mbibazën e dokumentacionit konkret, të parashtruar nga Kryeministri Albin Kurti,Serbia duhet të paditet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për gjenocidin e rëndë dhe për të gjitha shkatërrimet që i shkaktoi popullit shqiptar të Dardanisë gjatë viteve të luftës dhe t’i kërkohet asaj Gjykate që Serbia t’i kompensojë financiarisht në mënyrë tërësore. Jo vetëm kaq, por, siç e parashtroi nëprogramin e qeverisë Kryeministri Albin Kurti, Serbia duhet t’i kthejë Bankës Qëndore të Dardanisë 3 miliardë euro që i pati grabitur si depozita të qytetarëve, dhe 400 milionë euro të pensioneve.

Kushti i tretë: Serbia, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të kalojë në Bankën e Shtetit tëRepublikës së Dardanisë kompensimin e plotë financiar të krimeve, të shkatërrimeve dhe të grabitjeve të lartpërmendura. Prandaj, paraprakisht, qeveria e re duhet të bëjë gati krejt inventarin e krimeve serbe në Dardani dhe të përurojë muzeun e përhershëme të atyre krimeve, me të gjitha materialet ilustrative.

Pa plotësimin e këtyre tre kushteve, rifillimi dhe vazhdimi i dialogut me Serbinë, është vetëposhtërim i Republikës së Dardanisë, një vetëposhtërim ky, të cilit kasta e bandës së Thaçit i dha një status të veçantë. Vetëposhëtërimi i Republikës së Dardanisë nuk mund të vazhdojë më, duke zhvilluar dialog me një shtet agresor që e ka fyer dhe nëpërkëmbur rëndë një popull të tërë, jo vetëm me gjenocidin e egër që ushtroi dhe me shkatërrimet e përmasave masive që kreu, por edhe me përdhunimin e 20 mijë femrave shqiptare.Dhe nëse ky vetëposhtërim do të vazhdojë edhe pas 14 shkurtit, atëherë Republika e Dardanisë do të ndjekë shembullin e kastës politike të Tiranës, e cila e pati poshtëruar rëndë dinjitetin e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet me Greqinë pas vitit 1949, pikërisht për shkak të servilizmit të pështirë të Enver Hoxhës ndaj shovinizmit grekokriminal.

Në veprën shkencore “Tensioni greko-shqiptar. 1939-1949” (Shtëpia Botuese “GEER”. Tiranë, 2002), historiani i njohur, Prof.dr. Beqir Meta, ka hedhur mjaft dritë mbi traditën e këtij servilizmi me të vërtetë skandaloz. Interes të veçantë paraqit kreu III, që bën fjalë për përpjekjet e diplomacisë shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Autori na zbulon një faqe që mund ta quash me të vërtetë të turpshme në historinë e diplomacisë shqiptare, e cila, me servilizmin e saj të neveritshëm, pati njollosur dinjitetin tonë kombëtar me hapat që pati ndërmarrë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin shovinist grek. Janë 49 aksione të pastra diplomatike të qeverisë shqiptare, të fiksuara në periudhën mes viteve 1954 - maj 1971, kur ajo s’la gur pa lëvizur për ta zbutur qeverinë greke që kjo të pranonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me vendin tonë, ndërkohë që Athina, siç thekson Profesor Meta, qe mjaftuar vetëm me tri kërkesa të vakta për vendosjen e marrëdhënieve në fjalë.Për çfarë zbutjeje të Greqisë mund të bëhej fjalë, kur dihej fare mirë që Greqia kreu ato masakra aq të përbindshme kundër popullsisë së Çamërisë?

Si shpjegohet ky poshtërim që i pati bërë vetvetes diplomacia shqiptare? Si shpjegohet që Enver Hoxha këmbëngulte aq shumë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, të cilat na përfaqësuakëshin një “çështje që u interesonte më shumë shqiptarëve”, - siç shkruhej në një shënim të tij mbi një propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të datës 8 dhjetor 1970 (f.  230). Ai shënim ka mbetur si njollë turpi dhe vetëposhtërimi të papërfytyrueshëm në historinë e diplomacisë shqiptare në raport me një shtet kriminal, si Greqia fashisto-naziste me gjenocidin e egër që pati kryer në truallin tonë amtar Çamëri. Mos vallë Enver Hoxha e kishte ngritur ndonjëherë zërin pas vitit 1949 në mbrojtje të Çështjes Kombëtare të Çamërisë dhe të minoritetit shqiptar në Greqi, i cili është shumëfish më i madh se minoriteti grek në Shqipëri, që kështu shqiptarët të bindeshin se gjoja u paskej interesuar më shumë vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, në mënyrë që të ishin të pranishëm në Athinë me ambasadën e tyre? Aspak! Atëherë çfarë e pati shtyrë Enver Hoxhën të mbante një qëndrim aq servil ndaj diplomacisë shoviniste të një shteti armik për vdekje, siç ka qënë, është dhe do të vazhdojë të mbetet shteti shovinist grek me ligjin e luftës në fuqi? Qëllimi kryesor i Enver Hoxhës, me siguri, ka qenë ruajtja dhe forcimi i pushtetit personal, i cili e çoi në braktisjen  e interesave kombëtare, madje në tradhti kombëtare. Nuk ishte aspak e nevojshme që diplomacia shqiptare të hiqej zvarrë para shtetit shovinist grek për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Nga analizat e prof. Metës lexuesi e kupton fare qartë që Enver Hoxha dhe diplomacia shqiptare, para se të kërkonin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, duhej të shtronin para saj disa kërkesa kryesore.

E para: të shfuqizohej ligji i luftës me Shqipërinë.

E dyta: të kërkohej nga shteti grek që të dilte me pendesë publike para opinionit ndërkombëtar për gjenocidin e rëndë fashist që pati kryer në Çamëri.

E treta:të kërkohej nga shteti grekrikthimi i popullsisë së dëbuar çame në trojet e veta stërgjyshore.

E katërta: të njihej minoriteti shqiptar në Greqi.

Paskëtaj, Republika e Shqipërisë duhej të kishte ngritur padi kundër Greqisë në Gjykatën ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të kërkonte nga ajo Gjykatë që Greqia të bënte kompensimin e plotë financiar të gjenocidit dhe të të gjitha shkatërimeve që pati kryer në Çamëri. Por kryekriminelit Enver Hoxha, ushtruesit të luftës së egër të klasave, me pasojë tragjike përçarjen e rëndë të popullit shqiptar, nuk i pati shkuar kurrë ndër mend për ngritjen e një padie të tillë.

Çdo shqiptar i thjeshtë, me vetëdije kombëtare, çdo nacionalist shqiptar e ndien veten të fyer në dinjitetin e tij kombëtar, kur në faqet e veprës së Prof.dr. Beqir Metës njihet me qëndrimet arrogante, përbuzëse, shpërfillëse të shtetit shovinist grek ndaj kërkesave pa bosht kombëtar që pati bërë diplomacia shqiptare për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Greqinë. Çdo shqiptar që respekton vetveten dhe mbarë etninë shqiptare, nuk mund të mos shtrojë pyetjen e thjeshtë: cili është ai shtet në botë që paska pranuar të vendosë marrëdhënie diplomatike me një shtet fqinj,  cili ka në fuqi një ligj lufte? Sigurisht që nuk mund të ekzistojë një shtet i tillë në rruzullin tokësor. Por ja që ekziston vetëm shteti i atdheut amë, që ia ka lejuar vetes një vetëposhtërim të tillë, i cili ka shërbyer si shkak për përbuzjen dhe nëpërkëmbjen e tij të hapur nga grekosllavizmi dhe të heshtur nga Perëndimi evropian.

Pikërisht për shkak të atij qëndrimi servil të Enver Hoxhës ndaj shovinizmit grekokriminal, Greqia edhe sot e kësaj dite vazhdon të tallet me Shqipërinë, vazhdon ta nëpërkëmbë dhe të sillet me të si i do qejfi, tamam si agai me shërbëtorin. Prandaj s’e pati fare problem ta detyronte Shqipërinë t’i dhuronte Greqisë drejtimin e kishës ortodokse fanoliane, e cila, që prej vitit 1992, vazhdon të mbetet e pushtuar nga kisha shoviniste greke.

Le të shpresojmë që Albini dhe Vjosa do të nxjerrin mësime nga servilizmi politik i diplomacisë shqiptare në atdheun amë dhe veçanërisht nga servilizmi me aromë të theksuar tradhtie i Enver Hoxhës ndaj grekosllavizmit, dhe nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që Serbia të vazhdojë të tallet me Republikën e Dardanisë dhe ta poshtërojë, siç e poshtëronte dikur përmes kastës politike të deridjeshme, me në krye tradhtarin Thaçi.

Nënkuptohet që, për rivendosjen e autoritetit të Republikës së Dardanisë në shinat që meriton, Albinit dhe Vjosësdo t’u duhet që në Kuvend të rishikojnë Kushtetutën, duke hedhur në koshin e mbeturinave pakon Ahtisaari, të pasqyruar në Kushtetutë, sipas së cilës, paradoksalisht, vendi nuk na paska të drejtë të bashkohet me një vend tjetër. Ky nen i Kushtetutës është në përputhje të plotë me orekset shoviniste të politikës serboruse.

Albinit dhe Vjosës do t’u duhet të rivendosin autoritetin e Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë, duke e ndarë atë përfundimisht nga banda tradhtare e Hashim Thaçit. Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë, e cila bashkëpunoi ngushtë me aviacionin e NATO-s për ndëshkimin e Serbisë, duhet të zërë vendin që meriton jo vetëm në historinë e popullit shqiptar të Dardanisë, por edhe të mbarë kombit shqiptar. Beogradi, me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, e ka pasë parashikuar tërmetin që do të shpërthente në Dardani dhe pati marrë masat me kohë për rekrutimin e agjentëve të vet, me pikësynimin që këta të kapnin pozita kyç gjatë zhvillimit të ngjarjeve të mëvonshme. Prandaj edhe pikërisht agjentët e tij, me Thaçin në krye, u vendosën në postet udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Dardanisë, me objektivin afatgjatë diskretitimin e veprës së saj në shërbim të popullit shqiptar të Dardanisë.

Gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, Albini dhe Vjosa do të duhet të rishikojnë dhe të rivlerësojnë statusin e kishës serbe, sepse, nëpërmjet saj, Serbia kërkon të krijojë një “republikë ortodokse” brenda shtetit të Republikës së Dardanisë. Megjithëse iliroshqiptarët, pas Dekretit të Milanos të Perandorit Konstantin të vitit 313, ishin të parët që pranuan katolicizmin në Gadishullin Ilirik dhe krijuan objektet e kultit katolik, për shkak të përçarjes së tyre tragjike, nuk qenë të aftë t’i mbronin ato nga grabitja e ardhacakëve sllavë, të cilët i shndërruan në objekte të kultit ortodoks. Prandaj Albini dhe Vjosa, kërkesës së Serbisë pë status të veçantë të kishës serbe, duhet t’i përgjigjen me kërkesat e Papa Benediktit XI dhe Papa Klementit V, dërguar mbretit Milutin dhe Stefan Dushanit më 1346, për lirimin e kishave katolike, të uzurpuara në Graçanicë,  Artane, Janjevë, Pejë, Deçan dhe Prizren.

Republika e Dardanisë, nën drejtimin e Albinit dhe të Vjosës, do të bënte shumë mirë të ndjekë shembullin e Zvicrës në praktikën e zhvillimit të referendumeve në bazë republike dhe rajonale, në mënyrë që opinioni publik të jetë pjesëmarrës ipërhershëm në marrjen e vendimeve më të rëndësishme, duke shërbyer si shembull edhe për Republikën e Shqipërisë, ku kasta politike antikombëtare, trashëgimtare e servilizmit politik të kryediktatorit Enver Hoxha ndaj grekoserbizmit, nuk e di absolutisht se ku bien me adresë referendumet popullore.

Shqiptarët e ndershëm kudo që janë, brenda trojeve tona etnike dhe në Diasporë, janë të mbushur me shpresë se Albini dhe Vjosa, në udhëheqje, do të ringjallin dinjitetin kombëtar të Dardanisë, çka do të shërbejë si zanafillë e ringjalljes së dinjitetit për kombin shqiptar në mbarë trojet tona etnike, pa harruar kurrë Çamërinë, e cila ka qenë dhe mbetet themeli i etnisë shqiptare në Gadishullin Ilirik. Ringjallja e dinjitetit kombëtar ka shumë rëndësi për Republikën e Shqipërisë, të cilën Rama e ka katandisur në një gjendje aq katastrofike, saqëdrejtoresha e INSTAT-it paska deklaruar se “nga 2013 e deri në shtator 2020 janë larguar zyrtarisht 610 mijë shtetas” (Citohet sipas: Flamur Hoxha. “Të prekësh me dorë dëshpërimin në Kukës”. Faqja e internetit “Fjala e Lirë”. 01 prill 2021). Pra, Rama po zbaton me besnikëri strategjinë e kahershme të grekosllavizmit për shpërbërjen e kombit shqiptar, çka dëshmohet edhe me vendimin e paradokohshëm që mori Kuvendi i deledeputetëve për ekzistencën e 9 minoriteteve në Republikën e Shqipërisë. Domosdo që s’mund të ndodhë ndryshe, se, siç shkruan një nacionalist i njohur shqiptaro-amerikan me banim në Nju Jork, “para pak kohe në Jerusalem, një grup priftërinjsh grekë deklaruan me madhështi e krenari fetare greke se kryeministri Rama është kalorës i ortodoksisë helene (greke)” (Citohet sipas: Sali Bollati. “25 prill - zgjedhje apo referendum”. Faqja e internetit e gazetës “Illyriapress”. 22 shkurt 2021).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora