| E shtune, 27.02.2021, 08:36 PM |
Takimi im i parë me bacë Adem Demaçin
Nga
Fazli Maloku
Qershori
i vitit 1990. Bacë Ademi ishte liriuar nga burgu i tretë! Ende pa dalur nga
burgu, ishte përhapur lajmi se "Adem Demaçi është vërbuar totalisht".
Lajm i trishtuar për të gjithë shqiptarët. Nisur nga ky informacion si duket
pjellë e UDB-së, edhe poeti i mirënjohur shqiptar, z. Adem Istrefi, ia kushtoi
një poezi Bacës për humbjen e të pamurit, e cila poezi me fortësinë e saj, me
dhëmbjen e krenarinë për Bacën, kur e transmetonte Radio Kukësi, të rrënqethej
i gjithë trupi dhe vështirë ishte të mos rrjedhi loti. Në këtë kohë punoja
mësues në fshatin Poturovc të Lipjanit me klasën e tretë të shkollës fillore
tetëvjeçare. Nxënësit i kisha njoftuar për ardhjen e Bacës si dhe pak nga
historia e këtij vigani të çeshtjes kombëtare shqiptare. Vendosëm që s'bashku
me kryesinë e klasës-tre veta ti bëjmë një vizitë Bacës në Prishtinë. Kisha
informata se Baca banonte tek shtëpia e motrës së tij, e cila ndodhej në afërsi
të Parkut të Qytetit, por bëhej kolonë e gjatë e qytetarëve për ta vizituar dhe
duhej pritur me orë të tëra. Kryetarje e klasës, Fitore Ahmeti, e fshatit
Torinë jo vetëm që ishte nxënëse e shkëlqyer, por edhe recitatore shembullore.
I dhash për detyrë t'i mësoi dy vjersha paralel, vjershën e poetit Adem
Istrefi, për Bacën e vërbuar si dhe vjershën për Ylfete Humollin, e vrarë nga
forcat pushtuese serbo-jugosllave, jershë shumë e fuqishme me të cilën dënohej
veprimi kriminel i pushtuesit katil serbo-jugosllav, i cili nuk kursente të
vriste edhe fëmijë, si në rastin e Ylfetës. Vjersha për Ylfetën e kishte
shkruar poeti, Ali Podrimja. Kur, kjo i zotëroi që të dyjat, e kshillova. Nesër
kur të hyjmë tek Bacë Adem Demaçi, ti do të vendosësh se cilën poezi ta
recitosh. Nëse, Baca nuk është vërbuar, ti do të recitosh poezinë për Ylfetën,
nëse Baca vërtetë është vërbuar, do të recitosh poezinë për Bacën. Po ashtu
blemë edhe romanin "Beni Ecën Vetë", në të cilin u nënshkruam gjithë
klasa, 28 veta, që në emër të klasës ti dhurohet Bacës.
Në
radhët e gjata, pritëm jo më pak se dy orë, në një ditë me vapë vere. Na erdhi
radha dhe u futëm në dhomën ku do ta takonim Bacën. Dhoma ishte rreth 16 metra
katrore. Një shtëpi e thjeshtë e papërfunduar. Nuk vonoi dhe u hap dera e
dhomës. Baca, krahpërkrah me motrën e tij, hyren brenda përplot dashuri e
krenari, duke u ulur në një shtrat përballë nesh. Baca na përshëndeti me
dashamirësi dhe filloi të flas për gjendjen e Kosovës. Numri i qytetarëve në
dhomë i kalonte disa përmasat e dhomës. Baca kishte vu rregull. Me çdo grup
qëndronte vetëm 15min. dhe kalonte në dhomën tjetër me të njejtën madhësi tek
grupi tjetër që e priste. Nga shikimi, erdha në përfundim se Bacës iu kishte
dobësuar shumë të pamurit, për 28 vite burg në çelitë famëkeqe jugosllave, por
megjithate shihte. Në këtë atmosferë të papërshkrueshme përplot emocione, unë i
dhash shenjë Fitorës të ngritet e ti kërkoi leje Bacës për recitimin e
vjershës, të përgatitur për te. Baca i vegjëlisë, e ftoi Fitoren ti afrohej dhe
i dha leje për recitimin e vjershës. Fitorja si një aktore e ërtetë, recitoi
vjershën për Ylfetën. Po ashtu në emër të klasës i dorëzoi edhe romanin. Baca e
përqafonte si vsjzën e tij duke e falënderuar për recitimin dhe për dhuratën.
Erdhi 15 minutshi dhe Baca u ngrit, duke na përshëndetur. Kaloi në dhomën
tjetër ku e prisnin qytetarët. Gjatë fjalës së tij, Baca, në formë shakaje e
tha edhe një të vërtetë. "Unë jam shumë i lodhur, ju e keni parasysh nga
kam ardhur. Nëse ju vazhdoni të më bëni një presion të tillë edhe më tutje, mua
nuk më mbetët tjetër vetëm të kthehem atje ku kam qenë."Kështu mbaroi
vizita tek Bacë Adem Demaçi, simboli i rrezistencës shqiptare. Udhërrëfyesit
dhe drejtuesit për lirinë.
Ky
ishte takimi im i parë me Bacë Ademin e vegjëlisë, tridhjetë vite më parë.
Kujtim që nuk vyshket kurrë dhe qëndron gjithmonë i freskët.
Lavdi,
për jetë e mot, jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit!
Fazli Maloku, Prishtinë, 27 shkurt 2021