E enjte, 22.04.2021, 02:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Shkrimi si shenjë e identitetit të një kombi

E marte, 30.03.2021, 09:32 PM


SHKRIMI SI SHENJË E IDENTITETIT TË NJË KOMBI DHE PAMJA VIZUALE

Nga Prend BUZHALA

Shkrimi është shenjë e identitetit të një kombi, posi gjuha e folur dhe e shkruar. Që nga shkrimi në rrasat argjile të sumerëve (katër mijë vjet para Krishtit), e deri te fleta elektronike e shkrimit në Epokën digjitale, qëllimi kryesor ishte "paraqitja grafike e mendimit" (sipas Aleksandar Stpiçeviq: "Historia e librit", "Rilindja", Prishtinë, 1988). Frederik Goudy, tipograf, artist e dizajner amerikkan, thotë se "Nga të gjitha arritjet e mendjes njerëzore, lindja e alfabetit është më e rëndësishmja".

1.

Edhe të parët tanë (po e nisim nga ilirët), kanë qenë njerëz të shkrimit. Gaius Plinius Secundus është i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.). Ai ishte një natyralist i shquar romak, i cili në vitin 77 (pas Krishtit) botoi serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar “Naturalis Historiae” (Historia e Natyrës). Plini Plak, në vëllimin VII, shkruan : “Ilirët (arbrit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”. Ndërsa Në vëllimin VI të këtij libri, ai shkruan: latinisht: “Ex quo aparet æternum litterarum usum. In Latium eas attulerunt Pelasgi.” Shqip (përkthim): “Nga kjo rezulton një përdorim i vazhdueshëm i shkronjave të alfabetit (gjuhës së shkruar). Në Lazio (Lacium) ata që i sollën, ishin Pellazgët (shkronjat e alfabetit)”. Në veprën e tij gjenden shumë të dhëna gjeografike dhe ekonomike mbi Ilirinë dhe të dhëna të përgjithshme mbi shoqërinë ilire.

2.

Prej se mbahet mend historia jonë, që nga kohët ilirike e parailirike, ky polem (etnik) i ka dhënë shumë botës. Le ta kujtojmë Ilirinë, e cila i dha botës romake e asaj helenike. Kulti rilindas i lashtësisë dhe i figurave të shquara të lashtësisë, ishte edhe objekt i trajtimeve të Samiut. Ai shkruan:

"Me Pyrron’ e më Aleksandrinë mburenë grekërit e i quajnë grekër. Maqedonasitë, që me trimërit të tyre muarrë gjithë botënë në pakë kohë, nuk’ i suallë nonjë të mirë Shqipërisë, po grekëritë, q’ishinë armikët e tyre, u ranë pas e i rrethuanë, edhe këta fituanë nga gjaku, që derdhë ata. Se maqedonasitë përndanë nëpër gjithë vëndet, që muarrë, gjuhën’ e qytetërinë e grekët e jo të tyrenë, q’ish shqipja. E shum’ e botësë edhe sot maqedonasitë i zënë për grekër. Vërtetë, të mos ishinë maqedonasitë, gjuha e greqet e qytetëri’ e tyre do të mos kishin marrë dot kurrë këtë bujë, që ka sot, edhe mbase do të kish humbur’ e t’ish haruarë fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të dituritë, q’arrinë n’Egjyptë në kohët të Ptolemenjet, e bënë gjuhën’ e qytetërin’ e greqet të përndahetë e të dëgjohetë me gjith’ anët të dheut...  Ptolemenjtë, q’ishin fjeshtë shqiptarë nga Çamëria, e gjithë maqedonasitë lanë gjuhën’ e tyre, shqipenë, më nj’anë të haruarë e të paditurë e vunë përpara greqishtenë, gjuhën’ e Dhimosthenit, që ka folurë aqë kuntrë maqedonaset." Para Samiut, De Rada u përpoq të fuste alfabetin pellazgo-etrusk në gjuhën shqipe, sepse nga ky shkrim alfabeti grek ishte i kopjuar. Te një varg veprash, punimesh e krijimesh letrare, ai ngriti kultin pellasgjik (Divinazioni Pelasghe” (Hyjnitë Pellazge), “Antichita della Nazione Albanese” (Lashtësia e Kombit Shqiptar),  studimi “Pelasghi ed Elleni” ( Pellazgët dhe helenët). Pellazgët, të parët tanë, sipas studimeve të De Radës, ishin shpikës të shkrimit. Por ja që edhe pellazgët e etruskët ua dhanë grekëve alfabetin, autorët, veprat...

E vetë?

Për vete nuk ndalën asgjë!?

Po romakëve?

Fituan të tjerët, as ilirët, e as shqiptarët më vonë, nuk fituan gjë!

3.

Kongresi i Manastirit mbahet më 1908. Ky Kongres, me shkronjat latine, hodhi poshtë ato arabe e cirilike-greke, i ktheu shqiptarët me fytyrë kah Evropa. Ishte ajo traditë që erdhi nga Iliria e Shën Jeronimit, nga Arbëria e Barletit, nga trojet etnike të pushtuara të kohëve të Buzukut, Budit, Bogdanit a Bardhit, apo nga Kuvendi i Arbrit etj.

Faktet e Kongresit (dëshmitë e të huajve), dëshmojnë për europerëndimorizmin shqiptar me anë të alfabetit dhe për antishqiptarizmin e tërbuar të Perandorisë otomane që po na paraqitet shpesh si "shpëtimtare" dhe "e kulturuar". Zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë, e pranishme aty si vëzhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta: “Kumtesa më e mirë u mbajt nga një prift katolik, nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë që dëgjuesve t’u rridhnin lot; një hoxhë u prek aq shumë, saqë rendi ta përqafonte para gjithë të pranishmëve”. Më 1911, Hoxhson, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike të Kostandinopojës, raportonte: “Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur pa pikë mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e letërsisë shqipe nuk kanë reshtur kurrë. Gjendja e rëndë politike mund të marrë flakë nga çasti në çast. Tashmë shqiptarizmi kishte shpërthyer dhe nuk do ndalej më!”

4.

Nuk është e habitshme, prandaj, përse shoqëria njerëzore e gjen vetveten te alfabeti, te dëshmia e shkruar. Mbi të gjitha qëndron alfabeti, sepse në të qëndron mençuria më e thellë; por vetëm ai mund ta kuptojë atë, i cili di vërtet se si ta bashkojë atë" (Emanuel Geibel, peot dhe dramaturg gjerman).

Sado që Epoka Dixhitale e "mposhti" librin fizik, tipografik, gutenbergian, megjithatë, SHKRIMI MBETET. Mbetet Fleta digjitale me trashëgimitë e përparshme historike.

Kush prej nesh, qoftë fëmijë a po i rritur, nuk sheh brenda ditës një varg PAMJESH VIZUALE, nga të cilat marrim aq shumë INFORMACIONE. A nuk është, kësisoj, funksioni i kësaj bote vizuale (televizive, internetit, medieve të shkruara etj), i po asaj rëndësie që ka GJUHA me komunikimin e saj verbal, fjalësor? Pamja vizuale mund të përshkruhet, të shndërrohet në tekst të shkruar, apo të verbalizohet me anë të fjalës së gjallë. E pra, BOTA VIZUALE ka shprehjen e saj me anë të pamjeve, figurave. Realiteti i tillë vizual, flet, ligjëron, komunikon... Ne ballafaqohemi me pamjen e tillë, dhe, në të vërtetë, na duhet ta shqiptojmë ME ANË TË FJALËS atë dimensionin e TË PATHËNMES, apo, sikundër thuhet, me PËRMASËN E HESHTUR të vizualitetit në figurë, në figurën vizuale. Së këndejmi, nuk është thënë më kot, se gjuha nuk mund t'i shqiptojë të gjitha mundësitë e potencialet e shprehjes vizuale...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora