Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Petrela, vendi i dy kështjellave

| E enjte, 01.04.2021, 09:00 PM |


Pranë fragmentit të murit fortifikues të Persqopit

PETRELA, VENDI I DY KËSHTJELLAVE, MBI TË CILAT HISTORIA ÇMBËSHTILLET PËRGJATË SHEKUJVE

NGA PËLLUMB GORICA

Sa herë udhëtoj, jo vetëm në natyrën e papërsëritshme, por edhe në monumentet e lashtësisë, them me vete: Çfarë do të vështroj e ndiej që të më mahnisë pafundësisht?

Sado i shkurtër të jetë udhëtimi, mbresat janë të mëdha, kur trualli që shkel ka shumë epikë e bukuri arkitekturore, aq sa, lidhesh shpirtërisht me ato dhe të sjellin kënaqësi t’i vizitosh, kur mëson më shumë nga udhëtimet e mëparshme.

Udhëtojmë për t’u shkëputur nga mendimet e zymta, që largojnë buzëqeshjen dhe shtojnë vështirësitë si asnjëherë tjetër, me shumë dhimbje, tragjedi, lot, dëshpërim e ankth, nga Covid-19, që na ndjek si hije e zezë, duke zgjatur kthetrat e vdekjes anë e kënd Botës dhe po luan me durimin, përpjekjet dhe shpresat tona. Ne jemi të detyruar të jetojmë edhe në një atmosferë të tensionuar ideologjike, morale, politike e shoqërore të fushatës zgjedhore të politikanëve batakçinj, shkaktarë të anarkisë, që po dominojnë Shqipërinë e 30 viteve të fundit; të fytyrave të zhurmshme të analistëve hipokritë,  të gufuar si gjelat në majë të plehut, që bluajnë krundet pa bukë e bereqet, në ekranet televizive, radiot apo gazetat, këta Zhyrdenë modernë, të cilëve Molieri i madh ua ka dhënë paradhënie kthimin në qesharakë, të bërit bajat.

Frëngji e Kështjellës së Petrelës

Në Petrelë natyra dhe njeriu janë në një paqe historike

Pa shkuar shumë larg Tiranës, aq afër përjeton peizazhet, historinë, kulturën e  Petrelës, me kështjellën e saj dhe më tej të vendbanimin antik të Persqopit, plot me mistere, që njeriu në kohërat e hershme i zgjodhi për të jetuar me dinjitet. Makina jonë la pas Tiranën e rrëmujshme për të ngjitur kthesat e shumta të rrugës për atje. Të dukej sikur vallëzonin makinat, të cilat gumzhinin pareshtur. Aty- këtu grumbuj dherash e gurësh të hedhur, të marrë nga mishi i nëndheshëm i tokës. Pylli i harlisur, prej penelit të pranverës ishte veshur me ngjyrat e çelura që fëshfërinin tinguj mahnitës. Ti merr sytë shpejtësia e fluturimit të dallëndysheve, që ngriheshin lart, herë vetëm, herë në çift, hera-herës në kuartet, derisa bëheshin si një ansambël krahndehur, qielli që fundohet me male, majat e të cilëve ndrijnë nga bora e shpirti të bjen në paqe. E përjeton plot emocion këtë natyrë që Zoti e ka krijuar e bekuar, çka e dëshmojnë mrekullisht edhe ndërtimet e thurura bukur, dy e tre katëshe, kafenetë, bujtinat e restorantet, që nuk janë të pakta për të pirë një kafe, apo për të shijuar guzhinën.

Petrela është një toponim me interes etimologjik, që vjen nga thellësia e shekujve, me histori të spikatur e lavdi të merituar, duke lënë gjurmë, qysh nga Parthinët Ilirikë, me kështjellat e lashta dhe relikte, të cilat ruhen edhe sot e kësaj dite, si dëshmi e gjallimit. Njohës të historisë me fakte kanë sjellë argumente të pakundërshtueshme mbi emrin dhe lashtësinë e saj. E njohur me emrin antik Batarla, që rrjedh nga fjala “shkëmb, duket se është provuar lidhja përmes shndrrimeve fonetike. E para që e përmend atë, është Ana Komnena. Ajo e quan Petrula në shekullin XI, në luftimet ndërmjet normanëve dhe bizantëve. Historiani i shquar i shekullit XV, Barleti shkruante se Petrela ishte (qytet i papushtueshëm), që tregon se në atë kohë kishte marrë tiparet e një qyteti të vogël, të pajisur me mur rrethues.

Kështjella e Petrelës

Sapo mbërrijmë në qendër të Petrelës, ndalojmë për të pirë kafe. Aty të befason rregullimi i saj, si një vepër arti e shtruar me gurë të gdhendur, me ndriçim dhe e pajisur me stola, me shtëpitë, ku ndërthuret epikja me lirikën, e vjetra me të renë, tradicionalja me stilizimet e kohës së socializmit, në rrugicat e ngushta me kalldrëm, si duar të bardha, ku ndjen gjallërinë ngjitëse të njerëzve të mirë dhe punëtorë, që të lidhur me tokën, bagëtitë dhe ullinjtë, megjithë vështirësitë punojnë e shpresojnë për një jetë më të mirë në të ardhmen. I sheh të përhapur arave e ullishteve me shqetësimin e stinës në sy, dhe veglat e punës në duar, që s’ka si të mos mendosh plot respekt dhe admirim për këta njerëz.

Petrelasit ndjehen përherë të dashuruar me vendin e tyre. Në këtë rast dua të përmend në tërësinë e virtyteve, më së shumti të qytetarisë, të respektit e mirësjelljes që i karakterizon. Nëse banori nuk arrin të kuptojë respektin që duhet të ketë për vendin e tij, ky i fundit shkon drejt rrënimit dhe jo pak fakte e tregojnë këtë. Kur nuk ke kulturë mungesa e parimeve do ta shndërrojë atë në një endacak në kërkim të kënaqësisë, dhe nuk ka për ta kuptuar ndonjëherë pasi i mungon identiteti.

Fragment i murit fortifikues të Persqopit

Persqopi antik, dëshmi e mpiksur

Me pasionin rrëmihtar të hulumtuesit të lashtësisë dhe mistereve të saj e morëm rrugën drejt vendbanimit antik të Persqopit, të shtrirë në pjesën perendimore të malit të Vilës. Pyesnim banorët, për t’u siguruar se po ndjekim rrugën e duhur, që është pak e lodhshme. Mirëpo ne që pëlqejnë këtë lloj ‘‘ecje’’ e sidomos, aty, ku peizazhi, të bën me krahë, nuk ngopemi së vështruari. Aq më tepër në këto ditë, që nuk është as vapë dhe as ftohtë, por pranverë, ku toka mban simbolikën e ripërtëritjes dhe vazhdimësisë së vargut të jetës. Këtë e bëjnë më të gëzuar burbuqet e çelura të marsit, që zverdhonin e zbardhonin si yje, aguliçet, anemonet, yllin e Betlehemit, shafranin mesdhetar dhe manushaqet e adhurueshme që kanë mbirë nëpër lëndina, sa nuk i reziston tundimit t`i këpusësh. Rreth e qark kundërmonin edhe bisqet e kumbullave, dardhave e thanave, që kanë lulëzuar si rrallë herë e hijeshojnë me freskinë e tyre. Dielli të buzëqeshte me një ndjeshmëri të dukshme poetike. Dhe s’mund të rrish pa shijuar përkëdheljen e rrezeve të tij, kur përballë, në kodrat e Teflit shndrisnin si pasqyrë liqenet e Rrovës dhe Zaranikës, sa uji kristal i të cilëve m`u bë si lot.

Ullinj afër Vendbanimit antik të Persqopit

Ecim shpatit të dallgëzuar nga gjelbërimi i ullinjve. Trungjet e tharë dhe gjithë gunga e zgavra me degëzat e tyre fëshfërinin me një murmurimë të lehtë. Krikëllimat e hapave tanë dhe tek- tuk cicërimat e zogjëve trazojnë heshtjen. Aty-këtu shikon ndonjë pishë të butë, ndonjë shkurre dhe gurë me gjenialitetin e tyre, të gdhendur nga dora e skulptorit më të përsosur të natyrës. Mandej, rruga kalon atje, ku janë rrënojat e lashta të vendbanimit antik të Persqopit.  Të bën përshtypje pamja e një muri të trashë, nga vendi dhe pozicioni ku është ngritur, me gjatësi 60 m dhe lartësi prej 7 m. I mban këmbët e sodit gurët e puthitur në mënyrë të rregullt (gurë ciklopik të ngjashëm me ato Pellazgjike), që domosdo të fusin në mendime, me shenjat e mijëvjeçarëve, si vulë tempulli lirie, të bazuara në histori e legjenda për të treguar se Persqopi daton në gjysmën e dytë të shekullit IV p.e.s. Ai përbën një nga vendbanimet me hapësirë jete dhe qëndrese, që mundësonte kontrollin e një pjese të madhe të territorit dhe rrugëve përreth.

Persqopi, i cili mbart mbi vete shumë mistere, por edhe fakte historike të cilat kanë vlera tejet të rëndësishme për antikitetin njihet si vendbanimi i mbretit ilir Glaukut, aty ku u prit dhe u rrit Pirroja i Epirit. Mbi këtë mur dhe venbanimin antik të Persqopit nuk ka asnjë të dhënë historike nga autorët e lashtë përveç historive gojore e as nuk dihet prej ç’kohë e trashëgon këtë emër, të cilin e mban edhe sot, sepse nuk përmendet. Ndërsa është interesante fakti që të vetmit njerëz që e vizitojnë të cilët janë në një numër shumë të kufizuar janë adhuruesit e vendeve historike.

Bëhesh njësh me natyrën e ndjen krenari për muret, që duke rrezatuar brezave forcën e tyre ndër shekuj, që të flasin në shpirt me një hije trishtimi nga koha e agjentët atmosferikë, të cilat sa më shumë kalon koha, aq më tepër rrënohen, aq sa ishin rrëzuar disa pjesë nga struktura kryesore e murit. Ato, së bashku me mbetjet e qeramikave dhe varrin monumental për arkeologët janë të rëndësishme, si një vendbanim antik, kur qytetërimi ilir ishte në kulmin e tij.

E vërejmë vendosjen e varrit monumental në faqen e majtë të malit me pozicionin nga perëndimi në lindje dhe të rrethimit me gurë. Tek- tuk vështron gropa të hapura për kërkim të gjetjeve antike, gjë që pranohet nga banorët, disa prej të cilëve kanë dëshmuar se kanë qenë protagonistë të këtyre fenomeneve.

Kalldrëmi që  të nxjerr në kështjellë

Madhështisë kaq pranë

Në sheshin e kalldrëmtë të Petrelës pi ca grushte ujë nga çezma, që nuk ta zëvëndëson as uji i Trebeshinës, i Zagorisë apo i Selitës. Mamica të duket se zbret nga qielli, si re e bardhë dhe të fanitet para teje. Ecim pak më tutje, me kokën lart, duke shpërfillur ndërtesën ‘‘moderne’’ të galerisë. Kalldrëmi, që në krye të tij të nxjerr në kështjellë, të fton në majën më të lartë të saj. E ngjitim atë përmes shkallareve, sa tringëllon zhurma e tyre trak e truk e ngjasuar kësisoj, si një melodi e çrregullt. Prej andej syri të rrëshqet, si në një ballkon gjigant. Buzë lumit të Erzenit, që nanuriste qetë e ëmbël si ëndërritje drejtë detit, fshatrat të ngjanin, si piktura të freskëta në galerinë e një ekspozite. Më tej kodrat, me format e tyre dhe Dajti e Krraba që shpërfaqen të kapërthyer nga hijedrita e borës, t`i mbushin mushkëritë me ajër të pastër. Rrezet e diellit llamburitin shtratin e rrugës. Ajo shkurton distancat e lidh pazgjidhshmërisht juglindjen me qendrën e Shqipërisë. E vështron edhe Tiranën me konturet e saj ndjellëse, që shtrihet sa gjatë e gjerë, për të çmpirë gjymtyrët e stërzgjatur lakoreve të kodrave. Në një baraspeshë midis tradicionales e modernes, Tirana po i përngjason qyteteve evropiane; me pamje laramane të shtëpive- vila e kullave shumëkatëshe, në forma dhe stile arkitekturore, aq ngjitur e në rresht si ushtarët; me qendra tregtare gjigante, si TEGU të krahasuar me qytetet më të populluara të botës, rrugët plot me lëvizje, që të japin shijen e pakrahasushme, ku i gjen të gjitha mrekullitë e ngjyrave, larushinë e përmasave, thellësinë e dukurive, dobishmërinë e ideve, të mesazheve dhe vlerave.

Gurët cikllopik të Persqopit

Si gjithmonë e vizitoj me shumë dëshirë kështjellën e Petrelës, sepse sinqerisht ndjehem i lidhur emocionalisht me simbolikën dhe elementët e saj arkitektonik (edhe pse e vogël në përmasa), të ndërtuar mbi një shpat shkëmbor të pjerrët, që të duket si vetë parajsa mbi tokë. Ajo mbart histori, që ka të bëjë me luftën e banorëve të lashtë për të mbijetur në trojet e lakmuara, çka nuk ka qenë e njëjtë në kohë e stinë të ndryshme. Mendohet se është ndërtuar në periudhën e vonë antike të shekullit III-IV p.e.s dhe rindërtuar pas shkatërrimeve në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I (shekulli VI), si gjerdan i kështjellave që rrethojnë Tiranën, si ajo e Ndroqit, Tujanit, Prezës, Lalmit, Dorsit, etj. Nëse i sheh gjurmët e fortifikimeve të tyre, të cilat fatkeqësisht janë lënë në mëshirë të fatit, ato shquhen për pozitën e strategjike, duke pasur nën kontroll rrugët që kalonin këtu.

Gjurmët mjegullohen në kohëra, por kështjella e Petrelës përmendet në anuaret historike si kështjellë e Topiajve, të cilët zotëronin zonën e Matit dhe Shkumbinit (në një faqe të murit ruhet emblema e parë e Topiajve). Në shekullin XV Petrela qe kështjella e parë që u çlirua prej osmanëve nga Gjergj Kastrioti, pasi kishte një rëndësi strategjike për kontrollin e Qafës së Krrabës, prej nga, shpesh, kanë ardhur ushtri pushtuese. Kështjella shërbeu si vendbanim i Mamicës, motrës së Gjergj Kastriotit.

Sheshi Mamica në Petrelë

Këndej kaloi dy shekuj më parë albanologu austriak J.G.Hahn, i cili bëri një përshkrim mjeshtëror të kështjellës. Në fillim të shekullit XX në Petrelë erdhi edhe studiuesi T.Ipeni, ku fotografoi kështjellën dhe fotot i botoi në gazetat e kohës, në të cilën duken qartas elementë ndërtimorë, që sot janë shembur. Të tjerë studiues të huaj, si Ami Bueja, Prashniker e Shuflai e shkelën Petrelën. Ata përcakuan kohën e themelimit të saj, për fillimin e jetës si qendër e banuar.

Fshatrat e Tiranës dhe mali i Dajtit

Krejt çfarë të sheh syri brenda kështjellës, në muret, kullën, topat, zejet, të kujtojnë një Petrelë të moçme, të kahershme, të një epoke tjetër (ndodhet edhe një bar- restorant tradicional), me ngjyrë të ngrysur e aromë lashtësie, sa edhe kafja që e shijon aq shumë merr kënaqësinë prej lartësive të saj.

Kështjella e Petrelës e ngrohtë, miqësore e bukur dhe e pastër, ashtu siç do të donim të ishin shumë të tjera në trojet shqiptare, gjithsesi tradicionale me reliktet e artifaktet e shumta historike dhe etnografike, të ruajtura me përkushtim, dashuri dhe respekt për paraardhësit, të ngjall dëshirën për t’u rikthyer përsëri.

Ne shpesh vendet e rëndësishme historike, që kemi pranë, i lemë pa i vizituar, duke menduar larg, pa u thelluar çfarë jemi duke humbur.

Petrela thuajse është Tiranë, aq afër sa nuk kushton shumë për ta shijuar, por me kë shkon për ta shijuar?!...

Një nga portat e kështjellës së Petrelës

Anemonet

Lugina e Erzenit

Lulja Ylli Betlehemit

Mbetjet e një ndërtimi në kështjellën e Petrelës

Në hyrje të varrit monumental të Perqopit

Një nga kullat e kështjellës së Petrelës

Rrugicat e Petrelës, si duar të bardha

Shkëmbinjtë si mur rrethojnë Persqopin

Të gdhendur nga dora e skulptorit natyrë

Topi i vetëm në kështjellën e Petrelës

Varr monumental në Persqop