Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemal Ahmeti: Sub(ob)jekti dhe (pu)shteti

| E shtune, 06.03.2021, 07:44 PM |


SUB(OB)JEKTI DHE (PU)SHTETI

Demokracia pluraliste nuk është garanci kundër tiranive të "shumicave e njëshave", por mundësi për evitimin e tyre në disfavor të harmonisë dhe paqes shoqërore. Mundësinë mirëpo e detektojnë vetëm qytetarët racional (ata që nuk jetojnë sipas urdhrave të miteve dhe liderëve) dhe pragmatik. Për të qenë këto të dyja mirëpo duhet dije elementare rreth vetes: vepron si Sub(ob)jekt (i nënshtruar)apo si hypo-kéi-menon (habitus)?

Nga Xhemal Ahmeti

Nisur nga shkaqet [kauzaliteti] dhe efekti, si dy operatorë që ekspozojnë nisjen dhe rezultatet e një procesi politik, humbja e një kauze (njerëzore, ngase ato që ndodhin nga natyra s'ke se si i ndikon) ofron paraprakisht dy stacione imanente përshkrimi: 1. Është prodhim i veprimeve të humbësit, në sajë, të të cilave masat vihen në kërkim të korrektorit dhe 2. Shkakton një proces të ri, i cili rëndom ec në dy drejtime: a) në rehabilitim të të parit nëpërmjet veprimeve të gabueshme të të dytit ose b) në nënshtrim të të parit ngase i dyti vepron më mirë (gjithmonë nga perspektiva e masave).

Po ndodhi e dyta, pra korrektori të jetë i mrekullisë, atëherë vdiq konkurrenca politike. Me këtë edhe Agonistika postmarksiste e Chantal Mouffes dhe burrit të saj. Prandaj, për fatin e demokracisë pluraliste, që sistemi të funksionojë përejtshëm, s'ka as njerëz, as vizione e as veprime të përkryera. Gabimet e të dytit janë të paraprogramuara dhe pushteti do jetë patjetër "jetëshkurtër". Është mekanizëm [rotacion] që në substancë duket i lodhshëm, ky që imponon demokracia pluraliste, por hë për hë është i vetmi që mbron masat nga despotitë - edhe nga ato të së mirës së "përhershme" e "absolute"(Hy!).

Humbësi që i di këto është racional dhe përgatitet për ofensivën e radhës. Humbësi që nuk i di këto nis paradat e mllefit kundër "popullit", Zotit, armiqve të jashtëm e të brendshëm ose rreh veten dënueshëm si shiitët me zinxhirë e zhileta pse tjetri doli më i aftë në zgjedhjet e radhës. Kjo kategori manifeston padijen thelbësore ndaj dallimit që përmbajnë ato "gropat" dhe "kurthet" e famshme, me të cilat bashkëjeton Subjekti - Njeriu, i cili gjatë ndërrimit të pushteteve ndihet humbësi apo fituesi i radhës, i zhgënjyeri apo triumfuesi e jo ashtu siç është vërtetë.

Si është ai?

Që të dy si festuesi ashtu edhe vajtuesi shkëlqejnë nga irracionaliteti. Që të dy sillen si shërbëtor e jo si konstituent të pushtetit. E ky i fundit as feston e as vajton, ngase gjersa Subjekti ynë - në këtë natyre teme - është njeriu konkret, Pushteti është organizatë e kushtëzuar dhe rezultuar nga sistemi mbizotërues: njerëzit veprojnë sipas konditave që ka paracaktuar sistemi për ta ushqyer atë me thëngjill gjersa bluan kohën në emër të tyre.

A ka ndonjë mundësi që një ditë të përfundojë kjo lojë? Që sistemi të hajë, por edhe të prodhojë partneritet ndërmjet qytetarit dhe pushtetit në favor të mirëqenies së të dyve apo një send i këtillë është iluzion?

Po ka!

Me një kusht: të racionalizohet qytetari deri në atë masë saqë të ta konsideroj veten fondament të çdo pushteti e jo objekt të tij.

II.

Pas mllefit Subjekti racional nis reflektimin, i cili metanojën e ka si urë që ia mundëson kapërcimin në katarsis. Veç pas këtij procesi ai, Subjekti (në kuptimin e tjetërsuar modern të fjalës), mund të nis ringritjen (jo ringjalljen si Nehljudovi i Tolstoit) së pari brenda vetes pastaj për botën. Për ta iniciuar mirëpo këtë proces atij i duhet minimum aq dije sa për të bërë dallimin ndërmjet dy termeve kapitale rreth qenies së tij brenda një sistemi, ta shoh se si e percepton veten: si sub-iectum (latinishtja e Boethiusit: i nënshtruari, i poshtëhedhuri) apo si hypo-kéi-menon (nga milezishtja e Anaksimanderit [i etnisë kariane]: si fundamenti, esenca, baza e diçkaje, substrati). Nëse niset nga premisa të jetë Sub(ob)jekt sipas konceptit latin të termit, atëherë ai e ka të pamundur të nis reflektimin ngase nuk është qenie e armatosur me zarzavatet e nevojshme ontologjike, dmth. nuk disponon me veti personale, nuk është bartës veprimesh autonome, pra nuk është habitus, por vegël: material gratis i çdo pushteti. Nëse e di se ai vetë është fundamenti i frymës së tij në botë, atëherë metanoja dhe ringritja janë të mundshme dhe Njeriu pas çdo rënie mëson dhe përmbush atë stereotipin që thotë se çdo humbje është përvojë që forcon. Kjo donë të thotë se jo vetëm partia nëpërmjet së cilës ai ushqen pushtetet e fiton një racional më shumë, por edhe (pu)shtetit vetë i shtohet një instruktor i vyeshëm për mëregjenerim.

III.

Ky lloj qytetari, si habitus pragmatik, do ta detyronte madje edhe demagogun më të aftë të korrigjoj veten duke u racionalizuar, për arsye se kalimi nga Sub(ob)jekti në Habitus përjashton çdo lloj militantizmi mediokër dhe me këtë paralelisht ngushton edhe fushëveprimin e populizmave ordiner.

Ky kapërcim sa më masiv i mundshëm i grupeve nga militantizmi ordiner turmor në kategori qytetarësh me habitus autonom [në mendime, veprime e pasoja] kërkon një pushtet që bën çmos për kualitetin e arsimimit të masave (jo me metodën e fabrikimit të analfabetëve funksional) dhe atë jo vetëm shkollave, por edhe agorave e parasëgjithash vetes. A është e mundshme kjo në shoqëritë shqiptare?

IV.

Ky është motori i çdo ndryshimi: emancipimi i qytetarit si Habitus. Pa këtë nuk do ketë asnjëherë "epokë të re politike" as "figura" që nuk do shajnë e mallkojnë si këto që sapo humbën. Se ky proces për të cilin shkruajmë këtu nuk ka ndodhur asnjëherë - pra investimi në emancipimin e masave me sistemin në të cilin jetojnë e sidomos rreth participimit të tyre shoqëror - shihet nga reagimi i disa primatëve humbës dhe agjitorëve të tyre, të cilëve ende nuk u ka kaluar shoku, irritimi. As këta s'dalin habituse - por sub(ob)jekte si shumica e militantëve të tyre dhe të tjerëve.

Me shpresë se së pari, një ditë, del një primat që ofron si habitus një filozofi të veten specifike konform natyrës së shoqërisë shqiptare pa qenë sub(ob)iectum ideologjish e qendrash që më shumë kanë synim delegimin e pushteteve mbi shqiptarët se sa mirëqenien e tyre përvetësojmë dhe mjaftohemi me modusin e Godos-ë. Aktualisht autorit të këtyre rreshtave s'ia mbush syrin asnjëri nga primatët. Ata që shkuan e demonstruan këtë tezë – nuk punuan as në formim të vetes -, ata që vijnë nuk i kanë kapacitetet as për ta provuar. C’est la vie – thonë francezët. Çka të themi ne? Ultimately: I don't care?