E shtune, 20.04.2024, 07:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Epo unë nuk jam prej guri?!

E diele, 21.02.2021, 10:06 AM


Epo unë nuk  jam  prej guri?!!!

Tregim lirik

Nga Përparim Hysi

Emri im  është Dashuri.Jam e martuar dhe kam dy djem.Njëri prej djemëve 10-vjeç dhe tjetri 7- vjeç. Kam goxha burrë.Ky është nja dy vjeç më i madh se unë dhe të dy bashkë shkojmë si jo më mirë. Të dy në punë, me shtëpi e katandi dhe,siç mendoja,nuk kish se ku vinte më mirë. Mirëpo,kur mendon se të gjitha punët shkojnë vaj,ruhu se të gjen ndonjë bela që,katandis, që t'u vëshë shqelmin të tërave. Dhe,kur them kështu,nuk është se flas qesim. Flas nga përvoja ime dhe, në po dal cullake para jush, dua që t'ju them:-Jeta është si lumi. Ky lumi i jetës herë-herë  është i qetë dhe reshperon sikur ka veshur pantofla,por ndodh si me atë lumin pranë qytetit tonë,që nga shirat e bollshme,del nga shtrati dhe bën dëme të mëdha. Kështu ndodh dhe me lumin e jetës: edhe ky"lumë" jo vetëm del nga shtrati,por "përmbyt" çdo gjë të mirë që kemi arrritur në jetë apo dhe ca më shumë:"ky lumë që del nga shtrati" shkatërron  familje të tëra. Unë nuk jam as astrologe dhe as shkencëtare. Flas veç nga përvoja ime,që,për fat të keq, e kam pësuar nga kjo"dalje nga shtrati".

*     *     *

Për të shkuar në shkollë ( më duket se nuk u kam thënë:unë punoj si mësuese),përdor biçikletë dhe afër nja 20-hapa,më duhet ta marr biçikletën prej dore,se nga xhadja duhet të ngjitësh një si"malore" për të arritur në shkollë. Kur, para meje,kish mbrritur Fatjoni,një kolegu ynë. Ky kish zënë vend tek muri i ndërtesës dhe, kur u afrova,pashë që m'i kish ngulur sytë me aq kureshtje,sa,siç m'u duk, sikur po më zhvishte ngadalë dhe,vetvetiu, një si forcë përvëluese më përshkoi tërë trupin. Jo vetëm  m'i kish ngulur, por as i shkuli ata,sikur kish marrë një detyrë shtëpie dhe duhet ta kryente. Është i pashëm,pse mos e them, por,veç kësaj, është dhe tipi i ngjitur. E pashë përballë dhe më gjeti si  me atë pulën shqirake, kur e zë përdhesi: sikur më qëlloi mbi kokë dhe,papritur e kujtuar,lëshova biçikletën dhe rashë për tokë. Kur thonë në MYZEQE ( epo andej jam),ai,i biri i botës,FATJONI sikur më hodhi sirën. Me sirë në MYZEQE duan të thonë:të ka bërë dikush magji dhe magjia të ka zënë. Ky, i "sirës",pa e kuptuar se rashë për "fajin" e tij,vrapoi dhe më ngriti nga toka. Jo vetëm kaq:dy hapa më tej qe kuzhina e kooperativës dhe atje mori një kane me ujë dhe më shërbeu  jo vetëm për të larë duartë,por dhe fytyrën. Qe pak pamje,sa qesharake,por dhe pak befasuese: të bjerë tjetra për tokë kot së koti veç  nga një shikim! Sikur ky,kolegu, lëshoi korent: gati bëmë massë!!! Epo këto që  po them unë,sot nuk bëjnë fare përshtypje,por mua më kuptojnë vetëm ata lexues që e kanë jetuar atë kohë  para 50-vjetësh të shkuara,se ç'ndodhte kur shihje një mashkull që t'i  shërbente një femre,për të larë duartë apo fytyrën. Sado që më mbuloi turpi,nga ç'ndodhi, e shihja "shërbyesin" tim me një sy preçiz: flokë të zinj,një fytyrë që të mekte frymën,kur e shihje dhe një palësy zhbirues,blu dhe,kur t'i ngulte,sikur ktheheshin në turrielë që të hapni bira në trup.Më shërbente dhe tentonte të dinte shkakun e kësaj"vilanie" të çastit. As qeshë në gjendje të shpjegohesha,por,pasi e falnderova, mora biçikletën dhe u futa në oborrin e rrethuar të shkollës. Aty mbrritën dhe kolegët e tjerë dhe koleget,pasi më futën në personel, filluan me pyetje më intime.Këto pyetje arritën deri atje:-Moj qyqe, mos je shtatëzënë? Epo kot nuk thonë:- Mirë gomari që ngordhi,por nuk të lënë as mizat rehat. Më së fundi,kësaj ndodhie iu vu kapak:qe një dobësi e çastit dhe aq.

*     *     *

Prit! Harrrova t'ju them:- Kur më ngriti nga toka, m'u duk se nga trupi  i tij sikur erdhi një erë e mirë ( e martuar jam vërtet dhe burrin të mirë e kam),po kjo qe një erë tjetër dhe,tek e thitha këtë erë (epo fare pa dashje ndodhi),qeshë gati të bëja mëkat.Ai e vuri dorën e tij mbi timen,si për të më dhënë kurajo dhe më foli butë,aq butë sa sikur kish përpara një qelqe që mund të thyhej në çast.Duke dalë nga ajo gjendje magjepse (si nga hipnoza), e hoqa dorën prej tij,ama,me mend, nuk ia hoqa sytë dhe, kur u qetësova dhe në klasë qeshë fare vetëm,fillova të meditoj.

*     *    *

Fatjoni? Tani që jam e qetë po e tjerrë më tej këtë shtëllungën time. E kam vënë mbi furkë dhe,ndërsa boshtin e kam në një dorë, me tjetrën po end fillin. Ky, Fatjoni, është i tillë që ta ka qejfi të mëkatosh. Është nga  ata meshkujt që nuk pret ta zbërthesh fustanin,por t'i  hedhë kopsat përdhe dhe sulmon si ata demat e arenës që kemi parë në filma.

Nxora pasqyrën nga çanta, për të parë semos kish mbetur ndonjë cen,kur rashë,por kish qenë pa zarar. Pa zarar, vërtet,por duket ndjesia që përjetova në këtë hamendësim nuk ishte që mos linte gjurmë. Hë -se tani më kujtohen dhe imtësitë- se më tha:- A je mirë apo t'i thërras Pulies? Pulia është  mjekja e fshatit dhe ambulanca nga këtu nuk është as pesë çapa.-Jo,jo,- u mundova t'i shpjegoja se qe  veç një moment dobësie dhe aq. Mësimin atë ditë e mori dreqi.Po ku të lënë këmborët që të dëgjosh zilet... Edhe kur mbrrita në shtëpi, shkova para pasqyrës dhe shikohesha mirë e mirë. Timshoqi  i rrëfeva në mbrëmje dhe,kur ramë në krevat,ndryshe nga radhët e tjera,nuk bëmë dashuri. Aty,bri tij, m'u  shfaq Fatjoni. Me ata sytë blu dhe,për çudi, ma përshkoi trupin një si rrymë elektrike. U enda një copë herë me fytyrën dhe sytë e tij dhe,kështu,do të më ketë zënë gjumi. Të nesërmen,kur do nisesha për shkollë,nuk e di po më hipi një trill për të ndërruar fustanin dhe,po ndryshe nga herët e tjera,po i kushtoja si shumë vëmendje  fytyrës sime. Sikur do bëja një paradë dhe kisha nevojë që të bija në sy. Duket kisha rënë brenda: doja t'i bija në sy vetëm atij! Kur mbrrita në shkollë,atë e gjeta po aty dhe,pa më thënë mirëmëngjes, më tha:- E di pse kam dalë prapë?Nuk të lë të biesh siç re dje... Unë,sado që buzëqesha paksa si me sforco, në gjithë atë batutë të tij,seç shihja dhe ndjeja diçka sa të fshehtë,por dhe aq të mezipritshme. M'u kujtua ajo kënga e famshme ruse:"... dhe kush mund ta dijë/pse lot syri i tij?".  E lashë biçikletën tek vendi dhe u bashkova me koleget e mia. Sot,- më tha Dafina,-qenke më tjetër,se dhe fustanin e ke veshur si për festë. Unë bëra sikur nuk i dëgjova ç'tha Dafina,se mendjen e kisha tek Fatjoni. E vuri apo nuk e vuri re ai,se kisha veshur fustan enkas për të.

Bëra ato katër orë mësimi dhe si ato adoleshentet që bien në dashuri për herë të parë, në mes kolegëve,me sy kërkoja Fatjonin me sytëblu. Ai,sikur ta kish ditur,dha ballë mu tek porta e daljes dhe më tha:-Kujdes se mos ndodh ajo dobësia e djeshme! Ta dish se shqetësohem seriozisht për ty. Epo kaq nuk qe pak që mos përfshihesha nga një përzierje turpi,por dhe të një dëshire shumë domethënëse. Nuk e di se si ndodh,por të vjen dikush dhe të bëhet kaq magjepsës me praninë e tij.

*        *       *

Më duket se puna po merr përpjekur. Shkoj nga shkoj dhe Fatjoni  sikur është pas meje. Edhe me burrin,ai riti aq i zakonshëm, bëhet si me sforco nga ana ime. E pafalshme, të mëkatosh,kur ke një partner që të do dhe të respekton,por mendja ime bëhet zog,vë krahë e fluturon drejt dhe tek Fatjoni.Kurrë nuk qeshë dhënë pas një mashkulli si tani dhe e keqja është që jam dhënë verbërisht. Le të hapen portat e Ferrit dy kanatëshe dhe do shkoj me turp drejt tyre vetëm e vetëm që të kënaqë ata sy që më zhveshin,kur më shohin.

Dhe ndodhi ajo që prisja.Ai erdhi dhe,kur e pa se nuk kish rrezik për rreth, ma kapi fytyrën,e afroi drejt vetes dhe frazës mbrojtëse time"Ç'po bën?",as që ia vuri veshin dhe më puthi me aq mall,sa në tërë trupin tim kaloi një rrymë elektrike aq e fortë,sa,po mos më mbante ai me të dy duarët,unë do isha platitur mu mbi  dysheme. Pastaj unë iu dhashë e tëra se sos se jam prej guri,unë?!!!

Tiranë, 11 shkurt 2021



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora