E hene, 25.10.2021, 09:55 PM (GMT+1)

Kryeshkrim » Sidheri

Elvi Sidheri: Anton Nikë Berisha - Krijues i mirëfilltë i letrave, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë

E diele, 07.03.2021, 09:38 PM


ANTON NIKË BERISHA – KRIJUES I MIRËFILLTË I LETRAVE, QË JETON ME LETËRSINË DHE PËR LETËRSINË

Fjalë paraprake e librit “PËRKTHIMI LETRAR AKT KRIJUES I MIRËFILLTË”.

Bisedë me përkthyesin letrar Anton Nikë Berisha. Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2021.

Nga Elvi Sidheri

Në rrugëtimin tim të deritashëm si përkthyes, të dëshmuar me dhjetëra libra të përkthyera nga një sërë gjuhësh, kam pasur fatin të frymëzohem, të mësoj dhe të synoj të matem sadopak me njerëz të urtë dhe mendjendritur, që kanë hapur shtigje të pashkelura në përkthimet në gjuhën tonë shqipe.

Njëri prej tyre, ndër më të shquarit, është Anton Nikë Berisha, miku im, udhërrëfyes dhe shembull pune të paepur letrare shumëplanëshe: autor i dhjetëra studimesh letrare monografike (për Buzukun, Budin, De Radën, Zef Skiroin, Fishtën, Koliqin, Dushko Vetmos (Françesko Solanon), Martin Camajn, Azem Shkrelin etj.), i librave të tjerë për dukuri të letërsisë gojore dhe të letërsisë së shkruar, i disa romaneve për të rritur e për fëmijë (midis tyre dhe i romanit të shquar “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”, përkthyer dhe në italisht “La sete pietrificata”, për të cilin janë shkruar 53 punime, 29 në gjuhën italiane), tridhjetë vëllimeve me poezi të zgjedhura të poetëve tanë dhe italianë, të disa përmbledhjeve me punime të zgjedhura, autor i disa Antologjive, i kompletit në shtatë vëllime “Nëna Tereze në shtatë shpalime” etj.

Pra, Anton Nikë Berisha është një krijues i mirëfilltë i letrave, ndër të paktët në ditët e sotme (me gjasë edhe të shkuara gjithashtu), që jeton me letërsinë dhe për letërsinë, duke e lëvruar gjuhën shqipe përditë me një përkushtim të rrallë, qoftë në të folurën e përditshme, ashtu edhe në veprat e tij letrare e në studimet e tij të pandalshme.

Gjithsesi, si përkthyes, shqipërimet e Anton Nikë Berishës më kanë bërë ta rivlerësoj përkthimin në gjuhën shqipe, duke kuptuar se në disa raste të pakta, përkthimi buron edhe nga një ndërthurje unike e njohurive të fituara gjatë një jete mes librash, studimit të imtësishëm të artit letrar dhe prirjes së bashkëlindur për t’i përçuar në gjuhën shqipe veprat letrare më të zgjedhura të krijuara në gjuhë të tjera, veçanërisht veprat klasike të pavdekshme, që datojnë nga agu i shkrimit poetik.

Puna e Anton Nikë Berishës në fushën e përkthimit do t’u shërbejë brezave të ardhshëm të përkthyesve shqiptarë si pikënisje e vyer dhe pikëmbështetje e përhershme për t’u përballur me rrënjët e letërsisë botërore, që nguliten thellë në disa nga veprat e autorëve të shquar të sjella në shqip prej tij, duke plotësuar kështu njëherësh edhe nevojën e lexuesve të tashëm dhe të ardhshëm shqiptarë për t’i njohur këto krijime në gjuhën tonë amtare.

Për të ndriçuar këtë veprimtari të tij – përkthimin letrar – vendosa të bëj këtë bisedë me të, për të parë më përafërt punën dhe kontributin e tij edhe në këtë fushë dhe për t’i ndriçuar disa nga çështjet e përkthimit si akt krijues shprehës, po dhe për të mësuar për mënyrën e qasjes konkrete të përkthimit të disa nga veprat e rëndësishme të letërsisë së përbotshme.

Arsyeja kryesore për të bërë këtë bisedë me Anton Nikë Berishën është përkthimi i tij më i ri kurorëzuar me shqipërimin e veprës së Aristotelit “Qasje artit poetik – Poetikës”, botuar në muajt e fundit të vitit 2020, duke shtjelluar përvojat, mbresat dhe këndvështrimet e tij nga kjo punë e rëndësishme disa-dhjetëvjeçarëshe. Ky përkthim është, siç e kam vlerësuar në kopertinën e librit të botuar: “Pas një leximi plot ëndje dhe vëmendje, në çastin që e mbarova përkthimin e Qasje artit poetik të Aristotelit nga Anton Nikë Berisha, disa mendime m’u përvijuan vetvetiu në mendje: Përkthimi në fjalë i këtij gurthemeli të artit poetik botëror, ka përparësinë madhore se është bërë me përkushtim, dije të thella dhe duke përdorur metodën krahasuese, mes disa përkthimeve të mëparshme prej gjuhëve të ndryshme që Anton Nikë Berisha me të drejtë i ka përmendur, por edhe seriozitetin e tij të dëshmuar si njeri i gjuhës dhe kujdesin e skajshëm për ta prurë sa më pranë burimores këtë vepër.

Kjo më pëlqeu edhe më shumë, duke qenë një veçori e përkthimit të tij, që duke e sjellë sa më kuptueshëm në shqip, 2300 vite pas shkrimit të kësaj vepre, ai ka ruajtur gjithsesi frymën burimore, tiparet dhe formën e vetë Aristotelit, sepse përndryshe vepra do të ishte padyshim e përçudnuar (si ndodh shpesh në përkthimin e klasikëve të lashtësisë), duke humbur përmbajtjen dhe tingullin e saj të mirëfilltë.

Është këndshëm kur vepra ndihet e lashtë, edhe kur e lexon në 2020, po sërish është e kuptueshme, e kjo është merita e veçantë e këtij përkthimi. Qasje artit poetik rrjedhimisht do të përbëjë ndoshta një pikënisje, një udhëzim për përkthyes të tjerë, që duan të lëvrojnë letërsinë antike”.

Jam i bindur se mendimet e Anton Nikë Berishës për përkthimin letrar, shpalimi i përvojës së tij në përkthimin e disa veprave konkrete, sidomos të atyre ku ka shfrytëzuar disa përkthime në gjuhë të ndryshme, do të jetë me interes jo vetëm për përkthyesit letrarë, po dhe për ata që duan të mësojnë diçka më shumë për artin e fjalës; përkthimi letrar është i lidhur ngushtë me qenësinë e letërsisë dhe të ndikimit estetik të veprës letrare në marrësin, siç dëshmohet disa herë në tekstin e bisedës.

Prishtinë, shkurt 2021



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Vargjet e para në spanjishten mesjetare kushtuar Gjergj Kastriotit Elvi Sidheri: Gjenerali me origjinë shqiptare nga Shkupi që shpëtoi të krishterët e Stambollit Elvi Sidheri: Botohet “Qasje Artit Poetik” të Aristotelit, me shqipërim nga profesor Anton Nikë Berisha Elvi Sidheri: Dy Pjetër Bogdanët e mesjetës së arbërorëve dhe bullgarëve Elvi Sidheri: Familja Radovani dhe krerët shqiptarë të Kishës Katolike në Bullgarinë mesjetare Elvi Sidheri: Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX Elvi Sidheri: E vërteta e munguar e vrasjes e mitropolitit të Korçës, Foti Kalpidis në vitin 1906 Elvi Sidheri: Intervistë me Entela Binjakun Elvi Sidheri: Intervistë me artistin Zoran Kardula Elvi Sidheri: Intervistë me gazetarin sportiv dhe shkrimtarin spanjoll José Manuel Puertas García Elvi Sidheri: Komitët e harruar shqiptarë të luftës për Maqedoninë Elvi Sidheri: “Jehu i Përjetësisë”, ose përçimi i trashëgimisë më thelbësore të veprës dhe jetës së At Zef Pllumit Elvi Sidheri: Rrush e dhelpra (metaforike e jo vetëm) Elvi Sidheri: Vlora, dikur qendër e hebraizmit në Mesdhe Elvi Sidheri: Aleksandër Molosi, njeriu që ngjizi madhështinë e Epirit të lashtë Elvi Sidheri: Memento për një kolos Elvi Sidheri: Rrota e Ujit, një shtjellim i rrallë i të kaluarës kosovare Elvi Sidheri: Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë Elvi Sidheri: Një Golgotë për t’u lexuar, në frymë Krishtlindjesh në diktaturë Elvi Sidheri: Kur libri shndërrohet në pasion jetësor

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora