| E hene, 01.03.2021, 07:45 PM |
"LULË VJOSA, ÇKA ËSHTË DONIKA!"
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Populli ynë, përgjatë historisë, ka krijuar shprehje-sintezë, me
pak fjalë, ka thënë shumë. Shprehje të tilla, si lulë x, çka është y! Në rastin
konkret "Lulë Vjosa, çka është Donika", "Mirë se i lindi (Zoti),
por, qysh i bashkoi", - shprehje-sintezë, kur një dyshe, si Vjosa dhe
Donika, ose, Donika e Vjosa, duke respektuar edhe moshën, tashmë, të bashkuara,
për qëllime bazike të Kosovës, fort të përtokur, nga bijtë e saj bastardë.
Ndodhë rrallë, që dy veprimtare të dëshmuara, në parimet politike,
të bashkohen për një qëllim madhor, siç është çkapja e shtetit, nga ngulfatja
që i ka bërë LPK-ja, me "komandantët" e saj, tashmë, e konvertuar dhe
e bashkuar në aleancën PAN-iste. Si dhe çkapjen e LDK-së, nga kapja, ingranazhi
shantazhues i bandave të bashkuara në PAN.
Vjosë Osmani, në kulmin e veprimtarisë, në LDK-në e saj, brenda së
cilës u rritë dhe u madhua, deri në pozitën e Nënkryetarës të LDK-së. Frika e
konkurrencës të saj, e tmerroi lidershipin partiak, i cili provokoi
anëtarësinë, me koalicionin me PAN-in, të cilin populli e refuzoi. Tashmë,
"pilafi nuk mbante ujë". Vjosa u rebelua dhe goditja, hiç e merituar,
pasoi!
Përgjatë afro dy dekadave veprimtari, Vjosë Osmani ishte
dinjitare, në të gjitha detyrat zyrtare e partiake. Në 10-vjeçarin e fundit,
reagoi dhe kundërshtoi, me fjalë e votë, kundër lidershipit të LDK-së. Ky
lidership, i shantazhuar, i tmerruar, i frikësuar nga PDK-ja dhe SHIK-u i saj,
anashkaloi, qëllimshëm e shpengueshëm, frymën e rugoviane, shpërfilli
anëtarësinë dhe strukturat e partisë.
Vjosa ishte konsistente, qendresëtare në mbrojtjen e parimeve.
Ajo mbrojti të gjitha vendimet e strukturave të LDK-së, të marrura
legalisht. Por, kurrë të atyre vendimeve që lidershipi-klan, i mori ilegalisht
dhe në mënyrë banditeske. Akuza supër-cinike, për Vjosën, se, gjoja, i shkeli
vendimet e partisë, është rrenë e kulluar.
Ky cinizëm ngjason, si dy pika uji, me akuzën montazhë, për
zgjedhjet e Kuvendit të 8-të të Degës të LDK-së, në Gjermani dhe Zvicër, maj
2015, se, gjoja, nuk kanë qenë të rregullta, duke ua mbyllur derën e Kuvendit
të 8 (tetë) delegatëve të ligjshëm. Ndërkohë që ishte e kundërta. Sepse ne
kishim zbatuar të gjitha kriteret, përfshirë debatin parazgjedhor, konkurrencën
e ndershme dhe votimin e fshehtë demokratik.
Ndërsa, në Kosovë u shpërfillën të gjitha këto kritere!!! Për të
gjitha këto pisllëqe, të lidershipit të LDK-së, heshtën të gjitha strukturat e
partisë, anëtarësia. Por, nuk heshti rugovistja Vjosë Osmani. Dhe mirë bëri.
Denoncoi paligjshmërinë e lidershipit të LDK-së dhe të strukturave të saj, duke
kundërshtuar, fuqishëm, marrëveshjet e pista e konspirative, të dëmshme për
partinë dhe Kosovën.
Donikë Gërvalla - veprimtarja më e shquar për çështjen e Kosovës
Donikë Gërvalla, edhe pse që nga mosha 10-vjeçare, u rritë pa
baba, por, nën përkujdesjen e një nëne të përkushtuar, trashëgoi shumë nga ati,
Jusuf Gërvalla, Hero i Kosovës. U shkollua në Tiranë dhe Hamburg, mbaroi dy
fakultete. Studentja e dhjetorit 1990, në Universitetin e Tiranës, hyri
në grevën e urisë anti-komunste, së bashku, me studentët shqiptarë. Fitorja e
demokracisë, ia lehtësoi, në një masë, plagën e përjetshme shpirtërore, për të
Atin, me ngushëllimin se për liri dhe demokraci, ia vlen edhe sakrifica deri në
flijim.
Në vitin 1992, studente në Universitetin e Hamburgut, vazhdon
aktivitetin në LDK-e, Dega në Gjermani. Pastaj, zgjidhet nënkryetare e partisë.
Tashmë, familjare, me djalin Redonin, të rehatuar në një krojshe, përshkonte
qytetët e Evropës, në takimet e shpeshta të mërgimtarëve, gjithnjë, në shërbim
të Atdheut të pushtuar.
Përgjatë luftës të Kosovës, u bë yll politik i televizioneve të
Evropës, në përballje me ministra, kryeministra, gjeneralë serbo-sllavë,
ballkanas dhe evropianë, të cilët ende vazhdonin me iluzionet e Jugosllavisë së
Titos. Në të gjitha përballjet politike, falë trashëgimisë të gojëtarisë të
gjyshës Ajshe dhe përgaditjes supreme intelektuale, që ka Donikë Gërvalla,
dilte fitimtare, gjithnjë, logjikshëm e faktueshëm.
Në maj të vitit 2015, në një Kuvend Zgjedhor të Degës të LDK-së,
në Gjermani, me debat, konkurrencë dhe votim të fshehtë demokratik, u zgjodhë
kryetare e Degës. Kuvendi zgjodhi edhe 9 (nëntë) delegatë, për në Kuvendin e
8-të të LDK-së në Prishtinë. Në udhëtim e sipër për Atdhe, sekretari i LDK-së,
kërkoi dokumente shtesë, nga zgjedhjet në Gjermani. Falë komunikimit digjital,
kërkesat u plotësuan.
Për dorëzimin e dokumentacionit plotësues, caktuam datën dhe orën,
në selinë e LDK-së. Ne, delegatët e shoqëruam kryetaren Donikë, por, nuk na
priti as sekretari dhe askush nga Kryesia. Sipas tyre, "jemi të
zënë!" Atëherë, kryetarja Gërvalla e kopjoi dokumentacionin, në 23 kopje dhe
ua dërgoi, në zarf të madh, të 23 anëtarëve të Kryesisë,veç e veç! Edhe pse
kishim bërë 2.000 km. udhëtim, askush nuk na "rrasi!" Mujëshia dhe
rrugaçëria nuk kanë brirë!
25 maj 2015. Në orën e caktuar, ne, delegatët nga Gjermania dhe
Zvicra u ndodhëm ke hyrja e Hotel "Emerald", ku do të mbahej Kuvendi.
Por, na ndaluan hyrjen. Justifikimi: Dy SMS telefonike, të bëra nga një
kandidat për kryetar, humbës, dhe një "anëtar" i LDK-së, i cili për 4
vjet nuk kishte marrë pjesë në asnjë aktivitet të LDK-së, madje, as atë ditë
nuk ishte i pranishëm, se "në Gjermani nuk janë bërë zgjedhje të
rregullta!" Kjo shpifje monstrume mjaftoi, të na mbyllnin derën 9
delegatëve, 6 prej tyre kishin prindër, vëllezër, nipa të vrarë nga dora e zezë
e LPK-së, alias PAN-i i sotëm, me SHIK-un e tyre.
Një vit më vonë, kryetarës Donikë Gërvallës i dorëzohet një
material pune për Konventën e LDK-së. Por, largohet, duke e tërhequr zvarrë në
hollin e sallës të Konventës. Lidershipi-klan i LDK-së, nuk mund ta duronte
praninë e Donikë Gërvallës në sallë, sepse ajo nuk ishte gadi t`i duronte mëtej
përrallat e Isa Mustafës. Ajo edhe dy vetë me qenë, i futë në votën e fshehtë
demokratike dhe këtu Isa "bie në kokërr shpine!"
Donika dhe Vjosa - luftëtare reformatore
Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani, është binomi më unik, më i
veçantë, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Shqiptarinë. Bijat krenare të
Kosovës, Donika dhe Vjosa, janë vetja e tyre, me integritetin dhe
personalitetin suprem, që e kanë fituar me punë e dije, në mbrojtje të parimeve
demokratike, universale.
Në përballjen me lidershipin dhe strukturat e kompromentuara të
LDK-së, ato, së bashku, Vjosa dhe Donika, i lakuriqësuan, madje, deri në brekë,
tlina të shkurtëra, kundërshtarët e tyre. Denoncuan dhe dëshmuan se
lidershipi-klan, Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm dhe shumica e Kuvendit, janë
të paligjshëm. Ata janë vetemëruar dhe emëruar, duke u votuar me aklamacion, pa
u provuar me votën e fshehtë demokratike.
Rrjedhimisht, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, denoncuan
falsitetin e lidershipit të subjekteve politike, të cilët janë, tërësisht, të
paligjshëm dhe buroke boshe. Po të ishin zbatuar tri parimet bazë të
demokracisë:
1) Debati i shpenguar demokratik brenda-partiak;
2) Konkurrenca zgjedhore e ndershme, me më shumë se një kandidatë;
3) Votimi i fshehtë demokratik, për të gjitha strukturat e
partisë,
asnjëri nga kryetarët fodullë e kriminelë, përfshi edhe ata në
Hagë, nuk kishin mundur të mbijetonin më shumë se sa një mandat në krye të
partisë. Dhe, lëre më në dekada. Denoncimi i paligjshmërisë të lidershipit
klanor dhe të strukturave të LDK-së, është mesazh i qartë, edhe për horrakët
tjerë, në partitë politike të Kosovës, të cilët, në mënyrën më cinike, tallin
koçët me anëtarësinë, elektoratin dhe popullin e Kosovës. "Daullja bie për
ata që kanë veshë!" Mos prisni të bëheni "përrallë me tupan",
siç u bë LDK-ja e Isa Mustafës.
Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, realizuan njërin nga qëllimet e
tyre: Çkapjen e LDK-së nga shantazhi kriminal i PAN-it. Klani i stazhionuar i
ish-kryetarit Isa Mustafa me familjet e tyre, duhet ta festojnë çkapjen nga
ingranazhi shantazhues, kthetrat e PAN-it dhe SHIK-ut të tij supër-kriminal.
Sepse shantazhi dhe haraçi janë dy krimet më të rënda, të partive-banda të
PAN-it, që kanë maltretuar popullin e Kosovës, për dy dekada radhazi. Ata me
familje, por, edhe anëtarësia e LDK-së, duhet të jenë shumë mirënjohës, Vjosë
Osmanit dhe Donikë Gërvallës, për luftën e tyre, në liberalizimin, emancipimin
dhe demokracinë e brendshme partiake.
LDK-ja dhe subjektet politike të Kosovës, duhet të japin të gjithë
mbështetjen, Vjosë Osmanit, Donikë Gërvallës, pra, Listës "GUXO" dhe
Albin Kurtit, LVV, me slloganin, paksa të frikshëm, "KREJT DHE
DREJT", për realizimin e qëllimit të dytë, - Çkapjen e Shtetit -. Këtë ia
keni borxh popullit të Kosovës dhe Shqiptarisë mbarë. Prova e parë është:
Votimi pa kushte i Presidentës Vjosë Osmani - meritore e denjë, për ta
përfaqësuar Shtetin e Kosovës, me, të paktën, 250 mijë votat e fituara, deri më
tani, duke pritur votat shtesë të Mërgatës.
"Kijau inat, por, jepjau hakun",- siç thotë populli, dy
princeshave reformatore të Kosovës, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmanit!