Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Eshref Ymeri: Një nismë me vlera të çmuara e poetes Armela Hysi

| E diele, 14.03.2021, 12:52 PM |


Një nismë me vlera të çmuara e poetes Armela Hysi

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Poetja, shkrimtarja, përkthyesja e librave për fëmijë dhe redaktorja, zonja e nderuar Armela Hysi, e cila punon dhe jeton familjarisht në Athinë, pati përgatiur dhe çuar në shtyp librin mjaft interesant “Antologji letrare”,me titull “Merr një varg dhe eja”,të cilin, para pak kohësh, pra, pas Vitit të Ri, e nxori nga shtypi Shtëpia Botuese “Koliqi”. Ky është një libër befasues në llojin e vet. Kjo për arsye se bota e fëmijëve është një pasuri enciklopedike kuriozitetesh nga më të paimagjinueshme. Duke u marrë me përkthimin e letërsisë për fëmijë, zonja Armela, si poete dhe shkrimtare e talentuar, ka zbuluar dhe vazhdon të zbulojë me shumë kërshëri larminë e formimit psikologjik të fëmijëve. Domosdo, se poetët dhe shkrimtarët, në dallim nga njerëzit e zakonshëm, falë talentit të tyre, kanë lehtësinë e bekuar hyjnore për të hyrë në të fshehtat e shpirtit fëminor, çka më sjell në kujtesë psikologun dhe psikiatrin amerikanErik Bern (Eric Berne - 1910-1970), i cili thotë:

“Vetëm një sasi e vogël njerëzish kanë aftësinë ta ruajnë në kujtesë perceptimin e botës sipas mënyrës së fëmijëve”.

Metë vërtetë. Sepsebotafëminore, njerëzvetë letraveuzbulonnjë Gjithësitë tërë.

Në parathënie të këtij libri, zonja Armela thekson:

“Libri që kemi në dorë është edhe akoma më i veçantë dhe i vyer. Është një buqetë e bukur (nga ku ka marrë origjinën edhe vetë fjala antologji) në gjuhën tonë të lashtë e të shenjtë, e shkruar nga fëmijë që gjenden larg atdheut tonë. Fëmijët tanë të talentuar, të lindur e rritur në diasporë, me krenari e ndjeshmëri krijojnë në gjuhën shqipe dhe secili ka diçka për të rrëfyer me fjalën e gjallë, të thjeshtë e të sinqertë të shpirtit plot dritë”.

Në këtë antologji janë përfshirë krijime në poezi dhe në prozë të 53 fëmijëve të moshës nga 7 deri në 15 vjeç. Është një antologji me të vërtetë emocionuese, në të cilën shpaloset bota shpirtërore e vogëlushëve të talentuar, mes të cilëve ka edhe fitues çmimesh. Në nderim të atyre vogëlushëve për krijimet e tyre letrare, emrat po ua rendis në vijim:

