E enjte, 22.04.2021, 03:23 PM (GMT+1)

Mendime

Halil Bregasi: Mjegulla për mbulimin e të vërtetave

E shtune, 06.03.2021, 05:07 PM


MJEGULLA PËR MBULIMIN E TË VËRTETAVE

Nga Halil Bregasi

Këto ditë  fatkeqësish që po ndodhin në truallin shqiptar, kur nuk mjaftoi tërmeti i para më shumë se një vit, por po afron viti i pandemisë me humbje të shumta jetë njerëzish, po rrezikohemi edhe nga flaka që ka rënë në kokat e politikanëve, të cilët me urat e zjarrit në duar, njëlloj si në në kohët e pushtimeve të huaja, kërkojnë t’i vënë zjarrin gjithçkaje. Mbledhin turma adoloshentësh, me gurë e shishe benzine në duar, për të prishur institucionet, vetëm e vetëm për të marrë pushtetin nga disa politikanë, në mënyrë që të rritin fitimet e tyre. Populli, më shumë i paditur lidhur se kush ka të drejtë e kush jo, bredh pas berihajit duke sulmuar e vrarë vëllai vëllain. Nuk e di se kujt i shërben ky kaos, por di që politikanëve nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë, aq më tepër ata qëndrojnë në podiume duke fërkuar duart kur vasalët e tyre vriten. Ka filluar fushata elektorale para afatit të thënë në ligj.

Në këtë situatë, me kushtetutë kemi një pushtet të katërt, që realisht luan rol të madh në të dy drejtimet: si në nxitjen, ashtu dhe në frenimin e ngjarjeve. Qëndrimi korrekt i mediave, pavarësisht anësisë së tyre politike, ato e kanë me ligj të jenë sa më të sakta në të dhënat që japin, është faktor i rëndësishëm. Është pikërisht ky problemi i madh, që mendoj se po prish punë duke mos qenë korrekte në sqarimin e informacioneve me ligje e nene, me data e rregulla, të cilat, jo për ata që çirren pas udhëheqësve, por për popullin e vërtet të heshtur.

Çdo ditë ka filluar fushata e përleshjeve të qeverisë me presidencën. Opozita nga ana e saj vazhdon me akuza. Kush ka të drejtë e kush jo? Njëri thotë se është shkelur kushtetuta, tjetri thotë jo. Njëri del para ekranit e tregon se çdo gjë është me ligj, tjetri nëpërmjet zëdhënësit apo dikujt tjetër tregon se janë shkelur proçedurat! Kush ka të drejtë? Kush duhet të na sqarojë? Cilin të besojmë? Pse kaq i vështirë sqarimi se cili nen apo ligj është shkelur? Vërtetë nuk kanë mundësi gazetarët apo mediat e shkruara e vizive t’i referohen direkt ligjit, kushtetutës, nenit përkatës? Nuk e besoj! E pra krijohet qëllimisht mjergulla që pengon të vërtetën. Duket sikur po ndeshen dy boksierë pa arbitër duke i thënë njeri - tjetrit: “Jam unë më i forti”. E për të qetësuar sadopak mendjet e atyre që lodhen tërë ditën fushave e arave, apo të atyre që robëtohen për të gjetur ca orë punë për të siguruar minimumin e jetës, jeni ju të nderuara media që duhet të hapni horizontin duke thënë të vërtetat.

Dhe çudia shqiptare nuk ka të mbaruar. Pa filluar akoma fushata elektorale, opozita padit në SPAK gjithë qeverinë, deputetë e ku di unë, sikur kanë shkelur ligjin për interesa elektorale?! Mirë, po kur shkruani për këto akuza, a nuk duhet të thoni se cilin ligj e në çfarë mase është shkelur ai? Në se qeveria nuk duhet të japë para për të bërë punime, si do realizohen të drejtat e gjithë popullit që pret diçka nga qeveria? Mos vallë ky ligj ka për qëllim që katër muaj para zgjedhjeve të paralizojë ekonominë, zhvillimin, a si? E pra, për të gjitha këto pse, duhet më shumë sqarime konkrete. Mos mendoni se çdo gjë që dini ju, e dimë edhe ne, populli atje në fshat, qytet e kudo?

Po bëhet luftë e madhe për të siguruar një vend në Parlament, në pozita kyçe për të fituar sa më shumë. Por populli edhe mund të zgjedhë cilindo prej jush, vetëm se ai paguan rëndë rezultatin që vjen prej këtyre zgjedhjeve. Nuk duhet të harrohet historia e qeverisjeve të kaluara, si u zhdukën mijëra ndërmarrje ekonomike, vetëm e vetëm që të largoheshin njerëzit nga vendlindja e tyre dhe, janë po këta që drejtuan atëherë, që sot kërkojnë të marrin pushtetin duke thënë se do krijojnë vende pune e të mira materiale. Bëni një analizë ju të gjitha media, të shkruara e vezive, se sa ndërmarrje ekonomike janë ngritur në atë qeveri e në këtë, sa prodhohet e ku shkon. Kjo, mendoj se është e domosdoshme para çdo fushate zgjedhore. Bëjeni e do shikoni se asnjë qeveri nuk ka ngritur një fabrikë si ajo e përpunimit të bakrit, të kromit, të fruta - perimeve, të përpunimit të hekurit etj., por vetëm prishën ato që ishin, kush më shumë e kush më pak. Edhe kjo duhet saktësuar, të dhënat janë në INSTAT e gjenden lehtë.

Ka qenë në traditë që në shtetet kapitaliste, mbaheshin si prona shtetërore, minierat, hekurudhat, portet, aeroportet, hidrocentralet e centralet elektrike duke mbajtur një sasi të konsiderueshme njerëzish në punë, por edhe për të siguruar të ardhura, aq sa të mbanin administratën. Sigurisht që të tilla do të kishte edhe private, dhe konkurenca shtet - privat, bënte që të ruheshin nivele të jetës, të mjaftueshme për të siguruar minimumin jetik të popullit. Të gjithë e dimë që këto, në Shqipëri kanë vdekur qysh me përmbysjen e sistemit të parë, por janë tregues se nga i vijnë qeverisë të ardhurat për të zhvilluar ekonominë, apo për të mbajtur njerëzit në punë. Këto duhen përmendur edhe nga mediat.

Ka filluar propaganda për ndarjen, më mirë për grindjen e acarimin e marrëdhënieve të popullit brenda tij, sikur ata të PS janë armiq për të PD-së, dhe e kundërta. Ku i çoni ju politikanë njerëzit?

O njerëz, o shqiptarë, sado të varfër që jemi, pse u japim frymë këtyre ndasive të popullit. Kujt i shërbejnë këto thirrje, përveç atyre që fërkojnë duar e nënqeshin hipur në podiume, të cilitdo krahu qofshin. Flet kryetari i opozitës duke thënë që do e shporrim këtë kryeministër, pavarësisht se është i zgjedhur nga populli! Ku do i gjejë ai lekët që të bëjë lehtësirat që premton sot, apo përsëri me gënjeshtra? Vendi nuk prodhon asgjë për qeveritë, gjithë pasuria drejtohet nga privatët, shumica të huaj e që po bëjnë kërdinë duke vjedhur pasurinë e vendit. Po ju të mediave, a mund të sqaroni disa nga këto? E di që jeni të varur nga pronarët, por ka forma për të thënë të vërtetat e duhet t’i gjeni.

Çudia e radhës doli si gjithnjë nga fronti opozitar. Ajo ka të bëjë me një mrekulli shqiptare. “Të mbrojmë institucionet duke i shkatërruar e djegur ato”?! Për fat të mirë në këtë pikë mediat kanë qënë pak më korrekte. Kanë paraqitur me zë e figurë se si demostrues të drejtuar nga “intelektualë” politikë u vendosin zjarrin me metoda të ndryshme institucioneve shtetërore, shkatërrojnë pronën e popullit me mjete nga më të ndryshmet. Me pllakat e trotuarit po mbrohej shkolla në Shkodër duke i thyer xhamat e dritaret, apo diku tjetër duke hedhur lëndë ndezëse etj. Patjetër që dikush i instrukton si duhet vepruar. Kështu ndodhi dhe në protestat e para disa kohëve në Tiranë, thyen xhamat, qëlluan dyert e kryeministrisë etj. A duhet të flasin gazetarët për këto e të mos mjaftohen vetëm me trasmetime pamjesh? A duhet t’i drejtohen ata turmave pas protestave me thirrjen:

“Po mirë more të zez, ato prona janë djersa e popullit, atje kam edhe unë djersën time, sepse ato janë ndërtuar e përdoren në interes të komunitetit, pavarësisht se kujt bindjeje i përket ai komunitet. Atje është dhe djersa e prindërve tuaj, o djem të ndërkryer pa mendje në kokë. Ato nuk janë as të Edi Ramës se nuk ja ka lënë i ati, po as dhe të të tjerëve politikanë, veç të popullit. Atëherë pse t’i shkatërrojmë?”

Do vazhdojmë akoma me thirrjet e 1991 se do ta çojmë ekonominë në nivelin zero?! Kjo ka mundësi sepse ata që e krijuan këtë thirrje më 1991 janë akoma në krye të demostratave. Duket sikur po përgatitet një 1997 e dytë. Vetëm thirrjet e z.Basha, të z. President, të znj. Monika e përgjigjet e anës tjetër të politikës, duken se po i hedhin benzinë zjarrit qysh pa filluar fushata elektorale sipas ligjit. Nuk e parashikoj dot rezultatin, por shenjat nuk janë të mira, përfundimi nuk dihet. Prandaj “Pushteti i Katërt” duhet të jetë më ekzigjent, më cilësor, më i kompletuar për të sqaruar popullin.

Kush mund t’i sqarojë këto, apo do u lëmë atyre që grinden pa kulturë bashkëbisedimi nëpër emisionet e Fevziut, E. Vasilit, R. Xhungës etj. Si ka mundësi që ulen në tryezë për të bashkëbiseduar dhe e ndërpresin njeri-tjetrin gati të kapen fytash. A mund të quhen të kulturuar disa analistë që nuk mbajnë me laps e letër atë që nuk i pëlqen tek fjala e tjetrit dhe kur të mbaroj ai, me qetësi e argumenta ta kundërshtoj të parin?

E keni detyrim të paraqitni konferencat e shtypit që japin politikanët, sidomos kryetari i Qeverisë dhe kryetari i opozitës. Mirë! Por kur mbaron ky spektakël, duhen sqaruar mundësitë e realizimit të këtyre të thënave, jeni ju që duhet të sqaroni në se ka mundësi ekonomike që mund të realizohen ato, ose nuk munden; jeni ju që duhet të thoni se a munden ato që thotë Kryeministri, apo kryetari PD? Nuk jeni specialistë të fushës, gjeni specialistë jo partiakë e bisedoni para opinionit publik. Zhurmë e madhe për vjedhje votash! Ky nuk është fenomen shqetësues për asnjë parti politike, flitet vetëm për politikë, sa për të kundërshtuar tjetrin, ose për të përgatitur qysh tani opinionin se do të ketë fenomene të tilla, edhe në se nuk vërtetohen në momentin kur bëhen votimet, prandaj duhet mbyllur kjo temë edhe për ju të nderuara media, ose le ta marrin institucionet e drejtësisë e t’a sqarojnë e të marrin masat sipas ligjeve.

Gazetarët përdorin shpesh shprehje: “ish - deputeti”… Që nga viti 1991 e deri më sot janë zgjedhur qindra deputetë. Me mbarimin e mandatit ata janë qytetarë të thjeshtë shqiptarë e nuk ndoshta, në kontekst, është nevoja t’u përmendet që kanë qenë deputetë. Kështu dhe për këta që kanë djegur mandatet. Ata janë qytetarë si gjithë të tjerët, kjo sepse duket sikur atyre u ngjallet shpresa që nesër do vijnë përsëri në parlament.

Së fundi, po për ju të nderuar gazetarë që lodheni duke i ndjekur pas demonstrimet e të gjitha palëve, pak më të sinqertë në paraqitjen e demonstratave. Si fshatar dhe, këtë e dinë të gjithë fshatarët, për të përcaktuar numrin e bimëve të një parcele (kjo ka të bëjë dhe me rendimentin), ka metoda të thjeshta. Merret një masë 1m x 1 m, pra 1 m2 e i shkohet parcelës diagonal duke mbajtur shënim: në këtë pati 6 rrënjë, këtu 10, këtu 8 e me radhë, mblidhen e nxjerrin mesataren. Kështu do bëhet edhe në demostrata në se ju do jepni pamje nga sipër e jo vetëm horizontale.

Duke patur respektin maksimal për ju që lodheni fizikisht, por më shumë mendërisht e psikologjikisht, mbasi pronari do ta paraqesë çdo gjë në ineteres të tij, populli e do në interes të tij, ju lutem, disa nga këto probleme që ngrita, mund t’u jepni përgjigje.

I sinqertë e dashamirës me ju të mediave!

Halil BREGASI

Vlorë, më 07.01.2021                             Për kontakt: cel: 0682129566.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora