E hene, 18.10.2021, 09:50 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Familja Çoku: Si falem deshmitaret e diktatures

E enjte, 27.11.2008, 01:45 AM


Nga Dalip Greca

 

Historia e familjes Çoku që edhe pse i “dhuroi” socializmit një shekull burg dhe internime, nuk kërkoi hakmarrje, nuk ushqeu urrejtje, por i fali dhe u pajtua edhe me dëshmitarët fatkeq të proceseve të montuara.Dashuri në vend të urrejtjes është mesazhi i familjes Çoku, që në tranzicionin e zgjatur është shpërndarë nga Shqipëria në Itali dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

 

Esat Çoku bashkë me të shoqen Zyhranë dhe të birin Francin, jetojnë në “Pelham Park Whay”, në Bronx, NY. Në historinë e jetës së përditshme të Esatit dhe Zyhrasë nuk ka ndonjë gjë të veçantë për të shënuar. Janë emigrantë, si gjithë të tjerët, punojnë në punë të zakonta, lodhen e rropaten, dhe jo rrallë mund të ndodhë që të shprehin dhe ndonjë lloj "pendese" për mërgimin në moshën e pensionit. Por kur kthejnë kryet nga i biri dhe shohin përkushtimin e tij në mësime, rezultatet shumë të mira integruese në jetën amerikane, ia bëjnë "hallall" vuajtjet e mërgimit. Ky çift që ju prezantova, gjithë ditët e javës lodhen në punët e mundimshme, siç janë të gjitha punët e pakualifikuara, ndërsa në fundjavë do t’i gjesh të gëzuar në shoqërinë që kanë zgjedhur këtu në emigracion, me të cilën shkojnë kohën e lirë fundjavave, herë duke dalë një shëtitje, herë një bisedë në klubet e shqiptarëve, herë në aktivitetet e shumta që zhvillohen në Nju Jork, dhe jo rrallë duke bërë vizita tek njeri-tjetri. Në shoqërinë e tyre ka njerëz të zakontë, ka ish-diplomatë, ish-oficerë, inxhinierë, gazetarë, doemos që ka edhe ish-të përndjekur të sistemit komunist, me të cilët i bashkon vuajtja dhe rezistenca antikomuniste. Të përndjekurit janë bashkëvuajtësit e Esatit, por ai nuk i paragjykon njerëzit, është krejtësisht tolerant, i paparagjykueshëm në ato çka ka hequr ai dhe familja e tij. Vuajtjet e veta dhe të familjes nuk ia faturon çdo lloj njeriu, ato qenë pjellë e sistemit komunist. Ish-deputeti i Partisë Demokratike ka marrë rrugën e mërgimit këtu e pesë vjet të shkuara, ndërkohë që vëllai tjetër i tij, Caush Çoku, rrugët e mërgimit nisi t’i shkelë menjëherë pas burgut, që në vitin 1991. Edhe pse qe shpallë armik dhe qe arrestuar në emër të popullit si armik i popullit (kush e pyeti popullin?!), Esati orë e çast mendon me mall për Shqipërinë dhe thotë se vështirë do ta ketë nëse nuk kthehet një ditë atje, ku ka lënë gjithçka; edhe gëzimet, edhe vuajtjet, edhe prangat, edhe varret e të dashurve, edhe tokën, edhe vreshtin, edhe shtëpinë në Muçias, edhe apartamentin në kryeqytet. Edhe “armiqtë” e dashkan Atdheun!

 

Shprehje e tolerancës është edhe akti i pajtimit të familjes Çoku me 26 dëshmitarët e rremë, që dolën kundër tyre në proceset gjyqësore, kur u dënua Azemi dhe djemtë, Bedriu, Caushi e Esati.

 

- Nuk arritëm të pajtohemi vetëm me gjashtë prej dëshmitarëve, të cilët patën vdekur para se ne të liroheshim prej burgjeve, thotë Esati. Për ne ata ishin fatkeq të një sistemi antinjerëzor, falja dhe mëshira ishin më e shumta që mund të bënim për ata.

 

Toleranca dhe dashuria njerëzore e çoi Esat Çokun deputet në Parlamentin shqiptar (1992-‘96). Është rasti më i veçantë në Shqipëri, kur ish-i përndjekuri ishte në një sallë me ish-hetuesin e vet. Esati dhe hetuesi i tij, Bashkim Caka, ishin njëkohësisht deputetë, njëri për PD dhe tjetri për PS! Kur ishte në krye të Shoqatës të Ish-Përndjekurve Politikë të Lushnjës (1991-95) apo pjesëtar i kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë (1991-‘95), Esati nuk kultivoi as urrejtje as hakmarrje, vetëm kërkoi integrimin e bashkëvuajtësve. Kështu edhe vëllezërit, Bedriu dhe Caushi, të cilët edhe pse nuk u morën me politike, u treguan qytetarë të denjë. Trazicioni 15-vjeçar i Shqipërisë e ka shpërndarë familjen Çoku, njëri vëlla, Bedriu ka mbetur në Shqipëri, pas 15 vjetësh ka vendosur të trokasë në politikë duke pranuar që të jetë kandidat për deputet i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, ndërsa Caushi vazhdon të jetë në Romë, si gazetar i Komunitetit Evropian. Esati jeton në Nju Jork. Edhe një fakt tjetër për tolerancën, në kohën e krizës të pushtetit demokratik, Bedriu ishte nëndrejtor i përgjithshëm u burgjeve të Shqipërisë. Fatos Nano atëherë ishte në burg. Bedriu merr urdhër që të mos ndodhte asnjë e keqe me jetën e kryetarit të opozitës. Shkon vetë me helikopter dhe e shpëton Nanon nga rreziqet që i kanoseshin. Kur socialistët vijnë në pushtet me Nanon Kryeministër, vetë i pari kërkon që t’i bëjë një vizitë në shtëpi për ta falënderuar se i kishte shpëtuar jetën. Bedriu ia çeli derën e apartamentit dhe e priti. Një javë më pas ish-nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, jetëshpëtuesi i Nanos, edhe pse kishte përfunduar studimet për jurist, edhe pse zotëronte tri gjuhë të huaja, u gjend i papunë. Shpërblim i bukur!

 

Nena e burgjeve

 

Në fillimet e emigrimit, Esati kaloi një provë të vështirë. Nuk e kisha parë asnjëherë në atë gjendje të rënduar psikologjike, tmerrësisht dëshpëruese. Në shtëpi ishte vetëm me nipin, familja qe ende në Shqipëri. Kishte marrë lajmin e hidhur të vdekjes të nënë Esmasë.

 

- Qenka e thënë që të mos i hedh një dorë dhe’ nënës, ashtu siç nuk i hodha babait, qante dhe psherëtinte ato ditë Esati.

 

Kur u vdiq babai, më 12 dhjetor 1982, tre vëllezërit qenë në burg dhe nuk mundën të ishin në varrimin e atit të dashur, ndërsa tani që vdiste nëna, Esati ishte këtu, aq larg, dete e oqean kaptuar. Statusi nuk e lejonte që të udhëtonte.

 

Nënë Esmaja kishte ikur nga kjo botë, ndërsa ai kishte vënë fotografinë e saj në një kënd dhe vajtonte e priste njerëz që vinin t’i mjekonin plagën e dhimbjes...

 

Dukej se gjoksi nuk ia mbante dhimbjen. Miqtë dhe të njohurit nuk reshtnin, por plaga e shpirtit s’mbyllej kollaj. Ai i binte telefonit herë pas here dhe merrte informacion rreth varrimit. Fliste me vëllezërit, por fjala lagej nga lotët dhe telefoni bëhej memec. E shoqëroi kortezhin së largu deri sa përfundoi varrimi.

 

- Së paku t’i kisha hedhur një dorë dhe’- përsëriste herë pas here Esati, që kapte tëmthat dhe i shtrëngonte fort dhe fshinte sytë që rridhnin lotët e dhimbjes. Ishte fillikat. E mbyti dëshpërimin me lot dhe psherëtima. Kishte vdekur Esma Çoku, një nënë e vuajtur, një ndër nënat e rralla që e kishte përballuar të keqen me stoicizmin e saj të rrallë. Shumë fatkeqësi patën rënë mbi të gjatë 50 vjetëve. Fillimisht i kishin prangosur burrin, Azemin, pasi i sekuestruan pasurinë e damkosën “kulak”. Ajo nuk e la të shoqin të vdiste i vetmuar në qeli, së paku nuk e la të uritur, por torbën në shpinë dhe i shpinte ushqime. Fatkeqja, guximshëm përpiqej që të rriste djemtë, që t’i bëheshin të mbarë. Ajo nuk ishte thyer; as atëherë kur familjen e deklasuar Çoku e internuan nga qyteti i Fierit në Tokën e Vdekur të Myzeqesë, as kur i arrestuan djalin e vogël, Caushin, as kur i prangosën të dytin, Bedriun (të dy ushtarë pa pushkë, në xhenio) as kur e lanë të vetmuar, kur i morën Esatin. Do të mbetej vetëm me Zyhranë, bashkëshorten e Esatit, e cila iu kthye si shoqe dhe motër në ditët e vështira. Bashkë e merrnin rrugën për t’u takuar me të tre djemtë që njëkohësisht vuanin burgjeve të Spaçit, Burrelit, Qafë-Barit. Udhëtonin dy-tri ditë për të shkuar tek djemtë-armiq të pushtetit. Rrugë pa rrugë, qëllonte që të flinin edhe jashtë, kur nuk ua hapnin dyert nga frika se ishte nëna e djemve të dënuar politikë, ndërsa e reja, nusja e armikut. Ja kështu me atë torbën në krah e mira nënë baritej maleve të Shqipërisë për të mbajtur gjallë shpirtrat e djemve që vuanin absurdin. Ajo vërtet nuk ishte e burgosur, por shpirti i saj qe njëqind herë më i prangosur sesa duart e të shoqit dhe bijve të saj të ënjtura nga prangat. Ata u planifikuan nga ai sistem si kundërshtarë të vijës së parë dhe qenë ndër të fundit që lanë qelitë e ferrit. Bedriu ishte ndër të burgosurit e fundit që la qelitë pas vizitës të Peres De Kuelarit në Shqipërinë komuniste.

 

Vëllai i dytë i Esatit, Bedriu, duke e përshkruar nënën e tij në librin që ka në dorëshkrim, shkruan: “Kanë kaluar gjithë ato vite pritjeje që i kanë dhuruar asaj shumë ankth, dhimbje dhe tmerre, tani nuk i besohet se është e lirë dhe djemtë i ka të lirë”. Është viti 1991. Bedriu, një ndër të dënuarit politik, që u lirua i fundit nga burgjet shqiptare, me ndihmën e shoqërisë së vjetër që kishte në Fier, arrin të marrë një shtëpi në qytetin e tij të fëmijërisë dhe ëndrrave; pikërisht po në atë vend që ata patën barakën e tyre para se t’i internonin në Tokën e Vdekur. Nënë Esmaja që qe mësuar me jetën e fshatit, sikur e kishte të vështirë të rimësohej me jetën e qytetit nga e kishin shpërngulur natën në terr. Por nga ana tjetër i dukej vetja si në ëndërr, kur e shihte veten në atë shtëpi të re së bashku me të birin, i cili shkonte si zotni në shkollë, i veshur për bukuri me kostum e kollare, ku jepte gjuhët e huaja, që i kishte mësuar atje në Universitetin- burg!

 

- Mos jam në ëndërr, - pyeste veten e zonja e shtëpisë dhe dëshironte që të jetonte sa më gjatë për ta gëzuar lirinë!

 

“Tre vëllezër në një prangë”, një familje, një shekull burg e internim

 

Rrallë mund të gjesh familje si kjo që të ketë kaluar tërë jetën në burgjet komuniste. Të marra së bashku vitet e burg-internimeve bëhen shumë dhe rëndojnë në kujtesën e kombit si për mijëra familje të tjera, që iu mohua jeta e lirë, thjesht pse qenë rreshtuar në anën e kundërt të barrikadës komuniste. Le të ndjekim statistikën:

 

- Azem Çoku, babai, 11 vjet burg

 

- Caush Çoku, djali i vogël, 22 vjet burg

 

- Bedri Çoku, djali i dytë, 23 vjet burg

 

- Esat Çoku, djali i madh, 8 vjet burg dhe internim…

 

- Esma Çoku, e internuar me dekada, bashkëshortja e Azemit, nëna e djemve të burgosur; 64 vjet dyerve të burgjeve, duke ndjekur fatin e të shoqit dhe bijve.

 

- Vëllai tjetër, nipër e mbesa-lindur e rritur nëpër baltën e fushave të Myzeqesë së përvuajtur, të internuar.

 

- Po të bashkosh vitet e burgut dhe ato të internimit për familjen Çoku, të del më shumë se një shekull dënime. Statistikat e mësipërme ndoshta nuk kanë nevojë për koment, por historia duhet kujtuar me qëllimin e mirë që të mos harrohet. Poeti, publicisti dhe shkrimtari Visar Zhiti, për të cilin poezia qe prostituta që e futi në burg dhe njëkohësisht Shën Mëria, që ia ruajti shpirtin në vuajtjet e ferrit komunist; tek ka paraqitur dy vëllezërit Çoku në parathënien e librit të tyre “Caush Coku& Bedri Çoku; dy vëllezër në një prangë” shkruan kështu në përcjelljen parathënëse: “Si personazhet e një drame duken dhe ashtu janë, të një drame tepër të rëndë, të gjallë, që s’u luajt dot në skena, po në jetë; aktet e së cilës u zhvilluan në Purgatorin e mërzitshëm të socializmit dhe brenda në ferrin e diktaturës së tij.

 

Janë anëtarët e një familjeje të ndershme, punëtore, të shtypur, të dënuar dhe anash emrit vitet e burgut, ku shpesh numri i tyre është më i lartë se gjysma e jetës të secili. Së bashku bënë gati një shekull burg e internim deri në rënien e komunizmit.

 

Familja Çoku ishte në konflikt me sistemin e ri komunist. Konflikti vinte që nga vitet e Luftës, kur Azem Çoku, i ati i djemve që do të gjendej i rreshtuar në radhët e Ballit Kombëtar në luftë për të çliruar atdheun nga fashizmi dhe nazizmi, do të ndëshkohej pas çlirimit vetëm pse nuk qe i rreshtuar në radhët e partizanëve. Madje, një herë do ta shpëtonte nga skuadra e pushkatimit i ati i Ylli i Bufit, që asokohe ishte udhëheqës me partizanët lokalë, ngaqë vetë ai ia kishte borxh jetën Azemit. Pushkatimi i shokëve në sytë e tij e bënë Azem Çokun më të vendosur në idealin e tij nacionalist, por kjo do t’i kushtonte jo pak, por 11 vjet burg dhe një jetë të privuar nga liria; i braktisur nga miqtë; iu sekuestrua pasuria dhe do të tregohej me gisht “ja kulaku”. Kjo ishte vula që do ta shoqëronte gjatë të gjithë jetës atë dhe familjen. Pas burgimit të tij, familjen e hoqën nga qyteti dhe e internuan në Tokën e Vdekur, sinonim i vetë vdekjes. Internimi i familjes ua vrau ëndrrat djemve.

 

Bedriu, ish-kampioni i gjimnastikës, një ndër qendrestarët e Spaçit

 

Bedri Çoku, vëllai i dytë, nuk e kishte menduar se një ditë jeta e tij do të merrte atë krisje të pariparueshme. Ai ishte ndër nxënësit më të mirë të gjimnazit në Fier. Ishte ndër djemtë “e përkëdhelur” në kuptimin e personalitetit; ishte kampion i gjimnastikës, shquhej për talentin si instrumentist, i vetmi fizarmonicist i gjimnazit, një ndër volejbollistët e spikatur të ekipit të të rinjve të “Apollonisë”, një letrar me talent. Nuk i kishte shkuar ndërmend se një ditë do t’i hidhte prapa krahëve të gjitha këto dhe do të përfundonte në një fshat të humbur moçalor, ku dhe emri të ngjallte datën. Toka e Vdekur, do të ishte vendi pritës, pas dëbimit. Ku do të jetonin? Sarajet që kishte pasur dikur babai i tyre, ishin sekuestruar për nevoja publike; ata duhej të ndërtonin vetë një shtëpi me drurë e baltë, drurët e marra në pyll dhe balta aty, e vetmja që nuk mungonte në Myzeqe. Atje filloi të tërhiqej zvarrë jeta e gjimnazistit, sportistit të talentuar. Kur gati po mësohej me atë jetë vuajtjesh, në fshatin e tij vjen për një aktivitet gjimnazi kur dikur ai kishte studiuar. Deshën t’i bënin një surprizë shokët dhe shoqet e gjimnazit. Por shokët e Partisë dhe Rinisë në fshat i kishin marrë masat; ata shpërndanë helmin ideologjik para se të niste aktiviteti dhe për Bedriun thanë një mijë të zeza. Gjimnazistët iu hodhën në mbrojtje ish-shokut të tyre. Por e paguan shtrenjtë, edhe ata i gjeti gjëma më vonë. Ata që e mbrojtën u përjashtuan nga aksioni dhe nga gjimnazi se kishin mbrojtur armikun! Kjo qe një ngjarje e hidhur që do ta trondiste më shumë shpirtin rebel të Bedriut dhe ishte prologu i asaj që vinte më pas. Ai ishte një i dënuar, që bir kulaku, që pritej vetëm arrestimi. Por dhe ky nuk do të vononte; ashtu si edhe vëllanë e tij të vogël Caushin, i kishin ngritur ushtarë. I kishin çuar në xhenio, atje ku atdheu mbrohej me pushkë druri, me kazmë e lopatë. Edhe atje ai përpiqej që të mos u jepte shkas për ta rrasur në qeli. Por ata e kishin planifikuar dhe arrestuesit e tij qenë burra që e mbajnë veten për heronj të kombit; një ndër ta ishte vetë Mark Dodani. Bedriu thotë se arrestimi i tij ishte i denjë për skenar filmi, si në ato të Xhejms Bondit. E transferuan në Korpusin e Gërhotit, pasi më parë kishin hapur fjalë se do ta merrnin në qendër të korpusit, sepse si fizarmonicist i talentuar i duhej qendrës dhe se do të aktivizohej me ekipin e gjimnastëve të Gjirokastrës. Mirëpo skenari qe shkruar; vëllai më i vogël qe arrestuar, ishte radha e Bedriut. Më 9 dhjetor 1968, Mark Dodani, përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme dhe Agron Çoba, përfaqësuesi i Sigurimit të Ushtrisë, e morën në makinë, gjoja se po transferohej, siç qenë hapur fjalët e fundit, dhe rrugës, i vunë prangat: Në emër të popullit je i arrestuar!

 

Procesi i montuar i gjyqit ku u gjykua ai dhe i vëllai, Caushi, përbën një akt sa tragjik në jetën e dy të rinjve, aq dhe komik për nga besueshmëria. Esati, që u thirr në sallën e gjyqit, u zbraz para trupit gjykues, duke thënë se vëllezërit e tij ishin “viktima” të luftës së klasave. U shpallën armiq dhe tradhtarë, pa kryer asnjë tradhti ndaj Atdheut dhe popullit. Në librin e tij Bedriu tregon se në ditëgjyqin e tyre ishin edhe sportistët e Apollonisë, të cilët kishin asistuar në gjyq pas një ndeshjeje në Gjirokastër. Ata kishin duartrokitur kur vëllezërit kishin mbrojtur veten nga akuzat shpifëse.

 

Gazetari që jeton në Romë

 

Me Caush Çokun, më të voglin e djemëve të Azem Çokut, jam njohur në mesin e viteve ’90 edhe pse me të kisha bashkëpunuar shumë si tek gazeta lokale “Ora e Fjalës” edhe tek “Republika”, ku ai kishte kontribuar jo vetëm me shkrimet e veta, por edhe me poezitë e ndjera të shkruara në rininë e tij, edhe në kohëburgimin e vet absurd.

 

Caushi, ashtu si dhe vëllai i tij Bedriu, u burgos pa bër asnjë faj, asnjë krim; u burgos thjesht se ishte planifikuar që të burgosej. Gjyqi që iu bë ishte një farsë e inskenuar, ku regjisorë ishin operativët, hetuesit, gjykatësit dhe prokurori. Formula funksiononte mekanikisht. Një ditë prej ditësh në vend që të gjendej në repart mes shokëve ushtarë të xhenjos, ai u ndodh në qelinë e ftohtë të burgut, pa kryer asnjë faj, asnjë krim, nuk pat shkelë asnjë ligj, asnjë rregullore ushtarake.Por ç’rëndësi kishte, ai duhej që të dënohej.Ndërsa në ditën e gjyqit, asgjë e veçantë për t’u shënuar:Akt-akuza fallso, dëshmitarë vallso, gjyqtari, ndihmës gjyqtarët kënduan në të njëjtin kor me prokurorin…dhe kaq… Pas 6 vjet burg të ashpër, me 21 maj 1973 dy vëllezërit, Bedriu dhe Caushi marrin pjesë në revoltën e Spaçit, madje nuk ishin thjeshtë pjesmarrës, por organizatorë. Bedriu dhe Caushi frymëzues dhe flamurmbajtës.Revolta qe e përmasave tronditëse për shtetin komunist; ishte krejt e veçantë në të gjitha shtetet komuniste të Lindjes.Një revoltë e shtypur egërsisht nga diktatura do të kishte padyshim edhe viktimat e veta. Ndër viktimat ishin dhe vëllezërit Coku, të cilët u izoluan nëpër qeli dhe u hetuan egërsisht për rolin që patën në aktin kundërshtues ndaj shtetit. Secilit i bënin presion; Bedriut i thoshin se vëllain tjetër, Caushin e kishin egzekutuar, ndërkohë që edhe Caushit i thoshin se do të egzekutojmë njësoj si vëllain tjetër, Bedriun. Por askush prej vëllezërve nuk hyri në lojën kurth. Të dy morën dënime 25 vjet burg. Pas gjyqit special i heqin nga Spaçi dhe i çojnë në burgun-tmerr, atë të Burrelit; ku thuhej hapur:Në Burrel hyn, por s’del!Atje ishin kundërshtarët më të rrezikshëm të qeverisë komuniste. Burgu i Burrelit kishte një kapacitet prej 180 vetash, pra më kundërshtarët e sistemit.Edhe pse ishin në të njëjtin burg, dy vëllezërit ndaloheshin të takoheshin me njëri-tjetrin. Takoheshin një herë në 6 muaj, apo një herë në vit, vetëm me lejen e komandës, dhe nën vëzhgimin e rreptë të gardianëve.

 

Pasi doli nga burgu Caushi nuk notoi në ujrat e politikës shqiptare; e përfshiu vala e mërgimit dhe i hipi në anijen “Panmaja” dhe mbërriti në brigjet e përtej detit në ditët e marsit 1991. Ishte fat për emigrantët shqiptarë që qenë të shoqëruar me të ngaqë Caushi ishte në përkthyes i mirë për ta.Shpejt u bë i njohur në shtypin italian. Shkrimet e tij filluan që të botohen në gazetata”Corriere Della Sera”,”Il Mattino”. Shpejt fitoi statusin e gazetarit Europian”C.E.A”, ndoshta ndër të paktit shqiptarë që e gëzojnë këtë status.Ka shkruar edhe për gazetata qendrore e lokale shqiptare.Prej vitesh mban lidhje me njerëz të shquar të gazetarisë dhe artit.Caushi ka dhënë një kontribut të veçantë në ndihmën e pakursyer ndaj refugjatëve shqiptarë në Itali.

 

Dy vëllezërit që shkruanin poezi dhe tregime në burg

 

Dy vëllezërit e shfrytëzuan burgun, kryesisht për të mësuar gjuhë të huaja. Duke shfrytëzuar të burgosurit politik që ishin shkolluar nëpër Europë, ata arritën të mësonin anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.Kjo do t’i shërbente Bedriut pas burgut që të hapte kurse private të gjuhëve të huaja, më pas si mësues i anglishtes në shkollën e mesme në Fier; ndërsa Caushi do të bëhej përkthyes i emigrantëve shqiptar në Itali e do të shkruante për Shqipërinë në gazetat më të mëdha të Italisë.

 

Në kohëburgimin e tyre dy vëllezërit nuk do të ndaheshin nga pasioni i rinisë, krijimtaria letrare, e cila qe bërë pjesë e akt-akuzës kur u kishin rrëmbyer lirinë.Caushi pat shkruar shumë poezi, si:Poemën”Iliriada”, tri cikle- Iliria, Arbëria dhe Shqipëria; ciklin”Motit të Madh””Skënderbeu me 25 këngë, me 495 vargje etj.

 

Poeti Visar Zhiti, në shënimet e tij në vend të parathënies, që shoqëron librin”Dy vëllezër në një prangë”, shkruan”Caushi në qelinë e tij sajonte vjersha, mohonte burgun, i këndonte me zë të heshtur nënës, lirisë, dashurisë së humbur, vendlindjes, dinjitetit dhe hynte thellë, thellë(si i burgosuri që zbret nëpër aktet e lagura të minierës) tek rrënjët e kombit, sajonte Iliriadën e tij dhe përsëriste betejën me sllavët e ardhur nga Kaukazi, andej ku u prangua prometeu.

 

Vargu i Caushit herë është i lidhur si cigaret e e burgut, të dredhura me letër nga veprat e Enver Hoxhës, herë i ashpër si sytë e lidhur para pushkatimit, i ëmbël si hëna që vjen frëngjive, cicëritës si”Dallëndyshja e Burrelit” që të burgosurit e ushqenin me thërrimet e zemrës së tyre, herë i hutuar si muzgjet atje, rebel, ulëritës dhe i përtharë si plagët.

 

Ndërsa për krijimtarinë e Bediut, Visari do të meditojë: Kurse Bedriu në qelinë e tij do të mbaronte një nga romanet”Njeriu që kapërcen vetveten” e vazhdimisht do të shkruante tregime.Natyrisht që ishte e vështirë dhe një aventurë e tmerrshme të shkruaje hapur kundër diktaturës e diktatorit.Honorari do të ishin brilantet e gjakut tënd, pushkatimi yt.Dhe të burgosurit shkrimtarë i mërgonin ngjarjet në tjetër vend apo në tjetër epokë. Kështu është dhe tregimi “Sitamarrtaha”, një alegori ndaj dhunës, ndaj gënjimit dhe zhgënjimit me kumbim rrënqethës aktual.

 

Bedriun e inetersojnë plagët sociale, prapambetja mentale e shoqërisë socialiste, aktet ordinere(tregimi”Zemërimi” apo”Krimineli”. Personazhet e tregimeve të tij duan të vdesin, kanë depresione, i trondit mungesa e dashurisë apo humbja e saj dhe dinë të qajnë burrërisht.

 

Bedri Çoku fluturon me fantazi dhe përtej telave me gjemba të kufirit shtetëror dhe del në Kosovën e tradhëtuar duke shkruar tregimin e habitshëm”Liri”; jep ambjente e pejsazhe e idera fisnike…

 

Tani Bedriu ka në dorë romanin autobiografik me titull të përkohshëm”Ne dhe ata-Blloku dhe antiblloku”; ku gjithçka shihet qetë, pa urrejtje në jetën e përmbysur të kësaj familje fisnike.Duke qenë vetë personazh, nga të fundit e liruar në vitin 1991 prej burgjeve komuniste; ai hedh sytë pas dhe shfleton jetën e trazuar të vetën, të familjes dhe të gjithë shqiptarëve.

 

***

 

Esati, deputet së bashku me ish hetuesin e tij

 

Esat Çokun e njoha në ditët e para të Lëvizjes Demokratike, kur Partia Republikane më kishte besuar si sekretar të komitetit Ekzekutiv Pluaralist, edhe pse deri atherë nuk isha anëtar i asnjë partie poltike.

 

Partia Demokratike e Lushnjës, e cila e kishte Esatin anëtar të kryesisë së së vet, e kishte caktuar si përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv, ndërkohë, ai qe dhe kryetar i Shoqatës së të përndjekurve Politik të Lushnjës, dhe në kryesinë e Shoqatës Kombëtare.

 

Nuk isha takuar ende me Esatin, kur në zyrat e kryeministrisë në kryeqytet, kisha shkuar me nënkryetarin demokrat, më bëri përshtypje një burrë i gjatë, zeshkan, i cili kur lexoi emrat e anëtarëve të Komitetit Pluralist, i ndali sytë tek emri i Esatit dhe pyeti:- Paskit Esatin ju të PD-së?

 

- E njihni?- e pyeti nënkryetari demokrat.

 

- Kam qenë hetuesi i tij…Por nuk i kam hyrë në hak. Ia thashë se ne për ç’ka e akuzonim i kishim të provuara akuzat, kishim dëshmitarë, kishim incizime,pastaj(ish hetuesi pushoi pakëz) …ai ishte planifikuar prej kohësh sepse i kishte dy vëllezër në burg, ndërkohë dhe i ati i kishte vuajtur 11 vjet për politikë dhe ishte varrosur si kulak dhe armik….Ky qe shpjegimi vullnetar i hetuesit Bashkim Caka,që në ato momente nuk ishte më hetues, por ishte në rolin e juristit të kryeministrit Ylli Bufi.

 

Më vonë Esati do të ishte në të njëjtin Parlament me ish hetuesin e tij; njëri deputet i PD-së, tjetri deputet i PS-së.Një fakt i hidhur i demokracisë shqiptare!

 

Kur u kthyem në Lushnjë ia thamë Esatit ndodhinë me ish hetuesin Caka. Ai vetëm qeshi, ndërsa më vone, kur do të shkonte në Parlament, së bashku me të dhe ish hetuesi i vet, deputet i PS-së, ai do të pinte kafe me të, por nuk do të rrinte pa i thënë se hetuesit para se të bëheshin deputetë në një kuvend me viktimat e tyre duhej të kërkonin falje…Më pas do të botonte një shkrim kuarjoz në gazetën lokale "Ora e Fjalës" të cilën unë e drejtoja ato kohe, ku thoshte se nuk mund të kishte demokraci të vërtetë kur ish hetuesit tanë, pa na kërkuar falje vijnë të përfaqësojnë popullin në Parlament, ndërkohë që na kishin dënuar dje në emër të popullit, natyrisht pa e pyetur popullin.

 

Ish hetuesi i tij, kishte heshtur. Esati nuk ishte ekstremist ndaj atyre që i shkaktuan vuajtje atij dhe familjes së tij, por ai kërkonte së paku një ndjesë publike nga aktorët dhe ingranazhet e diktaturës, gjë që nuk është bërë ende.

 

Me Esatin,qeverisëm në një kohë të vështirë, kohën kur bashkë me ndryshimin politik u manifestuan veprime anarkiste dhe Lushnja ishte një ndër rrethet që “ishte planifikuar” t’i nënshtrohej terapisë së shokut dhe të kthehej në tokë e djegur:U dogjën furrat që prodhonin bukë për qytetarët; u shkretuan serrat model të Divjakës, që furnizonin dikur vendet e Lindjes; u prenë plantacionet e mollëve, filloi prerja dhe djegja e ullinjëve, u shkulën vreshta, pa përmendur plaçkitjen e ndërmarrjeve dhe fabrikave. Në këto kushte Komiteti Pluralist(ku Esati ishte anetar i tij, perfaqesues i PD dhe une sekretar, perfaqesues i PR) përpiqej që të harronte përkatësitë partiake dhe t’i dilte për zot qeverisjes vendore. E ndjenim se policia e vjetër që kishim për të ruajtur rendin në të shumtën e rasteve ishte bashkëpunuese me ata që shktërronin. Në këto kushte morëm rrugën për në Tiranë; fillimisht trokitëm tek kryeminsitri, por ai s’kishte kohë që t’na priste;iu afruam presidncës që ende kishte ën krye Ramiz Alinë, por para nesh atje kishte shkuar kryeprokurori dhe kryegjykatsja socialiste; kështu që nuk kishte vend për ne;përfundimisht na priti i Rendit Vladimir Hysi. Ankesat tona ishin për Rendin, kërkuam ndëshkimin e shefit te policisë.

 

U la që ballafaqimi të bëhej në Lushnje. Esati qe ndër ata që ia numëroi të gjitha haptazi shefit të rendit, duke kërkuar largimin e tij. Më bënte përshtypje kurajo e Esatit; ai ia thoshte copë mendimin e tij kujtëdo, pavarësisht se e vërteta ishte e hidhur.

 

Një ndër bashkëpunimet me Esatin ishte ceremonia madhështore e rivarrimit të 69 viktimave të komunizmit, të pushktuar nga Mehmet Shehu në fshatin Matjan. 69 burra, ndër ta dhe fëmijë, ishin pushkatuar nga Mehmet Shehu në vitet e luftës;motive i vrasjes ishte pjesmarrja e tyre me Ballin dhe deklarata e njërit prej fshatarëve, Kurt Xhepa prej Cerme, që i kishte deklaruar të tmerrshmit Mehmet Shehu: Unë derr bëhem dhe komunist nuk bëhem!Komandanti i tmerrshëm qe bërë bishë dhe i kishte çuar të gjithë plumb….

 

Rivarrimi i viktimave të terrorit komunist ishte një ndër prioritete e pushtetit të ri demokratik që sapo ngrihej në këmbë. Ceremonia që u organizua në qytetin e Lushnjës pati për realizues Esatin; së bashku shkuam në fshatin ku ishin pushkatuar viktimat e pafajshme dhe me ndihmën e fshatarëve siguruam eshtrate tyre, ndërkohë që Sigurimi i vjetër i shtetit u përpoq që të pengonte me çdo kusht ceremoninë. Veteranët, u përpoqën që të ngrinin kundër opinionin qytetar për faktin se Komiteti ynë Pluralist mori një vendim të guximshëm; arkivolet të varroseshin në Varrezat e dëshmorëve të qytetit, përbri parcelës ku ishin varrosur dëshmorët partizan. Komiteti i veteranëve filloi të lëvizte, ankesa në Tiranë dhe në Komitetin tonë Pluralist. Esati, që kryesonte komisionin e rivarrimit, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurëve politikë, mbrojti me logjikë mendimin unanim të Komitetit Pluralist:Ju këkroni pajtim kombëtar, pa na kërkuar falje për viktimat që keni çuar në varre pa gjyq,pa kërkuar falje për 64 vjet burg të familjes time + dhjetëra vjet internime, pa kryer asnjë lloj krimi; dhe tani nuk pranoni që pajtimi të fillojë nga të vdekurit e pfajshëm? Debati u mbyll me fitoren e Esatit dhe e gjithë Lushnja doli dhe përcolli në varreza dëshmorët nacionalist. Mijëra qytetarë morën pjesë dhe asnjë nga parashikimet kërcënuese të veteranëve nuk ndodhi.

 

Më pas Esat Coku kreu ddetyrën e sekretarit të Komitetit Pluralist,edhe pse nuk kishte asnjë mundësi zgjidhje për hallete qytetarëve, ai u përpoq që të mirëkuptohej me qytetarët, pavarësisht se të kujt pale ishin ata, të majtë apo të djathtë; ndërsa në takimet e partisë së vet ishte i papajtueshëm për devijimet majtas.

 

Edhe detyra që kreu në Komisariatin e Policisë ia rriti kredibilitetin ish të përndjekurit politik Esat Coku, ndërkohë që si ish kryetar i Shoqatës së Ish të Përndjekurve, ai u përpoq që të integrojë të vuajturit në shoqëri, ndërsa fëmijët e tyre t’i nisë drejt Universiteteve. Koha kur përfaqësoi Partinë demokratike në Parlament, 1992-1996, ishte një kohë prove për të, provë që e kaloi sukseshëm, ndërsa në kohë revolucionin përmbysës të pushtetit demokratik ai u përpoq sa mundi që të ndalte hovin e shkatërrimtarëve.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora