E shtune, 20.04.2024, 04:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Historia e patreguar e 3 priftërinjve të Elbasanit

E enjte, 27.11.2008, 01:03 AM


Nga Ledia Lleshi

 

Venemin Deliana, Visarion Xhuvani dhe Josif Papamihali kontribuuan për meshën në shqip në Kishat e Elbasanit

 

Jeta, puna e paçmuar për pavarësi dhe arsimim shqip si dhe përndjekja nga komunizmi

 

ELBASAN- Kisha, një institucion i rëndësishëm për Elbasanin i ka rrënjët thellë në këtë qytet i cili dëshmohet se fsheh edhe katedralen më të madhe të ndërtuar nga Vatikani në Shqipëri. Emrat e priftërinjve që kanë sakrifikuar deri jetën e tyre kanë lënë gjurmë në qytet nëpërmjet objekteve kishtare që kanë mbrojtur. Të tre këta priftërinj kanë një të përbashkët që kanë shërbyer për një kauzë të madhe dhe kanë të veçantat e tyre duke mos qenë thjesht kontribuues në fushën e fesë, por edhe për mësimin shqip, çështjen kombëtare dhe mbrojtjen e vetë besimit. Elbasanasit kanë dëgjuar për Papa Venemin Delianën i cili ka shërbyer në kishën e Kalasë në kohën kur Shqipëria ishte nën zgjedhën turke. Ai dha kontributin e madh për mësimin shqip, kontribuoi në hapjen e shkollës së parë dhe madje meshat i mbante në shqip. Përkrah tij do të renditej Visarion Xhuvani i cili me Fan Nolin kontribuoi për pavarësinë e kishës Shqiptare, ishte poliglot dhe i shërbeu mjaft çështjes kombëtare, ishte iniciator i ngritjes së bustit të Kristoforidhit, por mori si shpërblim burgosjen në vitet e fundit të jetës nga regjimi komunist. Por ai që e pësoi mjaft keq nga komunizmi pasi gjeti vdekjen në kënetën e Maliqit ku punonte me të burgosurit ishte Papa Josif Mihali. Papa Josifi themeloi kishën Arbëreshe në Elbasan ose atë që njihet ndryshe kisha Unide në kundërpërgjigje të greqizmit.

 

Venemin Deliana

 

Papa Venemin Deliana u shqua në veprimtaritë politike që i paraprinë pavarësisë. Krahas klerikëve të tjerë të krishterë e muhamedanë ai dha ndihmesë të rëndësishme në të mësuarit e të shkruarit e gjuhës shqipe. Venemin Deliana është edhe një nga firmëtarët e dokumentit të shpalljes së Pavarësisë në Elbasan që u kurorëzua me ngritjen e Flamurit me 25.11.1912. Në kundërshtim të hapur me urdhrat e eprorit të tij, Dhespot Jakovit, ai i pari zhvilloi meshën në shqip në kishën e Kalasë, veprim që gëzoi pa masë të gjithë të gjithë komunitetin ortodoks elbasanas. Kjo e egërsoi pa masë dhespotin grek dhe me urdhër të tij Papa Venemini shkarkohet nga detyra dhe i hiqet e drejta për të ushtruar detyrën e klerikut. Kjo masë e rreptë tërthorazi rëndoi mbi të gjithë kalanë dhe zgjoi zemërim dhe protesta. Zemërata ishte e përmasave të tilla aq sa dhespoti grek u tërhoq duke i kthyer të drejtën papa Veneminit për të ushtruar profesionit e tij përsëri në kishën shën Maria. Papa Venemini kishte një vëlla që quhej Josif, i cili punoi si nëpunës i thjeshtë në zyrat postare të kohës. Nga aty transferohet në Bosnje me detyra më të larta në postat e atjeshme. U martua me një boshnjake dhe e gjithë familja vazhdoi jetën larg Shqipërisë me të cilën pak nga pak i shkëputi lidhjet përfundimisht.

 

Dy djemtë e tjerë të Papa Veneminit, Jani dhe Dhimitri (Taqi) u përfshinë si aktivistë në lëvizjen patriotike që i parapriu pavarësisë. Dhimitri ende i ri u vendos krahas Lef Nosit në përpjekje për çeljen e shkollave shqipe dhe përhapjen e shtypit shqip të kohës.

 

Visariaon Xhuvani 1890-1965

 

Visarion Xhuvani indi në lagjen Kala të qytetit të Elbasanit dhe shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në moshë të re Petër Xhuvani shkon në Athinë ku vazhdon studimet në shkollën e mesme fetare Rizarios në Athinë. Po në Athinë mbaron universitetin për teologji ku diplomohet me gradën fetare të krerikut "Visarion”. Shërben si murg i thjeshtë në Sofje nga viti 1919 deri në vitin 1923 dhe më vonë si episkop në Çetin. Më 1923 caktohet zyrtarisht nga Patriakana si peshkop në Shqipëri kur kishte shërbyer si prift në qytetin e lindjes dhe kishte marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës. Noli e kishte përkufizuar ndër peshkopët më energjikë që ka patur Shqipëria. Visarion Xhuvani ishte i pari që organizoi kishën shqiptare dhe bëri shumë për shqiptarizimin e saj. Pavarësia e kishës autoqefale është fryt i punës së Fan Nolit e Visarion Xhuvanit. Xhuvani ishte me kulturë të gjithanshme dhe zotëronte greqishten e vjetër e të re, anglishten, gjermanishten, italishten, rumanishten dhe serbo-kroatishten. Ai botoi një revistë fetare dhe përktheu Mesharin, Jetën e Shën Gjon Vladimirit. Me ndihmesën e tij u ngrit busti i Kristoforidhit, por u arrestua nga komunistët kur shërbente si episkop në qytetin e Vlorës në vitin 1946. Xhuvani luftoi për vendosjen e gjuhës letrare dhe ishte i mendimit që këtë vend ta zinte elbasanishtja. Ai i shërbeu pa ndërprerje idesë për ngritjen e sa më shumë shkollave shqipe.

 

Burgosja nga komunizmi dhe vuajtjet

 

Josif Papamihali, jeta e vrullshme dhe vdekja tragjike ne Kënetën e Maliqit

 

Josifi do të ishte vetëm 12 vjeç kur familja Mihali, një familje me tradita do të vendoste ta shkollonte në Itali ku kishte mundur të siguronte një bursë për teologji. Së bashku me motrën e tij Juli Mihali, Josifi u vendos në Romë ku ndoqi studimet e para për teologji ndërsa motra e tij për edukim parashkollor. Pas përfundimit me sukses të fazës së parë, Josifi vetëm 13 vjeç do të vazhdonte si seminarist në manastirin Groto Ferrato ku do të mbaronte më pas studimet e plota për teologji. Diplomohet shkëlqyeshëm dhe hyn në urdhrin e priftërinjve të Groto Ferrato i cili ndryshonte nga ai ortodoks por gjithashtu nuk ishte kryekëput katolik. Ky ishte një mision i Papës për të afruar ortodoksinë me katolicizmin duke u quajtur Lëvizja Unide. Me këtë qëllim u nis për në Shqipëri edhe Josifi tashmë nën rrobën e priftit duke u kthyer në kishën e sapondërtuar nga arbëreshët në Elbasan në lagjen Kala. Kisha do të quhej Kisha bizantine Arbëreshe, dhe famulltari i saj Papa Josif Mihali do të kishte misionin e tij të lëvizjes Unide jo vetëm pranë kësaj kishe, por edhe në zona të tjera shqiptare ku kishte ortodoksë.

 

Burgosja dhe vdekja tragjike

 

Elbasani u bë qendra e këtij misioni Unid i cili udhëhiqej nga papa i asaj kohe. Atë Josif Mihali ndoqi këtë urdhër duke zbatuar gjithashtu rregullat e urdhrit të priftërinjve të Groto Ferratos për disa vite, por mbërritja e sistemit komunist do të ndryshonte gjthçka kur do të arrestoheshin dhe internoheshin të gjithë misionarët. Fatin e tyre ndoqi edhe Josifi i cili ishte në Korçë kur u prangos dhe u dënua me 5 vjet burg. Gjatë vuajtjes së dënimit në Maliq dhe pikërisht në Vroçisht si shumë të burgosur që humbën jetwn në mënyrë të mistershme edhe Josifi një ditë do të deklarohej i mbytur në kënetë. Zëra të ndryshëm i çuan lajm familjes për varrosjen e gjallë të tij në kënetë e ndërsa eshtrat e tij asnjëherë nuk u gjetën edhe pse në vitet e demokracisë familjarët e tentuan një gjë të tillë. Mbytja e mistershme në kënetë zhduku edhe kreun e lëvizjes Unide në Shqipëri, por veçanërisht në Elbasan ku kisha mbeti e shkretë dhe më pas u mbyll.

 

Shuajta e lëvizjes Unide

 

Josi Mihali u shpall shenjtor nga Papa Gjon Pali

 

Në vitet e demokracisë kur edhe feja fitoi lirinë e saj Josif Mihali u shpall shenjt nga Papa duke marrë titulli Papa Josif Mihali duke u vendosur ndër 40 shenjtorët shqiptarë martirë të komunizmit. Ky vendim është komunikuar në kishën Shën Pjetri të themeluar nga Papa Josifi e cila më pas ka marrë emrin e tij. Ambasadori katolik i Vatikanit Ivan Diaz u komunikoi besimtarëve dhe familjarëve këtë urdhër të Papës të cilin e merr i vetmi elbasanas martir i kishës arbëreshe në këtë qytet të traditës. Kisha bizantine që e kishte historinë nga arbëreshët e Italisë vazhdon të presë besimtarët që besojnë në bibël por që nuk mbështesin ortodoksinë greke. Qëllimi i atëhershëm i kësaj kishte pikërisht në qendër të vëmendjes kundërshtinë e Greqisë të bazuar që në historinë e Skënderbeut. Në vitet e demokracisë në kishën Papa Josif Mihali erdhi misionar një tjetër prifti i urdhrit të Grotto Ferratos i ndihmuar nga Papa Josifi në kohën e studimeve të tij. Por për pak vite kisha do të kishte famullitar At Sofronin pasi ai do të ndërronte jetë në altar nga një hemorragji cerebrale. Lëvizja Unide pësoi një rënie dalëngadalë pasi të rinjtë nuk ndoqën më studimet e vështira teologjike. Shembulli i vetëm i elbasanasit që ndoqi dhe solli perëndimin edhe në teologji do të ishte Papa Josif Mihali. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora