E enjte, 28.03.2024, 10:56 AM (GMT)

Mendime

Gjokë Dabaj: Koha për një kuvend të ri kombëtar

E diele, 28.02.2021, 08:25 AM


KOHA PËR NJË KUVEND TË RI KOMBËTAR, ORGANIZUAR PREJ TË PASURVET TANË

Nga Gjokë Dabaj - Kryetar i Institucionit Kulturor Kombëtar “Përkujdesja Gjithshqiptare”

Të gjithë kuvendet e rëndësishëm të kombit arbëror e shqiptar i kanë organizuar e udhëhequr të pasurit e këtij kombi, në bashkëveprim me inteligjencën dhe me popullin e vet. Sa herë janë bashkuar atdhedashuria, pasuria dhe dituria, kombi ynë ka dalë fitues.

Kuvendin e Lezhës, më 1444, e organizuan feudalët liridashës të asaj kohe... dhe bënë histori! Hynë lavdishëm në historinë e këtij kombi. Më 1601-1602 u mbajt në Mat Kuvendi i Dukagjinit, në qershor 1878 u mbajt Kuvendi Kombëtar i Prizrenit, në nëntor 1878, nën kryesinë e Iljaz Pashës, u mbajt Kuvendi i Dibrës; në qershor 1880 u mbajt Kuvendi i Dytë i Frashërit, në korrik 1880, Kuvendi i Gjirokastrës e në janar 1899, Kuvendi i Pejës, organizuar e udhëhequr nga Haxhi Zeka. Kuvendi i Junikut u mbajt nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës e Bajram Currit. Më 28 nëntor 1912 filloi punimet Kuvendi Kombëtar i Vlorës, nën drejtimin e Ismail Qemalit, i cili e shpalli Shqipërinë të lirë e të mosvarme.

E përsëris edhe njëherë: Të gjithë këta kuvende janë vepër e arbërvet e në vazhdim e shqiptarëvet të pasur. Organizuesit e të gjithë këtyre kuvendeve, me rëndësi jetike për kombin tonë, kanë qenë të pasurit tanë, të përkrahur, deri në sakrificën më sublime, prej të gjitha shtresave të kombit tonë, brenda dhe jashtë atdheut.

Sigurisht, nuk mjaftonte që ata dalëzotës të kombit tonë të ishin të pasur, por duhej të ishin edhe të ditur dhe sidomos të lidhur shpirtërisht me mëmëdheun. Kështu, Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka qenë një ndër njerëzit më të ditur të kohës, një rilindës evropian i kompletuar me të gjitha njohuritë e epokës së vet, Renesansës Evropiane. Në kohën e Rilindjes Kombëtare shqiptare (një epokë tjetër kjo e të rilindurit), Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, ishin gjithashtu njerëz shumë të ditur dhe i kishin në krah Sami Frashërin, Pashko Vasën, Naim Frashërin, dom Nikollë Kaçrrin, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën. Por as organizuesvet të tjerë të kuvendevet që i përmenda, si Sylejman Vokshit apo Isë Boletinit e Dedë Gjo Lulit, nuk u kanë munguar as dituritë, as virtytet. Prandaj dhe u gjendën në krye të kombit, kur i kërkoi historia.

As në kohën e sotme nuk është e thënë që secili shqiptar i pasur të jetë i kompletuar me erudicionin, me gjithëdijen, e cila është e domosdoshme për ta kuptuar kohën në të cilën jetojmë. Por kombi shqiptar i kohës sonë ka një inteligjencë, një armatë intelektualësh, numerikisht më të madhe se kurdoherë më parë. Kështu që të pasurit e kohës soë, edhe në mos e paçin erudicionin e nevojshëm, sepse ashtu i nxorri koha, kanë mundësi njerëz të ditur aq sa asnjërin prej tyre të mos e lënë për të humbur në rrugë të gabuara.

Pra, janë kushtet që klasa jonë e kapitalistëvet të rinj, së bashku me shtresën jo të pakët të inteligjencës sonë, të kryejë, edhe kjo, si paraardhësit tanë, vepra të mëdha në të mirë të kombit. Kur bashkohen pasuria me diturinë, bëhen mrekullira!

Është koha, madje jemi të vonuar, kur, para kombit tonë duhet të shtrohen për t’u zgjidhur një varg problemesh nga më madhorët. Të mblidhen të pasurit tanë, bashkë me intelektualët, dhe të rrahin mendimet, jo në mënyrë meskine, por me zemër të hapur dhe me synimin për ta nxjerrë kombin nga kolapsi. Për t’ia hequr, me vendosmëri, epitetin që i është vënë edhe për fajin tonë, si kombi më i prapambetur në Evropë!

1.Duhet në radhë të parë të sqarojmë ç’quajmë dhe ç’duhet të quajmë Shqipëri! Këtu jemi për faqe të zezë dhe këtu fajin e kemi ne inteligjenca shqiptare!

2.Ç’duhet të bëhet, që hapësirat shqiptare të mos boshatisen kaq tragjikisht prej shqiptarësh?! Ç’masa duhen marrë, jo me fjalë, jo me agjitacion, por me programe konkretë, që zonat tona rurale, bartëse dhe ruajtëse shekullore të identitetit tonë, të ripopullohen?! Ç’duhet bërë konkretisht, me mënyra efikase e jo vetëm me fjalë, që në qytetet tanë, të mos predominojnë pleqtë, por të lindin e të rriten fëmijë, jo duke dëshiruar për të ikur këndej sa më parë, por duke dëshiruar që jetën ta kalojnë në vendin e vet, ndërsa botën ta njohin, jo duke ikur nga atdheu, por duke shëtitur herë në njërin, herë në tjetrin kontinent dhe duke u kthyer sërish këtu te rrënjët e gjyshërvet.

3.Është hedhur ideja për bashkimin në një shtet të vetëm të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Sërbia është hedhur përpjetë dhe ka vënë “veton” e saj. Ka thënë që kurrë nuk do ta lejojë një bashkim të tillë. Kush vendos këtu për fatin e shqiptarëvet?! Sërbët apo shqiptarët?!

4.Sërbia po përpiqet t’ia zhvatë Republikës së Kosovës edhe një copë tjetër të tokës shqiptare, Leposaviqin, Zubin Potokun, Zveçanin. Ky problem, a është vetëm i shqiptarëvet të Kosovës, apo është problem i të gjithë shqiptarëvet?! A kanë të drejtë shqiptarët e Republikës së Kosovës të vendosin për fatin qoftë edhe të një cope të vogël të tokës shqiptare, pa pyetur Tiranën, Tetovën, Shkodrën, Korçën?!

5.Qeveria e Republikës së Greqisë po bën negociata me qeverinë e Republikës së Shqipërisë lidhur me kufijtë e detit. A ka të drejtë qeveria e Republikës së Shqipërisë të vendosë për kufijtë e detit, pa pyetur Republikën e Kosovës dhe shqiptarët e Republikës së Maqedonisë Veriore? Çështja e kufirit detar midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, po thonë, i është dërguar për gjykim Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Por Gjykata e Hagës, në këtë rast, a do ta trajtojë problemin si kontest midis shtetevet apo do ta trajtojë problemin si kontest midis dy kombeve? Shqiptarët e Ulqinit, për shembull, apo shqiptarët e Kumanovës, a duhet dhe a mund të rrinë indiferentë ndaj mënyrës se po vendoset kufiri detar midis këtyre dy shteteve?!

6.Gjendja e shqiptarëvet në Luginën e Preshevës është në përkeqësim të vazhdueshëm, me synimin për të ndodhur edhe këtu siç ka ndodhur në Vranjë, në Leskovc, në Toplicë, apo në Sanxhak. Do të ishte e pafalshme për kombin tonë, që ta lejojë sërbizimin edhe të kësaj pjese të Shqipërisë Verilindore.

7.Gjendja e shqiptarëvet në Plavë, në Podgoricë dhe në Tivar është aq e panatyrshme, aq e rëndë, sa shteti malazias, sado që konsiderohet shtet mik i dy shtetevet shqiptarë, po i tjetërson ata, duke i shndërruar në një masë amorfe, ku, sidomos të rinjtë mos të dinë tashmë as çka janë dhe as ç’kanë qenë të parët e tyre.

8.Shqiptarët ortodoksë të gjysmës së Shqipërisë Jugore, që Fuqitë e Mëdha të shekullit XX ia kanë dhuruar shtetit grek, i janë nënshtruar dhe po vazhdojnë t’i nënshtrohen greqizimit, sado që Republika e Greqisë është prrej kohësh anëtare e Bashkimit Evropian. Në atë pjesë të Shqipërisë Jugore nuk ka as shkollim në gjuhën shqipe dhe as kishë ortodokse shqiptare.

9.Në Republikën e Turqisë jetojnë si imigrantë disa miliona shqiptarë, të cilët nuk regjistrohen si shqiptarë dhe nuk kanë shkollim në gjuhën shqipe. Sigurisht, edhe sikur gjysma e Republikës së Turqisë të flasë shqip dhe të shkollohet në gjuhën e vet, Republikës së Turqisë nuk do t’i rrezikohej kurrë tërësia tokësore. Përkundrazi, duke u dhënë shqiptarëvet të drejtat e kultivimit të kulturës kombëtare, shteti turk do të bëhej edhe më i fuqishëm. Do të bëhej më i fuqishëm, sepse shqiptarët e atij shteti do të ndjeheshin të vlerësuar dhe të respektuar, si pasojë, edhe borxhli ndaj atij shteti.

10.Në Republikën e Greqisë, jashtë pjesës shqiptare për të cilën fola, jeton një numër i madh arvanitasish dhe imigrantësh shqiptarë të kohëvet të fundit. Të drejtat e atyre dy komuiteteve, arvanitas dhe shqiptarë që jetojnë në shtetin grek, janë një problem i madh, i cili, nëse mbetet pa u shtruar për diskutim, në të ardhshmen do të mund të shndërrohet në një ngërç liftëshkaktues midis kombit shqiptar dhe kombit grek. Është problem, i cili duhet të diskutohet në radhë të parë brenda kombit shqiptar dhe pastaj të bisedohet edhe me grekët. Sa nuk është vonë! Sepse, përfytyroni një konflikt të armatosur, ku gjysmën e ushtrisë greke do ta përbënin shqiptarët dhe arvanitasit. Në një të tillë luftë shqiptarët do të vriteshin njëri me tjetrin! Ashtu si edhe në një luftë midis Greqisë dhe Turqisë!

11.Grekët, në mënyrë të organizuar, kishërisht edhe shtetërisht, po i shtrijnë duart edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë Jugore: në Himarë, në Gjirokastër, në Përmet, në Këlcyrë, në Korçë. Ky është një rrëzik që vjen prej kokash të nxehta shoviniste greke. Jo prej patriotësh grekë! Një palë varre që i kanë vendosur mu në Grykën e Këlcyrës, sot po e shëmtojnë atë Grykë dhe po e bëjnë të pakëndshme për t’u vizituar. Por nesër, sipas planevet të shovinizmit grek, ato varreza do të jenë një kazus beli (casus belli), një sebep lufte midis dy kombeve. Në raste të tillë, duke ditur që edhe Sërbinë e kemi në Veri, nuk mund të pritet tjetër, veçse shkatërrim ose shuarje totale e kombit shqiptar dhe kjo, vetëkuptohet që do të ishte fatale edhe për klasën e të pasurvet shqiptarë. Edhe ajo do të shuhej me gjithë pasuritë e veta.

12.Diaspora shqiptare, bashkë me atë në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Greqisë, që i përmenda më parë, është shumë e madhe. Në të gjithë shtetet e botës ka shqiptarë. Në disa shtete të botës ka aq shumë shqiptarë, sa ata janë tashmë faktor i rëndësishëm në ata shtete. Është mëkat, madje është më shumë se mëkat për klasën e të pasurvet shqiptarë, t’i lëmë pa trajtuar në mënyrë të organizuar problemet që ka kjo diasporë kaq e madhe dhe kaq e rëndësishme për ne!

13.Disa dukuri që janë të të gjithë botës, por prej të cilavet prekemi rëndë edhe ne si komb, janë: trafikimi i fëmijëvet, prostitucioni (skllavërimi, keqpërdorimi dhe poshtërimi i femrës), përdirmi i drogës, bixhozi dhe të gjitha të quajturat lojëra të fatit, kultivimi dhe trafikimi i drogës, trafikimi i emigrantëvet, falsifikimet e gjithfarëllojshëm të dokumentevet, tregtimi i ilaçevet të skaduar apo të dëmshëm, prodhimi dhe tregtimi i mallravet ushqimorë OMGJ. Të gjitha këto janë dukri të krejt botës së sotme, por kjo nuk do të thotë që ne, si komb shqiptar, të mos i trajtojmë këta probleme në mënyrë kombëtarisht të organizuar. Aq më tepër, kur, në shumë raste, Shqipëria dhe shqiptarët trajtohen në sy të kombevet të tjerë si “dele e zezë”. Ne nuk jemi “dele e zezë”! Asnjë nga këto dukuri nuk e ka burimin a zanafillën në kombin tonë.

Ka edhe çështje të tjera, të cilat kombi shqiptar, në kohën e sotme, duhet t’i shtrojë për diskutim dhe të cilavet duhet t’u hapë rrugëzgjidhje. Përgjegjësja kryesore e keqvajtjes ose e kthesës për mirë, pra e gjetjes së rrugëzgjidhjevet të këtyre problemeve, është, pa dyshim, klasa e të pasurvet shquiptarë. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëvet, por, në shoqërinë kapitaliste, udhëheqës nuk janë as punëtorët, as fshatarët dhe as intelektualët. Fatet e kombit i kanë në dorë klasat e të pasurvet: biznesmenët, tregtarët, kompanitë e ndërtimevet, fabrikantët, pronarët dhe shfrytëzuesit e minieravet. Këtë duhet ta kuptojnë shqiptarët njëherë e mirë për kohën në të cilën jetojmë. Nuk mbahet kombi me një Marin Mema, apo me një Engjëll Ndocaj. Duhet organizim madhor!

Ka me dhjetëra shoqata të gjithfarë synimeve e profileve, ka me dhjetëra edhe shoqata patriotike, sidomos në diasporë, por askund nuk ka deri më sot një organizatë kombëtare të të pasurvet shqiptarë.

Ka shoqatë pensionistësh, ka shoqata shkrimtarësh dhe artistësh, ka grupe folklori të mrekullueshëm, ka shoqata juristësh, shoqata mjekësh.

Ka grupime fetarësh, që nga klerikët katolikë apo ortodoksë, deri te sektet e ndryshëm të ungjillorëvet apo bektashinjvet e madje edhe grupe ekstremistësh islamikë.

Sërbia u jep rroga mujore atyre sërbëve që pranojnë të jetojnë midis shqiptarëvet. Greqia u jep rroga mujore atyre shqiptarëve që pranojnë të regjistrohen si grekë dhe të jetojnë këtu, brenda shtetit shqiptar, ku ata i kanë synimet e vet të zgjerimit.

Shoqata sërbësh, shoqata malazezësh, shoqata bullgarësh, shoqata maqedonësh, shoqata arumunësh, shoqata egjiptjanësh.

Unë nuk po dua të kaloj në grotesk, por nuk është e mundur të mos përmenden edhe shoqata të atilla si ato të homoseksualëvet, të sakatëvet e të të verbërvet, të handikapëvet.

Ka në Shqipëri edhe organizata për mbrojtjen e shpendëvet, ujqërvet, arinjvet, dhelpravet e deri te shoqatat për mbrojtjen e qenvet rrugeçër.

Ndërkohë, pasanikëvet tanë, biznesmenëvet tanë, milionerëvet tanë, nuk u ka shkuar mendja që të krijojnë një organizëm për mbrojtjen e kombit shqiptar! Si është e mundur?!

Nuk po zgjatem më tutje! Është koha që të pasurit tanë, me mënyrën tonë tradicionale, duke marrë shembull te Kuvendi i Lezhës i vitit 1444, te Kuvendi i Prizrenit i vitit 1878 dhe te Kuvendi i Vlorës i vitit 1912, të marrin përsipër, sigurisht në rrethana të reja historike, që t‘i dalin zot kombit të vet.

Shqiptarët e dinë që midis të pasurvet ka egoistë që mendojnë vetëm për vete dhe nuk u bëhet vonë as për gruan e vet, fëmijët e vet dhe nipërit e vet. Shqiptarët e dinë që është vështirë të bëhen në një mendje milionerët shqiptarë, sepse një pjesë e tyre janë të paformuar kombëtarisht. Shqiptarët, gjithashtu, e dinë që dikush prej milionerëvet tanë, ashtu si edhe ndonjë politikan, mund të jetë edhe dorë e huaj, i cili ekziston këtu vetëm për t’u prishur punë shqiptarëvet.

Por askush nuk ka të drejtë të bëjë vlerësime apo etiketime para kohe. Të gjitha i vërteton vetë jeta.

Kush prej të pasurvet tanë do të marrë pjesë, me të gjithë potencialin e vet financiar, në krijimin e një organizmi gjithkombëtar? Një Behxhet Pacolli, një Kadri Morina, një Kastrati Grup, një Këlmendi, një Mark Gjoni, një Salillari, një Shega, një Zamir Mane dhe nja 200 apo 500 të tjerë?! Kush prej politikanëvet tanë do të bëhet nismëtar, duke shkuar në rrugën e Abdyl Frashërit e Hasan Prishtinës? Një Albin Kurti, një Ed Rama, një Ilir Meta dhe nja 50 a 100 të tjerë?! (i rendita sipas alfabetit.)

Për shqiptarët nuk ka aspak rëndësi kush prej këtyre merr flamurin e dalëzotësit të këtij kombi. Për shqiptarët ka rëndësi kush e kryen punën ashtu si duhet.

26-29 janar 2021            Gjokë Dabaj



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora