| E shtune, 06.03.2021, 05:07 PM |
MJEGULLA PËR MBULIMIN E TË VËRTETAVE
Nga
Halil Bregasi
Këto ditë fatkeqësish që po ndodhin në truallin
shqiptar, kur nuk mjaftoi tërmeti i para më shumë se një vit, por po afron viti
i pandemisë me humbje të shumta jetë njerëzish, po rrezikohemi edhe nga flaka
që ka rënë në kokat e politikanëve, të cilët me urat e zjarrit në duar, njëlloj
si në në kohët e pushtimeve të huaja, kërkojnë t’i vënë zjarrin gjithçkaje.
Mbledhin turma adoloshentësh, me gurë e shishe benzine në duar, për të prishur
institucionet, vetëm e vetëm për të marrë pushtetin nga disa politikanë, në
mënyrë që të rritin fitimet e tyre. Populli, më shumë i paditur lidhur se kush
ka të drejtë e kush jo, bredh pas berihajit duke sulmuar e vrarë vëllai
vëllain. Nuk e di se kujt i shërben ky kaos, por di që politikanëve nuk u hyn
asnjë gjemb në këmbë, aq më tepër ata qëndrojnë në podiume duke fërkuar duart
kur vasalët e tyre vriten. Ka filluar fushata elektorale para afatit të thënë
në ligj.
Në këtë situatë,
me kushtetutë kemi një pushtet të katërt, që realisht luan rol të madh në të dy
drejtimet: si në nxitjen, ashtu dhe në frenimin e ngjarjeve. Qëndrimi korrekt i
mediave, pavarësisht anësisë së tyre politike, ato e kanë me ligj të jenë sa më
të sakta në të dhënat që japin, është faktor i rëndësishëm. Është pikërisht ky
problemi i madh, që mendoj se po prish punë duke mos qenë korrekte në sqarimin
e informacioneve me ligje e nene, me data e rregulla, të cilat, jo për ata që
çirren pas udhëheqësve, por për popullin e vërtet të heshtur.
Çdo ditë ka
filluar fushata e përleshjeve të qeverisë me presidencën. Opozita nga ana e saj
vazhdon me akuza. Kush ka të drejtë e kush jo? Njëri thotë se është shkelur
kushtetuta, tjetri thotë jo. Njëri del para ekranit e tregon se çdo gjë është
me ligj, tjetri nëpërmjet zëdhënësit apo dikujt tjetër tregon se janë shkelur
proçedurat! Kush ka të drejtë? Kush duhet të na sqarojë? Cilin të besojmë? Pse
kaq i vështirë sqarimi se cili nen apo ligj është shkelur? Vërtetë nuk kanë
mundësi gazetarët apo mediat e shkruara e vizive t’i referohen direkt ligjit,
kushtetutës, nenit përkatës? Nuk e besoj! E pra krijohet qëllimisht mjergulla
që pengon të vërtetën. Duket sikur po ndeshen dy boksierë pa arbitër duke i
thënë njeri - tjetrit: “Jam unë më i forti”. E për të qetësuar sadopak mendjet
e atyre që lodhen tërë ditën fushave e arave, apo të atyre që robëtohen për të
gjetur ca orë punë për të siguruar minimumin e jetës, jeni ju të nderuara media
që duhet të hapni horizontin duke thënë të vërtetat.
Dhe çudia
shqiptare nuk ka të mbaruar. Pa filluar akoma fushata elektorale, opozita padit
në SPAK gjithë qeverinë, deputetë e ku di unë, sikur kanë shkelur ligjin për
interesa elektorale?! Mirë, po kur shkruani për këto akuza, a nuk duhet të
thoni se cilin ligj e në çfarë mase është shkelur ai? Në se qeveria nuk duhet
të japë para për të bërë punime, si do realizohen të drejtat e gjithë popullit
që pret diçka nga qeveria? Mos vallë ky ligj ka për qëllim që katër muaj para
zgjedhjeve të paralizojë ekonominë, zhvillimin, a si? E pra, për të gjitha këto
pse, duhet më shumë sqarime konkrete. Mos mendoni se çdo gjë që dini ju, e dimë
edhe ne, populli atje në fshat, qytet e kudo?
Po bëhet luftë e
madhe për të siguruar një vend në Parlament, në pozita kyçe për të fituar sa më
shumë. Por populli edhe mund të zgjedhë cilindo prej jush, vetëm se ai paguan
rëndë rezultatin që vjen prej këtyre zgjedhjeve. Nuk duhet të harrohet historia
e qeverisjeve të kaluara, si u zhdukën mijëra ndërmarrje ekonomike, vetëm e
vetëm që të largoheshin njerëzit nga vendlindja e tyre dhe, janë po këta që
drejtuan atëherë, që sot kërkojnë të marrin pushtetin duke thënë se do krijojnë
vende pune e të mira materiale. Bëni një analizë ju të gjitha media, të
shkruara e vezive, se sa ndërmarrje ekonomike janë ngritur në atë qeveri e në
këtë, sa prodhohet e ku shkon. Kjo, mendoj se është e domosdoshme para çdo
fushate zgjedhore. Bëjeni e do shikoni se asnjë qeveri nuk ka ngritur një
fabrikë si ajo e përpunimit të bakrit, të kromit, të fruta - perimeve, të
përpunimit të hekurit etj., por vetëm prishën ato që ishin, kush më shumë e
kush më pak. Edhe kjo duhet saktësuar, të dhënat janë në INSTAT e gjenden lehtë.
Ka qenë në traditë
që në shtetet kapitaliste, mbaheshin si prona shtetërore, minierat, hekurudhat,
portet, aeroportet, hidrocentralet e centralet elektrike duke mbajtur një sasi
të konsiderueshme njerëzish në punë, por edhe për të siguruar të ardhura, aq sa
të mbanin administratën. Sigurisht që të tilla do të kishte edhe private, dhe
konkurenca shtet - privat, bënte që të ruheshin nivele të jetës, të mjaftueshme
për të siguruar minimumin jetik të popullit. Të gjithë e dimë që këto, në
Shqipëri kanë vdekur qysh me përmbysjen e sistemit të parë, por janë tregues se
nga i vijnë qeverisë të ardhurat për të zhvilluar ekonominë, apo për të mbajtur
njerëzit në punë. Këto duhen përmendur edhe nga mediat.
Ka filluar
propaganda për ndarjen, më mirë për grindjen e acarimin e marrëdhënieve të
popullit brenda tij, sikur ata të PS janë armiq për të PD-së, dhe e kundërta.
Ku i çoni ju politikanë njerëzit?
O njerëz, o
shqiptarë, sado të varfër që jemi, pse u japim frymë këtyre ndasive të
popullit. Kujt i shërbejnë këto thirrje, përveç atyre që fërkojnë duar e
nënqeshin hipur në podiume, të cilitdo krahu qofshin. Flet kryetari i opozitës
duke thënë që do e shporrim këtë kryeministër, pavarësisht se është i zgjedhur
nga populli! Ku do i gjejë ai lekët që të bëjë lehtësirat që premton sot, apo
përsëri me gënjeshtra? Vendi nuk prodhon asgjë për qeveritë, gjithë pasuria
drejtohet nga privatët, shumica të huaj e që po bëjnë kërdinë duke vjedhur
pasurinë e vendit. Po ju të mediave, a mund të sqaroni disa nga këto? E di që
jeni të varur nga pronarët, por ka forma për të thënë të vërtetat e duhet t’i
gjeni.
Çudia e radhës
doli si gjithnjë nga fronti opozitar. Ajo ka të bëjë me një mrekulli shqiptare.
“Të mbrojmë institucionet duke i shkatërruar e djegur ato”?! Për fat të mirë në
këtë pikë mediat kanë qënë pak më korrekte. Kanë paraqitur me zë e figurë se si
demostrues të drejtuar nga “intelektualë” politikë u vendosin zjarrin me metoda
të ndryshme institucioneve shtetërore, shkatërrojnë pronën e popullit me mjete
nga më të ndryshmet. Me pllakat e trotuarit po mbrohej shkolla në Shkodër duke
i thyer xhamat e dritaret, apo diku tjetër duke hedhur lëndë ndezëse etj.
Patjetër që dikush i instrukton si duhet vepruar. Kështu ndodhi dhe në
protestat e para disa kohëve në Tiranë, thyen xhamat, qëlluan dyert e
kryeministrisë etj. A duhet të flasin gazetarët për këto e të mos mjaftohen
vetëm me trasmetime pamjesh? A duhet t’i drejtohen ata turmave pas protestave
me thirrjen:
“Po mirë more të
zez, ato prona janë djersa e popullit, atje kam edhe unë djersën time, sepse
ato janë ndërtuar e përdoren në interes të komunitetit, pavarësisht se kujt
bindjeje i përket ai komunitet. Atje është dhe djersa e prindërve tuaj, o djem
të ndërkryer pa mendje në kokë. Ato nuk janë as të Edi Ramës se nuk ja ka lënë
i ati, po as dhe të të tjerëve politikanë, veç të popullit. Atëherë pse t’i
shkatërrojmë?”
Do vazhdojmë akoma
me thirrjet e 1991 se do ta çojmë ekonominë në nivelin zero?! Kjo ka mundësi
sepse ata që e krijuan këtë thirrje më 1991 janë akoma në krye të demostratave.
Duket sikur po përgatitet një 1997 e dytë. Vetëm thirrjet e z.Basha, të z.
President, të znj. Monika e përgjigjet e anës tjetër të politikës, duken se po
i hedhin benzinë zjarrit qysh pa filluar fushata elektorale sipas ligjit. Nuk e
parashikoj dot rezultatin, por shenjat nuk janë të mira, përfundimi nuk dihet.
Prandaj “Pushteti i Katërt” duhet të jetë më ekzigjent, më cilësor, më i
kompletuar për të sqaruar popullin.
Kush mund t’i
sqarojë këto, apo do u lëmë atyre që grinden pa kulturë bashkëbisedimi nëpër
emisionet e Fevziut, E. Vasilit, R. Xhungës etj. Si ka mundësi që ulen në
tryezë për të bashkëbiseduar dhe e ndërpresin njeri-tjetrin gati të kapen
fytash. A mund të quhen të kulturuar disa analistë që nuk mbajnë me laps e letër
atë që nuk i pëlqen tek fjala e tjetrit dhe kur të mbaroj ai, me qetësi e
argumenta ta kundërshtoj të parin?
E keni detyrim të
paraqitni konferencat e shtypit që japin politikanët, sidomos kryetari i
Qeverisë dhe kryetari i opozitës. Mirë! Por kur mbaron ky spektakël, duhen
sqaruar mundësitë e realizimit të këtyre të thënave, jeni ju që duhet të
sqaroni në se ka mundësi ekonomike që mund të realizohen ato, ose nuk munden;
jeni ju që duhet të thoni se a munden ato që thotë Kryeministri, apo kryetari
PD? Nuk jeni specialistë të fushës, gjeni specialistë jo partiakë e bisedoni
para opinionit publik. Zhurmë e madhe për vjedhje votash! Ky nuk është fenomen
shqetësues për asnjë parti politike, flitet vetëm për politikë, sa për të
kundërshtuar tjetrin, ose për të përgatitur qysh tani opinionin se do të ketë
fenomene të tilla, edhe në se nuk vërtetohen në momentin kur bëhen votimet,
prandaj duhet mbyllur kjo temë edhe për ju të nderuara media, ose le ta marrin
institucionet e drejtësisë e t’a sqarojnë e të marrin masat sipas ligjeve.
Gazetarët përdorin
shpesh shprehje: “ish - deputeti”… Që nga viti 1991 e deri më sot janë zgjedhur
qindra deputetë. Me mbarimin e mandatit ata janë qytetarë të thjeshtë shqiptarë
e nuk ndoshta, në kontekst, është nevoja t’u përmendet që kanë qenë deputetë.
Kështu dhe për këta që kanë djegur mandatet. Ata janë qytetarë si gjithë të
tjerët, kjo sepse duket sikur atyre u ngjallet shpresa që nesër do vijnë
përsëri në parlament.
Së fundi, po për
ju të nderuar gazetarë që lodheni duke i ndjekur pas demonstrimet e të gjitha
palëve, pak më të sinqertë në paraqitjen e demonstratave. Si fshatar dhe,
këtë e dinë të gjithë fshatarët, për të përcaktuar numrin e bimëve të një
parcele (kjo ka të bëjë dhe me rendimentin), ka metoda të thjeshta. Merret një masë
1m x 1 m, pra 1 m2 e i shkohet parcelës diagonal duke mbajtur
shënim: në këtë pati 6 rrënjë, këtu 10, këtu 8 e me radhë, mblidhen e nxjerrin
mesataren. Kështu do bëhet edhe në demostrata në se ju do jepni pamje nga
sipër e jo vetëm horizontale.
Duke patur respektin maksimal për ju
që lodheni fizikisht, por më shumë mendërisht e psikologjikisht, mbasi pronari
do ta paraqesë çdo gjë në ineteres të tij, populli e do në interes të tij, ju
lutem, disa nga këto probleme që ngrita, mund t’u jepni përgjigje.
I sinqertë e dashamirës me ju të
mediave!
Halil BREGASI
Vlorë, më 07.01.2021 Për kontakt: cel:
0682129566.