E diele, 05.12.2021, 12:30 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Vizioni e kodi retorik i qenies shqiptare

E diele, 21.02.2021, 12:39 PM


Át ANTON HARAPI (5 janar 1888 – 20 shkurt 1946) sot i mbush 55 vjet nga vrasja e tij. Me këtë rast, po e ripublikoj një shkrim timin analitik nga lëmi i retorikës, kushtuar Fjalimit të tij me titull "DY LOTË E NJI BETIM", që e mbajti më 14 shtator 1936 në Shkodër, kushtuar dy dëshmorëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli

=======

VIZIONI E KODI RETORIK I QENIES SHQIPTARE

(Anton Harapi: “Dy lotë e nji betim”, fjalim që e mbajti më 14 shtator 1936 në Shkodër, kushtuar dy dëshmorëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli)

Nga Prend BUZHALA

I njohur si njëri ndër françeskanët më të devotshëm shqiptarë, si drejtor i kolegjit françeskan, si njëri ndër drejtuesit e revistës “Hylli i Dritës”, Atë Anton Harapi (5 janar 1888 - 20 shkurt 1946), do të dallohet edhe si shkrimtar e publicist, si dijetar dhe edukator, si teolog dhe filozof, si politikan dhe atdhetar; do të shquhet si predikatar në fushën e oratorisë klasike kishtare, ashtu sikundër do të shkëlqejë me ligjëratat filozofiko-shkencore e në fushën e fjalimeve politiko-programatike.

1.

Fjalën e Shkruar ai nuk do ta lërë të vetmuar; asaj ia lë në shoqëri edhe motrën tjetër, Fjalën e Gjallë (shih shkrimet me vlera antologjike e testamentore si “Ta bajmë monumentin kombtar: bashkimin e shqiptarvet”, “A jemi shqiptar apor do të bahemi?”, “Njisia kombtare dhe edukata e popullit”, “Prej kah do të nisemi e ku do të kapemi?”, “Rrfana e jetës shqiptare”, “Rrymët e jetës shyptare”, “Çka na dan – çka na bashkon?”, “Nuk jemi si thonë” etj.)

Mirëpo, ai u dallua edhe si orator i jashtëzakonshëm dhe ligjërues i shkallës së epërme intelektuale, meqë merrej me letërsi, teologji, filozofi, pedagogji, sociologji, publicistikë. Më 1936: në qytetin e Korçës mban ligjëratat e njohura me titullin «Vlerë shpirtërore» (u botua si vëllim më vete), ku spikaten vlera filozofike, socio-kulturore, po edhe të identitetit evropian të shqiptarëve. Ndër Fjalimet e tij me vlera antologjike, është i njohur fjalimi me titullin “Dy lotë e nji betim”, që e mbajti më 14 shtator 1936 në Shkodër, kushtuar dy dëshmorëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli.

1.

I botuar mandej te revista “Hylli i dritës” (Shkodër 1936, nr. 9), ky Fjalim ka ruajtur vlerat e veta antologjike, si shkrim i thuktë, dhe si shkrim “i përftuar mjeshtërisht dhe cilësohet me një stil të përpunuar e të ngritur, ku shprehen mendime të thella, të qenësishme, të qarta e të thëna me një sintaksë të mirëfilltë shqipe!”, si vlerëson njëri ndër studiuesit epiqendrorë të letërsisë sonë, Anton N. Berisha. Duke shprehur dhimbjen e madhe të mbarë Shkodrës, oratori me formim klasik i shkollave të njohura evropiane të oratorisë, Anton Harapi, gërsheton krejt natyrshëm dhe çështje të mëdha problemore të kohës, të qenies shqiptare dhe të shtigjeve politike e shoqërore, nëpër të cilat po kalonte Shqipëria e kohës. Ai e nis fjalimin menjëherë me një argument retorik, i shqiptuar përmes një thirrme si figurë të apelit emocional:

“Çerçiz e Muço, dý fjale ká me jú Shkodra kreshnike, ketu ne log te kuvendit, para se të ndaheni. Ata qenë vrarë nga ushtarakë malazez diku më 1915, ndërsa mbas 20 vjetësh, më 1936, u gjetën eshtrat e tyre dhe Shkodra po i përcillte për në Jug, në vendlindje: “Doni t’a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari pát t’amblat rreze te diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti. Le të lëvdohen, po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë mâ pak s’do të gëzohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhé.”

2.

Kësisoj, Anton Harapi ngre që në fillim çështjen e unitetin kombëtar, tërësisë shqiptare. Porse më tutje, ai vlerëson dhe një tjetër qenësi shqiptare: atë të trimërisë e të flijimit proverbial shqiptar për atdhe. Ata ranë krahas Dedë Gjo Lulit: “Ju mësyt Shkodrën për strehë atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqë ju priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi ndër fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.”

Dhe çfarë duhet bërë tani, pas njëzet vjetësh:

“Diftoni, po, sé ká e do të két Shqipni deri sa te kemi e të mbajmë nji Zot mbí vehte; ka, po, Shqipní deri sa te dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipní deri sá gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri qi ne Shqipní, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut. Kemi pse te jemi e te mbahemi Shqiptarë, deri sa të shenjta të ruhen besë e burrni. Me të tanë fuqín t’uej vigane m’i a bâni nji urim Shqipnís; m’i ndillni të mbarë e përparim, pagjë e ngadhnim.”

Mesazhi, mbi trupat e të rënëve, përplotësohet edhe me një namë e mallkim, mbi një tjetër të keqe që po dukej në Shqipëri, e personifikuar si “Kulshedra e re”, e me të cilën mishërohet ideologjia totalitare komuniste:

“Por dhe nji namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedrës së ré, rrymvet dërrmuese, qi po e brejnë jetën shqiptare.”

3.

(Parantezë:

Madje, kësaj “kulshedre” të atyre viteve, ai edhe dol t’ia paguajë haraçin me jetën e tij, kur më 1945, mbas Luftës së Dytë Botërore: katolicizmi dhe në veçanti kleri katolik, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit. Shumë klerikë katolikë u pushkatuan me gjyq dhe pa gjyq, u burgosën, u internuan dhe u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë. Këtë fat të zi kishte edhe At Antoni. Më 5 dhjetor të vitit 1945 në muajt e fundit të jetës së tij strehohet nëpër Dukagjin e Malësi (nuk ik jashtë, thotë: “Eshtënt e mi n’tokën e t’parëve janë testamendi em”). Rrethohet nga ndjekësit komunistë.”Ishte 14 shkurti 1946: në orët e para nxirret nga qelia e burgut të vogël. Duke thënë Lutjet e fundit, e çuan në periferi të Tiranës për ta ekzekutuar...I bekoi vrasësit e tij: ‘Fali o Zot se nuk dijnë çka bajnë’, ‘Rrnoft Krishti Mbret!’, ‘Rrnoft Shqipnia edhe pa ne!’... ".

Vitet 1946-1990: nga regjimi komunist anatemohet e vlerësohet si “tradhtar”, “fashist”, “kolaboracionist” etj. Vlerësohet e botohet në diasporë. Më 1990 rikthehet në historinë, kulturën e letërsinë shqipe.)

4.

Kaq profetike edhe fjalët e tij mbi “shëmtimin shqiptar”:

“Eh, moj Shkodër, moj mizore ! Si s’u ngîne mâ njiherë me gjak ? Deri kur mâ do të m’i a këndojsh kangën vdekjes e shëmtimit? Shka asht në ty, qi dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gëzojshesh mâ fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka mâ mund do të shuhet ajo etja e jote, qi tashmâ sot të rreshkë e të përvlon?”

Ai po u drejtohej dy të rënëve, por në fakt, ishin fjalët që po ud drejtohej shqiptarëve, po i drejtohej një kombi të tërë, një shteti të tërë. Në ato vite, tashmë Shqipëria kishte përcjellë shumë burra të vrarë nga dora e regjimit zogollian, qofshin ata edhe priftërinj atdhetarë. Prandaj ai kërkon bashkim e untet:

“Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta eshtën, shëmbëllesë ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijmë dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi për t’i a mbajtë Shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji atdhe të lumtun, për të bame Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skanderbén. T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtên, e njiheri Shqiptarë të njimendët.”

Këtu ai edhe e sheh shpëtimin. Atdhetarizmi i tij është dëshmuar gjatë gjithë jetës së tij, edhe në përplasjet kundër Perandorisë otomane, edhe në ato kundër pushtuesve malazez, edhe në ato kundër regjimeve vrastare shqiptare. Ky atdhetarizëm shfaqet i flaktë edhe këtu, te ky Fjalim.

Duke qenë njohës i literaturës evropiane (ka njohur disa gjuhë të huaja), duke qenë njeri i letrave dhe intelektual e mendimtar i rrallë, ai ishte edhe orator i rrallë.

Ai e kishte parasysh se Fjala ka forcën e saj, e cila ndikon në proceset shoqërore, njerëzore e politike.

Ai nuk ishte si politikanët e sotëm, kur të tjerët ua zbukurojnë e shkruajnë fjalimet.

Ai nuk kishte mbi kokën e tij ndonjë urdhër se si duhet të flasë, ai flet ashtu si ia ndien zemra dhe si ndien zemra e një kombi, ai ligjëron ashtu si ligjëron me urti mendja e urtia e shquar një kombi.

Gjuha e tij nuk është e zbrazët, por e mbushur me kuptim të thellë, që prek çështjet thelbësore të kohës. Është gjuhë dhe fjalim që përputhen me vizionet e kohës, po edhe me vizionet e së nesërmes.

Ai flet, shkruan e ligjëron me kodin shqiptar të mendjes e të zemrës.

Me patosin e tij retorik, me një thirrmë retorike që i drejtohet emocionit, mendjes dhe imagjinatës së publikut, ai identifikohet plotësisht me dëshmorin dhe me fatin e përgjithshëm të shqiptarëve; por ai përcjell mesazhin për përparim mbi vajtimet e shëmtimet e vdekjes dhe vrasjeve ndërshqiptare. Ky fjalim joshës i bën për vete edhe me cilësitë që ka ai si njeri, pikërisht pse auditoriumin e pushton me forcën e fjalës e me shembullin e madh të jetës.

Ai nuk lëndon ndjesitë e askujt, ai nuk i ndan njerëzit në jug a veri, as në besime:

“Nuk marr parasysh ç’ krahine çet e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.”

===

Anton Harapi:

DY LOTË E NJI BETIM

Ndalnju ! Ku veni, o burra ?!…

Çerçiz e Muço, dý fjale ká me jú Shkodra kreshnike, ketu ne log te kuvendit, para se të ndaheni.

Doni t’a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari pát t’amblat rreze te diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshëm e rritët shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti !

Le të lëvdohen, po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë mâ pak s’do të gëzohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhé.

Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrshme, por ju tashmâ, nuk jeni njerëz të zakonshëm, nuk jeni çfardo Shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni burrat shqiptarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s’uej.

Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pá u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmuem të dy krahët, përmallshëm pá derdhun dý pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi, mbi eshtënt t’uej.

Eshtën te pamort, u falem ! Të pavdekshem, po, pse ndër vême (embrione) t’ueja rueni nji visar të çmueshëm, njat id e cila e patrandun do te jesë ndër ne deri sa të jetë Shqipnija.

E udha e mbarë u qoftë !

Veç, o burra, qi vdekun, flitni; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipniëe, deh, lëshonje nji zâ, at zânin t’uej kumbues si të luajvet, diftoni djelmnîs shqiptare shka u a ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.

Diftoni, po, sé ká e do të két Shqipni deri sa te kemi e të mbajmë nji Zot mbí vehte; ka, po, Shqipní deri sa te dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipní deri sá gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri qi ne Shqipní, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut.

Kemi pse te jemi e te mbahemi Shqiptarë, deri sa të shenjta të ruhen besë e burrni.

Me të tanë fuqín t’uej vigane m’i a bâni nji urim Shqipnís; m’i ndillni të mbarë e përparim, pagjë e ngadhnim.

Por dhe nji namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedrës së ré, rrymvet dërrmuese, qi po e brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mënin e fitmen, duen të na mësojnë e po na zhburrnojnë.

Heu ! ata mos qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilet duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia. Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk më duhet gjâ kush u vrau, por knaqem, kah marr me mend atë për shka ju rát preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine çet e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.

Ju mësyt Shkodrën për strehë atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqë ju priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi ndër fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.

Eh, moj Shkodër, moj mizore ! Si s’u ngîne mâ njiherë me gjak ? Deri kur mâ do të m’i a këndojsh kangën vdekjes e shëmtimit?

Shka asht në ty, qi dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gëzojshesh mâ fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka mâ mund do të shuhet ajo etja e jote, qi tashmâ sot të rreshkë e të përvlon?…Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtu në prehën t’and mblodhe, në votrën t’ande rreshtove kreshnikët e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therorí, fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmone per piri.

Zotnij te ndritshëm ! Nuk due t’u ndali mâ. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta eshtën, shëmbëllesë ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijmë dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi për t’i a mbajtë Shqiptarit të paprekun nji Zot të vërtetë, nji atdhe të lumtun, për të bame Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skanderbén.

T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtên, e njiheri Shqiptarë të njimendët.

Zoti i vërtete e atdheu le të na bashkojnë, Zoti e atdheu të na mbajnë;

Me Zot e me atdhe të lumnojmë!

(Fjalim që e mbajti më 14 shtator 1936 në Shkodër, kushtuar dy dëshmorëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli. I botuar mandej te revista “Hylli i dritës”, Shkodër 1936, nr. 9)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora