| E hene, 29.03.2021, 10:14 PM |
RAPORTI I KOMISIONIT TË FONDACIONIT KARNEGIE PËR KRIMET SLLAVO-GREKE KUNDËR SHQIPTARËVE E TË TJERËVE GJATË LUFTËRAVE BALLANIKE
Nga
Adil FETAHU
Fondacioni Karnegie për Paqe
është organizatë ndërkombëtare, e themeluar në Vashington, në vitin 1910, me
qëllim të promovimit dhe mirëkuptimit në arenën ndërkombëtare. Themelues i
Fondacionit ka qenë industrialisti Endrju Karnegie, shtetas amerikan me
prejardhje skotlandeze.
Në vitin 1913 Fondacioni
kishte themeluar Komision Ndërkombëtar për të hulumtuar e studjuar shkaqet dhe
pasojat e Luftërave Ballkanike të cilat janë zhvilluar në vitin 1912 e 1913.
Komisioni përbëhej nga diplomatë, deputetë ,profesorë, publicistë e gazetarë,
përfaqësues të shteteve të ndryshme:
1) Baroni Paul-Henri
d’Estournelles, diplomat francez, kryetar i Komisionit,
2) Samuel T. Dutton,
profesor i Universitetit Kolumbia, ShBA, anëtar
3) Justin Godart, jurist,
deputet i Parlamentit të Francës, anëtar
4) Josef Redlich, profesor i drejtësisë në
Universitetin e Vjenës, anëtar
5) Dr Waltter Shutcking, profesor i drejtësisë
në Universitetin e Marburgut, anëtar
6) Francis W. Hirst, publicist, gazetar-redaktor
i të përjavshmes londineze The Economist, anëtar
7) Dr Henry Abel
Braillsford, gazetar-publicist, anëtar i Komitetit Ballkanik të Londrës,
korespodent i gazetës “Daily News”, anëtar
8) Pavel Nikolaeviq
Milnjukov, profesor i historisë, deputat i Dumës Ruse, anëtar.
Përbërja e Komisionit ishte
caktuar me qëllim që të zhvillonte hetime dhe të përpilonte një raport e të nxirrte përfundime pa paragjykime dhe të
paanshme. Komisioni kishte për detyrë të vizitonte vendet dhe territoret ku
ishin zhvilluar luftimet dhe ishin bërë shkatërrime. Në pikëpamje metodologjike
ishte caktuar të grumbullonte të dhëna, prova dhe informacione nga dokumente
shtetërore e ushtarake, fotografi, shkrime të botuara në gazeta e botës nga
korrespodentët e luftës dhe deklarata të përfaqësuesve të shteteve, të ushtrive
dhe të qytetarëve. Raporti duhej t’iu dërgohej qeverive, personaliteteve dhe
mediave të botës së civilizuar.
Komisioni ishte nisur na
Parisi dhe ka bërë hulumtime në terren prej 2 gusht deri më 29 shtator
1913. Takimin e parë e kishte caktuar ta
mbante në Beograd, por kryetari i Qeverisë së Serbisë, Nikolla Pashiq, kishte
refuzuar bashkëpunimin dhe ofrimin e dokumentacionit që kërkohej dhe kishte
kundërshtuar që Milnjukov të jet në pëbërje të Komisionit, të cilin e kishte
cilësuar si bullgarofil. Takimin tjetër Komisioni e kishe në Selanik, ku
poashtu edhe pala greke nuk ofronte
bashkëpunim, me pretekst se përfaqësuesi britanik Brejllsford paskësh qenë shqiptarofil i
pasionuar, pasi që në librin e tij “Macedonia its Races and Their Future”
(Maqedonia, Racat dhe e ardhmja e saj), botuar në vitin 1906, aspiratat greke
ndaj Epirit i kishte cilësuar “konfuze”, duke thënë se popullsia e Veriut të
Greqisë është me prejardhje shqiptare. Komisioni kishte hasur në bashkëpunim me
palën bullgare dhe atë turke. Sa i përket bashkëpunimit me palën shqiptare, as
që bëhet fjalë në raport. Gjatë
udhëtimit nëpër Ballkan, Komisioni kishte vizituar edhe Athinën, Sofjen
dhe Stambollin. Kishte vizituar pikat më
të rëndësishme të konfliktit në Maqedoni,
Bullgari e Greqi, por jo edhe në Kosovë as në Shqipëri! Pasi ishte
këthyer në Paris e kishte përpiluar
Raportin. Raportin e vet
Komisioni e kishte sistemuar në shtatë kapituj, prej të cilëve në të parin shpjegon gjenezën e konflikteve të
popujve të Ballkanit, të cilat bazohen në programet nacionale të shteteve
ballkanike dhe aspiratat etnografike e gjeografike të tyre. Në raport
lavdërohen popujt e Ballkait për luftërat e zhvilluara për çlirim nga pushtuesi
otoman, por kritikohen për krimet dhe masakrat masive kundër popullsive civile.
Në kapitujt e tjerë të
Raportit përshkruhen krimet e përgjakshme të kryera nga të gjitha palët
ndërluftuese. Në krimet që kishin kryer ushtritë e Serbisë, Bullgarisë, Greqisë
dhe Malit të Zi kundër popullsisë myslimane shqiptare e turke, por edhe kundër
shqiptarëve katolikë, kishin marrë pjesë edhe civilët e krishterë ortodoksë,
banorë të vendeve ku janë zhvilluar luftimet dhe janë kryer krimet monstruoze.
Natyrisht, Raporti bënë fjalë edhe për krimet e ushtrisë turke kundër
popullsisë bullgare, greke dhe armene.
Në raport konsatohet se në
Vilajetin e Ohrit 80% e fshatrave myslimane janë djegur nga forcat serbe dhe
greke, se krime që janë kryer kundër myslimanëve në Shkup e vende tjera në
Maqedoni dhe në rrethin e Selanikut. Poashtu, Raporti paraqet të dhëna për
krimet e kryera nga forcat serbe dhe greke kundër popullsisë bullgare. Në këtë
kontekst Raporti përmend djegëjen e 160 fshatrave me popullsi bullgare në rrethin e Strumicës,
të cilat i kishin djegur forcat greke.
Raporti gëlon me të dhëna
për masakra e barbarizma, vrasje, djegëje, plaçkitje, konvertime fetare; jepen
shifra për numrin e të vrarëve në vende të ndryshme, për numrin e refugjatëve, për valët e
shpërnguljeve dhe ndërrimit të strukturës etnike të popullsisë, konvertimin, asimilimin etjj.
Kapitulli i katërt i
Raportit fillon me një pasazh hyrës, që thotë: “Lexuesi i cili ka lexuar
faqet e mëparshme dhe ka përcjellur vargun e pafunt të ngjarjeve të dhembshme,
të cilat i ka hetuar dhe përshkruar Komisioni, pa dyshim se e ka zbuluar
karakterin e përbashkët që kanë popujt e Ballkanit, prandaj është me rëndësi të
dihet se luftën nuk e kanë bërë vetëm ushtritë, por edhe popujt mes vete.
Popullata lokale është e ndarë në shume pjesë
fragmentare që përbëjnë kombet të cilat luftojnë me qëllim që ata të
tjerët t’i zëvendësojnë me vetveten. Ky është shkaku, përse të gjitha luftërat
kanë qenë të përgjakshme, përse kanë shkaktuar aq humbje të mëdha dhe
përfundime me pasoja të asgjësimit të popullsive dhe shkatërrimit të krahinave
të tëra".
RAPORTI PËR SHQIPTARËT
Shihet qartë se Komisioni më
së paku është interesuar për shqiptarët. Ky konkludim del nga fakti se
Komisioni nuk ka bërë ndonjë përpjekje për të kontaktuar me përfaqësues të
shtetit shqiptar çfarëdo që ishte
asokohe, as me përfaqësues të njohur të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë e
të trevave tjera. Qeveria e Serbise nuk e ka lejuar Komisionin të vizitojë
rajonet nën pushtimin e saj, me pretekst të mosshkeljes së sovranitetit dhe
mospërzierjes në punët e brendshme. Të
dhënat për krimet kundër shqiptarëve Komisioni i ka marrë kryesisht nga ato që
janë publikuar në shtypin e kohës. Kështu, Raporti citon gazetën “Radinçke
novine” të Beogradit (nga tetori 1913), e cila kishte botuar letrën e një
ushtari serb, i cili tregon për represaljet e ushtrisë serbe të kryera mbi
popullsinë shqiptare, dhe vazhdon citimin: “Nuk kam kohë të shkuaj më gjatë,
veçse mund të ju them se këtu po ndodhin gjëra të tmerrshme. Jam i tmerruar dhe
gjitnjë bëj pytjen, se sa barbarë mund të jenë njerëzit për të bërë këso
krimesh. Edhe sikur të kisha kohë (e që nuk e kam), nuk guxoj të them asgjë më
tepër, por mund të them se Luma (krahinë shqiptare) nuk ekziston më. Nuk ka
mbetur asgjë përveç kufomave, pluhurit dhe hirit. Ka fshatra prej 100, 150 e
200 shtëpi, në të cilat nuk jeton më asnjë njeri. I grumbullojmë nga 40 – 50
vet dhe pastaj i shpojmë me bajonetat tona. Çdokund bëhen plaçkitje. Oficerët u
thonë ushtarëve të shkojnë në Prizren për t’i shitur mallrat e plaçkitura”
(fq.149 e Raportit).
“Gjatë depërtimit të
ushtrisë serbe e malazeze nëpër Kosovë e Metohi për në Shqipëri, shtëpitë dhe
fshatra të tëra janë shndërruar në hi, popullsia e paarmatosur dhe e pafajshme
janë masakruar masovikisht, janë kryer akte të papara të dhunës, plaçkitjes,
dhunim I femrave dhe barbarizma tjera, dhe krejt kjo është bërë me qëllim të
ndryshimit të plotë të strukturës etnike të popullsisë së viseve të banuar
ekskluzivisht me shqiptarë”
(fq.151). Raporti përmbanë shembuj të krimeve që kanë kryer në Gjakovë formacionet ushtarake e policore
malazeze, të ashtuqujatura “Krillashi”, duke i detyruar myslimanët dhe
katolikët të konvertohen në pravosllavë!.
Për krimet, masakrat dhe
gjenocidin e kryer mbi shqiptarët nga forcat serbe e malazeze, shumë më tepër
kanë shkruar gazetat e opozitës serbe të asaj kohe, përmes penës së Dimitrije
Tucoviqit, Kosta Novakoviqit, Dushan Popoviqt e të tjerëve, të cilët edhe vet
kanë qenë pjesë e ushtrisë dhe me sytë e tyre i kanë parë krimet më monstruoze.
Për ato krime kryepeshkopi i Kishës Katolike të Shkupit, Lazër Mjeda i ka
raportuar kohëpaskohe Vatikanit. Në
njërin prej raporteve që Mjeda ia kishte dërguar Vatikanit më 24 janar
1913, thekson: “deri më tash, në Vilajetin
e Kosovës janë vrarë 25000 vetë”. Këtu duhet pasur parasysh fjalët: “deri
më tash”, pasi vrasjet kanë vazhduar gjatë tërë kohës. Kosta Novakoviqi, një
toger i ushtrisë serbe, por me pikëpamje socialdemokrate dhe bashkëpunëtor i
Dimitrije Tucoviqit, ka dhënë shifrën për 120 mijë shqiptarë të vrarë gjatë
vitit 1912 e 1913, në rajonet ku kanë zhvilluar luftime forcat serbe.
Dimitrije Tucoviqi, në
librin e tij “Srbija i Arbanija” (Serbia dhe Shqipëria), më mirë se askush
tjetër ka raportuar për krimet e ushtrisë serbe dhe qëllimet e shtetit të
Serbisë për ta pushtuar (edhe) Shqipërinë deri në Shkumbin dhe për të dalur
në Adriatik. Ndër të tjera, Tucoviqi
thotë se “Është tentuar me paramendim të vritet një popull i tërë, gjë që
është krim, për të cilin duhet vuajtur”!
Duke e cilësuar politikën
ekspansioniste serbe, Dushan Popoviqi,
një personalitet I shquar nga plejada
socialdemokrate serbe, ndër të tjera shkruante: “…Nuk është për t’u
çuditur shumë, prandaj, për instiktet e vrazhda të masës sonë fshatare, për
shkollimin dhe qytetërimin e së cilës ky shtet kurrë nuk është kujdesur; nuk
duhet të shashtrisemi as për horizontin
e ngushtë dhe të mjerë politik e shpirtëror të komandantëve të ushtrisë, të
cilët janë edukuar për të vrarë me gjakfohtësi dhe në mënyrë kriminale me
dhjetra e qindra Shqiptarë, gratë dhe fëmijët e tyre dhe këtë e konsiderojnë si
heroizëm; nuk duhet të revoltohemi as
ndaj opinionit publik borgjez, i cili u jepë përkrahje të githa këtyre
mizorive, dhe aq më tepër ua shton apetitin për zhdukjën e Shqiptarëve dhe të
familjeve të tyre, pasiqë parullën për politikë të tillë ua japin njerëzit të
cilët janë në nivelet më të larta shoqërore dhe politike të Serbisë”. (“Borba”,
16.02.1914).
Leo Freundlich, ish-deputet
austriak me prejadhje hebraike, në vitin 1913 ka mbajtur korespodencë të
rregullt me Hasan Prishtinën, duke marrë informacione prej Hasanit dhe i ka
informuar qarqet politike të Austrohungarisë për gjendjen dhe për krimet e
ushtrive serbe e malazeze të kryera kundër shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni e gjithandej në
trojet shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike. Leo Freundlich në vitin 1914 ka
botuar librin e tij me titull “Albania’s Golgotha” (“Golgota e Shqipnisë –
akuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar”. Në atë libër të vogël
përkah vëllimi, por të madhe përkah
rëndësia e përmbajjes, të shkruar
nga një autoriet i pakontestueshëm, janë paraqitur të dhëna për krimet e
tmerrshme të ushtrive serbe e malazeze të kryera kundër shqiptarëve. Moto e
tekstit, e dhënë në faqen e fundit të librit, thotë: “Gratë dhe fëmijët i
lidhën për mullari të sanës dhe ua vunë zjarrin ndër sy të baballarëve e të
burrave të tyre. Gratë i prenë barbarisht kurse fëmjët i shkuan në bajoneta”!
Për krimet serbe që kanë
kryer kundër shqiptarëve prej vitit 1878 deri më 1989, Revista për Kritikë
Shkencore e Lubljanes, ka botuar tri libra të veçanta, titulluar: “Srbija i Albanci –
pregled politike Serbije prema Albancima od 1878.do 1914.godine, Knjiga
prva” (Serbia dhe Shqiptarët – pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj
Shqiptarëve prej vitit 1878 deri më 1914, - Libri i Parë)). Libri i parë përfshinë periudhën prej vitit
1878 deri më 1914; libri i dytë për periudhën
prej 1914 deri më 1945 ; dhe libri i tretë për periudhën prej 1945 deri më 1989 .
Të gjitha këto libra, me të dhëna nga vet burimet serbe,
argumentojnë se Serbia ka kryer gjenocid ndaj Shqiptarëve edhe shumë kohë para holokaustit që është
kryer kundër hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Është e çuditshme se si as
akademitë, as institutet e historisë të Kosovës as të Shqipërisë, nuk e kanë
përktyer e botuar Raportin e Komisionit Ndërkombëtar të Fondacionit Karnegie,
që përkundër lënies në harresë gadi një shekull, megjithatë relevanca e
konstatimeve dhe konkluzave të Komisionit nuk është zbehur. Aq më tepër, që
mizori të tilla u përsëritën nga e njëjta ushtri serbe edhe në dekadën e fundit
të shekullit 20, me akterë tjerë, por me
qëlllime dhe metoda të njëjta. Edhe
tri librat e botuara në vtin 1989 të Revistës për Kritikë Shkencore (nga Lublana), ishin paralajmërim për përsëritjen e krimeve,
dhe gjenocidin të cilat Serbia i bëri në Kosovë në vitin 1999. Ato libra
jo vetëm se duhet të botohen në gjuhën
shqipe, por të përkthehen e botohen edhe në disa gjuhë boërore dhe të
shpërndahen e të shfrytëzohen herëdokurë për të ngritur padi kundër Serbisë për
gjenocidin e kryer disa herë gjat një shekulli.
Raportit të Komisionit të
Fondacionit Karnegie, ia ka bërë një vështrim kritik dhe korrekt Akademia e
Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, përmes penës së profesorit Nikolla Zeçeviq, por ai vështrim
për opnionin shqiptar nuk është i mjaftueshëm. Krahas atij Raporti, ekziston
edhe një raport tjetër i të njëjtit Fondacion, i botuar në janar të vitit 1922,
i quajtur Raporti për Shqipërinë , autor i të cilit është Justin Godart,
që ishte anëtar i Komisionit në hetimin e luftërave ballkanike, një personalitet më vonë i angazhuar në
mbrojtjen e shtetit shqiptar dhe të drejtës së tij për pavarësi. Rëndësia e
këtij raporti është aq më e madhe, ngase asokohe monarkitë fqinje, Serbia dhe
Greqia, kishin pretendime dhe ishin marrë vesh midis tyre për copëtimin,
ndarjen dhe aneksimin e Shqipërisë. Raporti ishte një argument për Ligën e
Kombeve për ta mbrojtur shtetin shqiptar. Është me ineres për historiografinë
shqiptare që të dy ato raporte të
përkthehen e të botohen në një libër.