E enjte, 25.04.2024, 04:18 PM (GMT+1)

Faleminderit

Heroinë e Idesë Kombëtare Marigo Posio

E enjte, 27.11.2008, 03:25 AM


Nga Cane Rama

 

Ka një domethënie datëlindja e zonjës shqiptare Marigo Posio. Ajo erdhi në këtë botë të trazuar pikërisht në vitin 1878, me lidhjen Shqiptare të Prizrenit. I ati Korçar, Kosta Poçi dhe e ëma Voskopojare Lenkë Ballauri, u rritën me kujdes e pekule mes dy vëllezërve edhe dy motrave. Kishin një dyqan të vogël, mes një qyteti që ziente nga zejtaria dhe tregtia, me degë dhe agjenci tregtare në qytete kryesore të vendit deri në Vlorë, dhe më tej jashtë trojeve të vendit. Duke pasur kësisoj marrëdhëniesh edhe lëvizja atdhetare, shpirtërore e kulturore kishin marrë një gjallëri të veçantë.

 

Rritur në këtë mjedis të shëndoshë Marigoja kreu shkollën qytetare të vashave për tetë vjet rresht dhe shumë shpejt e pa veten në radhët e luftëtarëve të lirisë.

 

I ati, me ato pak të ardhura që nxirrte nga dyqani, ndihmonte me sa mundte lëvizjen duke i kthyer mjediset ku jetonte e punonte në qendra atdhetare dhe duke financuar për zhvillimin e arsimit.

 

Lidhjet farefisnore me Spiridon Ilon, Thimi Mitkon, Spiro Ballkamenin dhe rrethi shoqëror përparimtar, domosdo që ndikuan drejtpërdrejtë dhe ndjeshëm te Marigoja e vogël, e cila deklamonte përpara tyre vjershat e autorëve rilindës.

 

Dalëngadalë ajo vetë, pa qenë mësuese, mblidhte në shtëpi të saj shumë vajza të qytetit për t'u mësuar shkrim e këndim. Veç kësaj, ajo duke pasur duart të agjenda nisi t'u mësojë edhe qëndistarinë. Midis punëve të asaj ato i tërhiqte mamasë një flamur shqiptar i punuar me aq pasion e dashuri, si një vepër arti. Të njëjtën gjë nisën të bëjnë edhe shoqet e saj në shtëpinë e tyre, ashtu fshehurazi, sepse pushtuesit otomanë bënin kontrolle nëpër shtëpitë e tyre, duke rrënuar ku të mundnin. Pre e kësaj përndjekje u bë edhe shtëpia e Kostës dhe vetë Marigoja, e cila humbiste gjurmët duke shkuar për të jetuar nëpër njerëzit e fisit të saj.

 

Nën pamundësi të qëndrimit të saj të mëtejshëm në qytetin e lindjes kjo vajzë e re dhe e shkathët, detyrohet që të shkojë në qytetin bregdetar të Vlorës, te njerëz të saj sikur ta ndiente se këtu do të ndodhin ngjarje të mëdha dhe jetike për kombin.

 

Në rrethet patriotike të këtij vendbanimi të ri shumë shpejt kjo zonjë Korçare u kthye në zonjë Vlonjate, e mirëpritur, e vlerësuar dhe e respektuar si bijë e tyre. Tok me të shoqin Jovan Posio, ngritën çerdhen e tyre familjare në një shtëpi të thjeshtë të lagjes "Muiradie", ku edhe sot gjejmë një pllakat të mermertë, ku shkruhet me gdhendje :

 

'Në këtë shtëpi atdhetare Marigo Poiso qëndisi flamurin Kombëtar, të cilin heroi i popullit "Ismail Qemali" e ngriti në Vlorë më28 nëntor 1912.

 

Këtë e thotë edhe kënga që u ngrit për këtë burrneshë:

 

Cila dorë e pat punuar?

Kombit kush ia pat kushtue?

At' flamur që valoi në Vlorë,

Për me shpallë lirinë tonë?

 

I kuq si flaka, me thekë të mëndafshtë dhe me shqipen dykrenare në mes. Atë copë ajo e bleu në dyqanin e diamanteve dhe thirri dy atdhetarë të talentuar e fantazitë, Dom Mark Vasa dhe Petro Fotografi për të fiksuar me vizatim shqipen dykrenare. Ky flamur, me pjesëmarrjen e shumë grave e vajzave vlonjate arriti të shumohet deri në rreth 500 copë. Kështu shtëpia e saj, nga rrobaqepësi e qëndistari, nisi të profilizohet në prodhimin e flamurëve. Tregojnë që kur copat e kuqe nuk gjendeshin në treg për arsye të ndryshme, gratë përdorën plaçkën e pajave të tyre, që kish ngjyrën e duhur për të prodhuar flamurë.

 

Si në Korçë dhe këtu, shtëpia e saj u kthye në një vatër atdhetarie. Një ndihmesë e drejtpërdrejtë e klubit Labëria që ish ngritur. Çdo anëtar i saj e gjente derën hapur kësaj shtëpie, por veçanërisht vajzat e gratë vlonjate nuk qëndronin dot pa trokitur në këtë derë mikpritëse. U bë pjestare e disa Komiteteve që u krijuan për çështjen e lirisë dhe një herë e ndodhur në Korfuz, mori vetë përsipër që të kalonte përkëtej një flamur shqiptar të bukur dhe të rrallë, punuar në Amerikë, duke e mbështjellë atë mbas trupit. Ajo ish krenare që djali i saj, Vasoja luajti aq bukur në skenën Teatrore dramën e Mihal Gramenos "Vdekja e Pirros".

 

Me themelimin e shoqatës Shpresa do ta shohim drejtoreshë të një gazete më të njëjtin emër.

 

Ajo mori pjesë në të gjitha ngjarjet jetike të Kombit Brenda dhe jashtë Vlorës, sidomos në luftën e Vlorës, Revolucionin e Qershorit etj. Marigosë krahas sëmundjes që po e rëndonte gjithnjë e më shumë, iu desh të përballonte dhimbje të thella! Vdekjen aksidentale të djalit dhe ndarjen nga jeta dy bijat e saja; eshtrat e të cilave prehen në ishullin e Zvërnecit, bashkë me të sajat. Marigoja u nda nga jeta më 23 gusht 1932 në vuajtje e mjerim dhe verbuar. Atë kohë jetonte te e motra në Tiranë e cila nisur nga porosia që kish dhënë vetë Marigoja heroike, e përcolli trupin e saj të vdekur pranë bijave. Si rrallë herë tjetër në ceremoninë e përcjelljes së saj mori pjesë me lot në sy e gjithë Vlora. Në krye të Komisionit të kësaj ceremonie të dhimbshme u vu atdhetari Tol Arapi, mik i kësaj familjeje të shquar. Ndonëse kanë kaluar e do të kalojnë vite me radhë, emri i saj mbetet i gdhendur në kujtesën popullore dhe historike si heroinë e Idesë Kombëtare.  



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora