E marte, 16.04.2024, 10:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Kaza: Adoleshenca, stina e shpërthimeve (Hyrje)

E merkure, 26.11.2008, 05:44 AM


NDUE KAZA

 

ADOLESHENCA

STINA

E SHPËRTHIMEVE

 

Autor: Ndue Kaza

Konsulencë shkencore: Prof. as. dr. Q. Dushku

Redaktorë: S.Hamzaj, Q. Sokoli

Art grafika: Dafina Stojko

Shtypur në shtypshkronjën “Mirgeeralb”

Tiranë, 2006

ISBN: 99943-789-2-9

© Të gjitha të drejtat e autorit

 

“ Adoleshenca, stina e shpërthimeve”, një ndihmesë për zgjidhjen e problemeve të kohës

 

Nga Prof. as. dr. Sotir Rrapo

 

Jo rastësisht e lexova me vëmendje në dorëshkrim trajtesën e fundit në formë eseje të Ndue Kazës “Adoleshenca, stinë e shpërthimeve”. Kjo erdhi ndoshta nga ndikimi i botimeve të mëparshme të këtij autori, ndoshta nga vetë titulli që më ngjalli një kërshëri për një temë që ka gjetur trajtim të gjerë në vitet e fundit, ndonëse gjithmonë problemet e shqetësimet e adoleshentëve po vijnë duke u rritur. Tashmë që e përfundova së lexuari, si dhe duke i riparë me vëmendje mjaft pjesë të tij, e kuptoj se që në rreshtat e parë pata një ndjesi tërheqëse. Kjo lidhet edhe me respektin që kam për autorin dhe, kryesorja, për bindjen që kam krijuar në vlerat e kësaj trajtesë që, pa dyshim, nuk do të kalojë pa lënë gjurmët e veta në ndihmesën për trajtimin e problemeve shoqërore e pedagogjike në fushën e edukimit, në punën me moshat e reja si në plan të përgjithshëm, edhe në veprimtarinë e përditshme të organizmave të specializuar, ku vendin parësor e zë shkolla.

Nisur nga tematika dhe kuptimi shoqëror i trajtimit të dukurisë së adoleshencës, vëmendja e të interesuarve dhe të përfituesëve të tjerë më duket se zgjerohet natyrshëm nga idetë racionale e jetësore që e përshkojnë esenë. Autori i bazon ato në vëzhgimet e tij shumëvjeçare si mësimdhënës dhe në një plan më të gjerë, në këndvështrimin e studiusit të 4 Adoleshenca, stina e shpërthimeve vëmendshëm të tipave e të karaktereve njerëzore, sidomos të të rinjve të moshës shkollore.

Termat stinë dhe shpërthim kanë gjetur trajtim bukur mirë nga autori, të ndërthurur me adoleshencën, si mosha më e ndjeshme dhe njëherazi shpërthyse e jetës së njeriut. Në trajtimin e problemeve të shumta vërehet një qëndrim dashamirës dhe pjekuri për të gjitha zhvillimet shpirtërore të kësaj moshe, që shprehin qartë se kemi të bëjmë me një autor njohës tashmë të kujdesshëm dhe interpretues të dukurive dhe fakteve, larg vështrimit të ngurtësuar të një mësimdhënësi të zakonshëm që hedh në letër në mënyrë indiferente vrojtimet e veta. Duke shfletuar me kujdes, nga faqja në faqe bindesh për masën e duhur të këndëvështrimit, për shembujt e shpjegimet që plotësojnë njëri-tjetrin dhe njëkohësisht hedhin “dritë” aq të plotë rreth problemeve, sa kushdo duke dalë në fund të librit, mbushet me mbresa e me dëshirën për të ngritur pikëpyetje me riballafaqimet përkatëse të ideve. Autori, mbështetur dhe në literaturë bashkëkohore, bën analiza të argumentuara për shqetësime të tilla, si: kur fillon e përfundon adoleshenca, për dallimet gjinore në rrugën e zhvillimit, të tranzicionit moral, formimit të identitetit, për pjekurinë biologjike e shoqërore, misterin e dëshirës dhe mjaft problematika të tjera, të cilat shtjellohen deri në cakun e vetëbindjes, por duke lënë hapësirë, që gjithkush të shtojë diçka nga përvoja e vet rreth problemeve që trajtohen. Me gjerë autori ndalet te evolucioni mendor i adoleshentëve, sjelljet e tyre emocionale dhe shoqërore. Ai e vështron adoleshencën në rrethana të ndryshme: familjare, shkollore dhe në jetën e përditshme ndërmjet bashkëmoshatarëve. Pa dyshim, në këtë kuadër gjejnë trajtim edhe raportet e prindit me adoleshentin, të para si një kurbë jo e njëtrajtshme e ecurisë së marrëdhënieve ndërmjet tyre, si faktor i domosdoshëm për të vendosur mirëkuptim e baraspeshë. Në planin e shkollës e të jetës, autori e sheh mësuesin faktor me peshë të ndjeshme si një model shoqëror që ndikon dukshëm në formimin e adoleshentit. Ai i kushton vemendje rolit të grupit dhe të bashkëmoshatarëve në formimin e personalitetit të adoleshentit si qytetar i ardhshëm, duke i mëshuar rolit të tyre dhe të natyrës sakrifikuese të adoleshentit, si pjesë të lidhura ngushtë për arritje të përbashkëta.

Argumentet e shumta i kanë shërbyer autorit për të mbështetur përfundimet e tij nga vetë jeta e të rinjve, nga marrëdhëniet prind-adoleshent, mësues-nxënës, duke u dhënë një vend më vete gjithë trazimeve e tallazeve shpirtërore të adoleshentit.

Pavarësisht nga ndarja në kapituj e nëntema, që autori ka bërë në trajtimin e problemeve, ai i ka vendosur ato në një lidhje organike tepër të studiuar. Ai ka ditur të japë në pak rreshta me qartësi përvoja e ide, që mund të bëhen lehtë pjesë e kulturës së lexuesit. Prandaj fare thjeshtë pas leximit nga njëri kapitull në tjetrin mbetesh gjithnjë në ankthin e pritjes së diçkaje më të bukur e më tërheqëse, për t’u vënë në fund të librit para dilemës së papritur se cila është pjesa më tërheqëse.

Shtrimi i problemeve, analiza e tyre, rimarrja në rastet e duhura, shpesh edhe me kundërvënie argumentesh nga njëra pjesë në tjetrën të librit, pa përsëritje të ideve dhe të fakteve, por me përforcim të tyre, bëhet me aftësi e me kulturë nëpërmjet një gjuhe të qartë e të kuptueshme. Fraza është përpunuar me kujdes me fjalor të zgjedhur, në përshtatje të sqarimit sa më të mirë të një ideje apo të argumentit përkatës. Jam i bindur se kushdo që do të lexojë këtë libër të N. 6 Adoleshenca, stina e shpërthimeve Kazës (qoftë adoleshent, prind apo qytetar i një kategorie tjetër), do të ndjehet disi në pikëpyetje për vetë jetën e vet, për punën që ka bërë me adoleshencën, po njëkohësisht, do të ndjehet edhe “i mbushur plot”, duke e kuptuar se ka përfituar diçka me vlerë. 

 

Pak fjalë lexuesit

Adoleshenca është moshë e bukur plot poezi, e cila te secili prej nesh është përshkuar nga energji me ngarkesë e ngacmime të larta modifikimesh të gjithanshme në planin biologjik, fiziologjik, psikik dhe shoqëror. Në këtë fazë na ndodhën ndryshime të mëdha, morën rrugë mjaft nga ëndrrat tona. Por vetëm përvoja vetjake nuk është gjithçka. Prandaj të mbajmë parasysh se adoleshentët nuk dinë se çfarë duhet të bëjnë e çfarë jo, cila është zgjedhja më e drejtë, cilat objektiva do të realizojnë. Atyre u mungon përvoja, prandaj e kanë të vështirë të përcaktojnë referimin për të ardhmen, gjithnjë i mundon ankthi e frika si do të vlerësohen nga të rriturit dhe çfarë modeli shoqëror do të arrijnë. Të rinjtë nuk janë fëmijë dhe s’mund të trajtohen si të tillë, por ende nuk janë plotësisht as të rritur. Ata kanë nevojë të nxiten, të mbështeten, ndoshta edhe të drejtohen. Prandaj kërkojnë vemendje, kujdes dhe respekt të vazhdueshëm nga të gjithë aktorët e interesuar për zhvillimin e tyre. Adoleshentët paraqesin një shqetësim për të rriturit e për vetveten për të ndërtuar identitetin e tyre dhe për të përcaktuar vendin që do të zënë e rolin që do të luajnë në shoqëri. Të gjithë brezat krijojnë paragjykime për njëri-tjetrin. Kjo është e vërtetë e pamohueshme. Por për të bashkëjetuar në harmoni dhe për të krijuar marrëdhënie të drejta, kërkohen qëndrime koherente, të cilat sigurojnë mirëkuptim, qëndrueshmëri dhe vazhdimësi. Disa dukuri karakteristike të të rinjve, si: ndryshimet e shpejta trupore, zbulimi i seksualitetit, prirja për një largim nga tutela prindërore, tërheqja dhe imitimi i moshatarëve, prirja për pavarësi në të gjithë veprimtarinë, mbrojtja nga paragjykimet dhe ndjeshmëria e madhe etj., kërkojnë vlerësim e trajtim profesional nga shoqëria, në përgjithësi, dhe nga prindërit e mësuesit, në veçanti. Tashmë ka ardhur koha që të rriturit të kuptojnë se adoleshentët janë të mbushur nga dëshira për të kërkuar, kanë gjallëri e padurim për të realizuar gjithçka. Këtu e ka bazën kërkesa e domosdoshme për të ndërtuar raporte dhe marrëdhënie funksionale, të cilat zmadhojnë mundësitë e zgjedhjes së alternativave të identifikimeve apo të modeleve të sjelljeve. Dihet se perceptimi shoqëror ndikon e luan një rol të veçantë për motivimin apo frenimin e zhvillimit të individualitetit të adoleshentëve. Në këtë vështrim, përfshirja e tyre e gjithanshme për krijimin e konceptit të vetvetes është një tregues se adoleshenti përdor të menduarit dhe mban qëndrim në mënyrë të vetëdijshme përtej aftësive që ka në një kohë të caktuar. “Mendoj se mendoj...”, “Di se një përson pak a shumë i rëndësishëm, mendon se unë mendoj…” etj., janë rrjedhojë e motivimeve të vazhdueshme që vijnë nga perceptimi i të gjitha ndryshimeve që ndodhin në aspektin fiziko-biologjik dhe në kuadër të mënyrës së sjelljeve. Fakti se ata reagojnë jo në të njëjtën mënyrë me të gjithë (mund të jenë të qeshur me një shok e serioz me një tjetër) tregon se ndjejnë mjaft ndryshime në vetvete. Kjo i bën ata të mbajnë qëndrim vazhdimisht mbi atë çka janë dhe në atë që po bëhen. Adoleshentët përvetësojnë shpesh vlerat e familjes, prandaj prindërit mbahen për një kohë të gjatë udhëheqës moralë. Nëse për të rinjtë detyra më e rëndësishme është të emancipuarit, pra “e ndarjes” së tyre nga prindërit drejt zhvillimit të vetvetes, prindërve u korrespondon, nga ana tjetër, detyra e përcaktimit të një mënyre sa më të përshtatshme komunikimi dhe mbështetjeje për t’ua lehtësuar rrugën drejt zhvillimit. Ndihma më e madhe e të rriturve qëndron në krijimin e një raporti të drejtë komunikimi e marrëdhëniesh me mbështetje emotive, ku mund të komunikohet pa pengesa, në një klimë të hapur e të sinqertë, pa dyshime e falsitete, me argumente e ide që i shërbejnë të ardhmes. Adoleshenca vlerësohet edhe si moshë e revoltës, e shpërthimeve apo e konflikteve të brendshme e të jashtme, të shprehura ose të heshtura, të cilat ndodhin për shkaqe objektive dhe subjektive. Mbajtja nën kontroll e emocioneve, të kënaqësisë, vetmisë, nervozizmit etj., ndikon dukshëm në ruajtjen e raporteve të drejta e të domosdoshme. Analiza, vlerësimi dhe trajtimi pikologjik i të rinjve përcakton në një masë të ndjeshme zhvillimin e tyre të vërtetë e normal. Në këtë punim, “Adoleshenca–stina e shpërthimeve”, bëhen përpjekje për të paraqitur shkallët e zhvillimit të adoleshentëve dhe karakteristikat themelore të kësaj faze të rëndësishme të jetës së njeriut. Analiza e veçorive të ndryshme psikike është mbështetur në teoritë e sotme psikologjike dhe në përvojën e drejtpërdrejtë të punës me të rinj të moshave të ndryshme. Vëmendje i është kushtuar trajtimit të marrëdhënieve familjare, por edhe marrëdhënieve që krijohen në institucionet e ndryshme edukative, ku fëmijët dhe të rinjtë kalojnë një pjesë të rendësishme të jetës. Njëkohësisht, këtu jepen edhe disa parime dhe linja kryesore, të cilat mund të zbatohen nga prindër e mësues në procesin e vështirë, por mjaft të bukur të edukimit.

Autori 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora