E shtune, 20.04.2024, 02:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Tregimi, ky krijim i vogël letrar

E shtune, 20.03.2021, 12:17 PM


TREGIMI

KY KRIJIM I VOGËL LETRAR

Sprovë

Nga Prof. Dr. Resmi Osmani

Në dhjetë vjet, kam shkruar njëqind e njëzet tregime. Pas kësaj përvoje, besoj më lejohet të jap disa konsiderata.

Sipas klasifikimeve të pranuara, gjinitë letrare ndahen në epike, lirike dhe dramatike. Brenda tyre janë nënllojet. Në epiken, si lloje letrare përfshihen: romani, novela, tregimi, skica, poema epike etj.  Krijuesit e veprave  epike në prozë quhen prozatorë.

Tregimi, ka historine e vet. Thuhet se krijuesi i tregimit ne letërsinë moderne  është E.A.Poe. Thuajse nuk ka krijues letrar të prozës që të mos e ketë lëvruar këtë gjini. Tregime kanë shkruar shkrimtarë të njohur si: Mark Tueni, Mopasani, Floberi, Balzaku, Merime, Stendali, Çehovi,Gorki e Tolstoi, Paustovski, Xhek Londoni, Kafka dhe Xhojsi, më vonë Heminguei, Folkneri, Buxati, Moravia, Elin Pelin, Azis Nesini,  dhe do të dilte një listë e gjatë. Letërsia e çdo vendi, pa përjashtim ka tregimtarët e saj, shumë prej të cilëve kanë njohje të gjerë ndërkombëtare. Ndër ta kanadezja Alice Munro, qe ka lëvruar vetëm gjininë e tregimit, më 2013, u nderua me çmimin Nobel.

Edhe në letërsinë tonë, tregimi ka traditën e vet. Janë të shumtë autorët që e kanë lëvruar me art tregimin: duhen përmendur Mitrush Kuteli, Migjeni, Koliqi, Dhimitër Shuteriqi, Jakov Xoxa, Petro Marko, Dhimitër Xhuvani, Zija Çela, I.Kadareja, Bilal Xhaferri, Nasi Lera, Faik Ballanca, Teodor Laço, Anastas Kondo,Vath Koreshi, Moikom Zeqo, etj. Pas viteve 90-të janë evidentuar Enver Kushi, Mark Simoni, Lazër Stani, Ramiz Gjini,Faruk Myrtaj,Bashkim Shehu, Thani Naqo etj.   Këto vite, me tregimin kanë punuar e publikuar një brez i ri tregimtarësh(jo nga mosha): Fatmir terziu, Kristaq Turtulli, Istref Haxhillari, Vasil Vasili, Myslym Maska, Përparim Hysi, Sotir Athanasiu, Hekuran Halili,Odise Kote, Resmi Osmani, Shefki Hysa, Noke Abilekaj, Kozma Gjergji, Murat Aliaj, Vladimir Muça, Hamit Taka, Eduart Sulollari, Andon Andoni dhe disa krijuese femra: Esmeralda Shpata, Nimfa Hakani, Vjollca Tiku-Pasku,  Rudina Beja  etj. Ndjesë për ata që s’më kujtohen. Shumë prej tyre  i kanë botuar si vëllime më vete ose ne portalet elektronike.

Por përse gjithë ky interesim për tregimin?

Ka disa arsye. Për fillestarët qe provojne veten ne fushen e letersisë, është mundësia e parë e provës për të shfaqur prirjet dhe talentin e tyre , në sendërtimin e kësaj gjinie të vogël letrare, si të thuash pagëzimi i zjarrit, dhe ne rast pëlqimi nga lexuesi, vijimësia për më tej, në të kundërt, për vullnetdobëtit edhe heqje dore.

Për shkrimtarët me përvojë  që lëvrojnë gjinitë e gjata, romanin apo novelën, me shumë ngjarje e linja, që kërkojnë kohë për shkrim, shkrimi i tregimeve mbush hapësirën e ndërprerjeve, si një intermexo, një far çlodhjeje që sjell freski dhe mbush kohën që ajo të mos jetë pa produkt.  Kaq i pëlqyer ka qënë tregimi, sa ka shkrimtarë që gjith jetën krijuese e kanë bërë objekt të vetëm krijimtarie. Çehovi, gjatë njëzet e pesë vjetëve, shkroi pesëqind tregime e novela! Të tjerë shkrimtarë, vlerësohen kryesisht për tregimet si Paustovski, Elin Pelin, Mitrush Kuteli, Dhimitër Shuteriqi, Sotir Andoni, Anastas Kondo, Lazër Stani etj.

Është një sfidë që duhet ta kalojë çdo autor.

Për lexuesin serioz, që e ka pjesë të edukatës së tij leximin, tregimi, si të thuash është buka e tij e përditshme e tyrezës letrare, që nuk e lodh, i jep kënaqësi, i nxit fantazinë, merr një mesazh dhe përfytyrim ndryshe të një subjekti të cilin nuk e kishte menduar, por edhe stile, kompozicione, teknika shkrimi dhe tipologji që kjo gjini është e aftë të trasmetojë.

Tregimi, sido që gjini e vogël letrare, dallohet për disa veçori të përgjithshme të cilat nga krijuesit duhen mbajtur parasysh:

Gjatësia. Për nga gjatësia, tregimi qëndron midis novelës dhe skicës letrare. Natyrisht, ajo është në varësi të subjektit, nga mundësia e shtjellimit të tij nga autori në kufijtë e disa faqeve e një numri të caktuar fjalësh ku të dalë plotësia e ngjarjes dhe mesazhi i nënkuptuar. Në letërsi, janë të shumtë shëmbujt. Mopasani dhe Floberi e Stendali, kanë pëlqyer tregimin e gjatë,Çehovi, atë të shkurtër. Po kështu edhe Heminguej, gjatësinë e tregimit ia vë në varësi subjektit. Hasen te ai tregimi i shkurtër por edhe i gjatë.  Mitrush Kuteli, Dhimitër Shuteriqi, pëlqejnë tregimin e gjatë, që për nga rrëfimi, personazhet dhe ndërlikimi i ngjarjeve, mund të konsiderohen si novela. Si model i tregimit të shkurtër, veç të tjerëve, duhet marrë Migjeni dhe shumë tregime të Moikom Zeqos.

Vihet re që nga shtypi letrar, kërkohet tregimi i shkurtër. Botuesi Mark Simoni, për botimet në “Mapo letrare”(përveç cilsisë) ka vënë kufirin 1200-1700 fjalë, kështu pothuajse edhe gazeta Nacional, Exlibris etj. Në praktikën time shkrimore, ngjarjet e tregimeve, në varësi nga intensiteti i tyre, shtjellohen në kufirin e 2000-5000 fjalëve.Për të disiplinuar veten, më ka ndodhur, që pas nisjes së shkrimit të tregimit,të shkruaj mbylljen,në fund të numrit të faqeve, që është ajo hapsira e lejuar midis fillimit dhe fundit!

Nuk duhet të luajmë me durimin e lexuesit.

Nën këtë trysni, është shfaqur shkrimi i tregimeve të shkurtëra, që më së shumti për nga subjekti dhe kompozicioni nuk plotësojnë kushtet për t’u quajtur tregime, pasi u mungon subjekti, u mungon veprimi, mungojnë personazhet, u afrohen skicave, që kanë si personazh unin, në vetë të parë apo të tretë, pa aksion, mbizotëron një soditje e brendshme, që parashtron përsiatje dhe sentenca psiko-filozofike të një gjendjeje të përcaktuar e  spontane, emocionale, disi hermetike simbolike, metaforike e paradoksale të një shpirti të trazuar dhe artit për art. Të vështira për tu kuptuar dhe interpretuar, që duhen lexuar disa herë, që të japin edhe dhimbje koke! Pavarësisht nga kjo, të gjitha kanë të drejtën e “qytetarisë”, pasi janë shprehje e individualiteteve krijuese të akcilit shkrimtar dhe kanë lexues e pëlqyes të tyre.

Edhe pse gjini e shkurtër, tregimi flet shumë. Një tregim , thotë diku Lazër Stani,mund të vlejë sa një roman! E vërtetë. Shpesh në shtratin e një tregimi fle një roman. Është i njohur fakti se ” Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, u nis si tregim. Edhe disa romane të Hemingueit, janë nisur si tregime, fjala vjen “Të kesh  e të mos kesh” apo “Fiesta”, Çehovi me tregimin “Zonja me kone” ka arritur , në sintezë, dhe po aq me art, por me një këndvështrim tjetër e të kursyer, të japë atë që Tolstoi dhe Floberi të shpërfaqin në romanet e tyre” Ana Karenina” dhe “Zonja Bovari”. Kjo më ka ndodhur edhe mua. Tregimin “Banja e përgjakur”, më pas e zhvillova dhe pasurova, e ktheva në romanin “Pas Trojës”, Tregimin per Seremben ”Kangjela e maliit të parë” e zhvillova më pas në novelën ”Kur dashuronte poeti”.Besoj se kjo u ndodh edhe krijuesve të tjerë. Shpesh subjekti fillestar, në procesin krijues, rrokulliset si orteku i borës që sa vjen e zmadhohet.

Tregimi lejon të shkruhet  në çdo metodë dhe rrymë letrare, sipas prirjeve  dhe pëlqimeve të autorëve: realiste, romantike, të absurdit dhe hermetizmit, të surealizmit, realizmit magjik, fantashkencës dhe horrorit.Te e shumta e tregimtareve mbizotëron rryma realiste, por nuk mungojnë dhe rrymat e tjera. Shume autorë latino-amerikanë shkruajnë tregime  me metodën e  realizmit magjik, të tjerë si Dino Buxati, surealiste dhe fantaziste, Anton Pashku tregime hermetike dhe të absurdit, Enver Kushi një gërshetim të realizmit me surealizmin,Sotir Athanasiu, paramnezinë që është një gërshetim i trillit me realitetin, dhe pa sjellë shëmbuj të tjerë, konkludojmë se  tregimi, si gjini ngërthen gjithë rrymat ,shkollat dhe risitë letrare.

Larmia e subjekteve dhe tipologjisë. Në gjininë e tregimit, mund të shtjellohen tema dhe subjekte nga më të ndryshmet. Me burime nga përditshmëria, kryesisht temat e larmishme sociale, përvojat vetjake të autrit, nga historia, mitet dhe legjendat,  folklori, baladat bile edhe përrallat. Në varësi nga prirjet dhe parapëlqimi i autorëve. Si shembull i përdorimit të tipologjive tregimtare mund të Sillet Moikom Zeqo me librin e tij ”Emrat e Zotit” ku siç vëren akademik Ali Aliu”….Subjekti narrativ i këtij autori shtrihet dhe është tërë ajo që ekziston, tërë ajo që përbën thelbin e universit njeri, në kohë dhe hapësirë.”Është i njohur një fakt interesant: Xhek Londoni, kur ishte në krizë për subjekte,(kur siç thoshte Heminguei pusi shterrohet) i blente ato nga gazetarë apo letrarë fillestarë dhe i kthente në tregime!

Proza e tregimeve, u jep liri të plotë autorëve dhe stilit të tyre. Mund të jetë romantike, tregimet e para të Gorkit, lirike te Paustovski, dhe Elin Pelin, në prozë poetike te Mitrush Kuteli, shpotitëse dhe me humor të Azis Nesinit, por edhe dramatike, e tragjike, me efekte tronditëse, si shëmbull do të sillja tregimin e Vath Koreshit”Elegji për udhët e karvanit të kredhur në muzg”ku në pak faqe pluskon një dramacitet tronditës e rrënqethës, që mbetet gjatë në kujtesë.

Kompozicioni  teknika dhe lehtësia e  të shkruarit. Tregimi është gjini sqimatare,në kompozicion dhe zhvillim, nuk pranon teprime që për të janë si mish i huaj. Thuajse hyrja është mungesore, zhvillohet tema mbi bazën e trillimit dhe vjen mbyllja logjike që mund të jetë: tragjike, tragji-komike, me fund të lumtur apo asnjerën prej tyre, duke e lënë të hapur, për t’ia lënë lexuesit zgjidhjen. Në teknikat e shkrimit të narracionit(në mund t’i quajmë kështu) shkrimtarët përdorin në të shumtat e herës rrëfimin në vetën e tretë. Të tjerë atë të vetës së parë, ku autori e rrëfen subjektin si një ngjarje të jetuar apo dëshmuar prej tij, është një mënyrë vetiake, ku autori është edhe personazh, e të tjerë në vetë të dytë. Përparim Hysi, spontan dhe i lirshëm, thuajse rrëfen vetëm në vetë të parë, Thani Naqo në vetë të parë e të tretë, Faruk Myrtaj kryesisht në vetë të tretë.Resmi Osmani, rrall në vetë të parë, kryesisht në vetë të tretë, dhe në një rast të vetëm në vetë të dytë,(tregimi Yllbardha), rrëfimin në vetë të dytë e gjejmë edhe te Kortasari. Sotir Athanasiu në vetë të parë e të tretë ,Agim Vinca, të shumtat e tregimeve të vëllimit “Konkubina” i ka shkruar në vetë të parë.

Në teknikën e të shkruarit të tregimit, për mendimin tim, autori duhet të jetë disi pavetor, që rri pak mënjanë, flet pak ose aspak, vëzhgon, ndërmjeteson, por nuk komenton, ndërhyrja është gati e padukshme, i le personazhet të veprojnë natyrshëm sipas rrethanave, ashtu si ata vetë dijnë të gjykojnë( në varësi të formimit, karakterit, përkatësisë sociale) pa u vënë në gojë deklarata të fryra, fjalë që ata nuk duhet të përdorin, apo retorikë që s’është as në natyrën e tyre apo formimit kulturor, çka do t’i bënte ata të fryrë, mburravecë, të çuditshëm e të pabesueshëm për lexuesin. Nuk duhet marrë si këshillë(askush nuk ka të drejtë të jape këshilla se si duhet shkruar)por si opinion vetjak, që autori duhet të jetë shumë i kursyer. Vetë ai bën mirë të mos flasë, veç kur është e domosdoshme, të mos filozofojë e të bëjë psikanalizë. Këtë le t’ua lerë personazheve. Nga ana tjetër nuk duhet hequr dorë nga detajet, në tipizimin e personazheve, gjithënjë të kursyera, pasi ato e bëjnë ngjarjen më të besueshme, të vërtetë e të natyrshme.

Lehtësia në shkrimin e tregimeve, kuptohet është në varësi të talentit, vullnetit dhe metodës së punës krijuese. Diku, në një intervistë, Heminguei, deklaron se ka shkruar tri tregime në një ditë! Dino buxati, vëren se tregimi para se të shkruhet, lind vetëm nga një mendim dhe para se të shkruhet, ka përfunduar në mëndjen e autorit. Kurse nobelistja Alice Munro, që lëvron kryesisht gjininë e tregimit, vëren se: tregimi është një gjendje torturuese për shkrimtarin! Besoj ka parasysh se tregimi, kërkon përgjegjësinë dhe mjeshtërinë e argjendarit në gdhendjen e diamantit. Ndodh që tregimi të hidhet shpejt e shpejt në letër, por procesi i krijimit të tij mund të zgjasë me dit, javë por edhe muaj, për shkak të zhvillimeve që marrin ngjarjet, shpesh ndryshe nga sa janë menduar fillimisht, që duhen shikuar e rishikuar në vijimësi.

I vogël tregimi, por i madh mundimi!

Është arti ai që i jep jetë bukuri dhe emocione tregimit. Që tregimi me befasinë e përmbajtjes së tij, me atë që shpërfaq, të depërtojë në  psiqikën, apo të lerë gjurmë te lexuesi, duhet të jetë një vepër e mirfilltë arti. Dhe siç vëren Pasternaku:”….Arti është thelbi jetëdhënës i veprës artistike dhe se arti është e fshehta e madhërishme që i jep jetë brendisë” Të tillë e bëjnë tërësia e përbërësve të tij: subjekti, arkitektura e thurjes (kompozicioni) individualizimi i personazheve, befasitë dhe të papriturat, në veçanti gjuha,duke zgjedhur për çdo fjalë sinonimin apo antonimin, atë më të mirin e tingëllues, figurat, metaforat dhe krahasimet, dialogu i shkathët e i mençur, nënteksti që duhet lexuar midis rreshtave, asgjë e tepërt që ta rëndojë, dhe mesazhi, kuptohet pa rënë në didaktizëm. Dhe tërësia e gjithë këtyre elementëve  përbëjnë stilin e tregimtarit.Nga mënyra se si i trajtojnë këtë tërësi strukturore në endjen e tregimit, dallohen edhe autorët që kanë krijuar individualitetin   e tyre krijues. Duke qenë lexues i vëmendshëm, mund të them se disa tregimtarë kanë krijuar individualitetin e tyre, aq sado t’i njihja edhe po të mos vinin emrin e tyre. Thani Naqo, me humorin dhe shpotitë e holla e të hareshme, Përparim Hysi me mënyrën e rrëfimit të lirshëm , spontan e ngjyresat gjuhësore lokale të trevës së Myzeqesë, Sotir Athanasiu me paramnezitë e tij dhe atë “Trinseçion” si një befasi që vepron në intrigimin e ngjarjes, Vasil Vasili me elegancën e shkrimit, ekonominë e fjalës dhe nëntekstin  midis rreshtave, Fatmir Terziu me mënyrat e rrëfimit disi enigmatike që e vë lexuesin në mendime, Esmeralda Shpatën me skicat e shkurtëra psiko-filozofike (Ajo i kondideron tregime) që kërkojnë interpretim. Mund të shtoja këtu edhe Istref Haxhillarin e Kristaq Turtullin etj. Gjithë këta dhe autorë të tjerë e kanë pasuruar cilësisht dhe zgjeruar gamën e tregimit bashkëkohor, duke u shkëputur nga stereotipizmi.

Dy fjalë për tregimin me subjekte historike.  Historia është burim i pasur, në të cilën ngjyejnë penën shumë autorë, ku e përfshij edhe veten.Historia është shkencë. Rrëfen sesi janë zhvilluar ngjarjet mbështetur mbi faktet. Ndërsa letërsia si art, mbi bazën e fiksionit dhe faktografisë, i shndërron faktet historike në art, thuhen edhe gjëra për të cilat nuk flet historia. Kësisoj, historia shndrrohet në letërsi, kurse personaliteti real historik bëhet personazh letrar.

Ka autorë, që figurat historike dhe legjendare, u afrohen kryesisht me prirjen për dekonstruktim dhe çmitifikim. Kam tjetër mendim, mitet nuk duhen rrënuar, por duhen selitur.Personazhet historikë, i kam paraqitur si njerëz të gjallë, me vese e vyrtyte, por jo të thjeshtëzuar e skematikë, duke evidentuar artistikisht atë që është tipari i tyre themelor që,  i sjell ata si arketipe në ndergjegjen kolektive të shqiptarëve.

Në përfundim, them se do të ishte me interes për lexuesit, që instancat përkatëse, Shtëpia e Librit, të merrnin nismën e publikimit për çdo vit në një antologji, tregimet e zgjedhura të vitit të autorëve  bashkëkohorë, si pjesë e kapitullit të letërsisë të pas viteve 90-të.

Tiranë, 15.3. 2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora