E marte, 19.03.2024, 03:44 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Në kujtim të 4 Dëshmorëve të Lirisë

E premte, 02.04.2021, 09:10 PM


NË KUJTIM TË 4 DËSHMORËVE TË LIRISË – TË 2 PRILLIT, 1991 NË SHKODËR

Nga Frank Shkreli

Ishte 2 Prilli i vitit 1991.  Dy ditë më parë me 31 mars, ishin mbajtur zgjedhjet e para “pluraliste”, pas shembjes së Murit të Berlinit dhe fillimit të “ndryshimit” të sistemit komunist pothuaj gjysëm shekullor në Shqipëri.  Megjithëse vet ato zgjedhje u mbajtën në një atmosferë pak a shumë të qetë - siç shkruante në atë kohë edhe gazeta   Nju Jork Tajms, Shqipëria - “ky vend i pa fat i Ballkanit”, dhe “vendi më i varfër i Evropës”, edhe pas këtyre zgjedhjeve, “mbetet i ndarë dhe i përçarë”. Gazeta e njohur amerikane shkruante në atë kohë se në muajt fundit rreth 80-mijë të rinjë e të reja ishin larguar nga Shqipëria dhe se “fitorja e komunistëve” në ato zgjedhje, “do të bënte që edhe më shumë të rinjë të largoheshin nga vendi”, ndërsa citonte një nga studentët e Universitetit të Tiranës, i cili nuk dëshironte të identifikohej, se “nuk ka asnjë arsye që të qendrojë më këtu”.

Sidomos ata shqiptarë, veçanërisht rinia, që prisnin që zgjedhjet e para post-komuniste në Shqipëri të 31 marsit, 1991 do të sillnin “ndryshimin e madh”, “lirinë e demokracinë” dhe “Shqipërinë si e gjithë Evropa”, u zhgënjyen për së tepërmi. Përveç mos kënaqësisë me manipulimet e atyre zgjedhjeve që çuan në fitoren e Partisë së Punës, përfundimi i atyre zgjedhjeve shkaktoi edhe shpërthimin e revoltave në disa qytete. Reagimet më revoltuese ndaj fitores së partisë (komuniste) të Punës erdhën nga Shkodra ku për fat të keq të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë katër dëshmorë të lirisë e demokracisë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.  Kjo tragjedi e 30-viteve më parë ka lenë plagë të rënda në familjet e këtyre deshmorëve, për Shkodrën dhe Shqipërinë pasi 30-vjet më vonë mbetet gjithnjë një prej ngjarjeve më makabër të historisë moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshir identifikimin e individëve përgjegjës për këtë krim, në radhët e enteve të drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe.

Fatkeqësisht, edhe sot në 30-vjetorin e vrasjeve të këtyre deshmorëve të lirisë, ashtu siç ka ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit, nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto krime shtetërore.  Nuk është zhvilluar asnjë proces i mirëfilltë drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt, përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur, pjesëmarrës në një protestë paqësore.  Ato të shtëna kundër protestuesve paqësorë - sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër, ndërsa jehona e këtij krimi shtetëror kumbon edhe sot dhe thërret për drejtësi, përgjegjësi dhe ndëshkim – kumbon nepër koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë, 30-vjet vjetë pas zgjedhjeve të para “pluraliste”.

Fatkeqësisht, shënjat nuk janë shpresëdhënse për hetime rreth këtij krimi, as sot në këtë 30-vjetor të vrasjes makabre të këtyre 4 heronjve.  Sepse sipas raportit të posa botuar të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për vitin 2020, në Shqipëri, “Mosndëshkimi mbetet një problem serioz”, thuhet në atë raport: “Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme.  Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”

Problemi është se kemi të bëjmë me krime shtetërore dhe jo thjeshtë me “abuzime” nga zyrtarë të lartë të asaj kohe, urdhër-dhënës për ekzekutimin e katër deshmorëve të demokracisë në Shkodër, disa prej të cilëve ende gëzojnë poste të larta në institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar, “post-komunist”.

Megjithë problemet me zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit, 1991– më kujtohen shpresat e mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë në Tiranë - për një fillim të ri historik, për “ndryshimin e madh”, për varrosjen e diktaturës,  për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste.

Por, vrasjet në Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga delegacionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Tiranë, si një shënjë ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare.  Në këtë 30-vjetor, mos zbardhja dhe mos ndëshkimi i këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet tona sot e asaj dite – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, se ky krim shtetëror si due krime të tjera të komunizmit, nuk do të zbardhen, as personat përgjegjës nuk do të ndiqen ligjërisht dhe as nuk do të ndëshkohen, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha krimet e komunizmit në Shqipëri.

Por ajo që mund të bëjmë ne njerëzit e thjeshtë kudo është që të kujtojmë, të kujtojmë që të mos harrojmë dhe të kujtojmë viktimat e pafajshme duke hedhur poshtë gënjeshtrat dhe duke mbrojtur të vërtetën. Kam zgjedhur që në këtë 30-vjetor të kujtoj katër heronjtë e lirisë e të demokracisë – këto 4 yje të lirisë,

lule të demokracisë - që u vranë gjatë protestave anti-komuniste në Shkodër me 2 prill, 199, me fjalët e këngëtarit të njohur shqiptar, të ndjerit Sali Mani:

Kengë kushtuar 4 Dëshmorëve të 2 prillit, 1991 në Shkodër

Sali Mani - Katër dëshmorët - YouTube

Kur zbardhë drita ditë për ditë

Dalim heret me vaditë

ma të bukurat lule në botë

pak me ujë e pak me lotë.

Katër yje të lirisë,

Lulet e demokracisë.

Kush i vrau dora iu thaftë

Kush i preku zemra iu çaftë.

A e dini kush i vrau,

Dje i vrau e sot i qau.

Dritë as diell me sy mos paftë,

Diktaturë zemra t’u çaftë.

Ndalo ti o dorë mizore

Dorë e zezë konservatore

Pesë dekada na ke vra

S’i le nanat as me kja.

Arben Broci djal ku je?

Shkodër locën gjallë e ke.

Diktaturat po varrosen,

Diktatorët po groposen.

Po qet shkumbë burokracia

Se u shpalos demokracia

Kush dha urdhër në atë shtërngatë

Me vra  njerëzit duar thatë.

Ju thaftë goja kush e dha,
fjalën vrisni kush e tha?

Ti o vrasës urdhërdhanës

Helm tu bafshin gjijtë e nanës!

Nepër popull plumba ranë,

Katër yje në gjak u lanë.

Fshehu dorën tirania,

derdhi lotë demokracia.

Po renkojnë malet me gropa,

Korbat sillen rreth e rrotull,

Në katër rrugë ka mbetë ai popull.

Diktatura na varfënoi,

E si komb na përçudnoi,

Na dhanë rrugat nepër botë.

Diktatori vrau e preu

Plot me plagë u mbush Atdheu

Ju tha zemra kësaj Shqipni,

Për liri, demokraci.

Kur zbardhë drita ditë për ditë

Dalim heret me vaditë

Ma të bukurat lule në botë

Pak me ujë e pak me lotë.


Arben Doci ku të ra gjaku

M’u  te dora e Bujar Bishanakut

Te Besniku te Nazmia,

Gjaku i juaj Demokracia.

Hej, Arben Broci djal ku je,

Shkodër locën gjallë e ke.

Diktaturat po varrosen,

Diktatorët po groposen.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora