E enjte, 02.12.2021, 10:31 PM (GMT)

Faleminderit

Viron Kona: I miri, i dituri dhe i zgjedhuri ynë, Fran Gjoka

E shtune, 20.03.2021, 01:25 PM


I miri, i dituri dhe i zgjedhuri ynë, Fran Gjoka

-Portreti krijuesi-

Shkruan Viron Kona

Me Fran Gjokën më miqësoi gazeta jonë emërbukur “Mësuesi”, e cila do të mbetet kurdoherë një faqe e ndritur e historisë së arsimit shqiptar. Dhe, seç kam një bindje të thellë se vetë gazeta, ka qenë për mua dhe Franin një “urë” e palëkundur dhe e sigurt, që na mbajti dhe na mban të bashkuar fort, me një shoqëri të çiltër dhe të sinqertë, që mund ta krijojë vetëm liria e shtypit dhe e shprehjes së mendimit. Ndërkaq, pa qenë egoistë, duhet të pohojë se Fran Gjoka ka edhe shumë e shumë miq e shokë të tjerë si unë, ata janë mësues në radhë të parë, janë njerëz të shkrimeve, janë intelektualë dhe zyrtarë, janë me tituj dhe me grada shkencore: akademikë e profesorë, por, mes tyre, edhe shokë dhe të njohur të tjerë e që janë panumërt: punëtorë, fermerë të moshave të ndryshme, pensionistë, studentë, nxënës të shkollave të mesme teknike  profesionale, gjimnazeve e nëntëvjeçareve e, deri te fëmijët e vegjël që cicërojnë në bankat e klasave të para si zogjtë duke mësuar abc-në. “Duke punuar një jetë të tërë mësues dhe në drejtorinë arsimore të rrethit të Lezhës,-shkruan për Franin studiuesi Sejdo Harka,- ai   s’ka lënë shkollë pa shkelur, s’ka lënë mësues pa takuar e njohur nga afër, s’ka lënë veprimtari e problem të shkollës pa trajtuar në shtypin e përditshëm. Me shkrimet e tij, ai ka qenë i pranishëm kudo ku ka spikatur shembulli i mësuesve dhe i drejtuesve më të mirë të shkollave, kudo ku promovohen metoda të reja mësimi dhe edukimi, kudo ku gumëzhijnë veprimtaritë jashtëshkollore, kudo ku përgatiten dhe shkëlqejnë talentet e reja, kudo ku aktorët e procesit të mësimit dhe edukimit bashkërendojnë dhe harmonizojnë mirë punën për modernizimin e shkollës”.

Frani, po si Frani, i palodhur dhe me energji të jashtëzakonshme, si në të gjithë jetën aktive të punës, edhe tani në pension, ai vazhdon të shkruaj pareshtur, vazhdon të përçojë me mendjen e tij të freskët dhe të mençur, ide dhe mendime, mesazhe dhe dashuri për punë e vepra të mira; vazhdon të jetë kritikë ndaj padrejtësive dhe “barërave të këqija”, vazhdon të komentojë dhe të afirmojë vlera të vërteta të jetës të arsimit në radhë të parë te mësuesit dhe te nxënësit, te drejtuesit e shkollave dhe të zyrave e drejtorive arsimore dhe deri te organet më të larta të shtetit.

Por Frani nuk harron të afirmojë edhe vlera të tjera artistike dhe letrare, vlera të librave me poezi dhe me tregime, novela dhe romane, por edhe vlera të një galerie arti apo ekspozite pikture, vlera dhe risi të çerdheve, kopshteve, shkollave të reja, klinikave mjekësore, bizneseve dhe zyrave të pritjeve të popullit ku ata përpiqen të zgjidhin hallet dhe problemet e përditshme. Ai di të vlerësoj bukur dhe me entuziazëm arritjet dhe modernizimin, por di edhe të qortojë fort apo të kritikojë rreptë prapambetjen dhe pasigurinë që shfaqen aty-këtu, shmangien nga shkolla të mjaft fëmijëve, sikurse, shprehet me tone kritike, kur drejtuesit e shkollës janë të paaftë dhe nuk janë në gjendje  të drejtojnë shkollën.

Janë dhjetëra artikuj të Fran Gjokës, që trajtojnë probleme të traditës dhe vlerave të rralla njerëzore të popullit tonë, të besës e të mikpritjes, të mënyrës së jetesës, vlerat shpirtërore të pasurive të mëdha folklorike, të valles, të këngëve dhe rapsodive. Personalitetet e letërsisë të gjuhësisë, të kulturës, të shkrimit shqip, janë në qendër të shumë artikujve të Fran Gjokës, sikurse, në ato artikuj shkruhet për historinë shekullore të popullit shqiptar që nga ilirët, arbrit e deri në ditët e sotme, e ku zënë vend të veçantë Lezha (Lisusi i lashtë), që nga krijimi, duke qenë jo vetëm vend i burrave të mëdhenj të kombit, por edhe vendi ku u morën vendime të rëndësishme historike. Frani, në biseda, por dhe në artikujt e tij, përmend vazhdimisht me nderim dhe krenari emra personalitetesh dhe bijsh të shquar që kanë lënë gjurmë të shkëlqyera në historinë e Lezhës, siç ishte Kuvendi i Madh Historik i Lezhës i 2 marsit të vitit 1444, ku morën pjesë princat e famshëm shqiptarë, që krijuan ”Lidhjen shqiptare” me kryetar Gjergj Kastriotin; përmend Kuvendin e Arbrit (Koncili i Arbrit)  të mbledhur në vitin 1703 në fshatin Mërqi me nismën e Papa Klementit XI, Albani, Papë i njohur me origjinë shqiptare.

Bisedat me Fran Gjokën janë interesantë dhe mbresëlënëse, sidomos kur ai flet për Frang Bardhin (1606-1643), që ishte ipeshkëv, shkrimtar, leksikograf, etnograf dhe folklorist, nga Kallmet i Lezhës, shkruesi i parë i një fjalori për gjuhën shqipe dhe që konsiderohet leksikografi i parë i shqipes. Por, me po aq nderim, Frani shpjegon e flet për poetin Pjetër Zarishi (1806 - 1866) nga Blinishti i Zadrimës, i doktoruar në Romë për filozofi e teologji. Për poezitë e tij janë shprehur me konsiderata të larta Dora d`Istria dhe Zef Skiroi e sidomos për poezinë kushtuar Shqipërisë: ”Kanga e Shqpnisë.” Ndërkaq, Frani  flet për Nikollë Gazullin, ”Themeluesi i toponomastikës shqiptare”, i cili lindi në vitin 1895 në Dajç të Lezhës dhe vdiq në 1946, albanolog, gjuhëtar, historian, punimet e  tij u vlerësuan veçanërisht nga Nobert Jokli.

Por, edhe si lezhjan, Fran Gjoka krenohet  dhe shprehet më gjatë për poetin kombëtar Gjergj Fishta (1871-1940), duke përmendur kryeveprën e tij “Lahuta e Malësisë” dhe vepra të tjera, e duke vazhduar me Bibliotekën e  Lezhës, që mban emrin e  poetit të madh, sikurse shprehet edhe për monumentin e Fishtës në qendër të qytetit të Lezhës...

Frani nuk lë pa shkruar e përmendur edhe faktin se edhe në kohët e sotme, Lezha, si një truall i begatë, ka nxjerr nga gjiri i saj shumë njerëz të shquar, midis të cilëve ai përmend dhe poetin e shquar të Lezhës dhe Shqipërisë Ndoc Gjetja, por edhe poetët dhe shkrimtarët e gazetarët Rudolf Marku, Preç Zogaj, Remzi Lani, Agim Isaku (me veprimtari në Lezhë), flet me respekt për gazetarët dhe personalitetet e shquara Nikoll Lesi dhe Aleksandër Frangaj, për piktorin Pashk Përvathi dhe ndalet pastaj gjatë duke folur  pa u lodhur për ”Mësuesin e Popullit” dhe mikun  tij të madh Mark Vuji, me të cilën të dy kanë pasur shoqëri, miqësi dhe një bashkëpunim të vazhdueshëm, sidomos  për çështje të arsimit të Lezhës...Me prof. Mark Vujin ata i shihje shpesh herë bashkë duke biseduar apo dhe duke dalë me artikuj të përbashkët, ndodhte që, herë-herë të dy vinin edhe në redaksinë e gazetës “Mësuesi” dhe, atëherë, ne ndiheshim në një mjedis të rrallë njohësish dhe specialistësh të arsimit, dashuronjës  të tij.

Fran Gjoka ka qenë dhe është gjithnjë aktiv me artikujt dhe shkrimet e  tij, i kudondodhur, i shoqëruar apo përkrahë njerëzve të mëdhenj të arsimit dhe të letërsisë shqiptare, që nga Bedri Dedja, Shefik Osmani, Mark Vuji, Musa Kraja, Murat Gecaj, Nuri Dragoj,   poeti i shquar Ndoc Gjetja e të tjerë, të cilët nuk kanë qenë vetëm mësues për Franin, por edhe kolegë të tij të letrave, që e kanë dashur dhe  e kanë respektuar, e për të cilët ai ruan kujtime të shumta pune dhe jete. Mbaj mend që, prof. Shefik Osman, i besoi Franit një pjesë të bibliotekës së tij për ta dorëzuar atë në bibliotekat e shkollave të rrethit të Lezhës, me qëllim që të ruheshin aty, duke qenë një pasuri e vyer për ato biblioteka... Por janë dhe të tjerë personalitete e njëherazi miq të Franit, të cilët vazhdojnë të kontribuojnë sot energjikisht për gjuhësinë dhe shkollat shqipe, për  gazetarinë dhe kombin si: Gjovalin Shkurtaj, Muj Buçpapaj, Sulejman Dërmaku (Prishtinë), Sadulla Zendeli-Daja (Suedi), Sokol Demaku (Suedi), Emine S.Hoti (Norvegji), Hazir Mehmeti (Austri), Hektor Veshi, Pajtim Bejtja, Ilir Kanini, Qazim Dushku, Tomorr Osmani, Mark Tirta, Sabri Laçi, Fadil Kepi, Gëzim Tushi, Bardhyl Xhama, Andon Andoni, Vjollca Spaho, Kadri Tarelli, Sejdo Harka, Dhimitër Xhoga, Petrit Malushi, Ndue Dragusha, Ibrahim Hajdarmataj, Bashkim Saliasi, Agim Qoku, Irfan Rama, Vlash Prendi, Kastriot Kodheli, Ded Rrahmani, Gjergj Frani, Ndue Deda, Martin Deda, Pashkë Smaçi, dr.Zef Zefaj, Lesh Ndoji etj., të cilët janë njëherazi miq e shokë të afërt të Fran Gjokës, që ia njohin vlerat, që e mirëpresin dhe këmbejnë me kënaqësi mendime me të për shkollën dhe zhvillimet e saj, për gazetarinë dhe problemet sociale - kulturore që karakterizojnë kohën tonë.

Fran Gjoka shfaqet ashtu siç është: kudo dhe kurdoherë i palodhur, kurse pena e tij gjithnjë e mprehtë, gjithnjë solide dhe e patjetërsueshme. Gjithnjë i çiltër dhe i sinqertë, ai nuk ka parë asnjëherë anën materiale të punës së tij shkrimore, por gjithnjë ka pasur dëshirën e madhe për të shkruar e kontribuar për përgjithësimin dhe afirmimin e vlerave kombëtare gjuhësore, arsimore dhe kulturore të kombit tonë. Dhe në tërë këtë punë të madhe dhe të jashtëzakonshme, që rrok më shumë se 2000 shkrime të botuara, ai me modesti shprehet se kjo punë i dha edhe një pasuri tjetër të madhe, e ka njohur me miq e shokë të panumërt, jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Shqipërinë. Ndaj them se ka plotësisht të drejtë Kadri Tarelli, koleg i Fran Gjokës, i cili duke vlerësuar lart  idealizmin dhe shpirtin e madh fisnik të Franit, ndër të tjera shkruan: ...Frani u “pasurua”, sepse njohu aq shumë miq e shokë, mësues, drejtorë shkollash dhe gazetarë, sa që vështirë t`ua kujtojë emrin të gjithëve. Ata janë jo vetëm në rrethin e Lezhës, por në të gjithë vendin. Frani, me të drejtë thotë, se ky është thesari më i çmuar në gjithë veprimtarinë e tij... Franin mund ta lesh pa bukë, mund ta lesh edhe pa gjumë, ai përsëri do të shkruajë. Ç’ them dhe unë ? Atë nuk e zë gjumi pa shkruar për problemet e arsimit”.

Nderohet me të drejtë nga të gjithë kolegët, miqtë dhe shokët, Frani i palodhur, që gjithnjë e gjen kohën edhe të vijë e të takoj kur ti je në një hall apo në një gjendje jo të mirë shëndetësore, që gjen kohën dhe nuk harron të telefonojë për të pyetur për shëndetin dhe mbarësinë e jetës, që të ofron ndihmën dhe bashkëpunimin e tij të sinqertë, duke sakrifikuar gjithnjë nga vetja. Fran Gjoka është nga ata njerëz që ia ofron zemrën tjetrit dhe sikur i thotë: ”Merre, ja ku e ke, në çdo çast.” Ky njeri, që ka kaluar momente shumë dëshpëruese e të vështira në jetën e tij, kur u shua në mënyrë aksidentale jeta e djalit të tij të vetëm Bernardit, diti të mbahet burrërisht, madje mbajti me kurajë të fortë edhe familjen, deri dhe miqtë e tij. Ai tregoi se është një njeri i rrallë dhe me karakter të shkëlqyer, njeri, vlerat e të cilit i tejkalojnë ato të zakonshmes.

Unë kam disa dekada që e kam njohur Franin gjithnjë me të njëjtën staturë, një burrë i vërtetë malësie, që trashëgon cilësitë më të vyera dhe më të spikatura të vendit që e lindi dhe e rriti, cilësi këto, që i ka edukuar edhe te familja dhe fëmijët e  tij, por që ua falë pa kursim edhe shokëve e miqve të panumërt. Mbaj mend se si e përjetoi Frani mbylljen e gazetës “Mësuesi”. Ky lajm na tronditi të gjithëve ne që punonim aty, por edhe të gjithë bashkëpunëtorët në të katër  anët e vendit, po aq dëshpëroi mbyllja e gazetës “Mësuesi” edhe mësuesit e Republikës. U bënë atëherë artikuj proteste, u shfaq mospajtim me veprimin e pa përgjegjshëm për mbylljen e “Mësuesit”, por gjithçka atëherë ra në vesh të shurdhët. Dhe, duke qenë mes këtij zjarri pakënaqësie, mbaj mend dhembjen dhe dëshpërimin që përjetoi edhe Frani ynë, Frani i gazetës “Mësuesi” siç kishim dëshirë ta quanim ne kolegët e tij Andon Andoni, Vjollca Spaho dhe unë, që aso kohe punonin në redaksinë e saj. Asaj gazete, që u themelua në vitin 1962 duke pasur në krye personalitetin e madhe të kulturës shqiptare akademik Bedri Dedja dhe që pasqyronte në faqet e saj jetën dhe veprimtarinë e përjavshme të arsimit shqiptar, i dhanë fund, ashtu sikurse një druvar i papërgjegjshëm pret një pemë të shëndetshme shekullore që lartësohet drejt qiellit dhe diellit, që hijeshon natyrën dhe i jep oksigjen mjedisit. Ashtu dhe gazetën tonë, e prenë pabesisht, me një të rënë sëpate.

Një fjalë e urtë këshillon: “Në radhë të parë duhet të jesh njeri”. Nga njohja afro 20 vjeçare që kam me Franin, them me bindje se Fran Gjoka, mbi të gjitha është NJERI me vlera të mëdha dhe të spikatura, të dallueshme që në pamje. Vlerat humane, ai i shprehë në jetën e përditshme, në familje, në rrethin e shokëve dhe të miqve, por ato shprehen natyrshëm dhe në veçori të qenësishme të artikujve të tij, që janë sa profesionalë, aq edhe njerëzorë. Janë cilësi e veçori, të cilat e dallojnë Franin që në vështrimin e parë: njeri i ditur dhe i urtë, i mirë dhe i sjellshëm, i kujdesshëm dhe i përkushtuar. Ndjen dëshirë të pa rezistueshme të rrish doemos në tavolinë me Franin, të bashkëbisedosh apo të bashkëpunosh me të, të lexosh krijimet e tij plotë jetë, gjallëri dhe vërtetësi, që ngrejnë probleme, bëjnë kritikat e duhura, çelin horizonte dhe  shërbejnë për përmirësimin e mëtejshëm të punëve.

Mbaj mend kur shkrova artikullin e parë për Franin. Ashtu, vetvetiu ai më erdhi në përfytyrim dhe, si pa kuptuar nisa të shkruaja ato që më vinin në mendje. Shkruaja pa e ngritur kokën, pa reshtur dhe pa asnjë pushim, veçse shihja disi i habitur se si mbusheshin faqet njëra pas tjetrës, teksa dëshira më thoshte të vazhdoja të shkruaja e të shkruaja se ato që kisha për të thënë për Franin ishin të pafundme... Kur  mbarova artikullin dhe ia paraqita kryeredaktorit Andon Andoni dhe koleges sonë të mençur dhe të talentuar Vjollca Spaho, ata menjëherë pyetën: po titulli? Dhe, si për çudi, të treve na ndritën sytë kur, thuajse në një zë thamë: “Frani i gazetës “Mësuesi”. Dhe, menjëherë, Andon Andoni, si kryeredaktor, por edhe si shkrimtar i spikatur, e vendosi artikullin në faqen me ngjyra, të shoqëruar me një fotografi të madhe, ku shfaqej i miri, i dituri dhe i zgjedhuri ynë Fran Gjoka.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Zholi: Iljaz Vrioni, nënshkruesi i Pavarësisë, kryeminsitri i mbetur pa varr Albert Habazaj: Miro Tërbaçja si shqiponjë e historisë së popullit Lekë Mrijaj: Mons. dr. Zef Oroshi, një mozaik i historisë shqiptare Ibrahim Kabili: Njeriu human që i'u përkushtua arsimit dhe vendlindjes! Ibrahim Kabili: Mësuesja e suksesshme e ciklit që u dha jetë veprimtarive kulturore të shkollës! Vladimir Shyti: Njeriu që krijoi portretin e vet Gjovalin Muzhani: Konsile Muzhani Sylejman Morina: Arbneshi Aldo V. Rela ishte shpallur qytetar nderi i Zarës Albert Habazaj: Halim Xhelo Tërbaçi për Luftën Kombëtare të Vlorës, si Abdyl Frashëri për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit Fran Gjoka: Një mësuese si Ana do të mbetet në kujtesën e brezave Ibrahim Kabili: Rrugëtimi i suksesshëm i një akademiku dhe ikja e parakohshme e tij! Florim Zeqa: Miftar Sejdiu, mbrojtës besnik i të drejtave kombëtare Lida Miraj: At Shtjefёn Gjeçovi, themelues i arkeologjisё shqiptare Dr. Alma Lama, një nga 50 Gratë Lidere të ardhshme të Botës Sinan Gashi: Mençuraku i përbuzur - Gjergj Komnino Frrok Vukaj: Personalitet i Arsimit e Mendimit Pedagogjik Gjon Keka: 553 vjet më parë Gjergj Kastrioti u ngjitë në fronin e tij të përjetshëm Anton Berisha: Dëshmi për Imzot Mark Sopin Gëzim Loka: Qanije Hamdi Hyka (Alushi), profili i një mësuesje fisnike dhe artisteje të përkushtuar Dukagjin Hata: Haxhi John Dauti, një misionar i çështjes gjithëshqiptare në SHBA

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora