E enjte, 18.04.2024, 02:26 PM (GMT+1)

Kulturë

Cikël me poezi nga Anton Marku

E hene, 22.03.2021, 07:26 PM


Anton Marku

PËRPLASJE

Historisë i kërkuam borxh

shtatë beteja

plagët që nuk e pritën dimrin

i lidhëm me penj të trashë

nga leshi i dhive

lahutarëve u falëm vargje

për këngë të reja

sa herë jeta u vonua

gjetëm një hije

për t’i shtrirë ëndrrat

tokave tona

lisat e huaj

pinë ujë thanash

derisa plasën.



HIJA

Andej nga vinte ai

një herë në vit

njerëzit i matnin hijet

po ndodhi që ato

të ishin më të mëdha se trupi

shkurtonin pak gjuhën

apo gishtin e pushkës

vetëm atëherë

hija u kishte hije.

DERA E FUNDIT

Ujërave të pasosur

e shpërlau fytyrën

me sy i numëroi

të gjitha pikat

që i rrëshqitën buzëve

në fund e kuptoi

se flokëve të kohës

era dhe ju vije

diku, në një vend

një varrmihës pret

aty afër

një derë gjysmë e mbyllur

lum ai

që e hapë me dorën e vet

atë derë.



UDHËTARI

e ndjeu

se i kishte mbetur

vetëm edhe pak frymë

në atë çast

u ndal të pushojë

mbi fjalët e tij

orë e tyre kishte ardhur

dy ditë më parë

e tha me gojën e vet

që duart t’ia linin

jashtë varrit

ashtu dhe u bë

nga diçka

u shndërrua në asgjë

emri i tij

u ngjit lartë

pa të.

PËRTEJ

Jeta dhe vdekja

janë motra

e dyta lindi

në kohë shirash

atëherë kur shpirtrat u leckosën

e mes njerëzve

hyri bari i keq

në fund të fundit

fillimit do t’i plasin damarët

dimrit nuk do t’i mbetet

të ha asgjë tjetër

pos borës së vet

sa shume do t’i ngjajë ditës

ajo natë.

Shënime për autorin

Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore të mesme i mbaroi në Gjakovë, ku kreu edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë përfundoi studimet master në shkencat politike.

Ka 11 vitet që jeton dhe punon në Austri.

Me shkrime letrare ka filluar të merret që kur ishte nxënës. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Deri më tani ka botuar nëntë libra me poezi disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune.

Botimet:

1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’ (2000)

2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’ (2002)

3. ‘‘Dielli i mesnatës’’ (2004)

4. ‘‘Vizioni blu’’ (2010)

5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)

6. ‘‘Ishjut e jetës’’ (2018)

7. ,,Du meine Stimme’’ (‘’Ti, zëri im’’, 2018)

8. ‘‘The islands of life’’ (‘‘Ishujt e jetës’’, 2018)

9. ‘‘Në secilën hije pak dritë’’ (2019)

10. ,,Die Haut des Lebens’’ (‘‘Lëkura e jetës’’, 2020)

Ai po ashtu është prezantuar edhe në disa antologji dhe revista në Austri dhe Gjermani, si në: ,,Man fragt mich, ob ich bin (2009); ,,Stadtschattirungen’’ (2015); ,,Words and Wolds‘‘(2016, 2017, 2019 dhe 2020); ,,Liebe’’  dhe  ,,Wir, bewegende Steine’’ (2017), ,,Ausgewählte Werke XXI’’, ,,Anima‘‘ dhe ,,Ein Tag in meinem Leben’’ (2018); ,,Türen’’ (2019); ,,Freiheit’’ (2020); ,,Barmherzig’’ (2020), revistat ,,Zwischenwelt’’ 2014), ,,Aktuell’’ (2017 dhe 2018),  ,,Literarisches Österreich’’ (2017 dhe 2019), ,,Literamus 45’’ (2018) dhe ,,Literamus 46’’ (2019) si dhe në disa antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IWA Bogdani, i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Words and Worlds‘‘,  i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë.

Vjenë, 21.03.2021



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora