Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (III)

| E enjte, 27.11.2008, 06:57 PM |


Një ngjarje e pasgjykimit

 

Do të përpiqem ta sjell atë, fjalë për fjalë, ashtu si më është treguar një natë në shtëpinë e familjes Lladrovci, nga baca  Tush. Është koha kur ka ndodhur aktgjykimi, janë dhënë dënimet, gjithçka është bërë marramendshëm dhunshëm, të burgosurit  janë rikthyer në qelitë e tyre. Është fillimi i kalvarit të jetës së të burgosurve, i cili, gjithsesi, është më i lehtë se  ajo që ka shkuar.

 

Ndërsa jeta po fillon të futet në rrjedhinën e një boshti tjetër, që do të kishte veçantitë e saj, Fehmi Lladrovci mendon  se kishte edhe një detyrë për të bërë. Ndodh gjithçka si në baladat e lashta.

 

Baca Tush:

 

"... pesëmbëdhjetë muaj pat vazhdue gjyqi, jo për herë të dytë, jo në gjykatë qarku, jo në supreme, jo për herë të tretë.  Jo për gja, për t'u pendue, por prap mbetën qysh janë kanë herën e parë, e pas një kohe, me thanë mot mot, ka qenë Fehmia  në burg në Lepopllavë.

 

Pak kohë ka ndejë Feha në Prishtinë, prej Prishtine e patën çue në Gjilan dhe prej Gjilani në Lepopllavë. Në Lepopllavë më  pat thanë "babë qysh mundesh me ma prue Xhevën në burg". Erdhi dita e vizitës dhe e kam marrë Xhevën. Pesëmbëdhjetë minuta  nuk e kanë lanë Xhevën me hye, kërkoshin gjithfarë dokumentash, jo çfarë e ka, jo pse ka ardhë, e pas pesëmbëdhjetë  minutash, kur Feha nuk deshi as mue me më pranue me hye, më tha se "nëse nuk lejohet kjo, as baba nuk ka çka lyp", atëbotë  e pranuen.

 

Po i thotë Feha Xhevës:

 

"Xhevë unë jam dënue, burgu është i gjatë, i thonë dhjetë vite. Ndoshta shkon edhe ma gjatë. Mati hesapet, shikoji punët.  Je për mue e lirë, për me shkue dhe me i gjetë vedit fat diku tjetër, ne prap mbetim shokë, edhe shokë të idesë, edhe të  bashkëpunimit".

 

Atëherë kam vërejt se ka ardhë Xheva dhe është nxi dhe i ka thënë mrrolshëm: "Kurrë nuk e kisha pritë prej teje, o Fehmi  Lladrovci. Kurrë, kurrë. Shiko Fehmi, jo dhjetë vjet, por edhe njëqind vjet të dënohesh, unë jam për ty e nuk të lëshoj  kurrë".

 

E masandej Fehmiu po i thotë:

 

"Nëse është kështu, atëherë mirë".

 

"A është ashtu?"

 

"Po, ashtu është".

 

Atëherë Fehmia i ka thanë prapë:

 

"Vetëm me pëlqimin e babës dhe të vëllezërve, me pëlqimin e babës dhe të familjes tënde, prej sodit me shkue e me jetue tek  familja ime, tek baba e tek nana ime".

 

Xheva i ka thanë mirë dhe jemi nda me këtë fjalë me njëri-tjetrin.

 

Jemi kthye dhe kemi shkue me të drejt në Drenoc. Jena shkue drejt me të tek Abdyl Krasniqi dhe i kemi tregue se qysh është  puna. I kemi tregue si unë, dhe si Xheva. "Na ka thanë Feha se kjo punë kryhet vetëm me pëlqimin e familjes".

 

Atëherë Abdyli më ka thanë "rri sonte. Flas me familjen". Kemi ndejë dhe kemi bisedue. Në orën katër na ka shtrue një  mëngjes dhe na ka thanë se sot Xhevën po e përcjellim nuse për në shtëpinë e Fehmi Lladrovcit. Ka shtue se dhëndërr më të  mirë kurrë nuk e kisha dashtë.

 

Familja ime nuk dinte asgja. E falenderoj Abdylin shumë. I falenderoj djemtë. Pak burra munden me e ba atë. Krasniqët e  banë, kanë burrëri e kanë fjalë bese.

 

Atëherë kemi marrë rrugën me Xhevën. Kam ardhë në shtëpi dhe po u kallzoj vllezërve. Po u them se prej sodit Xheva është  nuse tek na. Ishte e vështirë, me pritë një ditë e edhe një ditë, por ma e vështirë me pritë dhjetë vite.

 

Vllezërit u pajtuan me mue, u pajtue edhe familja ime. E donin Xhevën fort, fort e donin. Sa herë që kemi shkue për vizitë,  në burg tek Fehmia, kemi shkue me Xhevën, kurrë nuk ja kam kalue vizitën deri në pesë javë, një muaj. Për mua si prind, as  nuk e kam ditë mërzinë, me ardhjen e Xhevës si nuse dhe me burrin në burg... Kemi heqë nëpër udhëtime, jo se na kanë  maltrajtue, por të lirë nuk kemi shkue. Mirëpo të gjitha ato i qofshin hallall, shokëve dhe djalit tim".

 

Vazhdimi i kësaj historie:

 

Kjo ishte, si të thuash paramartesa e Fehmi Lladrovcit, por ishte një gjë krejt e veçantë, e cila rrallë kishte ndodhur,  nëse kishte ndodhur ndonjëherë. "Lidhjet organizative ne atëherë i kishim me Ramizin", tregon Ramadan Avdiu. "Ramizi dhe  Shemsija (Istogu-Lladrovci) atëherë ishin ilegalë. Ndiqeshin, sidomos për organizimin e demonstratave të mëdha që kishin  ndodhur në Gllogovc (Drenas). Kur shkuam t'i takojmë, mësova një fakt që rrallë e kisha dëgjuar. Xheva ishte si e fejuar  dhe jetonte në familjen e Fehës".

 

Fehmiu dhe Xheva janë fejuar me 20 shtator 1985. Kjo është dita e fejesës së tyre, çka do të thotë se është një moment  saktësisht 45 ditë para arrestimit të Fehmiut. Ai ndodhej në burg atëherë, megjithatë atdhetari Abdyl Krasniqi dhe bijtë e  tij vendosën se dasma duhej bërë, nusja duhej të shkonte, sepse dhëndrri nuk ndodhej pas hekurave për marri e punë të  këqija, por ndodhej për vendin e tij dhe kjo mund të pritej. Ndoshta edhe e kishin përllogaritur.

 

Edhe Abdyl Krasniqi e kishte dashur një dasmë të madhe, sepse Xhevën e kishte disi veçmas të tjerëve, sepse ishin jo  thjesht babë e bijë, por ajo ishte edhe bashkëluftëtarja e tij. Dhe kështu nisi fillimin prologu i një dasme, me dhëndrrin  qindra kilometra larg, për më tepër pas hekurave, një dasmë në të cilën krushqit ishin në burg ose ishin ilegalë, me një  nuse që nuk do të shkonte asaj dite me fustanin e bardhë të nusërisë.

 

Xheva veshi kostumin karakteristik kuq e zi, në shenjë të nderit të gjakut të derdhur dhe për flamurin. Do të kishte një  krushk me vete, i cili ishte njëkohësisht edhe vjehrri i saj.

 

Mori me vete, si një kujtesë të çmuar, edhe një amanet të të atit, Abdyl Krasniqit, disa vargje të cilat ia jep së bijës,  Xhevës, kur e përcjell nuse pa dhëndërr:

 

"Me vete një krushk

 

një krushk, një njeri, një baba.

 

Xhevë është i yti prind

 

Në zemër mban një zjarr, një prush

 

Baba me emrin e nderit

 

E quajnë Tush.

 

Nga sot është edhe prindi yt

 

Pra ta duash fort,

 

Ta ruash si sytë".

 

E megjithatë, atje larg, krushqit e vërtetë nuk ishin ngrirë dhe nuk i kishin thënë shokut të tyre "me hajr nusja, hajt,  mos u mërzit".

 

Ata kishin bërë diçka tjetër dhe këtë e tregon Fehmiu në letrën e tij të 16 gushtit 1986.

 

Ja se çfarë shkruan, mes të tjerave, ai:

 

"E shtrenjta ime Xhevë, dua të them se dasmën tonë e festova edhe unë me shokët. Isha shumë i gëzuar dhe i lumtur. Porsa  mora lajmin nga ti, menjëherë e kuptuan shokët dhe më uruan me gjithë zemër, filloi dasma menjëherë, kush drutë e kush  tenxheren, kush hallvën e kush sheqerin, kush gazin e kush hyzmetin, me një fjalë, dasmë e vërtetë që nuk harrohet për  jetë.

 

Të ma përqafosh shumë Nënën time për mua, i bëj të fala nga unë dhe nga të gjithë shokët, baca (Adem Demaçi - shënim i  autorit), e përshëndet duke i thënë të qëndrojë e fortë dhe krenare, sikur të gjitha nënat që i kanë bijtë dhe bijat në  burgje për ideale".

 

Në përgjigjen e saj Xheva, tashmë nuse e panusëruar, më tepër bijë se gjithçka tjetër, i shkruante:

 

"...Isha duke lexuar në dhomë, kur hyri brenda Ramizi. Kishte shkuar posaçërisht për të marrë ndonjë letër në postë. "Nuk  kish gjë", më tha porsa hyri. Se si më erdhi, por nisa përsëri të lexoj. Pas pak një zarf u gjend në librin që lexoja. Që  në pjesën e parë të tij kishte diçka që ndryshonte nga ato të mëparshmet. Zemra më rrihte fort. E hapa shumë shpejt e nisa  ta lexoj. Mbaja në zemër një mall të madh. Sikur letrën ta lexoja e vetme në dhomë, por kisha Nënën pranë. Ajo do të  mërzitej më shumë, po qe se unë do të largohesha në dhomën tjetër. Filluam ta lexonim bashkë.

 

Kur isha duke lexuar letrën, të parafytyroja në festën e dasmës sonë, ashtu si e kishit festuar. Dramën e dasmës krenare,  ashtu si e kemi përjetuar. Të shoh krenar e plot gëzim, të qeshur, gjithnjë më të dashur e plot besim për ardhmërinë e  lumturinë tonë. Më vjen keq që në ato momente nuk u gjendëm pranë njëri-tjetrit.

 

Krenaria ime, Fehmi! U informova edhe për vendimin e gjykatës së shkallës së dytë. Gjithëherë kam qenë e sigurtë në  vendosmërinë e krenarinë tuaj prej njeriu atdhetar. Tani edhe më shumë të dua. Edhe pse kam jetuar fare pak çaste të bukura  jete, e dua jetën, e jeta ime është jeta jote. Pra, jeta jonë do të jetë pasqyrë besnike e ndershmërisë njerëzore.

 

 Tani, në këtë moment, kur po përfundoj letrën, është ora një e natës. Jam ende zgjuar e rri vetëm me nënën. "A ke t'i  thuash ndonjë gjë atij trimi", i thashë nënës. "I bëj të fala, tha, sikur ta kisha afër, do ta rrihja mirë bile". Qeshëm të  dyja".

 

A nuk është një dasmë, apo një prolog dasme, krejt i pazakontë, krejt i veçantë, kur dhëndrri ndodhet disa qindra kilometra  larg, nusja ndodhet në shtëpinë e tij, kur njëra pjesë e dasmës është në burg dhe pjesa tjetër në fshatin e lindjes së  dhëndrrit? Ishte një ceremonial që zgjati gjashtë vite, mes tyre është pritja, por nuk janë ofshamat, është nusërimi, por  më shumë është bijëzimi, dhe pas gjashtë viteve, të gjithë ata që ishin në dhomën e burgut e të tjerët rreth tyre, ishin  krushq përsëri.