E diele, 18.04.2021, 10:08 PM (GMT+1)

Kryeshkrim

Blerim Latifi: Dëshmor e meriton të quhet vetëm ai që sakrifikohet për nderin dhe lirinë e atdheut të tij

E shtune, 20.03.2021, 05:18 PM


Blerim Latifi:

Në Shkup qenkan përkujtu 20 mijë shqiptarët e vrarë kot në Luftën e Çanakkalasë për të mbrojtur Stambollin, në marsin e vitit 1915. Madje, këtë përkujtim e paskan quajtur "ditë të dëshmorëve". Ajo ishte një kohë kur shqiptarët të zhytur në mjerim dhe injorancë totale, shkonin për t'ia siguruar kokën Sulltanit të rrethuar në Bosfor, por, tri vite më vonë, kur ushtritë serbe po marshonin nëpër Kosovë, duke ua djegur shtëpitë, masakruar familjet e përdhunuar gratë, vajzat e motrat, askush nuk pati guxim t'u kundërvihej, përjashto ndonjë çetë kaçakësh, aty këtu. Dëshmor e meriton të quhet vetëm ai që sakrifikohet për nderin dhe lirinë e atdheut të tij.

_______

Kur vjen dita e të zhdukurve i madh e i vogël ngrihemi dhe i mbushim rrjetet sociale me postime plot lot e indinjatë për të zhdukurit. Pastaj dita kalon dhe askush nuk çanë kokën për ta. Ata harrohen, deri në ditën tjetër në vitin tjetër. Njëjtë ndodhë edhe me 8 marsin: të gjithë bëhemi feministë brenda 24 orëve, pastaj të nesermën vazhdojmë me të vjetrën, do të thotë vazhdojmë të jemi patriarkalë të thekur gjatë 364 ditëve të tjera të vitit, në gjykata ku një grua nuk merr drejtësinë e njëjtë si një burrë, në konkurse publike ku një gruaje i imponohen kushte speciale për t'u pranuar në punë, në sistemin e pagesave ku për punë të njëjta burrat paguhen më mirë, në të drejtat e trashëgimisë ku norma kanunore nuk i përfillë të drejtat civile të shtetit modern, e në sa e sa fusha të tjera të jetës sociale. Hipokriza jonë sociale përputhet krejtësisht me njeriun e Makiavelit, të cilit i mjafton të duket i mirë e i civilizuar, por kurrë nuk brengoset të jetë realisht i tillë.

_______

I gjithë arsimimi ka një qëllim fundamental: t'i aftësoj njerëzit për mendim kritik. Abetaren e mendimit kritik i pari e ka hartu Rene Dekart, babai i filozofisë moderne. Ajo përmbanë katër rregullat e mendimit kritik: (1) mos prano asgjë si të vërtetë pa i shqyrtu argumentet, (2) zbërthe problemet në pjesë të thjeshta, (3) zgjidh problemet duke fillu nga ato më të thjeshtat tek ato më komplekset, (4) rishiko nga fillimi argumentet e gjetura që t'i përmirësosh të metat e tyre.

Problemet tona me arsimin lidhen saktësisht me moszbatimin e këtyre rregullave. Ne përpiqemi t'i imponojmë të vërtetat tona, pa dhënë prova.Prandaj na pëlqejnë aq shumë thashethemet dhe teoritë konspirative. Ne nuk analizojmë faktet, por i ngatërrojmë ato me dëshirat tona.Nuk nisemi kurrë nga problemet e thjeshta për të arritë tek ato më të rëndat, por e bëjmë gjithmonë të kundërtën.Merremi me problemet globale, derisa hallet tona nuk na bëjnë përshtypje. Dhe asaj që e themi, kurrë nuk i kthehemi që ta rishikojmë e përmirësojmë. Ne flasim para se me mendu, mendojmë pa lexu dhe kemi opinione pa koncepte. Kriza në arsim është krizë mendimi dhe vetëm përmes mendimit fillon kapërcimi i saj.

_______

Mjekët kosovarë po marrin vaksinën anticovid në Kukës, serbët e Kosovës në Serbi, ndërkaq politikanët në Prishtinë merren me të vetmen gjë që realisht u intereson: kush ku po rehatohet në institucione e parti politike? Kush po bëhet ministër e kush zëvendësministër? Pse ky, e jo ai? Kush po hyn në kryesi të filan partisë, e kush po mbetet jashtë? A po bëhet presidente Vjosa Osmani, a dikush tjetër?  Kush hyri në Kuvend, e kush jo? E të tjera pyetje të këtij lloji, pyetje që na shpërfaqin faktin se në Kosovë veç një pyetje politike ka rëndësi: Kush çka merr nga pushteti?

_______

Para katër ditësh, në Tiranë, qenka përkujtuar 31 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA. Vetëm 31 vite marrëdhënie me SHBA-në dhe kombi shqiptar ka përfituar prej tyre atë që pak kush ka mundur ta ëndërroj.

Në vitin 1946 Enver Hoxha i kishte dëbuar amerikanët e fundit nga Shqipëria, kishte ndërprerë çdo marrëdhënie me shtetin amerikan, duke e shpallur armikun numër një të Shqipërisë dhe të njerëzimit. Ky rast na tregon se çfarë lloje të paimagjinueshme të çmendurisë mund të prodhojë fanatizmi ideologjik.

_______

Në nëntor të vitit 1981, disa muaj pas demonstratave studentore në Kosovë, LKJ(Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë) kishte hartuar një platformë politike, si përgjigjje ndaj situatës që kishin krijuar këto demonstrata. Platforma vlerësonte se shkaqet kryesore të shpërthimit të demonstratave lidheshin me prapambetjen ekonomike të Kosovës në raport me njësitë tjera federative. Është interesante të theksohet se aty përfshihet edhe korruptimi i udhëheqjes politike kosovare, si faktor i nxitjes së pakënaqësisë. Ja se çfarë thuhet për këtë në platformën në fjalë: "Në Lidhjen e Komunistëve të Kosovës si dhe në organizatat e tjera shoqërore ka një "nepotizëm", "familjarizëm" si dhe "monopol të njerëzve të veçantë dhe grupeve". Këto dobësi janë shprehur para se gjithash në politikën e kuadrove".

Kjo analizë na jep të kuptojmë se kapja farefisnore e institucioneve nuk është diçka e vonshme në Kosovë, por një traditë e gjatë e sjelljes institucionale.

_______

Në vitin 1986 Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë kishte hartuar Memorandumin e saj famoz përmes të cilit synonte t’i jepte një “bazë shkencore” projektit të ringjallur serb për Serbinë e Madhe, në kohën kur tanimë të gjithë e kishin kuptuar se Jugosllavia socialiste po shkonte drejt varrit. Në atë kohë, njëri prej anëtarëve më shovinistë të kësaj akademie, Mihailo Markoviq, e quante atë “institucion prijës të kombit serb”.

35 vjet më pas, kryetari aktual i kësaj akademie ka marrë guximin të deklarojë se Kosova nuk është më e Serbisë. Presionet ndaj tij për të dhënë dorëheqje janë jashtëzakonisht të mëdha. Mbase do të duhen edhe 35 vjet të tjera që elitat politike e kulturore në Serbi të çlirohen nga mitologjia nacionaliste serbe mbi Kosovën dhe kështu lufta e gjatë në Serbi midis mitit dhe të vërtetës të përfundojë njëherë e përgjithmonë në favor të së vërtetës. Mbase kjo nuk do të ndodhë kurrë, sepse, siç thoshte akademiku tjetër serb, guruja i nacionalizmit bashkëkohor serb, Dobrica Qosiç, “gënjeshtra është një aspekt i patriotizmit tonë serb dhe konfirmim i inteligjencës tonë të lindur”.

_______

A e keni parë se si në çdo intervistë që politikanët tanë japin për mediat e huaja, u shtrohet pyetja për bashkimin kombëtar? Dhe a e keni parë se ma çfarë qyqarllaku i përgjigjen kësaj pyetje? Në vend se të argumentojnë se shqiptarët e Kosovës e Shqipërisë janë një komb dhe duke qenë të tillë kanë të drejtë legjitime të mendojnë për bashkimin e tyre, e se ky bashkim është e drejtë legjitime e kombeve, ata, pra politikanët tanë, i çojnë duart si në faj, marrin pozicione defansive, fshihen pas dispozitave kushtetuese e dokrrave të tjera të politikës konjukturale, duke harruar kështu se ideja e bashkimit kombëtar është ideja që e mbanë gjallë vetëdijen se i takojmë një kombi. Nëse heqim dorë nga kjo ide, ka me ardhë një ditë kur do të heqim dorë edhe nga kjo vetëdije. Kombin,-siç thoshte Fishta- nuk e mbajnë gjallë veç kujtimet e të kalumes, por mbi të gjitha vullneti për me rrnue së bashku në kohën që vjen. Nëse hiqet dorë nga ky vullnet, kombi e humbet të ardhmen e tij, e kthehet, thjesht e vetëm, në një vlerë muzeale.

_______

Sa për reagimin e Turqisë rreth ambasadës tonë në Jerusalem, duhet njëherë e mirë ta kuptojnë të gjithë se vetëm dy shtete kanë të drejtë të përzihen në punët e Kosovës: SHBA dhe Shqipëria. E para, sepse ka hisen kryesore në shtetformimin e Kosovës, e dyta, sepse jemi vëllezër të një gjuhe e kombi.

_______

"Helena e Trojës", bust i krijuar nga skulptori italian Antonio Canova, në vitin 1816. Helena mbanë në kokë plisin e bardhë, simbolin antik të lirisë. Në fillimet e shekullit XIX Canova kishte udhëtuar në Shqipëri dhe gjatë atij udhëtimi ai ishte frymëzuar për veprën e tij nga burrneshat me plis që kishte parë në Shqipërinë e Veriut.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora