E enjte, 25.04.2024, 09:17 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Nga varfëria hëngrëm misër nga bajgat e qepëm rrobat me fije flokësh

E enjte, 27.11.2008, 03:11 PM


Persekutimi i familjes së bajrakut të Mërturit, flasin djemtë Prelë e Gjon Vatnikaj, tashmë të moshuar

Nga Xhevahir Gradica

DURRES- Në sektorin Hamallaj, disa kilometër larg Durrësit prej gati 40 vitesh jetojnë pinjollët e familjes së fisme, patriotike dhe atdhetare të Bajrakut të Mërturit. Pasi provuan të gjitha vuajtjet dhe përçmimet që sistemi komunist ua imponoi deri në kufijtë e ireales, Prelë e Gjon Vatnikaj vendosin të ndalen diku në një copë tokë në perëndim të Durrësit, në Hamallaj. Të djegur, të vrarë e të persekutuar, Vatnikajt e Mark Tunxh Myftarit, ndalen për të marrë veten pas atyre tragjedive të njëpasnjëshme. Kishin nevojë të gjykonin ftohtë për djemtë që po rriteshin nën mërinë dhe përçmimin e regjimit komunist. Prelë Vatnikaj i ka kaluar të 80 vitet dhe drejt tyre po shkon edhe vëllai i vogël i familjes Gjoni. Në ditë me diell ata qëndrojnë në verandën e shtëpisë dhe herë psherëtijnë e herë përmallohen për vitet, kohët e përjetimet e hershme e të vona. Të dy rëndojnë mbi shkopin e pleqërisë por të bie në sy kthjelltësia e kujtimit të ngjarjeve, episodeve, emrave, fakteve historike dhe gjithçka që ka të bëjë me fatin e Bajraktarit të Mërturit në Malësinë e Bajram Currit. Përbri tyre qëndrojnë gratë e shtëpisë dhe nuset e djemve të cilat afrojnë shpuzë për cigaret e të moshuarve dhe ndjekin me kureshtje bisedën me Prelën e Gjonin thuajse po i dëgjonin për të parën herë rrëfimet e trishta të mbushura me vaje, kujë, mall, dëshpërim, krenari e forcë. Në këtë shtëpi, por jo vetëm aty, tashmë e besojnë se për të mbijetuar ata kanë pastruar kokrrat e misrit nga bajgat e kalit dhe pasi i kanë larë i kanë zier për t’i ndarë kokrrat në mënyrë të barabartë mes pjesëtarëve të uritur në kampet e internimit në Berat, Tepelenë e Lushnje. Këtu habitesh dhe për një çast mendon se po dëgjon një baladë kur mëson se Mrika, nëna sokoleshë e Prelës dhe Gjonit ka shkulur flokët për të qepur pantallonat e të birit, pantallona që sot janë në Muzeun Kombëtar. Prela dëshmon ndër të tjera se është dëshmitar se si harbutët e regjimit pasi kallën në varr gruan e Muharrem Bajraktarit, e zhvarrosën për t’i rrëmbyer dhëmbët e florinjta. Bajraku i Mërturit nuk ishte pajtuar me asnjë regjim që nuk i sillte vendit lirinë. Burrat e fisit që mbante flamurin e krahinës, janë vrarë e prerë, janë internuar e burgosur nga perandoria osmane, sundimi austriak, regjimi i Zogut dhe padronët e komunizmit enverian. Por së fundi mbijetuan.

Flet Prelë Vatnikaj

Familja e Bajraktarit të Mërturit nga Lekbibaj është shpërngulur në Durrës duke marrë me vete edhe kujtimet, dhembjen e mallin. Ju jeni njëri nga djemtë e Bajraktarit të Mërturit që i mbijetuat regjimit komunist. Vitet kanë ecur dhe ndoshta kujtimet vinë disi të lagëta.

Gjithçka më duket sikur po ndodh para syve tanë, para syve të fëmijëve, grave e nanës sonë të ndjerë. Që nga internimi i parë në vitin 1946 e deri më sot kanë kaluar vërtetë shumë vite, por asgjë nuk mund të harrohet. Ne nuk jemi shpërngulë nga Kolgecaj por na kanë dëbuar forcërisht, na internoi regjimi komunist. Familja jonë si trashëgimtare e Mark Tunxh Myftarit, Bajraktarit të Mërturit, qe armiqësuar me regjimin e Enver Hoxhës që në ditët e para që pushteti ra në dorën e komunistëve. Im atë dhe të gjithë ata që e mbështetën Mark Tunxh Myftarin ishin patriotë, nacionalistë. E donin Shqipërinë pa komunizmin, të lirë dhe të barabartë me vendet e tjera të perëndimit. Të gjitha familjet e Bajrakut në Veri, shumicën e të cilëve kam pasur fat me i njoh në kampet e internimit, kanë qenë familje atdhetare dhe nuk u pajtuan kurrë me komunizmin. Këto bindje ata i kishin edukuar në kohën që studionin jashtë vendit. Marku, im atë, ka mbaruar studimet në Akademinë Ushtarake në Romë. Atje është njohur edhe me kapedanë e oficerë të Bajrakut të Shoshit, Lumës, Nikaj, Shalës e të Shënkolit. Atje baba është takuar me Muharrem Bajraktarin, me djalin e të cilit kemi jetuar në kampet e internimit në Tepelenë. Është e vërtetë se nga Mërturi kemi marrë me vete kujtimet, mallin dhe dhembjet. Nuk ka rëndësi se cila prej tyre ka qenë më e madhe. Kemi lënë vendin tonë në Malësi të djegun e të shkrumbuar. Jo nga ndonjë fatkeqësi por ngase komitët e maleve na e dogjën pse ne ishim patriotë dhe e donim vendin tonë pa komunizmin. Askush nuk doli me na përcjellë nga fshati. Edhe këtë herë jo se nuk kishin mall, por se komitet e Partisë Komuniste do ua prinin bukën në fyt. Kulla jonë u dogj. Bagëtitë na i morën. Atë pak pasuri që mbeti së bashku me kujtimet e të parëve u bë shkrumb e hi. Kështu ikëm. Ec e kthe kokën nga pas me shpresë se një ditë do të vinim në vendin e të parëve ditën dhe me shpresë se do e ngrenim kullën.

Cili qe fati i pjesëtarëve të familjes së Bajrakut të Mërturit pas ardhjes në pushtet të regjimit komunist?

Akoma pa marrë pushtetin regjimi i Enver Hoxhës në fshatin tonë erdhën forcat e ndjekjes. Ishte dimri i vitit 1944. Ata i vunë flakën kullës sonë 3 katëshe. Baba, Mark Vatnikaj së bashku me vëllanë tonë të madh Zefin kishin dalë në mal pasi forcat e ndjekjes i kërkonin për t’i vrarë. Marku disa herë ka kaluar kufirin për të shpëtuar kokën. Atë e ka kërkuar për ta vrarë edhe sunduesi turk, edhe xhandarët e Zogut, edhe komunistët e Enverit. Ne takoheshim rrallë me babën dhe Zefin. Ata qëndronin më shumë në bjeshkët e Nikaj, në Kakia. Jetonin duke ngrënë lëndë lisi dhe flinin në shpella. Stanet ishin të pasigurta për jetën e tyre. Katër vite me radhë ata dhe të tjerë patriotë të atyre anëve luftuan me forcat e ndjekjes. Në vitin 1947 në Lekbibaj Zefi rrethohet nga forcat e regjimit të kohës dhe gjatë përleshjes me armë është vrarë nga një bari i fshatit që u bashkua me forcat e ndjekjes. Ai e mashtroi, e futi në një pritë dhe në kohën që Zefi u përpoq me iu shmangë pritës është qëlluar nga bariu. Pas kësaj ngjarje Marku hyri më në thellësi dhe lidhjet tona u shkëputën pasi kishim më shumë se një vit që ishim në internim dhe nuk mundeshim me u largu nga Tepelena. Regjimi bashkëpunoi me UDB-në jugosllave për të vrarë babën. Mark Tunxh Myftari është burgos nga serbët në burgun e Pejës ku është mbajt deri në vitin 1952. Në këtë vit agjentët e UDB-se e kanë nxjerrë në oborr të burgut dhe e kanë qëlluar me pistoletë disa herë duke i marrë jetën. Edhe në këtë rast ne kemi qenë të internuar. Kur jemi dëbuar nga Mërturi kemi qenë vetëm katër pjesëtarë të familjes së Bajraktarit: gjyshi Tunxh që vdiq në internim pas 5 vitesh, nëna jonë Mrika, unë dhe vëllai Gjoni. Një vit qëndruam në Berat e më pas në Tepelenë. Kemi vuajtur si gjarpri nën gur. Kampet e përqendrimit nuk mund të veçohen për nga poshtërsitë ndaj klasës të të persekutuarve. Për bukë, qumësht, ushqime kanë vuajtur të gjithë shqiptarët e ndershëm, por ne që ishim me dangë politike kishim mbi shpatulla edhe poshtërimin pasi regjimi punonte të na zhburrëronte në forma nga më të ndryshmet.

Në Tepelenë ju thoni se keni ngrënë misër pasi e keni marrë në bajgat e bagëtive...

I sigurt jam se e besojnë shumë shqiptarë, të gjithë ata që e kanë jetuar atë regjim dhe që e dinë se çdo të thoshte të ishe i internuar. Ishim në Tepelenë. Uria na kishte lodhur tej mase. Nënë Mrika u gdhi shumë keq. Në shtëpi nuk kishim as bukë, as miell dhe as makarona. As që e merrnim mundimin për të lyp bukë pasi nuk na e hapte njeri derën edhe pse atje kishte shumë familje të fisshme dhe që e vuanin mënyrën tonë të jetesës. Me burrat e fshatit ne kuvendonim copa-copa dhe më shumë uronim me buzëqeshje së largu sesa shtrëngonim duart. Ishte e vështirë në fillim të ditëve të internimit kur shikonim se si në tavolinën tonë në kafe nuk ulej askush. Na dhimbte në zemër kur burra e gra dilnin nga dyqani kur ne hynim për të blerë kripë a ushqime. Në fillim unë nuk i kuptoja, por më pas u binda se të gjithë ata ishin të frikësuar ngase gjithandej kishte agjentë të sigurimit të shtetit. Na kishin vendosë në magazina dhe dritaret ishin gjysma me xham e gjysma me plastmas. Pashë nënën që kaloi nga një ndarje tjetër e magazinës. Atje në mesin e baglave të kalit kishte nisur të mbidhte kokrrat e misrit. E ndihmova dhe pasi i lamë i futëm për t’i zierë e më pas kokrrat i ndamë në mënyrë të barabartë. Babë Marku e vëlla Zefi në vjeshtë hanin lëndë bagëtish për të mbijetuar, ne në Tepelenë misër në bajgat e bagëtive. Më kujtohet edhe se si një ditë Gjoni, vëllai i vogël, i tha nënës se rrobat i ishin grisë. Nuk i kam besuar syve kur pashë nënë rikë se si shkuli flokët dhe nisi t’ia qepë pantallonat. Pantallonat janë në Muzeun Kombëtar në Tiranë dhe janë dëshmi i krenarisë së familjes sonë që nuk u nënshtrua kurrë. Në vitin 1994 në shtëpinë tonë erdhi një italian. Na i solli djali i Hasan Dostit me familjen e të cilit ishim njohur në internim. Italiani na afroi shumë të madhe, por as unë e as Gjoni nuk ishim të mendimit me ia dhënë. Për të mos e kthye bosh mikun nga Italia morëm gërshërët dhe pasi premë një pjesë të pantallonave ia dhamë me vete.

Për të mos mjaftuar këto vuajtje që dëshmoni, Gjoni burgoset e dënohet me 10 vite.

Në vitin 1952 në shtëpi vijnë policia dhe marrin Gjonin. Ai ishte shumë i ri, nuk i kishte mbushë 17 vitet. E akuzuan se kishte folur kundër regjimit. Për të njëjtën akuzë u arrestuan edhe Kurt Kola, Genc Bajraktari, Fiqiri Dina, Qemal Dema, Haki Halla, të gjithë pjesëtarë të familjeve të internuara. Gjoni u dënua 10 vjet dhe u bashkua me ne vetëm në Lushnje. Në gjyq atij i është thënë vetëm armik, por nuk i është përmendur vetëm fakti se baba ynë ishte arratisë, se ishim familje e Bajrakut të Mërturit, se Zefi ishte vrarë nga forcat e ndjekjes. Pra gjyqin ia bënë jo Gjonit por familjes sonë. Atë e quajtën djalë krimineli edhe pse baba ishte oficer dhe kishte luftuar vetëm kundër pushtuesit dhe për t’u mbrojtur edhe kundër forcave të sigurimit të shtetit shqiptar. Dënimin e vuajti në Gjirokastër, Burrel dhe Shkodër.

Në Tepelenë jeni njohur edhe me familjen e Muharrem Bajraktari, Bajraktar i Lumës në Kukës.

Muharrem Bajraktari, siç e thashë më lart, kishte njohje me babën, Markun shumë vite para se ne djemtë e Markut të njiheshim në internim me djalin e gruan e Muharremit. Ata kishin mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë dhe duheshin shumë. Bajraktarët janë takuar si në kullën tonë në Mërtur edhe në Kukës në sarajet e Muharremit. Ne ishim besimtarë të devotshëm katolik dhe feja nuk na e lejonte asokohe me marrë apo me dhanë vajzë në një derë myslimane. Për të mbajtur të fortë miqësinë Marku dhe Muharrem Bajraktari kanë pi gjak dhe janë bërë probatin (janë vëllazëruar). Në Tepelenë kemi pasur hyrje e dalje me Genc Bajraktarin, djalin e Muharremit si dhe gruan Bajraktarit, Nazifen. Nuk e mbaj mend se në cilin vit vdiq Nazifja, por në varrim kemi qenë 2-3 burra. Pasi e varrosëm vjen dikush e më thotë se dikush po gërmonte tek varri i Nazifes. Atë e kishin zhvarrosë dhe ia kishin thyer nofullat me levë e me çekiç. Të gjithë këtë krim e kishin bërë për t’ia marrë dhëmbët e floririt. Ka dëshmitarë për këtë turp të pashoq. Nuk kisha dëgjuar kurrë në jetën time dhe as nuk kisha lexuar një masakër të tillë. Dhe të gjithë këtë e kanë bërë ata që të vrisnin natën e të qanin ditën. Tepelenasit e dinë mirë se kush e ka zhvarrosur Nazife Bajraktarin për ta dhunuar kufomën.

Pas Tepelenës vuajtet e familjes së Bajraktarit të Mërturit vazhduan në Lushnje. Por atje si ti edhe Gjoni nisët jetën e re.

Në vitin 1955 ne u internuam në Lushnje pas 8 vitesh vuajtje në Tepelenë. U vendosëm ne sektorin Xhazë, Savër. Ishte fermë dhe shpëtuam nga uria pasi e siguronim bukën e gojës. Ishin të njëjtat rregulla, të njëjtat detyrime për ne të paraqiteshin në polici, të marrnim leje nëse do të shkonim në qytet, e me rradhë. Unë u bëra 27 vjeç kurse Gjoni ishte i vogël. Me thënë të vërtetën ata që na komandonin ne, ishin të pashkollë, të paedukatë, të pamoralshëm dhe injorantë në kuptimin e plotë të fjalës. Unë kam mbaruar Internatin “Kosova” në Krumë të Hasit, shkollë me shumë autoritet në përgatitjen cilësore të nxënësve. Atje kishte shumë djem nga Shqipëria dhe Kosova. Mbaj mend se drejtor në atë kohë ishte Rifat Spahiu. Fadil Hoxha, një nga politikanët shqiptar gjatë regjimit të Titos, ishte dy vjet para meje, kurse kam qenë moshatar me Rexhep Demirin, Shyqyri Bulicën etj. Pasi përfundova studimet u emërova si i plotfuqishëm i ligjeve në Lezhë. Unë në moshën 16-vjeçare kam qenë partizan në kohën e Luftës Çlirimtare dhe partizan kam dalë me fjalë të babës e të xhaxha Tunxhit. Regjimi komunsit kishte dokumente, por nuk ka dashur asnjëherë ta pohojë këtë fakt, ndërsa vetëm një vit pasi unë punova në Lezhë gërmojnë në biografinë time dhe gjithçka rrokulliset edhe për mua sapo më larguan nga komanda e vendit.

Megjithatë familja juaj nis e shtohet në Lushnje, fillimisht me martesën tëndë dhe më pas me atë të Gjonit...

Në kohën që u martova unë, Gjoni vuante dënimin si armik i popullit, kurse gjysh Tunxhi na kishte vdekur. Nusen e mora nga dera e njohur e Çun Kolës, familje krenë bajraku në Nikaj. Në dasmën timë ishim unë e nënë Mrika. Buben, nusen time, ma solli në shtëpi nga Nikaj motra e saj. Askush nuk e kishte marrë vesh këtë lidhje. I ati i Bubes ishte në mal dhe më shumë qëndronte i arratisur për të njëjtat shkaqe si dhe Marku e Zefi. Vajzat ishin nisë për në Lushnje me porosi të të babës së tyre. Kur nusja ime e ardhshme u fut në shtëpi ishte e veshur me rroba vajzërie. Në shtëpi nuk kishim as karamele, as sheqer e as llokume. Nëna doli dhe u kthye disa kohë më pas me disa rroba nuse. Ia dha së resë. Dolëm nga shtëpia e pasi hipëm në një karrocë përshkuam rrugën e fshatit. Nga martesa me vajzën e Nikajve ne patëm 6 djem e 1 vajzë. Të gjithë djemtë u arsimuan pas demokracisë në Shqipëri. Marku përfundoi Ekonomikun; Sokoli atë të Akademisë së Rendit; Zefi, Viktori e Tunxhi diplomohen në auditorët e drejtësisë dhe Gjergji vijon punën në policinë e shtetit. Vëllai im Gjoni ka marrë për nuse vajzën e familjes së Lulash Gjeloshit, Bajraktar i Shoshit. Kjo familje patriotike, e fortë dhe shumë e njohur në ato anë ka një histori të veçantë. Kulla e Bajraktarit të Nikaj ishte rrethuar nga forcat e ndjekjes që kërkonin të kapnin të gjallë plakun e moshuar Lulash Gjelogji. Për të mbrojtur nderin e Bajrakut në anë të Lulashit dalin djem, nipër dhe burra të Nikaj. Për një javë kulla qëndroi e rrethuar. Në përleshje mbetën të vrarë 13 patriotë të Bajrakut të Nikaj kurse forcat e ndjekjes lanë 84 forca. Familjet tona kanë qëndruar gjatë gjithë jetën të lidhur me fise e kulla të ndershme që kanë sakrifikuar për shkollimin e djemve e vajzave, për nderin e vendit dhe për idealet e lirisë. Më shumë se 25 vite internim nuk na ligështuan. As vitet e burgut dhe as provokimet e regjimit nuk na mposhtën. Këto cilësi jemi përpjekur t’i ruajmë e t’i edukojmë edhe tek pasardhësit tanë. Për ne principet më të shtrenjta janë atdhetaria dhe fisnikëria. Këto i kemi çmuar dhe vetëm mbi këtë princip masim vlerat e individit dhe të shoqërisë.

Tani kohët ndryshuan. Keni ndërmend të riktheheni në sarajet e të parëve në Mërtur e Lekbibaj?

Internimet tona përfunduan në vitin 1970. Në Lushnjë ne kishim drejtor ferme Sulejman Gallain me të cilin si unë edhe Gjoni kishim njohje e ishim takuar disa herë për punë të ekonomisë familjare. Në kohën që ne u lamë të lirë drejtor në fermën e Sukthit ishte bërë Sula. E takova dhe më këshilloi të mos rrëmbehem nga malli për të parë sa më shpejt vendlindjen. Duke njohur temperamentin tonë si malësor më duket se i druhej se unë e Gjoni do të merrnim ndonjë vendim të nxituar. Sulejman Gallai rrezikonte teksa përpiqej të na bindte ne për të gjetur një vend diku në fushë. Ishim të sigurt se ai kishte krijuar një konsideratë për të kaluarën tonë dhe për karakterin e familjes sonë. E pleqëruam me gratë dhe djemtë dhe gjykuam të vendoseshim në Hamallaj. Unë kam qenë në kullën time, në kullën ku u linda dhe me të cilën më lidhin shumë kujtime. Sot kulla është rindërtuar nga kushërinjtë që janë atje. Në vitet e fundit shkojmë e vijmë, por jetesa në ato zona shumë të thella të malësisë së Bajram Currit është vështirësuar së tepërmi. Ne ndihemi krenarë që i përkasim atyre sarajeve pasi kemi sakrifikuar një jetë për të ruajtur të pastër gjithçka mësuam në ato kulla.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora