| E diele, 21.02.2021, 10:09 AM |
Pazari i “Përputhjeve” një lëvere e sheqerosur me piper
Nga
Shyqyri Fejzo
Kur
punoja dikur në një TV lokal, gjeta belanë me drejtorin dhe kryeredaktorin.
“pazari i gjësë së gjallë është institucion. Asgjë nuk na ke sjellë prej
pazarit tonë” po më futnin të dyja këmbët në njërën këpucë ata të dy. Njëri e
ngrinte “kopacen” dhe tjetri e lëshonte. Ksisoj, një të djelë, (ditë pazari) e
prisha rehatinë time të së djelës dhe vrapin e sosa tek pazari i gjësë së
gjallë. Hajde, hajde, atje çfarë të shikoje! “Sehiri një grosh”, kur i thonë,
atje ishte. Nuk po rradhit llojet e bagëtisë sipas zooteknisë. As këngët e tyre
me të pëllitura disa lloj melodish e tinguj në minor e maxhor, të
njëthundrakëve me gomarin solist, të dythundrakëve, as me blegërimat e
vërritjet e të imtave me soj e sorollop, as me kakarisjet e shpendëve, apo
lehjen e ndonjë qeni të mërzitur.
Po
ndalim më shumë se çfarë dëgjonin
llapat e veshëve dhe më pak çfarë shikonin loçkat e syve sigurisht dhe kamera e
kameramanit. “Hajde, myshteria!” bërtiste me të madhe njëri që mbante një lopë
rrace për kapistre, ndërkohë që viçi laraman i saj mundohej të pinte qumësht në
gjirin e sëmës ngjyrë të kuqe, si qyp i kthyer kokëposhtë.
-Mos
ju afro mushkës time se të shtie me shqelma. Ndaj e kam sjellë. Këtu le të gjejë të zonë.- fliste një pronar i
sinqertë, rreth të cilit vinin rrotull disa xhambazë të çuditur. Pastaj në llapat e veshit vinin biseda të plota e
copra të tyre.”- A e pe atë gomarin nga dhëmbët?...Po ajo pela sa vjet thua ti
se është?”… “Po ti, o tu mbylltë me ferra sa herë e ke shitur këtë gomar?”…po i
thoshin dy romë një “kapo pazari” që ishte nga një fshat aty afër, siç e mësova
më vonë. “A ka lesh?”…Sa herë milet në ditë? Me viç apo pa viç?..”Çfarë ushqimi
pëlqen?” …”A kafshon?...A i ka të dy cicat?”Dhe pyetje-përgjigjet e shkurtra
dhe shakatë nuk mbaronin. Në sa pashë e dëgjova, jo një kronikë po edhe pesë
kronika e një reportazh mund të bëheshin
për TV.
Që
atëhere shumë ujra janë derdhur në det. M’u bë si huq, që sa herë dëgjoja emrin
“kafshë” mendja më shkonte tek pazari. Tamam kështu më ndodhi një natë kur në
Tv po shikonim “Përputhen”.Një nga ato bukuroshet që kishin ardhur të provonin
e zgjidhnin ndonjë me përputhje, i drejtohet njërit nga bukuroshët përballë me
përkëdheljen “ O kafsha, o kafsha!” Frap mua të gjorit përsëri mendja tek
pazari. Se kur ke kafshë aty është dhe pazari i gjësë së gjallë.
Nuk
kam ndër mend të bëj leksion për familjen, historinë e krijimit të saj nga
shoqëria njerzore, apo shenjtërinë e familjes, si nga përvoja e njerzimit, apo
nga pikpamjet fetare. Sido që të krijohej e zhvillohej, familja ishte qeliza
bazë, themeli i shoqërisë. Por kur themelet e kësaj ndërtese janë të shtrembra,
ajo nuk e ka të gjatë. Kur djali mbaronte ushtrinë apo shkollën e mesme a të lartë, ishte kandidati për tu bërë dhëndërr.
Vajzat po ashtu me shkollën, dhe qëndrimi gjatë para pasqyrës,me cicërimat e
qeshjet e lira e të shëndetëshme me shoqet,
sidomos në punë e argëtim, ishin sinjalet për prindët e më tej për çeljen
e nje çerdhe te re. Nënat ishin të parat që jepnin këtë sinjal të bukur e
delikat. Mundet që partnerët të gjenin vetë njëri-tjetrin. Po kur ndonjërit
“nuk i ndizte”, sidomos djem, atëhere baba merrte shkopin dhe dilte tek të
afërm apo miq me mesazhin; “më gjeni një nuse për djalin se po i ikën koha”.
Më
vështirë e kishin prindët e vajzave. Ata
i mbanin “veshët pipëz”për propozimet që do ju vinin duke vënë në peidistal
“fatin e parë, që nuk ka të sharë”. Edhe pse kam njohje të pjesëshme nga
emigracioni në Greqi, pëlqeja faktin që
familjet që kishin vajzë për të martuar, së bashku me kafenë apo pijen
që servirnin mikut, vinin dhe dy fije borzilok (Vasiliko) I cili celte bisedën
dhe jepte informacion për vajzën. Tashmë këto dukuri janë zbehur ose
zhdukur fare. Ato janë zevendësuar me
telefonin, lap-topin, me xhaxha fecbukun. Me që cekëm fjalën e bukur “xhaxha”
dikur xhaxhai i një mikut tim, kur e pa që i nipi nuk po “binte në gjollë”
gjëkundi se “kulloste erën” e mundohej të zgjidhte, i tha: “O çun i mirë.Ti
mbase kërkon arë që nuk ka përmjerrë lepuri. Fshiji buzët me trastën e
kërricit, se ara pa shkelur lepuri sot nuk ka.”
Kthehemi përsëri te “Përputhen”.Më kot kërkon Ariani
apo Bora “kimi” në takimet 4 minutëshe
të çifteve. Ajo “kimi” ekziston, por është intime e fshehtë dhe nuk shfaqet kur
do bordi I “Përputhen”. Ajo është jashtë çdo rregulli, çdo detyrimi. Ajo
fshehtësi është gatuar me shenjtëri. Sot “Përputhen” i ngjan një lloj pazari ku
shiten ndjenjat, lulëzon matrapazllëku, dyshimi i shumëllojshëm ekziston tek
sejcili dhe i bren ata si krimbi drunë.
Këtu partneri- partneres apo e kundërta duhet ti rrëfehet “sa herë ka
shkelur lepuri në arat përkatëse”. Po kush e ha atë të heqë të mbathurat para kësaj gjendje
publike?Kjo lloj veprimtarie është shfrenim fantazie i kokave pa ekuilibër
mendor. Vazhduesit e këtyre ideve po nxitin edhe mosha më të larta drejt këtyre
pazareve. Nuk duhet të çuditemi që një ditë të mirë të dëgjojmë se u krijua
pazari imadh i “Përputhje”,me statut, me rregulla,me administratë, magazina
holle dhe ekspozita. Vigjilenca, dihet se është çmimi i epërsisë. E këto
zhvillime kanë rritur vigjilencën e televizioneve, bankave, bisnesmenëve. Këto
zhvillime sigurisht do të çojnë në koncentrime të tjera, duke perfeksionuar
metodat, por në thelb ato synojnë të shkatërrojnë dashurinë e vërtetë ndjenjat
fisnike të të rinjve e të rejave, të shkatërrojnë qelizën bazë të shoqërisë,
familjen. “Përputhen” dhe gjithë përputhjet e tjera të këtij lloji do të marrin
gjithnjë “bulmet hudhrash”.
Shyqyri Fejzo
Hamburg janar 2021