| E hene, 29.03.2021, 08:31 PM |
Labinot Ramadani pasioni për muzikën dhe aktrimin
Nga
Ermira Babamusta, Nju Jork
Labinot Ramadani
njihet në skenën artistike me emrin “Lab” lindur në vitin 1984 në Rahovicë,
Ferizaj të Kosovës. Është këngëtar, aktor dhe shkruan tekse këngësh. Shkollën e
mesme ekonomike e ka kryer në Ferizaj në 2004. Që nga viti 2006 jeton në
Gjenevë, Zvicër bashkë me familjen.
Në fëmijëri ka
patur pasion karatenë, futbollin dhe këndimin. Është marë me aktrim në vitet
2000 deri 2006 nëpërmjet teatrit modern “Po Po” në Ferizaj. Nëpërmjet trupës së
teatrit ka luajtur shfaqe në Gjermani, Amsterdam, Roterdam, etj dhe ka fituar
disa vende të para. Përkatësisht dy shfaqet “Futja pa lidhje del me lidhje”
(2005) dhe “Ku janë” (2001) me regji të Resul Jusufit kanë marrë vendin e parë
në Kosovë.
Labinot Ramadani
ka luajtur në disa filma me metrazh të shkurtër në Francë dhe Zvicër si
“Confiance” (2009) dhe “Les Histoire” (2011). Njihet për rolet në shfaqet e
suksesshme teatrale: “Ku Janë” (2001), “Hijet dhe dritat” (2002), “Alajdini”
(2003), “Kur s’ka a ka” (2004), “Futja palidhje del me lidhje” (2005), etj.
Si pjesë e trupës
Teatri Modern “Po Po” Ferizaj, Labinot Ramadani mori mirënjohje nga Drejtoria
për Kulturë, Rini dhe Sport për pjesëmarrjen në Festivalin e Teatrove të
Kosovës 2003 për dramën “Kur s’ka a ka” me autor dhe regji të Resul Jusufi. Me
rastin e “Javës së kulturës” teatri modern “Po Po” mori vendin e parë për
manifestimin tradicional mbajtur më 24-30 mars, 2001. Gjithashtu trupa teatrale
mori një mirënjohje nga Kuvendi i komunës Fushë-Kosovë për pjesëmarrjen në
manifestimin “Jeta Teatrore Fushë-Kosova 2002”, nderim për trupën e teatrit
modern “Po Po” Ferizaj.
Muzikën e ka patur
pasion që në fëmijëri, dhe 7 vitet e fundit është marrë me shkrimin e teksteve
të këngëve. Në vitin 2019 muzikën e mori seriozisht dhe ka lançuar tre këngë:
“Anila” (2019), “Zemra” (2020) dhe “Katile” (2021).
Përveç muzikës dhe
aktrimit, Labinot Ramadani edhe pikturon. Ka mbi 60 piktura abstrakte dhe ka
mbajtur dy ekspozita në Gjenevë.
Intervistë me artistin Labinot Ramadani “Lab”
Urime për videoklin e ri “Katile”? Si u mirëprit kënga dhe videoklipi?
Labinot Ramadani: Faleminderit shumë. Mendoj që kënga dhe videoklipi janë
pritur mirë dhe e falenderoj shumë publikun për mbështjen e tyre të
vazhdueshme. Ju jam mirënjohës me aq ngrohtësi që më kanë pranuar. Video klipi
u lançua me datën 20 mars 2021 dhe është vërshuar nga klikimet. Jam gëzuar
shumë që kënga është pritur shumë mirë.
Me kë keni bashkëpunuar pë realizimin e videoklipit?
Labinot Ramadani: Për realizimin e videoklipit kam bashkëpunuar me
kompaninë XL Films, me një ekip të shkëlqyer, që i falenderoj për punën
profesionale. Realizimi i videoklipit është bërë një pjesë në natyrë në
vendlindjen time në Rahovicë, dhe një pjesë në ambjet të mbyllur në Prishtinë.
Idenë e inspirimit
të këngës dhe tekstin mund ta di më së miri i nderuari ALBOS, sepse i ka bërë
të gjitha. Mua më është propozuar ideja për projektin dhe e kam pranuar.
Na tregoni pak për fillimet e tua në muzikë? Kur filluat ta merrni muzikën
më seriozisht si profesion?
Labinot Ramadani: Vazhdimisht kam shkruar tekste këngësh, ndërsa në lidhje
me muzikën kam kënduar më herët, që në moshën 10 vjeçare. Kam kënguar në aktivitete
shkollore gjatë shkollës së mesme.
Muzikën e kam
marrë seriozisht në vitin 2019, kur kam patur një takim të rastit me të madhin
mbretin e muzikës Blerim Muharremi, që njihet në skenë Blero.
Më seriozisht
muzikën si profesion e mora pas projektit tim të parë të këngës “Anila”. Pashë
që u prit mirë nga publiku dhe me një motivim nga Blero, fillova të angazhohem
me seriozitet.
Të cilit zhanër e karakterizoni muzikën tuaj?
Labinot Ramadani: Mendoj baladë moderne urbane.
Mund të na tregoni pak më tepër për këngën tuaj të parë “Anila” dhe
inspirimi për të?
Labinot Ramadani: Emigrova si i ri nga vendlindja. Dhe kur kuptova se po
bëhem baba, ishte një ndjenjë tepër e veçantë, që besoj që mund ta kuptoj
çdokush që është prind, diçka që nuk përshkruhet. U gëzova shumë kur u bëra
baba dhe i këndoja herë pas here vajzës time, Anilës. Kështu mendova që t’ia
bëj një këngë dedikuese asaj. Ndjeja nevojën që t’a gravoj diku këtë emocion
dhe dashuri që ndjeva, sepse dhe shkruaj nga pak dhe tekstin e plotësoja çdo
herë nga dashuria që ndjeja dhe që me jipte Anila.
Cilat janë disa nga projektet e tjera të tua muzikore që keni?
Labinot Ramadani: Kam disa projekte të bukura dhe kur të jetë koha e
përshtatshme do t’i ndaj me publikun.
Keni patur sukses si aktor në teatër dhe film. Si kanë qenë përvojat në
teatër dhe në ekran për ju?
Labinot Ramadani: I dua të dyja si teatrin edhe filmin dhe kam patur një
eksperiencë shumë të mirë. Kur je në teatër është një emocion i veçantë që e
ndjen për momentin dhe nuk e kthen dot mbrapa. Ndërsa në film është një
adrenaline. Të dyja më japin një emocion dhe kënaqësi që rrallë. E dua aktrimin
dhe e shoh veten në botën e filmit.
Cilat performanca do veçonit nga shfaqet teatrale që ishin më mbresëlënse
për ju dhe pse?
Labinot Ramadani: Po, mund të them që shfaqja “Ku janë” me regji të Resul
Jusufit, shfaqe kushtuar të zhdukurve viktimave, dhe të gjithë atyre që dhanë
jetën për liri që ne gëzojmë sot, temë aktuale edhe sot. Si dhe shfaqja “Kur
ska, a ka” që ka të bëjë me izolimin si shoqëri. Dhe kjo është temë aktuale sot
sepse jemi i vetmi popull i izoluar pa të drejtë në Ballkan.
Kush ka qenë mentori juaj që ju ka mbështetur dhe udhëzuar në artin e
aktrimit?
Labinot Ramadani: Kam bashkëpunuar me regjisorin Resul Jusufi, me të
ndjerin Faruk Begoli, Milihate Çena, Fatmir Hyseni, etj. Me z. Resul Jusufi kam
konsiderate të madhe, e çmoj dhe admiroj si njeri dhe artist. Resuli ka qenë
rruga ime që m’i ka hapur të gjitha dyert si artist. Dhe ka qenë inspirimi për
mua dhe e falenderoj për këtë.
Mund të na tregoni më tepër për fillimet në aktrim dhe fillimet me Teatrin Modern “Po Po”
në Ferizaj?
Labinot Ramadani: Aktrimin e kam filluar në vitin 2000. Kemi patur disa
shfaqje të suksesshme me regji nga Fatmir Hyseni, si “Hije dhe drita”, e cila
ka fituar vendin e parë. Po ashtu dhe shfaqje “Futja pa lidhje del me lidhje”
me regji nga Resul Jusufi, që mori vendin e parë.
Teatri modern “Po
Po” në Ferizaj ka qenë i vetmi në Kosovë në atë kohë, si teatër i mimikës,
pantomimës dhe gjestikulacionit, me mimikë dhe gjeste pantomime dhe me qëndrim
skenik. Nuk ka patur tjetër përveç këtij. Në vitin 2002 bashkë me grupin
teatral kemi bërë festivalin e llojit “cirku i rrugës”, që u mbajt mend shumë.
Ky ishte karnavali i parë në Kosovë, që u mbajt në të gjitha qytetet e Kosovës
pas lufte.
Ku e gjeni veten më shumë midis muzikës apo aktrimit?
Labinot Ramadani: Edhe teatri dhe muzika janë pjese e botës time
artistike. Mendoj që e gjej veten në të
dyja – muzika dhe aktrimi, edhe te dyja si artist besoj që më kompletojnë.
Çfarë do të thotë muzika për ju?
Labinot Ramadani: Muzika është ushqimi i shpirtit, që të inspiron për
gjithçka në jetë.
Projektet e tuaj të rradhëse nëse mund t’i ndani me lexuesit tanë?
Labinot Ramadani: Besoj projektin e radhës do e kem nga vjeshta, detajet e
tjera do jenë surprizë.