Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Shqiptarët - të kequshqyer me politikë - vjellin mërzi e trishtim

| E enjte, 25.02.2021, 09:12 PM |


Shqiptarët - të kequshqyer me politikë - vjellin përditë mërzi e trishtim

Nga Ndue Ukaj

Atyre u pelqen politika - thoshte Ernest Koliqi- "jo aqë ajo qi me ânë të nji përpjekjeje vepruese ka qellim ndertues, por ajo qi shfren në bisedime tue ndejë në kafehâne ase rreth nji tryeze shtrue me pije e meze...Mbush e derdh...Vizatò e shlyej situata...Naltësò e zbrit persona, grupe, shtete, kontinente. Fundi?"

Fundi, Koliqi do të trishtohej po t' i shihte pas shumë dekadash shqiptarët e katandisur në mjerim të thellë politik.  Ata vazhdojnë të flasin të çoroditur e përçartë për politikë...Si para një shekulli.

Njerëz, mos u kequshqeni me politikë, sepse ky ushqim i keq bën zarar dhe është tepër i rrezikshëm për shëndetin e popullit tonë.

Ne edhe ashtu jemi shumë shëndetlig në punë të politikës, me dije të paktë, me trashëgimi të varfër dhe të keqe: osmane e komuniste.

__________

Harta e Lajçak-ut vis- à vis hartës së injorancës sonë

Hartë më të rrezikshme për Kosovën se harta injorancës, që po rritet frikshëm dhe po rrezikon të ngulfatë çdo fushë të jetës, nuk ka.

Kjo hartë ka kapluar po thuajse çdo fushë publike, prandaj në vend të yryshit kundër Lajçak- ut, le të provojmë t' i zvogëlojmë njëherë hartat e rrezikshme të injorancës e arrogancës brenda nesh.

Sepse, këto harta na kanë verbuar mendjen dhe nuk dimë as çka duam e as kah duam të shkojmë.

Jemi në një mjegull të tmerrshme mendore dhe përditë e më shumë po e zhbëjmë Kosovën e Ibrahin Rugovës dhe idealistëve tjerë nga zemra e perëndimit, duke treguar sa shpirtngushtë e bukëshkalë që jemi.

Ne e kemi prishë tregimin për shtetin tonë, me arrogancë e injorancë dhe tash duam të gjejmë alibi primitive për t' i justifikuar paudhësitë tona.

Injorantë të dreqit, do të klithte Frederik Rreshpja.