E marte, 04.10.2022, 06:41 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Shporrje

E merkure, 31.03.2021, 09:23 PM


Shporrje

Nga Edison Ypi

Prej ca kohësh më shkaktonte ankth sita.

Erdh' e u trash ky ankth derisa u kthye në dëshpërim që nuk do ma largonte dot as një oqean me kamomili trazuar me një kontinent sheqer.

Ndoshta s'do ta kuptoja kurrë ç'po më ndodhte.

Për fat, si ajo rrëkeja e hollë e ujit, që po mori rrugë, pas pak shemb digën miliona tonëshe, një episod në dukje i vogël u bë shkak që enigma të zbërthehej.

I thashë një miku: Në jetën t'ime nuk kam parë kurrë një film shqiptar.

Ngriti vetullat, mblodhi supet, ngushtoi dhe rrumbullakosi gojën duke e bërë si brimë bythe, dhe tha; S'ka mundësi.

Po, i thashë. Kam parë fragmente disa minutëshe si afrojmë hundën ndaj ndonjë ushqimi të bajatosur dhe e largojmë menjëherë me neveri, por kurrë një film të tërë. Jam gati gjatë një milionë viteve të ardhëshme të gërryej me thonj në shkëmb dhjetë tunele Kalimashi dhe njëzetë La Manshi me nga katër kalime secilin, por një film shqiptar nga fillimi në fund kurrë s'kam për ta parë.

Ndërkohë që miku me brimën e gojës si brimë bythë vazhdonte të më kundërshtonte, ndjeva se si diku në trup mu nda nga shoqet një qelizë.

Përfytyrova me frikë qelizën e arratisur që bashkohet me shoqet dhe formojnë atë gaforren e zezë që të shkakton atë gjumin pa zgjim.

Tek ikja me tru të shpartalluar nga miku mosbesues, më vajti mendja tek mbipopullimi i listave të emrave nëpër rraqet teknologjike.

Mikun e budallallepsur nga soc-filmat dhe soc-teatrot, e shporra me ngut nga listat si hidhet në rrugë me shkelma një hajdut nga shtëpia. Aty të ngordhësh, i thashë, derisa të besosh se ka edhe njerëz të cilëve të parët e soc-këllirave u shkakton të vjella.

Tjetri që e shporra qe' dikush që po përgatitej të shkonte në ca vende të bukura. Sapo nisa ti them diçka për rrugët, ma preu me ton sfidues; Më sollën nga Greqia një Navigator. Nuk më duhen këshillat.

Aty mu bë sikur dikush më goditi befas me sëpatë pas kokës. Mbytur në gjak, s'e dhashë veten. Mir' i thash, ik o kafshë ik, ik dhe pyet Navigatorin se të tregon Navigatori: Për një Kishë të magjishme të vogël për dy njerëz. Për një çoban dhish pa gunë dhe pa fyell që ngjitet përpjetë malit në shi e në breshër me në dorë një bastun me bisht të gdhendur që j'a ka sjellë i biri nga Greqia, si ty Navigatorin.

E shporra edhe këtë budalla ku e kisha e ku se kisha nëpër telefona, kompjutera, tableta.

Shporra me shkelma me këtë rast nja njëzet a tridhjetë të tjerë prej atyre që ta japin numurin apo email adresën pa ua kërkuar.

Pastaj shtyva dhe shporra pa aspak mëshirë në humnerën e errët të sikterit shpëtimtar gazetarët që i nisin shkrimet me "Siç dihet...".

Fill pas tyre, disa miqve që mbahen për konservatorë, u bëra pyetjen; A i do apo i urren puntorët e fabrikave të kohës së Diktaturës ? Të gjithë u përgjigjën se me zhulanjosat e kominosheve, jo vetëm s'kishin asnjë problem, por i kishin shumë xhan.

Shporra me këtë rast drejt të njëjtit fat edhe derdimenët që e mbajnë veten për djathtista, konservativa, por në fakt janë interesaxhinj të ndyrë, me të cilët nuk merrem se i bëj të famshëm.

Pas zgjyrës së konservatorizmit, shtyva dhe pështyva pa mëshirë një regjizor që tha në televizor: Ne shqiptarët jemi popull modest.

Pas regjizor halesë, duke u thënë të iknin të jetonin pranë të ngjajshmëve, në pyll me kërrmijtë dhe gjarpërinjtë, shporra me rradhë në greminë nja shtatë a tetë delirantët që dalin në fotografi me dorë në mjekërr, demek si mendimtarë të thekur.

Mes tjerësh, sikterosa edhe nja tre a katër që kishin nisur të bënin diçka të pabesueshme, të shkruanin roman me ndihmën e një softueri.

Pas kësaj, çlirova veten nga një barrë e rëndë. Shkëputa lidhjen me numurat që celulari nuk i njeh, dhe bllokimin e thirrjeve që nuk u çfaqet numuri në ekran.

Maq, moq, piq, qiq, qoq, qyq - sa të duash.

Miq fare pak.

Kur në të ardhmen e afërt do kem vetëm shporrje dhe asnjë bujrum, mrrokllat do t'i flak.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora