E enjte, 25.04.2024, 08:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Borziloku

E enjte, 25.02.2021, 09:54 PM


BORZILOKU

NGA PIERRE-PANDELI SIMSIA

Borziloku, kjo bimë gjelbëroshe barishtore aromëmirë është mjaft e përhapur e kultivuar në pothuajse çdo familje, jo vetëm si bimë zbukurimi, por edhe në guzhinë në gatimet e gjellrave të ndryshme, sidomos në përgatitjen e salcës për makaronat, por edhe si bimë mjekësore për të prodhuar ilaçe të ndryshme për shëndetin e njeriut.

Kujtimet e mija për atë bimë aromatike më çojnë shumë larg, si në kohë dhe në vend; në kohën e largët të fëmijërisë sime dhe në vendlindjen time në Berat.

Udhëve të kalldrëmta shihje burra babaxhanë, babaxhanë, fjalë kjo e përdorur për njerëzit fisnikë, në xhepin e xhaketës së tyre, kishin të vendosur një tufë të vogël borziloku, por, kishte edhe nga ata burra fisnikë që tufën e vogël me borzilok e vinin edhe sipër veshit dhe, kur përshëndeteshin me ndonjë fqinjë, shkëpusnin një degë të vogël borziloku nga xhepi i xhaketës dhe ua dhuronin.

Hë, të dashur lexues, a nuk ishte edhe ai xhest një veprim fisnik në marëdhëniet e shkëlqyera ndërfqinjësore?

Meqenëse jam lindur dhe rritur në shtëpi private, shtëpi qindravjeçare ku janë lindur dhe rritur breza të tërë të fisit tim të nderuar, shtëpi ekzistuese edhe sot, trashëgim nga të parët e fisit tim, e kujoj shpesh atë kohë të largët të fëmijërisë sime, njerëzit e dashur të familjes, gjyshen, prindërit që nuk jetojnë..., kujtoj avllinë, shkallët e gjëra që fillonin nga porta kryesore e shtëpisë në rrugicën e kalldrëmtë dhe vazhdonin deri në avllinë e shtëpisë dhe pastaj dy shkallë në formë gjysëmrrethi vazhdonin shkallët deri në katin e dytë të asaj shtëpie kaq shumë e dashur, shtëpia jonë e ëmbla shtëpi.

Ajo avlli' e pastër, murret që shkëlqenin nga bardhësia e gëlqeres, ato shkallë, parvazet e dritareve, si të gjitha shtëpitë e tjera, ishte e mbushur me vazo me shumllojshmërinë e luleve shumëngjyrëshe aromëmirë dhe, midis atyre luleve, jeshilonte edhe bima borzilok me lulet e saja të vogla të bardha, rozë, aromëmirë, e vendosur me kujdes nga gjyshet, mamatë tona në vazot përkatëse të luleve.

"Është koha të mbjellim borzilokun..." - dëgjonim gjyshet, mamatë tona... dhe ne, fëmijët kurreshtarë qendronim pranë tyre të shikonim si do mbillej borziloku, ajo bimë njëvjeçare aq e dashur nga të gjithë.

Në një vazo, gratë e shtëpisë e mbushnin me dhe të butë dhe sipër saj, lëshonin farat e vogla të borzilokut për t'i mbuluar më pas me pak dhe' të butë dhe një vaditje të lehtë. Por edhe borziloku ka "sekretin" e tij për t'u rritur.

Tek e njëjta vazo ku hidheshin farat e borzilokut, pas disa javësh kur edhe kishin dalë lastarët e rinj, atyre lastarëve u duhet ndëruar vendi për t'i rimbjellë në vazo të tjera...

Dhe ne u gëzoheshim asaj bime aromëmirë ndërsa shikonim rritjen e saj të përditshme...

Janë disa varietete llojesh borziloku, por më i kultivuari është borziloku gjethe vogël, ndërsa borziloku gjethe madh zakonisht është më i përdorshëm në guzhinë për gatim.

Borzilokut aromëmirë, artistët e moçëm, artistët e ndjerë të qytetit tim, i kanë thurrur edhe këngë, këngë të bukura që këndohen në festa gëzimi të ndryshme familjarë:

Ç'mbjell ashtu, moj ç'mbjell ashtu,

Ç'mbjell ashtu moj e vogël-a.

Borzilok, mor' borzilok,

Borzilok o mor' në saksi,

Ta këpus, moj ta këpus,

O ta këpus moj ta mbaj në gji,

Se mban erë, moj se mban erë,

O se mban erë moj dashuri...

* * *

Kur këputa borzilokun,

Në zemër ndjeva shqetësim,

Këtë lule që mban erë,

Do t'ia çoj unë çunit tim.

S'ka gëzim më të madh për mua

Kur çuni të më shikoj,

Këtë lule që vadita

Si kujtim do t'ia dhuroj.

Këngë të shumta të thurura për borzilokun i gjejmë edhe në krahina të ndryshme të kënduar mjeshtërisht nga këngëtarë të shumtë: "Në bahçe me borzilok", "Borzilok për dhëndër", "Aman trëndafil, aman borzilok", "Kur vadisje borzilokun" e shumë e shumë këngë të tjera.

Gratë e pothuajse të çdo shtëpie, borzilokun e përdorin edhe në përgatitjen e likove apo glikove siç e përdorin këtë emër sipas krahinave të ndryshme, veçanërisht në likonë e përgatitur nga fruti qershi; gjatë zjerrjes, u hedhin brenda edhe një tufë të vogël borziloku duke i dhënë likosë një shije dhe aromë të këndshme.

Likotë e ndryshme janë shumë të përhapura në qytetin tim dhe në qytete të tjera. Është traditë e bukur që, kur të vijnë miq në shtëpi, në tabakanë e gostitjes, përveç gotës me raki, gotës me pije të ndryshme është edhe pjata e vogël me liko.

- Kam dasëm këtë verë, martohet djali ynë, i vogli, i bukuri, gëzimi i familjes sonë, më duhet të blej qershi, të bëj likonë e dasmës... - bisedojnë gratë me njëra tjetrën në fillim të muajit qershor, stina më e përshtatshme e vjeljes dhe tregëtimit të qershisë...

Borziloku përdoret edhe në kultet e shenjta fetare nga predikuesit; jap shembull, në fenë ortodokse, në ditën e e quajtur: DITA E UJIT TË BEKUAR, që presupozon ditën kur është pagëzuar JEZU KRISHT-i, shërbyesit dhe ndihmësit kishtarë përgatisin nga uji i bekuar, atë që në gjuhën fetare quhet: AJAZMA.

Pikërisht, në atë ditë, në enën e mbushur me ajazmë, brenda së cilës janë vendosur gjethe, degë borziloku, gjethe dafine..., prifti mban në dorë edhe një tufë borziloku dhe, pasi e fut brenda enës me ajazmë, spërkat besimtarët në ambientet e kishës, si për t'u dhënë bekimin...

Të shumta janë besimtarët që nga ena me ujin e bekuar me borzilok brenda, marin në shishe të vogla ajazmën për ta mbajtur si gjënë të shenjtë në shtëpitë e tyre dhe për ta përdorur me pikatore gjatë gjithë vitit.

Besoj se, tradita e bukur e kultivimit të borzilokut në shtëpitë e pjesës më të madhe të shqiptarëve ku jetojnë në vende të ndryshme të botës, vazhdon edhe në ditët e sotme.

Vitin e kaluar, një bashkëqytetarja ime e nderuar Xh. T. kur erdhi për vizitë në shtëpinë e bijës së saj, kur u takuam këtu në një nga lagjet e Nju Jork-ut, i thotë bashkëshortes sime: - Kam një dhuratë të bukur për ju familjarisht meqenëse me bashkëshortin tënd jemi nga Berati, por jemi edhe krushqi' dhe nxjerr nga çanta prej letre, një vazo të vogël ku ishte mbjellë borzilok.

Sigurisht, bashkëqytetarja ime Xh. T , vazon me borzilok e kishte blerë në një nga dyqanet aty pranë në lagjen Astoria të Nju Jork-ut.

Ndjeva kënaqësi, shumë kënaqësi, kur e pash, kur e mora në duar vazon, kur "përkëdhela" gjethet e vogla të borzilokut dhe aroma e këndshme u ndje tek të gjithë neve të tre dhe, menjëherë, mendja më shkoi tek vazot e dikurshme të fëmijërisë sime në shtëpinë time të fëmijërisë, rinisë, të mbjella me borzilok.

- Rrofsh Xh. - i thash, Shumë të faleminderit. Me këtë dhuratë kaq të bukur, jo vetëm që më ke gëzuar, por më duket se më ke sjellë edhe një pjesë malli për t'u çmallur nga qyteti ynë i bukur edhe pse ai borzilok ishte mbjellë dhe po rritej në Nju Jork.

Ndjej kënaqësi të madhe kur shoh në kompjuter, në internet, në youtube, në foto të ndryshme që, tradita e kultivimit dhe rritjes së borzilokut vazhdon edhe në ditët e sotme nga qytetarët e ndryshmëm në shtëpitë, shkallët, ballkonet e tyre...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora