Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Tuç Zyma

| E merkure, 17.03.2021, 09:00 PM |


Tuç Zyma

Nga Edison Ypi

Tuç Zyma jetonte në ishull. Ishulli i Tuçit kishte 1 banor. Banori i vetëm i ishullit të Tuçit ishte vetë Tuçi.

Ishulli i Tuçit ishte garazhi i shtëpisë së tij. Nga garazhi i Tuçit ku të mahniste Xhaz-i dhe Blues-i, deri te trotuari i Rrugës Fortuzi ku të tmerronte çizmja e ushtarit, as 10 metra, ishte oqeani që ndante ishullin e Tuçit me çmenduritë e kurvit.

Një nga Robinsonët e rrallë që pasi çanin dallgët e këtij oqeani arrinin te ishulli i Tuçit, isha unë.

Me Tuç Zymën u njoha kur në ofiçinën ku punoja i bëra një ingranazh gize sipas parimit shpëtimtar "Kam te puna".

Garazhi i Tuçit, ishte pakashumë si truri i Tuçit. Plot me vegla, rripa, llamarina, instrumenta, disqe gramafoni, shirita magnetikë, bobina, kaseta, manjetofon me zorrët përjashta.

Në garazh ishte dhe një motocikletë Guzzi e kohës së luftës me probleme të pafundme që më tepër ngecte se ecte. Diçka tjetër fort e rrallë ndodhej në atë garazh; një Moskviç rrangallë të cilin Tuçi, ndoshta me shpresën e mjegullt se një ditë do ta përdorte, as e hodhi as e nxorri kurrë nga garazhi. Sa qeshte Tuçi kur i thoja; Tuço, ndoshta do vijë një ditë kur këtë Moskviç do mund ta përdorësh, por kam frikë se kjo do ndodhi kur nafta e planetit do ketë mbaruar.

Doktor Zyma, babai i Tuçit ishte ishte mjek otorino-laringolog me shkollim dhe kulturë gjermanike. Kishte nam të mirë. Mbahej ment për disa hebrej që i strehoi në shtëpinë e vet gjatë luftës. Në vitet e para, kurvi u dha nga një Moskviç disa mjekëve të njohur, mes tyre edhe babait të Tuçit, dhe ose harroi tua merrte, ose kushedi si i tha mendja e çkurdisur.

Nëna e Tuçit ishte një Zonjë serioze dhe dinjitoze sa nuk u linte gjë mangut zonjave të salloneve europiane. Merrej me pikturë dhe muzikë. Ta shihje Zonjën Zyma si fliste, si sillej, si pinte kafe, bindeshe menjëherë se miqtë e saj të hershëm nuk mund të kishin qënë më pak se Duke Elington apo Django Reinhard, ndërsa mikeshat edhe më të shqura se Ella Fitzgerald apo Marlene Dietrich. Zonja Zyma ishte nga të rrallat Zonja shqiptare, ndoshta e vetmja, që i kishin ngritur një këngë lakrimogjene me tym të zi, blozë, shkozë.

Tuçi ishte dentist. Hiqej inovativ. Seç bënte ca eksperimente me kallëpë allçini që dukeshin si nofulla mumjesh. Një herë kur më mori me Guzzi-n më çoi në Shëngjergj prapa Dajtit ku punonte, ngaqë e ngiste shpejt, diku te Shkolla e Qenve për pak sa na hodhi në përrua mua, veten, Guzzin. As sot e kësaj dite nuk e përfytyroj dot çfarë u bënte Tuçi dhëmbëve të katunarve, përveçse i shkulte.

Tuç Zymës një herë i shkrepi ideja gjeniale të bënte një përforcues të valëve televizive italiane, ta fshihte përforcuesin brenda një shkurreje në majë të Dajtit, të shkonte fshehtas t'ja ndërronte bateritë një herë në disa muaj. Nuk mundi. Mbeti fantazi si të shumtat e ideve ishullore për marrje satelitare, arratisje, etj.

Më tepër se gjithçka në garazhin e Tuçit kishte muzikë.

Unë te garazhi i Tuçit mësova plot gjëra për Louis Prima, Benny Goodman, Count Basie, Lennie Tristano, Woody Herman, etj.

Ndodhi disa herë që në garazh, mes veglave, llamarinave, mrrokllave të Guzzit, rrotave të Moskviçit, Tuçi të sherrosej me të tjerë ishullarë për pun' Xhazi; Jopo Louis Armstrong, jopo Louis Prima, jopo Gene Krupa, etj. etj. Dëgjoja me kureshtje këto zënka që më tepër ishin shpalosje të erudicionit muzikor të njërit e tjetrit sesa sherre të mirfillta.

Një herë Tuçi më premtoi një manjetofon të vjetër jashtë përdorimit. Ma nxiu jetën derisa ma dha. Ishte një "Spalis" rus krejt i shpartalluar. Pa elektromotor dhe pa koka magnetike. Vetëm pak pjesë që i kishin mbetur. Sapo nisa të merrem me atë rraqe që në atë kohë më dukej kryevepër, më ndihu Fati. Dikush më tha se mund të më jepte një "Dnjepër" si dollap që për çudi nxirrte zë, në këmbim të "Spalis"-it të shurdhët të Tuçit. Ashtu u bë. I ndërruam. Dnjepri nxorri për ca kohë ca gërrvima nga gurrmazi i sëmurë. Spalis nuk e hapi kurrë gojën.

Një herë Tuçi më rrëfeu një mesele që më la pa ment. Ndonjë i rrallë prej atyre që kishin qënë në Rusi sillnin fshehtas disqe gramafoni. Një ditë Tuçi kishte në dorë një disk të tillë 75 rrotullime ku ishte incizuar "Summertime". Në një moment, krejt rastësisht, disku u ndodh në mes Diellit dhe Tuçit. Qe shtangur Tuçi duke parë diskun. "Behari" i atij disku ishte gdhendur mbi një radiografi ku dukej qartë një kancer truri. Pastaj zbuloi "Minnie the Moocher" mbi një radiografi prostate të sëmurë, dhe "Sing Sing Sing" mbi një fyt të çarë.

Tuç Zyma nuk kishte absolutisht asgjë soc-realiste komuniste, partiake, popullore, proletare, bolshevike, marksiste, leniniste. Tuçi ndreqte dhëmbë dhe dëgjonte muzikë. Tuçi nuk fliste. Ruhej duke heshtur.

Tuç Zyma ishte njëri prej më interesantëve ishullarë të atyre viteve që nuk e lanë jetën të vdiste.

Pas kaq kohësh kur Duke Elington i mësoi Tuçit Jazzin, Tuçi më mësoi mua Count Basie-n, dhe katunarët po rrahin të na mësojnë mua dhe Tuçit Demokracinë, çfarë bën sot Tuç Zyma ? Ndoshta është mbyllur diku dhe dëgjon muzikë serioze duke kujtuar me nostalgji Guzzin dhe Moskviçin. Nëse nuk i ka hedhur, por i mban për të dëshmuar se shpresa nuk vdes kurrë.