Rebeka Zero, Melisa Galloshi, Asja Galloshi, Maria Musaraj, Xhoana Delija, Vasil Bilushi, Melina Bilushi, Arianit Gjoka, Ristotel dhe Natalia Zenelaku, Alesia Hysa, Amelia Maksutaj. Patricia Bliku, Dejvi Bliku, Klaudio Doko, Mateo Doko, Rafaela Aliu, Vonesa Juniku (autore e poezisë emocionuese “Shtëpia jonë”), Elisa Juniku, Ema Berisha, Ronaldo Zhupa, Katerina Malaj,Rezhina Gjoka (autore e poezisë mallëngjyese “Atdheu im”), Dionis Jashari, Monika Jashari, Sesila Zëra, Chiara Xoxi, Sidorela Kristo, Rebeka Zero (shkruan nga Modena e Italisë: “Merr një varg dhe eja, /si një rreze drite, / të këndojmë bashkë / në gjuhën tonë shqipe!), Marilena Pasho, Meriglena Bushpepa, Elias Syla, Xhoja Kurti, Aldo Prendi, Erlinda Nebiu, Iliando Simoni (autor i prozës “Shqipëria ime”:“… Është Shqipëria… Do të doja të jetoja atje. Atje ku gjuha shqipe tingëllon më bukur se në çdo vend tjetër”, - shkruan nga Athina ky nxënës në moshën 8 vjeç), Sara Fatmir Bicari,Tergita Asllani (autore e shkrimit “Vizita ime në Atdhe”:  kjo vogëlushe kosovare shkruan nga Londra me shumë përmallim për Kosovën), Arianit Gjoka, Adela Kelmendi, Erika Vishkurti, Xhesika Pira (autore e shkrimit “Jam e lumtur që mësoj gjuhën shqipe”:“Jam shumë e lumtur që po mësoj gjuhën shqipe. Sa dëshirë kam të lexoj e të shkruaj libra për fëmijë në gjuhën shqipe!” - shkruan nga Greqia kjo vogëlushe 10 vjeçe), Rea Fatmir Mone, Angjello Alkanjari, Margarita Ilir Braho, Arbër Kelmendi, Janula Lushka, Veriola Pashaj, Dafina Agim Papaj, Xhina Cenolli, Asqeri Velmishi, Nadia dhe Agjelo Liço (autorë të përshkrimit “Udhëtimi në Kosovë dhe në Shqipëri:“Në prill të vitit 2019 Ministria e Diasporës e Kosovës organizoi një ekskursion për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi”), Ana Xhaferri,Sabina Maria Kocibelli.

Ajo çka zonja Armela nënvizon në vijim në parathënien e kësaj antologjie, është me të vërtetë mbresëlënëse dhe lexuesit i bën të përsiatin thellë. Aty theksohet:

“Ishte një nismë e Shoqatës Kulturore “Korça” në Athinë, në vazhdën e aktivitetit të vet për përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe, dhe kryetares së saj, shkrimtares tashmë të njohur, të talentuarës dhe aktivistes në diasporë, Elona Gjergo Tanka, që mori tanimë rrugëtimin e një tradite. Sivjet kjo nismë mori shtytje me mbështetjen e dy organizmave të tjerë; Lobit Euro-Atlantik Shqiptar, spikatur kohët e fundit me aktivitetin e shumëllojtë në diasporë e shtetet tona amë (i cili është dhe sponsori që bëri të mundur botimin e këtij vëllimi, që u përgatit me përkushtim vullnetar nga bordi ekzekutiv dhe do t’u dhurohet me dashuri të gjithë krijuesve të vegjël pjesëmarrës) me presidenten Brikena Qama dhe Swiss Albanian Event me drejtoreshën Aina Hoti. Është e nevojshme të ndalem te këto tri zonja të nderuara dhe arsyeja kryesore për të cilën do ta bëja është ndjeshmëria e tyre për fëmijët dhe për gjuhën shqipe. Si shkrimtare (përfshirë dhe të disa botimeve të suksesshme për fëmijë) dhe nënë e dy vajzave të lindura e rritura në Athinë, zonja Elona Gjergo Tanka e kuptoi mjaft mirë presionin me trajtat e një problemi të asimilimit të gjuhës shqipe në diasporë, për brezin e parë e më tej të fëmijëve të emigrantëve. Qe, pra, ajo që hodhi idenë e këtij konkursi dhe organizoi me Shoqatën “Korça” edicionin e parë të tij. Brikena Qama është poetja e njohur e katër librave artistikë, aktiviste e shquar në tërë kordat e veprimtarisë në emigracionin shqiptar të Greqisë e në vitet e fundit presidente e Lobit EuroAtlantik. Ajo ka përvojë të gjatë pedagogjike për fëmijët e moshave parashkollore dhe është njëkohësisht redaktore e disa titujve të përkthyer në gjuhën shqipe botimesh për fëmijë. Zonja Aina Hoti është aktiviste dhe organizatore e një sërë aktivitetesh në komunitetin shqiptar të Zvicrës, impenjuar gjithmonë për ruajtjen e gjuhës dhe të traditave shqiptare në emigracion. Si administratore e Swiss Albanian Event veçohen seminaret shumë të vlefshme, edukative mbi psikologjinë, mbi rritjen dhe edukimin e fëmijëve në familje e shoqëri. Kështu u përforcua kjo nismë e cila hapi krahët me gjithë kushtet e vështira e të pashembullta globale të këtij viti. Ky organizim bëri të mundur bashkimin e shumë shqiptarëve, intelektualë e krijues letrarë të njohur e me tipare të veçanta nga tërë diaspora, veçanërisht në radhët e jurisë, të bordit ekzekutiv për përgatitjen e antologjisë, të komunikimit e përçimit mediatik, si dhe në mbështetjet individuale e dhënien e kurajës. Anëtarët e jurisë... (Ndue Lazri, Ardita Jatru, Bes Camaj, Eleana Zhako Ornela Musabelliu) ishin ata që sollën prestigjin profesional e rëndësinë e mëtejshme për angazhimin e mirëvajtjes përballë fëmijëve krijues. Me fisnikëri mbështetën thirrjen për pjesëmarrje edhe një numër i përkushtuar mësuesish të Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në emigracion. Është për t’u dalluar e admiruar vetëprania e këtyre mësuesve, të cilët patën dëshirë të përcjellin tek nxënësit e tyre ushtrimin e fjalës letrare, zbulimin e aftësive e talentit krijues, inkurajimin si dhe nxitjen për të marrë pjesë në konkurrim”.

Të 53 nxënësit krijues, zonja Armela i ka sjellë në këtë antologji nga hapësira e gjerë e diaporës shqiptare në Evropë, duke filluar që nga Greqia deri në Londër, që nga Italia deri në Norvegji.

Fisnikërinë e vet intelektuale, zonja Armela e ka shprehur edhe përmes mirënjohjes dhe vlerësimit të veçantë që ka bërë për punën e përkushtuar të mësuesve, kujdestarëve e prindërve të fëmijëve pjesëmarrës. Krijimet e fëmijëve nga shkollat në Redi dhe Aspropirgo, në Greqi, kanë ardhur nën kujdesin e mësueses Lefteri Metkaj. Krijimet e nxënësve të kursit të gjuhës shqipe pranë Shtëpia Shqiptare “Porta” në Athinë, kanë ardhur nën kujdesin e mësueseve Alma Zekollari dhe Eriketa Kollçaku Qorlazja. Krijimet e fëmijëve nga kursi i gjuhës shqipe në Athinë kanë ardhur nën kujdesin e mësuesit Pjerin Lleshi. Krijimet e nxënësve nga Dhomoko, Greqi, kanë ardhur nën kujdesin e mësueses Alma Hani. Krijimet e fëmijëve me banim në Norvegji kanë ardhur nën kujdesin e zonjës Lumnije Tafolli Salihu, nga Shoqata “Fehmi Agani”. Krijimet e fëmijëve me banim në Londër kanë ardhur nën kujdesin e zonjës Juliana Shalla - organizatore e talenteve të reja në Londër.

Kur vjen në fund të kësaj antologjie, lexuesi i vëmendshëm bie në mendime dhe rri e vret mendjen: po shteti amë, Republika e Shqipërisë, çfarë ka bërë për fëmijët e diasporës për t’i mbajtur afër, për t’i ndihmuar në aktivitetet e tyre edhe materialisht? Nga kjo antologji, e përgatitur për botim nga zonja Armela dhe të gjithë bashkëpunëtorët e nderuar që u përmendën më lart, rezulton se ministria e diasporës në qeverinë Rama, në dallim të theksuar nga ministria e diasporës në Republikën e Kosovës, është një hallkë krejtësisht parazitare, e cila nuk e ka vën absolutisht ujët në zjarr për fatin e fëmijëve të diasporës shqiptare. Vetë fakti që në krye të asaj ministrie, Rama ka vënë një shqiptar me prejardhje bullgare, një mumje-ministër me emrin Pandeli Majko, dëshmon më së miri se qeveria Rama as që do t’ia dijë fare për fatin e diasporës. Madje gjatë këtyre 8 vjetëve të qeverisjes antikombëtare, ajo e ka thelluar varfërinë deri në atë shkallë, me qëllim vënien në zbatim gradualisht të strategjisë së kahershme së grekosllavizmit, dhe sidomos të grekoserbizmit, për shpopullimin e trojeve tona etnike.

Los Anxhelos, Kaliforni

09 mars 2021