Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Astrit Lulushi: Qëllimi i komunistëve dhe i trashëgimtarëve të tyre socialistë

| E merkure, 03.03.2021, 10:00 PM |


Qeveri e mirëqenie

Nga Astrit Lulushi

Qëllimi i komunistëve dhe i trashëgimtarëve të tyre socialistë - siç del nga rekordi i dekadave të kaluara dhe i ditëve të sotme - ishte ta fusnin vendin në një gjendje status-quo korruptive - pashpresë, pa sens moral, ku askush nuk shqetësohet më për drejtësinë ose padrejtësinë e diçkaje - duke zgjeruar rrethin e sundimit në emër të mirëqenies. Kështu, statizmi duhej të vinte, jo me votim, as me dhunë, por me prishje të kujtesës. Dhe për këtë u duhej kohë, të paktën një brez (30 vjet).

Është gabim të mendohet se njerëzit e varfër përfitojnë nga sistemi i mirëqenies. Është mashtrim total. Shumica e mirëqenies shkon tek të pasurit të cilët pasurohen edhe më shumë nën sqetullat e pushtetit. Idea se qeveria ka shërbime ose mallra që mund t’u ofrojë njerëzve është një farsë e plotë. Qeveria nuk ka asgjë. Ajo nuk mund të krijojë asgjë. Ajo kurrë nuk ka pasur. Udhëheqësi del në kufi a aeroport për të pritur një pako me vaksina për pleqtë “e mençur” që Shqipërinë e bënë siç është sot; e shkuara të ruhet dhe e ardhmja (fëmijët, të rinjtë) t’i mbajë ëndrrat pezull. E gjithë ajo që kjo qeveri po bën është vjedhje nga një grup për t’ia dhënë grupit tjetër, duke shkatërruar parimet e lirisë dhe barazisë. Ky koncept (topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë) duhet sfiduar. E vërteta është se, për shumë njerëz që e quajnë veten socialistë, thotë George Orwell, revolucion nuk do të thotë lëvizje e masave me të cilën shpresojnë të shoqërohen; por do të thotë një sërë reformash të cilat ata, “të zgjuarit”, do t’ua imponojnë atyre, “budallenjëve”.