E premte, 19.04.2024, 02:42 PM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Si funksionoi konvikti ‘’ Çamëria’’ në Sarandë

E shtune, 06.03.2021, 07:35 PM


Në vigjilje të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit

SI FUNKSIONOI KONVIKTI  “ÇAMËRIA”, NË SARANDË

Nga Adil Fetahu

Arsimi  para pavarësisë së Shqipërisë

Rruga nëpër të cilën ka kalua shkolla shqipe ka qene e vështirë, e mundimshme dhe me plot rreziqe e sakrifica, sikur ka qenë edhe tërë historia e popullit shqiptar. Vetëm dashuria, guximi, vendosmëria dhe mençuria e patriotëve dhe veprimtarëve të spikatur ka mund ta përballojë atë rrugëtim të vështirë e ta vejë shkollën dhearsimin në rrugëtë mbarë të përparimit.

Në kohën e pushtimeve nga të huajtë, mësimi i gjuhës, kulturës, shkencës, artit dhe letërsisë në gjuhën shqipe ka qenë i ndaluar dhe i ndëshkuar rreptësisht.Gjatë kohës së pushtimit otoman, që popujt i kishte ndarë në “milete” sipas përkatësisë fetare, lejohej hapja e shkollave fetare: shkolla publike e private në gjuhën turke ose arabe për popullsinë e besimit mysliman; në gjuhën greke dhe sllave për popullsinë e besimit të krishterë ortodoks; dhe në gjuhën italiane e gjermane për popullsinë e besimit katolik. Kështu, një kohë në trojet shqiptare kishte më se 2500 shkolla të hueja, publike e private, por asnjë në gjuhën shqipe! Mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi, nga mësues patriotë shqiptarë (hoxhallarë ose priftërinjë) të cilët punonin si mësues në ato shkolla të hueja. Këtë mund ta bënin ata mësues të cilët punonin në shkollat e hapura nga pushteti turk dhe në ato të hapura nga kisha katolike dhe ajo protestane, por jo ata që punonin në shkollat e kishës greke dhe asaj sllave, sepse këto e urrenin dhe mallkonin gjuhën shqipe. Pavarësisht nga karakteri fetar, edhe atoshkolla të hueja  kanë luajtur rol  të rëndësishëm në arsimimin e popullit dhe sadopak në përhapjen e gjuhës shqipe.

Mësonjëtorja e parë që u lejua nga pushteti otoman që të punojë haptas, ishte Mësonjëtorja shqipe e Korçës, pasiqë falë angazhimit  dhe autoritetit të vëllezërve Abdyl dhe Sami Frashëri, dhe rilindjasve tjerë, këta kishin nxjerrë lejen nga Sulltani, për një shkollë private në gjuhën shqipe, për djemë. Ajo shkollë u hap më 7 mars 1887, datë kjo që në Shqipëri kremtohet si festë shetëtërore “Dita e Mësuesit”.

Arsimi pas pavarësisë së Shqipërisë

Në kohën e shpalljes së pavarësisë (1912), më se 85% e popullsisë së vendit ishin analfabetë; në zonat e thella malore kjo kategori e popullsisë shkonte deri 95%. Ishte kjo nje tabllo e zymtë e vendit nga pikëpamja arsimore. Pavarësia e Shqipërisë ishte shpresë që edhe shkolla shqipe të fitojë pavarësinë dhe të nisë zhvillimin e saj kombëtar.Qeveria e përkohëshme e Ismail Qemalit, ndërmori masa që shkollat e deriatëhershme turke të shndërrohen në shkolla shqipe, ndërsa në shkollat tjera të hueja: greke,italiane, austrohungareze, të mësohej edhe gjuha shqipe, si  gjuhë e dytë! Por, për këto hapa të Qeverisë mungonin kuadrot për mësues në gjuhën shqipe.

Ministri i parë i arsimit shqiptar, në Qeverinë e Ismail Qemalit u emërua  personaliteti i njohur nga rilindasit e fundit, Luigj Gurakuqi. Në fillim të shtatorit 1913, ministri Gurakuqi shpalli thirrje të hapur të gjithë atyre që mund t’ishin të aftë për të kryer detyrën e mësuesit në gjuhën shqipe, që t’i lajmërohen ministrisë së arsimit. Si kushte të aftësisë konsideroheshin: a) njohja e gjuhës shqipe, e mësuar në institucionet arsimore kombëtare,si bie fjala në Shkollën Normale të Elbasanit apo në atë Bukureshtit dhe të Sofjes, ose b) ta kenë kryer ndonjë shkollë të mesme ose universitet jashtë vendit dhe që e njohin gjuhën shqipe.

Nga të gjithë ministrat e arsimit në qeveritë shqiptare, të ndërruara aq shpesh në periudhën 1912 – 1939, Luigj Gurakuqi ka qëndruar më së gjati në atë detyrë, dhe një kohë ishte në detyrën e delegatit të arsimit. Kjo tregon se sa i kushtohej rëndësi arsimit, duke e vu nën udhëheqjen e personalitetit më të shquar të kësaj fushe. Përndryshe, pas Gurakuqit e deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste (1939), ministra të arsimit kanë qenë edhe personalitete tjera të njohura, si: Mihal Turtulli, Sotir Peci, Kristo Floqi, Hilë Mosi, Haki Tefiku, Kristo Dako, Aleksandër Xhuvani, Rexhep Mitrovica, Fahri Rashiti, Stavro Vinjau,Kostaq Kota,  Xhafer Ypi, Abdurrahman Dibra,Mirash Ivanaj, Nush Bushati dhe Faik Shatku. Të gjithë ata ministra, kush më shumë e kush më pak,bënë përpjekje për ndërtimin e sistemit kombëtar të arsimit, duke siguruar kuadro, duke  hapur shkolla, duke bërë reforma për konsolidimin e programeve mësimore, kualifikimin e mësuesve, duke siguruar kushte, tekste e mjete mësimore, duke propozuar ligje e miratuar rregulla mbi administrimin dhe inspektimin, dokumentacion për punën e shkollave dhe kushte tjera për veprimtari të mbarë. Arsimi fillor u bë i detyrueshëm, me një kujdes të shtuar për të siguruar vijimin e rregullt të mësimit. Ishte përcaktuar me ligj që në çdo lokalitet ku mund tëtubohen 30- 40 nxënës, të hapej shkollë fillore.Shkolla fillore në fshat ishte trevjeçare,ndërsa në qytet pesëvjeçare.Në vitin 1925, në Shqipëri kishte 425 shkolla fillore të fshatit dhe qytetëse,me 25157  nxënës e 757 mësues.

Në kohën e udhëheqjes së vendit nga Ahmet Zogu (1925 – 1939), qoftë si kryetar qeverie, kryetar i Republikës apo mbret i Mbretërisë së Shqiptarëve, ishte kjo periudha e konsolidimit të shtetit shqiptar dhe reformave në lëmin e arsimit, me zgjërimin e rrjetit të shkollave fillore dhe hapjen e disa shkollave të mesme, përgatitjen e kuadrit arsimor dhe shkollimin e kuadrove në universitetet e jashtme. Vëmendje e posaçme iu kushtua cilësisë së arsimit.

Pas marrëveshjeve ekonomike e financiare të lidhura me Italinë, në vitet 1926 dhe 1927, ndikimi i Italisë u shtua në të gjitha fushat e jetës publike e shoqërore,duke përfshirë edhe politikën arsimore, me hapjen e shkollave  dhe depërtimin e kulturës italiane. Për ta mbrojtur sistemin arsimor nga ndikimi i huaj, u desh të ndërmerrën masa e të bëhen reforma.Në fjalimin e parë që Ahmet Zogu mbajti në parlament pas shpalljës së Mbretërisë (1 shtator1928), mbreti Zog shprehi vendosmërinë për ngritjen e sistemit arismor kombëtar dhe përfshirjen e femrave në shkolla.Në vitin 1929 u formua një komision për reformën e arsimit, kryesuar nga ministri Abdurrahman Dibra. Shkollat fillore që deri atëherë ishin 5-vjeçare, 4-vjeçare dhe 3-vjeçare, u bënë  7-vjeçare dhe 4-vjeçare.  U çellën disa shkolla të mesme, me mesim katërjveçar,ndërsa mbështetje dhe kujdes i veçantë iu kushtua Shkollës Normale të Elbasanit, e cila përgatiste mësues të kualifikuar për shkollën shqipe. Nxënësit që kryenin shkollën fillore  7-vjeçare, mund të vazhdonin shkollën e mesme, kurse ata që kryenin shkollën e mesme mund të vazhdonin studimet në universitetet e hueja: Itali, Francë, Austri, Zvicër, Gjermani. Çdo vit shkollor, me shpenzime të shtetit dërgoheshin deri 400 studentë në universitetet jashtë vendit, për profesione të ndryshme: mjekë, inxhinierë, ushtarakë etj. Cilësia e arsimit në Shqipëri kishte fituar asi reputacioni, që nxënësit shqiptarë pranoheshin pa kurrëfar pengesash në universitetet e hueja. Atë nivel të cilësisë arsimi shqip nuk e ka arritë as sot, pas afro njëqint vjetëve.

Reformën e filluar në vitin1929, e vazhdoi Hilë Mosi (mars 1930 – dhjetor 1932), dhe Mirash Ivanaj (janar 1933 – tetor 1935). Me “Reformën Ivanaj”(1933)  arsimi u përqëndrua në duar të shtetit, duke përmirësuar përmbajtjën e programit mësimor dhe cilësinë e mësimit. Me atë reformë, u mbyllën 170 shkolla private të hueja. Tashmë të huajtë mund të hapnin në Shqipëri vetëm shkolla profesionale teknike dhe bujqësore, dhe ato nëse i lejonte ministria, ndërsa  kontrolloheshin nga inspektori i arsimit.

Reforma kishte një plan ambicioz për përfshirjen e të gjithë fëmijëve në sistemin arsimor. Dhe, me qenë se ishte e pamundur çelja e  shkollave në tërë vendin, u krijua një rrjet i  dhjetra shkollave-konvikte, si ato në Kolonjë, Kurvelesh, Vuno, Orosh, Sarandë,etj, në të cilat përfshiheshin fëmijët e zonave të largëta ku nuk kishte shkolla, fëmijët jetimë dhe ata më të varfër.Shpenzimet e tyre i përballonte shteti. Me qenë se Konvikti “Çamëri” kishte kuadrin professional të kualifikuar, kryesisht mësues edhe edukatorë me Normalen e Elbasanit, edhe funksionimi dhe veprimaria e atij Konvikti ishte e dalluar dhe shumë e pëlqyer prej banorëve të Sarandës.

Funksionimi i Konviktit ‘ÇAMËRIA”, në Sarandë

Perla e tashme e turizmit shqiptar, Saranda, deri në vitin 1920 nuk ka qenë as një kasaba, porvetëm një port i vogël,me pak ndërtesa, kryesisht baraka përpunëtorët e portit,si dhe disa që i kishte ndërtuar ushtria italiane gjatë Luftës së Parë Botërore. Rrallë kishte ndonjë shtëpi për të thënë të tregtarëve vendas; qyteza kishte më pak se 30 shtëpi familjare. Shkolla e parë në Sarandë është hapur në vitin shkollor 1919/1920, rreth 20 nxënës të moshes prej 7 deri 12 vjeç, në një klasë, në njërën prej barakave të ndërtuara nga ushtria italiane në vitin 1916-18. Mësuesi i parë ishte Sejfudin Tatëzati.Dalëngadalë shkolla u bë 7-vjeçare.Në vitin shkollor 1927/28, shkolla kishte 150 nxënës dhe gjashtë mësues.

Konvikti si një shtëpi e fëmijëve të varfër në Sarandë, është çelur në vitin shkollor 1928/29, me 40 nxënës-konviktorë. Konviktit iuvu emri simpatik dhe me kuptim patriotik “CAMËRIA”.Në atë Konvikt për 13 vjet me radhë kanë banuar e mësuar shumë nxënës (djemë) të viseve të ndryshme të Shqipërisë, dhe shumë prej tyre ishin nga Çamëria e përtej kufirit, të cilët i dërgonin patriotët çamër, Musa Demi, Qamil Izeti etj.Kishte aty edhe fëmijë të fshatrave grekofone të Shqipërisë.Fëmijët e vendosur në Konvikt mësimet i ndiqnin në shkollën e qytetit, bashkë me nxënësit e tjerë. Çdo vit shkollor rritej numri i konviktorëve, deri sa në vitin e fundit shkollor arriti në rreth 100, ndërsa bashkë me ta shkolla e qytetit kishte mbi 350 nxënës, kurse trupa arsimore deri tetë vetë. Mësuonjësit e shkollës dhe edukatorët e Konviktit ishin kuadro të kualifikuara, shumica me Shkollën Normale të Elbasanit dhe të tjerë me përgatitje të larta shkencore e pedagogjike.Prej vitit shkollor 1928/29, kur është çelur Konvikti “Camëria”,  në Shkollën e Sarandës kanë punuar këta mësuesë: Musa Demi, Qamil Izeti, Hiqmet Roshi,Xhelal Berberi, Safet Gjata,Muhamet e Xhemile Golemi (bashkëshortë), Xhevdet Kofina, Lame Xhama, Sh.Islami, Sherif Bushati, SadiPejani, Shan Zadrima, Mesaret Vlora, Asim Sokoli,Halim Hode. Personeli mësimor ka qenë i përbashkët për shkollën dhe konviktin.Nga radhët e mësuesve të shkollës, emëroheshin drejtorët dhe kujdestarët (edukatorët) e Konviktit. Drejtorë të Konviktit kanë qenë: Pashuk Ndokilia,Hiqmet Roshi, Xhevdet Kofina, Sadi Pejan,ndërsa kujdestarë konvikti: Xhelal Berberi, Spiro Popa, Xhevdet Kofina, Lame Xhama, Muhamet Golemi.

Në shkollë dhe në konviktin “Çamëria” bëhej punë serioze e me përkushtim, kishte rregull dhe disipline, rend e pastërti; vijimi i nxënësve ishte i rregullt. Për kushtet dhe punën e shkollës kujdesej Komisioni arsimor. Komisionet arsimore ishin formuar në secilën bashki të qyteteve. Komisioni arsimor përbëehej nga kryetari i bashkisë (kryetar i komisionit), sekretari i bashkisë (sekretar i komisionit), ndërsa anëtarë të komisionit: drejtori i shkollës, kryeplaku dhe dy prindër të nxënësve, arsimdashës të dalluar.

Nxënësve të Konviktit “Çamëria” u sigurohej falas nga shteti: fjetja, ushqimi, veshmbathja dhe natyrisht mësimi dhe edukimi në shkollë bashkë me fëmijët e qytetit dhe në konvikt, në mënyra dhe kushte të posaçme. Konvikti që zente dy godina, ka pasur kushte dhe standard mjaft të lartë për kohën,orendi të përshtatshme, shtrojë e mbulojë të mjaftueshme, veshmbathje dhe ushqim cilësor për konviktorët. Ushqeheshin tre herë në ditë: mëngjes, drekë e darkë, edhe me ndonjë shtesë të vogël mes këtyre kohëve.

Konvikti pa pasur në pronësi të vetën një radio dhe një aparat kinematografik, ku shfaqeshin filma mësimorë për konkretizimin e mësimeve prej disa lëndëve, si psh.mësim natyre, gjeografi, histori,etj. Kishte instrumente muzikore dhe konviktorët mësonin në to për raste të shfaqjeve që jepte shkolla në qytet e në rrethinë .Konviktorët kishin uniforma që dallonin nga nxënësit e tjerë të qytetit. Secili kishte nga tri lloje kostumash; dy të përditëshme që i ndërronin çdo javë dhe një për raste festash ose aktivitete të veçanta. Të dieleve lejoheshin të dilnin të lirë në qytet, pasiqë paraprakisht iu bëhej një kontrollë mbi rregullin e veshjes,, lustrimit të këpucëve, pstërtisë, krehjes. Me uniformat e dallueshme, kuqezi dhe kapelat me strehë, me sjelljet edukative, kur dilnin të dielave në qytet, me përgjegjës të grupeve, dalloheshin dhe shikoheshin me simpati nga qytetarët.

Shkolla e qytetit dhe Konvikti “Çamëria’,në bashkëpunim me disa intelektualë e talentë të qytetit, nën drejtimin e mësuesve, zhvillonin aktivitete dhe ngjallnin jetën kulturore e sportive të qytetit dhe rrethinës. Ato zhvilloheshin me rastin e festave kombëtare, historike apo fetare.Kanë shfaqur edhe drama e komedi. Maifestim i veçantë kulturor, artistik dhe sportiv  organizohejnë mbarim të vitit shkollor, që konsiderohej si ngjarje e rëndësishme në qytet dhe përcilleshej me shumë simpati nga qytetarët e Sarandës. Gjatë tërë vitit shkollor, mësuesit i evidentonin dhe i përgatitnin nxënësit për aktivitete të ndryshme,sipas afinitetit të tyre, për shfaqjet dhe manifestimet që organizonin.

Disiplina për konviktorët ishte sikur në ushtri.Çdo ditë bëhej gjimnastika e mëngjesit dhe kontrolli i pastërtisë para fillimit të mësimit.Studimi në konvikt ka qenë i obligueshëm nga 4 orë në ditë, në dy faza. Konviktorët ishin të obliguar të mbanin rregull e pastërti edhe të oborrit, ku mbillnin lule dhe pemë frutore e të tjera.Në këtë punë ndihmoheshin edhe nga banorët e qytetit,me farëra e fidane dhe mjete pune.Në oborr kishte çezma për ujitje por edhe për larjen e duarëve, fytyrës e dhëmbëve çdo mëngjes.

Konvikti ‘Çamëria” kapasur edhe personelin shërbyes; kuzhinierin dhe ndihmës-kuzhinierin, pastruese, rrobalarëse,harrnuese të rrobave dhe këpucëtarin.

Konviktorët jetimë, të cilët nuk kishin familje ku t’i kalonin pushimet verore,ato  bënin në mënyrë të organizuar në viset malore, të shumtën në konviktin e Kolonjës,tërë kohën të shoqëruar nga mësuesit-kujdestarë. Për sa kohë të pushimit veror qëndronin në Sarandë, shkonin në plazh, ajo që tash quhet Plazhi i Vjetër, një hapësirë e veçantë e rrethuar me litarë dhe nën vëzhgimin emësuesve.

Kështu, Konvikti “ÇAMëRIA” bashkë me shkollën,deri në mbylljen e tij në vitin 1941, u bënë vatër e mësimit, edukimit, kultures, rendit e disiplinës. Shovinizmin grek e pengonte funksionimi i këtij Konvikti, në të cilin kishte edhe shumë fëmijë nga Çamëria nën Greqinë, prandaj në vitin 1932 bëri përpjekje me preteskte të ndryshe te qeveria shqiptare për ta mbyllë, por falë qëndrimit patriotik të asaj qeverie, e kryesuar nga Pandeli Evangjeli, në të cilën minister i arsimit ishte Hilë Mosi, nuk lejuan të mbyllej Konvikti, por vazhdoi punën deri në vitin 1941.

* * *

Të gjithë mësuesve të shkollës shqipe, të të gjitha niveleve të arsimit, kudo qëpunojnë, ju uroj:

Gëzuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit!

Me pietet e respekt të veçantë i përkujtojmë dhe falënderojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e tjerë të arsimit shqip, të cilët kanë ndërruar jetë, por vepra e tyre do të jetojë e do të na e ndriçojë rrugën përherë!

Adil FETAHU (ish-mësues)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora