E enjte, 18.04.2024, 11:24 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Vjosa fitoi betejën kundër të gjithëve

E hene, 29.03.2021, 07:42 PM


VJOSA FITOI BETEJËN KUNDËR TË GJITHËVE

(- Vijon -)

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

"Faktet janë kokëforta",- ka thënë një klasik, i sistemit utopik komunist. Andaj, Dr. Vjosë Osmani nuk ka asnjë ngjashmëri me Hashim dallaverën president. Ajo, duke qenë Nënkryetare e LDK-së, në kulmin e karrierës politike, me perspektivën e qartë, për të qenë e parë e partisë, mori vendimin e prerë të rebelimit, edhe pse i dinte rrjedhojat goditëse, të klanit Mustafa, uzurpator e mujshor të LDK-së:

"Zotërinj të lidershipit klanor: Jeni pa fije legjimiteti, drejtues të partisë të Presidentit Rugova. Për shumë vite me radhë, nuk jeni provuar me votën e fshehtë demokratike, as ju dhe as strukturat vendimmarrëse të partisë!" Denoncimi i Vjosë Osmanit, për kolegët e saj, vlente edhe për subjektet tjera politike të Kosovës, që nuk kanë fare demokraci të brendshme partiake. Dhe, krerët me strukturat e tyre vendimmarrëse, janë po aq të pligjshme, sa edhe ato të LDK-së.

Kuadrot partiakë të PDK-së, Xhevahire Izmaku, Lirak Çelaj me shokë, kërkojnë reforma në parti. Provimin me votë të fshehtë të kryesisë. Kryetari recitues, si cicëron, Enver Hoxhaj, iu frikësua votimit të fshehtë dhe përdori aklamacionin fiktiv, të rrejshëm, alla komunist!

Uragani popull, mundi cinizmin e presidentit

Shqiptarët e Kosovës, por, edhe të botës, e kanë parë protestën masive, numerike, ndoshta edhe 60 mijë qytetarë, në verën e vitit 2018, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, por, me pjesëmarrje të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake, me moton "NJË POPULL S`I NËNSHTROHET NJË NJERIU!" Populli thërriste e brohoriste: Tradhtarët në burg! Kriminelët në burg! Hajnat në burg!

Aludimi ishte për presidentin Thaçi, me shokë, i cili, atë ditë, shetiste e shullehej, rrezitej me "Jaht", në - Liqenin e Ujëmanit -, nën kujdestarinë e policisë serbe të Veriut të Mitrovicës. Hashimi, cinikisht e poshtërsisht, kishte zgjedhur, pikërisht, atë ditë, të protestimit të madh, kundër Presidentit të vendit, i cili ngulmonte në shkëmbimin e territoreve, përkatësisht, ndarjen e Kosovës!

Viti 2019. Në fushatat e ndara e rivale, të udhëhequra, përkatësisht, nga Albin Kurti e Vjosë Osmani, i kishin shpallur luftë të hapur partive-banda të PAN-it, me akuzën bazë për krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant.

E vërteta triumfoi, pëballë skuthizmit PAN-ist

Viti 2021. Tashmë, Albin Kurti dhe Vjosë  Osmani kanë marrëveshje: bashkudhëtarë në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionin, pra, çkapjen e shtetit të Kosovës. Një fushatë ndryshe. Shëtitje masive rrugëve dhe bulevardeve të qyteteve të Kosovës. Pandemia, plus hijeshia, me thirrjet e shpenguara: Kriminelët në burg! Hajnat në burg! Thirrje korale: Albini, Albini! Vjosa, Vjosa! Në krahët e tyre Donikë Gërvalla, Glauk Konjufca, Albulenë Haxhiu,  Faton Peci, Arbërije Nagavci, Haxhi Avdyli dhe shumë qindra të tjerë...

E gjithë kjo përcillej nga mediet, populli, ambasadat, ndërkombëtarët... Atëherë, çfarë të fshehte nxori Vjosë Osmani për Kosovën?! A nuk ishte edhe atëherë presidente?! Llomotitjet e kundërshtarëve politikë, por, edhe të disa analistëve banalistë, të paguar, se "Presidentja na bëri përrallë, na bëri kriminelë dhe hajna, i tregoi botës se ne kemi vjedhur Kosovën",- siç thonë edhe Enver Hoxhaj e Ardian Kastrati, të PDK-së, me shokë e shoqe!" Sikur nuk e ditëkan se Kosova është nën monotorimin ndërkombëtar të përhershëm. Dhe, statisikat monitoruese e matëse ndërkombëtare, e vënë Kosovën, gjithëherë, në krye të listave negative, kriminale e korruptive.

Vacllav Havel, dramaturg, krijues letrar, i burgosuri politik, luftëtar për demokraci dhe dinjitet kombëtar, shtetari i parë i vendit të tij, Çekosllovakisë, në vitët `90-a, duke qenë në cilësinë e Presidentit, deklaronte: "Unë kurrë nuk e kam gënjyer popullin tim. Dhe, as që do ta gënjej ndonjëherë. Kam thënë të vërtetën, edhe atëherë, kur e vërteta mund të kushtonte me jetë." Dhe, vërtet, e kujtoj atë kohë, në vitet `60-a, kur Havel kundërshtoi pushtimin politik, më parë, pastaj, edhe atë ushtarak sovjetik (rus), më vonë, në gusht 1968, të Çekosllovakisë.

Citova Njeriun Havel, për ta personifikuar dhe krahasuar Vjosë Osmanin me atë, edhe pse në kohë e rrethana krejt të tjera, por, me parime e konsistencë, vendosmëri të njëjtë, në deklarimin dhe mbrojtjen e së vërtetës, qoftë ajo edhe e hidhur, siç është krimi, korrupsioni, më qartë, hajnia zyrtare, kapja e shtetit, tërësishëm, të Kosovës tonë.

Tendenca përçarëse e PAN me SHIK-un e tij dhe argatët e tyre

Mbllaçitja e emrave për president nga PAN, është provokim cinik i lexueshëm. Nga ata që përgjakën Kosovën, gjatë dhe pas luftës, nuk pritët asgjë e mirë për vendin. Por, habia është me disa deputetë nga radhët e LDK-së, të cilët hezitojnë ta bashkojnë votën me kolegët e tyre, të cilët duan ta kalojnë krizën artificiale, për zgjedhjen e presidentit. Hezituesit po bien ndesh me popullin dhe miqtë ndërkombëtarë.

Deputetët, me armën e tyre - votë, bllokues të institucionit të presidentit, sot janë - dikushi -. Por, nesër mund të jenë - - askushi-! Sepse, populli është syçelë dhe mund t`i ndëshkojë. 300 mijë votat për Vjosë Osmanin, janë domëthënëse dhe, faktikisht, populli ka zgjedhur presidentin e Kosovës.

Rrjeshtimi i gabuar e bllokues, i disa ish-ministrave të qeverisë Hoti, thellon fajin që ata pranuan ta rehabilitojnë dhe bashkëqeverisin me bandën PAN dhe Listën Serbe, përkundër vullnetit të popullit, i cili e kishte ndëshkuar në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Distancimi i tyre nga tandemi Thaçi-Mustafa, si zbritës e ngritës arbitrarë të qeverive, do të ishte i shëndetshëm. Sa më parë, aq më mirë. Kujtojmë faktin se ata kanë votuar apo bërë kourumin, Hashimit president dhe Kadriut kryetar Kuvendi! Dhe, krahasoni kandidaturat, gjykoni, vendosni!

Dr. Vjosë Osmani, me përgaditje e saj akademike solide, pjekurinë politike, atdhetarizmin e lindur, ndjenjen e demokracinë të nivelit amerikan, parimësinë unike, tashmë, të dëshmuar, intelektualetin e nivelit epror, se plotëson, kushtet për postin e Presidentit-es, më mirë se askush tjetër, jo vetëm në Kosovë, por, edhe më gjerë në Shqiptari.

Dr. Vjosë Osmani, me dashje apo padashje, së afërmi, do të kurorëzohet Presidente e Republikës të Kosovës. Kundërshtarët xhuxhër të saj, përfshi edhe Ganën tonë, lë të bëhen gadi, për ta ushtruar "zanatin e bërberit!"



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora