E shtune, 20.04.2024, 01:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Gjekë Marinaj: Homo-sapiens i Richard Powers-it

E enjte, 27.11.2008, 02:30 AM


Gjekë Marinaj
Homo-sapiens i Richard Powers-it

 

"Jehona e kujtesës" në shqip, një vepër monumentale të shërbim të humanizmit bashkëkohor

 

Nga Gjekë Marinaj

 

Në origjinën e zhvillimeve të kulturës së tij, lexuesi shqiptar edhe mund të mos e gjente të nevojshëm artin e përkthimit. Pavarësisht nga madhështia që zotëron në letërsinë e sotme amerikane shkrimtari Richard Powers, romani i tij Jehona e Kujtesës, mund të konsiderohej jo i nevojshëm. Këtu, kuptohet, është fjala për atë segment të historisë kur shkrimi nuk kishte për mision ruajtjen e zhvillimin e letërsisë, por mbajtjen gjallë të formave të tjera të komunikimit jetësor. Por sot, gjithmonë duke folur në planin krahasues të rëndësisë së një autori të huaj bashkëkohor, lexuesi ynë e ka ndoshta të domosdoshëm artin letrar të Powers. Nisur nga fakti se shumica e korifejve të letërsisë botërore janë shijuar në shqip në retrospektivë, vite e shekuj pas vdekjes së autorëve, mund të themi se Richard Powers është një pasuri e re dhe e rrallë, një risim serioz, një fat i mirë për letërsinë e kohës. E thënë ndryshe, letërsia e tij në jetën kulturore të lexuesit të sotëm mund të jetë e krahasueshme me rëndësinë e dikurshme të skripteve hieroglifike dhe kuneiformike, të cilat në kohët e lashta zëvendësuan piktografinë si domosdoshmëri për të bërë të kuptueshme disa nga format më të komplikuara të informacionit.

 

Në këtë rrafsh qëndron edhe Jehona e Kujtesës. Romani vjen në shqip si një vazhdimësi e kërkesave të njeriut shqiptar për të qenë aktiv në kulturën e kohës. Gjatë historisë së tij, ai ka pasë fatin e madh të lexojë disa nga shkrimtarët më të fuqishëm të globit. Eshtë fakt që sot vepra e Richard Poëers nuk njihet sa duhet në botë. Kjo ka të bëjë me vështirësitë e përkthimit të veprës së tij. Ndaj përkthimi i Jehona e Kujtesës në shqip nuk është rastësi, por një shprehje respekti e përgjegjësie profesionale që përkthyesit shqiptarë tregojnë për lexuesin. E theksoj këtë se të përkthesh Richard Powers në shqip është disa herë më e vështirë.

 

Romani i jepet lexuesit tonë në kohën e duhur. Sot, si kurrë më parë, jetojmë në zgrip të momentit, në teh të historisë së ideve universale në letërsi. Nëpërmes penave të ndritura si kjo e autorit që kemi në dorë, kuptimi i vetëdijes dhe individualiteti gjenial në art vijnë të kulluara nga një filtër i besueshëm përkthimi. Për nocionin e ekzistencës humane shpërthimi individual në letërsi, në një cak kohor, është bërë provë e domethënieve të mëdha jetësore. Jehona e Kujtesës, me vetë pasojat logjike që sjell, vë në pikëpyetje atë intonacion jetësor që e shohimtë fillojë të distilojë motivin individual dhe brendësinë sociale në të cilën jetojmë, si rezultat i një kaosi të çuditshëm që reflekton përtej vetëdijes së vërtetë—tek pyetja ndaj vetes: kush jam unë? Përgjigjja siç do e gjejmë më poshtë, merr jetë tek një farë frike, apo një farë bindje alarmante se shërbimet e njeriut në ulishtën humane ndodhen para shenjave të barazimit—ku në anën tjetër të tyre figuron shenja zero—zero e cila nuk ka asnjë domethënie në këtë botë. Powers i vë në shërbim të lexuesit këto ide si dhe mendimet e tjera të tij për kohën dhe Amerikën e pas ngjarjeve të 11 shtatorit, nëpërmes një personazhi dominues, një 27-vjeçar, që pas një aksidenti automobilistik, futet pa trokitur në botën e çudirave të shkencës, të njerëzimit, dhe të mundësive të jetës së përtejshme. Powers gjen mënyrat më të përshtatshme dhe i vëmendshëm jep deklarimet e motiveve të tij për jetën, që paraqiten sa tokësore aq edhe jashtëtokësore. Perceptimet e tij ndaj shkakut edhe të efektit të vetë ekzistencës njerëzore në këtë dekadë, shpjegojnë thellë disa nga impulset që krijojnë dhe shkatërrojnë imazhet e një jete plot trazira e pikëpyetje.

 

Richard Powers
Proza e Powers nganjëherë duket sikur është ekfrastike, kur në parim nuk është aspak e tillë. Ajo ka diçka të ngjashme me artin e Van Gogut, ku piktura ta vë në lëvizje gjendjen shpirtërore, ku imazhet janë aq ekspresive sa disa prej tyre të duken si ankthe—si ëndrra të frikshme nate, si tek “Nata me Yje” për shembull. Por Powers, në raportin art-artist ndryshon me Van Gogun. Ata i bashkon lidhja e gjeniliatetit me çmendurinë, një lidhje që në format e veta do të thotë se ato bashkëjetojnë me njëra-tjetrën në art. Por ata i ndanë fati, sepse Powers ia jep personazhit të tij Mark Shluter krizat mendore, ndërsa Van Gogu i përjetonte vetë këto probleme. Kur shikojmë incidentet e disa formave të sëmundjeve mendore dhe format e kreativitetit te njerëzit, relativiteti midis “çmendurisë” dhe njerëzve të artit ka qenë dhe është më i madh. Kjo lidhje është e përshtatshme jo vetëm në aspektin mendor të veprës në fjalë, por edhe në atë të shkencave të natyrës. Aq më tepër kur pjesa ku merr jetë shkenca mjekësore në roman, zhvillohet në lëndinat e Nebraskës, ku një mrekulli panoramike, pak rilindëse e pak impresioniste, dekorohet edhe më tej me një sfond të dytë krejt eklektik prej gjysmë milionë lejlekësh në shtegtim. Pikërisht në këtë ngjashmëri me pikturën “Nata me Yje” personazhi Gerald Uebër, një neurolog i njohur që kishte ardhur për të shëruar Markun, pëson dramën e tij profesionale e shpirtërore, e si të thuash, pëson shpërbërjen e identitetit të tij. Një ekspertizë autoriale kjo, që ka fituar pikë nga kritika letrare.

 

Kritikët letrarë e ngrenë aq lart rolin e tij në letërsinë bashkëkohore sa shtrojnë pyetjen “nëse Powers do të ishte një shkrimtar amerikan i shekullit të nëntëmbëdhjetë, cili shkrimtar do të ishte? Ndoshta do të ishte Herman Melville i Moby Dick-ut” shkruan Margaret Atwood për revistën e njohur The New York Review of Books.

 

Ai ka tërhequr shumë mendje të ndritura rreth këtij romani, si një shkrimtar që kultivon një sërë teorish si linguistika, semiotika, antropologjia, dhe psikanaliza, të cilat krejt natyrshëm marrin dimensione të reja përdorimi në krijimtarinë e tij. Ato u japin flatra mundësive që letërsia artistike ta integrojë fuqinë e të menduarit në zgjedhjet jetësore. Atë fuqi që i bëjnë subjektet të marrin jetë, që nga zanafilla e problemeve që përballin gjatë arritjes së tyre në pikën kulmore të romanit e deri te rënia e dinamizmit të aksionit që i çon problemet drejt një solucioni të mundshëm në strukturën e librit.

 

Përveç kësaj Jehona e Kujtesës është bërë një pikë reference se si letërsia artistike mund të bëhet argëtuese pa fshehur realitetin e hidhur të personazheve që ndërtohen nëpërmes shtigjeve të fatit drejt formave më të rrezikshme të zhgënjimit. Si një projekt me shtresa të shumëfishta mendimi, të gjendura shtruar në botën shprehëse të këtij shkrimtari teoricien, pasqyrimi i gjendjes emocionale në shoqërinë amerikane pas 11 shtatorit, sjellë një pikë kthese në literaturën moderne amerikane. Ajo përbën një risi si në gjuhën moderne me të cilën autori i shtron problemet individuale dhe të përgjithshme të njeriut në Amerikën e sotme, ashtu edhe në rrugëzgjidhjen polifonike që u jep problemeve të ngritura.

 

Ky është libri i nëntë i Richard Powers i cili e ka filluar karrierën në vitin 1985 kur pati botuar romanin e parë "Tre fermerë në rrugën e tyre për tek një vallëzim”. Tre herë kandidat për National Book Critic's Circle Award. Ka fituar të dyja çmimet e Gjeniut (Genius) që jepen në Amerikë: MacArthur Fellowship dhe Guggenheim, si edhe Lannan Literary Award. Eshtë zgjedhur, gjithashtu, në Akademinë e Arteve dhe të Shkencës Amerikane. Ka fituar çmimin “Corrington” për përsosmëri në letërsi, si dhe çmimin letrar "Dos Passos".

 

Libri Jehona e Kujtesës, përveç që mori çmimin Kombëtar, ishte edhe finalist për çmimin Pulitzer.

 

Asgjë nuk ka ardhur lehtë për Powers. Atij i janë dashur më se katër vjet për ta shkruar këtë libër, derisa radari kulturor i tij është kthyer veçanërisht nga shkenca.

 

Ashtu si për Viktor Hugoin që fjala Fatalitet në muret e Katedrales së Parisit u bë shkak që shkroi Katedralen e Parisit, edhe për Richard Powers një rastësi u bë shkak për të shkruar këtë vepër. Krejt rastësisht ai gjendet pranë gjysmë milioni lejlekësh në fluturim që ecnin paralel me makinën e tij në një nga autostradat e shtetit Nebraska. I mahnitur nga bukuria dhe çudia njëherësh, Powers vendosi ta dedikojë vëmendjen dhe kohën e tij në dy drejtime, të reja për të, që çuan në realizimin e këtij romani. Nga origjina e kësaj rastësie buroi dhe nisma e tij të merrej me studimin e lejlekëve si edhe të një sëmundje të rrallë të trurit, e quajtur Sindroma e Kepgrasit.

 

Në të njëjtën kohë, autori reflekton shqetësimin që ndanë me njeriun amerikan të kohës, kundrejt humbjes së rëndësisë së diferencimit njerëzor nga natyra e simboleve tradicionale e shoqërore, nga konsekuencat që ballafaqon dhe ambiguiteti i rrezikut që paraqet ky diferencim. Ky koncept analitik, që përbën një pjesë të mirë të drejtimit të romanit, e çon lexuesin edhe tek një linjë tjetër interpretimi. Eshtë fjala për përkufizimin e rastësisë, si një ritëm eklipsues funksionimi në jetë, e cila ecën paralel me dyshimin e njeriut tek vetja, brenda kontekstit të situatës specifike që i krijohet. Për fat të mirë Pirro Dollani ka mundur ta përkthejë me korrektësi këtë thellësi filozofike të sofistikuar. Vështirësitë duhet të kenë qenë edhe më të mëdha, kur mendojmë se të dyja, sasia e domosdoshme e informacionit për të organizuar dhe përkufizuar secilën temë, si dhe saktësia linguistike e vënë në shërbim të strategjisë autoriale për t’i avancuar ato, janë tërësisht të fshehta në çdo paragraf, madje nga ana teknike edhe të ndryshueshme. Siç mund të merret me mend, njohja e anglishtes dhe e shqipes nuk të garanton kurrë një përkthim si ky që kemi në dorë. Ky përkthim është produkt i njohjes së padiskutueshme të parës dhe të dytës, por ajo që e bën librin Jehona e Kujtesës të jehojë kaq natyrshëm në shqip, në kuptimin me elegant të fjalës, është njohja e artit të përkthimit, pa të cilën përkthyesit do të ishin vetëm njerëz që flasin më shumë se një gjuhë, por jo përkthyes.

 

Ndonëse aftësia për të njësuar detajet reale, mprehtësinë e observimeve, si dhe imagjinatën vizionare nga kapitulli në kapitull si një trajektore shtesë që buron nga talenti i tij, shumica e kritikëve do të binin dakord se këto forca artistike në prozën e Powers janë më tepër se gjithçka tjetër rezultat i një ekzekutimi mjeshtëror. Ai mendon për çdo fjalë e për çdo rresht që shkruan se si do i shërbejnë strukturës së përgjithshme të romanit. Ja një ilustrim konkret nga gjerësia e konceptimit letrar që zotëron. Libri ndahet në pesë kapituj. Secili mban si titull një nga vargjet e një letre që gjendet në trupin e personazhit kryesor, Markut, qysh në faqet e para të librit ku ai bën një aksident me makine dhe gjendet pa ndjenja: Unë jam Kërkushi / por Sonte në Rrugën Veriore / ZOTI më drejtoi tek ty / që Ti të jetosh / dhe të sjellësh dikë tjetër. Këtë metodë proze e ka vëne re edhe kritika, e cila mendon se "misteret e përshkrimeve dhe dijes, të normalitetit, të mosfunksionimit, të realitetit dhe të ëndrrës—të gjitha janë jehona të mëdha—shtysa të misterit në lidhje me neglizhencën e marrëdhënieve të njerëzve me pjesën tjetër të natyrës dhe të vetvetes” (Washington Post).

 

Thënë ndryshe, Powers ka krijuar skena dhe situata që janë dhe mbeten të gjalla në imagjinatën e lexuesit. Mjeshtëria e vërtetë prej tregimtari është se personazhi i tij kryesor nuk paraqitet homo-fiktiv por homo-sapiens. Ai e ruan lexuesin për të mos rënë në turbinën e të rëndomtës artistike dhe qëndron gjithnjë në ndjekje të së jashtëzakonshmes. Ndaj Jehona e Kujtesës ka më gjasa të gjendet në duart e profesorëve të letërsisë nëpër universitete se sa në duart e udhëtarëve të thjeshtë nëpër trena e autobusë. Sepse, siç cituam më lart, ky është një roman për ta tendosur mendjen, jo për ta vënë në gjumë atë.

 

Megjithëse, po t’i referohemi edhe një herë profesorit R. Baird Shuman, “letërsia e Powers është më pak e kapshme se romanet e John Steinbeck, Ernest Hemingway, Saul Bellow, madje edhe William Faulkner, Henry James, eHerman Melville, intelekti i tij qëndron përbri intelektit madje edhe të shkrimtarëve më të shquar të historisë së letërsisë së shteteve të bashkuara. Në mes të romancierëve bashkëkohorë, ai mund të krahasohet direkt me Thomas Pyncho dhe Don DeLillo. Ai, sidoqoftë, ka kohë që i ka tejkaluar arritjet e tyre nëpërmes kombinimeve të rralla të mprehtësisë intelektuale, përsosmërisë, dhe stilit të tij arkitektonik”. Thjeshtë, Powers është një shembull i gjeniut autentik dhe Jehona e Kujtesës, një vepër monumentale në shërbim të humanizmit bashkëkohor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora