E marte, 23.04.2024, 12:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Suzana Kuqi: Dhuratat e krishtlindjeve

E enjte, 27.11.2008, 06:29 PM


Suzana Kuqi

 

Dhuratat e krishtlindjeve

 

Po afrojnë krishtlindjet. Po afrojnë e mua më ka zënë paniku i dhuratave.Shpesh mendoj se nuk duhet t'i jap aq rëndësi , por ec e më thuaj mua. Së pari filloj e vras mendjen se ç'farë u mungon burrit e fëmijëve, se me të vërtetë do të shpenzohen ato para të shkreta , por të paktën të zënë një vrimë.E kur mendon se e ke gjetur ndjehesh e lehtësuar. Pastaj fillon e bën muhabete koti , duke i pyetur si padashur , nëse do të kishin dëshirë të kishin... Mendimi forcohet , e ke gjetur, i ke rënë pikës, djalit i duhet një xhup i ri e vajzës një palë këpucë firme. Burrit... nuk e di akoma sepse ai kurrë nuk kërkon gjë, e quan budallallëk të shpenzosh për të në fund të vitit. A thua se nuk shpenzojnë burrat gjatë gjithë vitit, kafe, raki, gazeta ,bileta llotarie ,etj etj, që nuk duhen përmendur se është gjynah. Lodhen të shkretët tërë vitin, tërë ditën jashtë shtëpisë , i kanë me hak.Për mua, ndoshta tepron ndonjë gjë, duhet të teprojë diçka patjetër sipas llogarive të mia. Mbërrijmë disa ditë para feste. Ah, harrova atë pemë të bukur që e vemë... Unë vdes për pak ambjent feste, luçidoj edhe dyshemenë që të reflektohen ato dritëzat e pemës... dua ... një ambjent përrallash...Ul nga sipër dollapit pemën artificiale me gjithë kutinë e zbukurimeve.

 

-Fëmijë !- u thërras ,- ejani të ngremë pemën e vitit të ri!

 

Me thanë të drejtën kështu i ka mbetur emri , nga fëmijëria ime. Entuziaste unë, entuziastë edhe ata , ndonëse pak më pak se unë. Ndryshimi vjen pak më vonë, ndërsa entuziazmi im rritet, ai i tyre zbret deri në atë pikë sa nuk ma varin më as mua e as pemës.Pasi më kanë hipur nervat që m'i vendosin kot më kot ato toptha të vegjël e unë i fus një të bërtitur, dalin duke përplasur derën. Ec e veji emrin kësaj pune, jo po thonë që krishtlindjet janë për fëmijët.Dy ditë para feste , tek hamë drekë në tavolinë , bëj sikur më ka lindur papritur ideja për këpucët e xhupin. Vetëm t'i shikosh se ç'fytyrë bëjnë.

 

- Këpucë !? - ngryset vajza, sikur këpucët nuk janë objekt dhuratash, janë gjëra që duhen e jo...

 

- Xhup !?- ja pret djali duke ngritur zërin nga ana tjetër e tryezës ,- duhej të m'a kishe blerë me kohë, krishtlindjet pret ti ?

 

- Ua, po ç'është kjo punë kështu ?- i ankohem burrit tim të mirë që bën sikur nuk dëgjon. Por ndoshta vërtet nuk ka dëgjuar, po lexon gazetën.

 

- Lëre atë gazetë , më thuaj se ç'farë don për krishtlindje ?- pyes seriozisht atë. Por nuk më ka dëgjuar prapë, ndaj e përsëris .

 

- Do t'a lësh këtë muhabet , asgjë,- ma kthen qetë ai, gjë që më bën të dyshoj se e ka dëgjuar që nga fillimi, por si gjithnjë ato probleme të vockëla që të prishin gjakun ,si llogaria e parave në fund të vitit i lihen gruas.

 

- Mirë, mirë,- ungëroj lehtë unë e ngrihem nga tryeza, - di unë se si t'i rregulloj këto punë ! - shtoj me nota kërcënimi.

 

Rezultati, këpucë të shtrenjta vajzës dhe një kuti po aq të shtrenjtë tualeti, që nuk ka ç'i duhet hiç me gjithë ato kuti të tjera që ka sepse Zoti e ka bërë të bukur. Xhup djalit ,e në xhep të tij nja dy nga ato lojërat e X-Boxit, që veç se mendtë i nxjerrin nga koka e kushtojnë më shumë se xhupi... Burrit i shtohet edhe një kravatë , një palë doreza me një shishe parfumi në dollap, vit pas viti se nuk i përdor kurrë. Po ku t'a gjesh deri këtu këtë punë , janë kushërirat, shoqet, koleget. Veçanërisht koleget. Nuk kam parë dhurata më pa kuptim që i bëjmë njëra tjetrës, ca budallallëqe që i pështjellim bukur e i vendosim mbi dollapet e punës. E merr në dorë, ambalazhi të merr në qafe, letër e bukur, fjongo e bukur.

 

- Po përse moj, përse ke shpenzuar për mua ? Të faleminderit, por nuk duhej...

 

- Oh, asgjë ! Të lutem ! E kam bërë me gjithë zemër ,- është përgjigja.

 

Dhe ti tinëz ,e hap me qejf të madh, me dëshirë e kuriozitet , nuk pret që ajo pako e vogël të flejë poshtë pemës , ashtu siç e don tradita e... një gjë që as nuk të hyn në punë, para të shpenzuara kot.Sikur ti nuk i ke shpenzuar kot kur ke blerë dhurata për to, gjëra që shumë mirë e din se nuk u hyjnë në punë, por kështu është tradita. Rëndësi ka mendimi , thonë, jo ajo që është aty brenda...

 

Don dhe një muaj të arrijmë tek krishtlindjet, këto janë mbresat nga ato të kaluarat. E megjithatë, të gjitha këto do të përsëriten pikë për pikë, rradhë pas rradhe...në atë periudhë te etheshme feste , kur i bën e të bëjnë dhurata të gjithë, ata që të duan e nuk të duan , por që jeta e puna i lidh me ty, qoftë edhe ata me të cilët ke vetëm një përshëndetje...

 

E vërtet, nuk ka rëndësi se ç'ka në atë pako të vogël, të bën punë apo jo, rëndësi në atë periudhë të vitit, e cila është vërtet magjike ,kur dita fillon e i merr natës, kur drita fillon e i merr errësirës , kur kanë lindur e vazhdojnë të lindin perëndi...çdokush don të të thotë :

 

- Të bëj këtë dhuratë , për të të falenderuar që ke hyrë në jetën time, që merr pjesë në jetën time ... qoftë edhe me një përshëndetje a një buzëqeshje...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora