E shtune, 20.04.2024, 03:33 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XII)

E merkure, 26.11.2008, 05:27 AM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

 

XII  

 

U ktheva në qelinë e errët me shpresën se, tortura fizike, kishte marrë fund. Isha i bindun, se nuk mund të kalojsha pa nji “proces”, mbarë ose mbrapsht, por jo ashtu si e kërkojshin “xhelatët”. Njikohësisht, ndjeva vehten, aq të dërrmuem, sa që isha i sigurt se nji valë e re torturash, do të më vdiste fare. “Do të firmoj procesin”, mendova, “mjafton që të mos torturohem përsëri.” Në gjendjen që isha, vdekja randonte ma pak se tortura, akti ma i ulët i veprimtarisë çnjerëzore, poshtnimi ma i thellë që i bahet individit viktimë, e simboli i degradimit moral e politik absolut i “shtetit” e shoqnisë, që prodhon xhelatë për torturë...! Në këtë gjendje, fizikisht paralizuese nga dhimbjet e frika, revoltimi kundër torturuesit kishte arrijtë kulmin. Anatemat ndiqshin njena-tjetrën, ditë e natë pa ndërpremje. Zemërligësia e xhelatëve, më kishte prue në nji pikë, sa që edhe fytyra, edhe zani, ashtu vetë si xhelati, me neveritshin, sa herë që më kujtoheshin. Nuk shihsha asnji shenj, se ekzistonte tek ata nji ndjesi, që i naltësonte si qenie njerëzore. Asnji! Të zhveshun plotësisht nga petku që fisnikon, “ata”, për mendimin tim, ishin kafshë të egra, mishngranëse, banorë të kënetës së qelbun komuniste...

Megjithatë, nji diçka e brendshme, që nuk ishte thirrja e mishit e gjakut, sikur më ftonte me kërkue nji rrugë të re. Në kundërshtim me ate që pritej, për të parën herë gjatë burgimit, fillova të konceptoj mundësinë e faljes, e të mëshirimit. Nji frymë e re përpiqej me më largue nga ai mal urrejtjeje, që ishte zemra ime atë natë, e nga dëshira për hakmarrje, që ushqehej nga çdo qelizë e trupit tim. Për çudinë time, kuptova se ndjenja “fetare”, bante hapat e parë e kundërshtonte instinktin e ngjallun nga vuejtja trupore e përditshme. Pse të mos mendohen mënyrat ma të përpunueme të hakmarrjes kundër atyne që më kishin prue në këtë gjendje, mendojsha, kundër atyne që më shkaktojshin këto vuejtje?

Kundër thirrjes se mishit e gjakut, në brendinë time ndigjojsha nji za, të lehtë, por kambëngulës, që më urdhnonte: “Mos e humb shkëndinë njerëzore, që të naltëson. Ngreu në sferën, ku ndërgjegja mbetet e pastër, e nuk bren. Sepse, dhuna e paligjshme e tortura nuk janë mjete që të lirojnë, as sigurojnë vëllazën e motra. Ato, nuk janë në gjendje me të nxjerrë nga qeliza e vetmisë ku jeton secili prej nesh, përsa kohë, që nuk zbulohet solidariteti me qenie tjera që vuejnë si ti.” Pa ndërhymjen time të ndërgjegjshme, kuptova, që po kalojsha nëpër nji eksperiencë “fetare”. Ishte nji revelacion i vërtetë! Në këtë natë torturash të randa, i vetëm në “izolim”, ndigjova zanin e brendshëm, që më thonte: “Jo! Mos i lejo vehtes më ra aq poshtë, sa torturuesi yt. Ai nuk asht njeri. Me ndërgjegje të plotë ai ka nxjerrë vehten jashtë kuadrit të njerëzimit, jashtë fushës ku vëllau përqafohet me vëlla, jashtë botës ku çdonjeni nga ne, sado i mjerë, mbetet qendra e vëmendjes dhe e kujdesit tonë, jashtë shoqnisë, ku shpëtimi edhe i nji jete të vetme asht nji fitore e pakrahasueshme. Sepse asgja, asgja nuk vlen ma shumë, se nji jetë njeriu. Mos lakmo xhelatin, që torturon e nuk ndan dhimbjen sakatuese të atyne që vuejnë prej tij. Për atë, jeta ka kuptim vetëm kur shërbehet instikti shkatërrues, kur zhytet në thellësitë e së keqes së pafund, e pa kthim, aty ku vdekja mbretnon mbi jetë...!”

Atë natë, ndjeva me fuqi dhe besova të mbinatyrshmen, hyjnoren. Atë natë ngadhnjeva, u ndjeva i lirë, e në këtë liri të brendshme, të plotë e të ndërgjegjshme, gjeta Krijuesin tim, zbulova Simbolin e se Mirës pa kushte, e idealin që frymëzonte, dhe e përqafova për jetë. Dhimbja e trupit të dërrmuem, e tmerri i vdekjes në vetmi, më dhuruen shpëtimin e shpirtit tim. Në qelinë e errët e kërcënuese të burgut, fitova paqen e përhershme, dritën e pashueme që ngjall dashuninë për njeriun vëlla.... , e kriminel. Për tri ditë me rradhë, më lanë të qetë. As pyetje, as tortura. Por unë ndihesha i lehtësuem edhe shpirtnisht. Për të parën herë, qysh nga dita e arrestimit, kisha përshtypjen se nji forcë madhore, ma e fuqishme se terrori që më rrethonte, nji “autoritet” që qëndronte mbi atë që urdhnonte torturën kundër meje, nji shtyllë e pathyeshme pranë meje, ishte ba mbështetje për mue. Përvoja shpirtnore që kalova atë natë, tri herë të zezë e tri herë mizore, më kishte ngritë mbi të përditshmen e urrejtun, e kishte zbutë frikën paralizuese të vdekjes në torturë. Ndigjojsha zanet e të burgosunve në qelitë rreth meje. Dikush fshante thellësisht, dikush i trokiste derës e i lutej rojes kuqe. Të tjerë shqiptojshin me za të naltë fjalë e shprehje, që nuk kuptojsha. Unë isha i qetë! Me këtë përziemje zanesh të nëntokës, më dukej sikur gjejsha nji lidhje shpirtnore, që krijonte vuejtja e përbashkët, e që në vetminë e gjatë e absolute me lejonte me shijue tingujt e tyne, si nji melodi, që më ndihmonte me dalë jashtë qelisë sime, me krijonte kontaktin me të jashtmen që më mohohej, tue lidhë mendimin tim me ata, të panjohuni, me nji ndjesi qe ishte shoqnim i pastër njerëzor.... Të ndamë fizikisht nga muret e trasha të burgut, u bashkojsha me ata në dëshirën e devocionin e përbashkët për liri. Ishte kulmi i solidaritetit!

 

*

Të nesërmen, më prunë rrobat e ardhuna nga shtëpia e ushqimin. Pa u pastrue për ma shumë se nji vjetë, i zvarritun në baltën e oborrit, korridorit, e qelisë së papastrueme, isha aq i ndytë në trup, saqë çdo gja mbi vehte mbante nji erë me të marrë frymën. Roja më zgjidhi duert e kambët. “Pesë minuta” tha, e mbylli derën. U ngrita në kambë me vështirësi, e tue u mbajtë për mur, fillova të heq nga trupi çdo gja. Isha i mbushun me morra, të çdo ngjyre e madhësie. Flokët e papreme, e mjekra e parrueme, ishin ba të padurueshme. Por ajo që më shqetësoi shumë, ishin brekët e përgjakuna mbas torturës me thikë, e që unë nuk pata zemër me i kthye në shtëpi. “Nana do të tronditet”, thashë me vehte, megjithëse rrobet e tjera mjaftojshin më dhanë nji ide të gjendjes sime, e të vendit ku mbahesha. Por nxjerrja e rrobeve jashtë ishte e paevitueshme, ashtu si edhe tronditja e familjes.

Plagët e hapuna me thikë e të mbushuna me kripë, ishin infektue nga milionat e insekteve të ndytë. Fshiva trupin me nji leckë, e vesha rrobet e pastërta. Ndjenja e pastërtisë që më dhanë, më kujtoi gëzimin e thjeshtë të pastrimit të përditshëm, e më përmalloi shumë, “Sa poshtë ke ra, mor i mjerë!”, thashë me vehte, “sa poshtë ke ra!” Rrjedha e mendimeve u ndërpre nga roja e kuqe që hyni brendë, më vështroi, mori strajcen me rrobe të palame, e u largue pa asnji fjalë. Unë u ula përsëri në shesh, e fillova të shijoj ushqimin e shtëpisë. Por nuk kisha oreks, me gjithë urinë e madhe që më mundonte. Diçka më kishte zanë fytin, e nuk më jepej me vue gja në gojë. Fillova të mëshiroj vehten, gjendjen ku kisha ra, familjen e vuejtjet e tyne, e u ngashreva shumë. Zemra më kishte lëshue, kisha arrijtë pikën ma të ulët. Më dukej vehtja nji leckë në duert e rojeve e oficerave të Sigurimit gjakatar komunist, nji hije e harrueme e në pritje të aktit përfundimtar të jetës sime. Nuk e dij sa kohë kalova në këtë gjendje depresioni të thellë. Kur hyni roja përsëri, e pau ushqimin posa të prekun, më shikoi me habitje, mori ushqimin, e pa thanë asnji fjalë, mbylli deren me shul. Më dukej, se edhe uria nuk më trazonte me gjithë barkun e zbrazët. Kisha nevojë me derdhë lotë, me u lehtësue. Si ishte e mundun, që më kishin prue në këtë gjendje të mjerueshme?

E çuditshme! Gjatë torturës, instikti i vetëmbrojtjes, mbisundonte. Para egërsisë së hetuesit kriminel, të burgosunit bërtasin, fshajnë, kërkojnë mëshirë e derdhin lotë, sikur nji sjellje e këtillë përbante kanden ma paqësuese të instiktit shtazarak të kriminelëve të kuq. Atëherë, shihej nji buzëqeshje kënaqësie në gojën e ndytë të xhelatëve shprehje e përmbushjes së nevojës së tyne, të ndieme thellësisht: hakmarrjen kundër armikut. Cili ishte “armiku”? Kushdo qe me faj ose pa faj kalonte pragun e ferrit dantesk, Sigurimin e Shtetit. Porsa hynte në Sigurim, viktima i nënshtrohej nji procesi barbar të thymjes së vullnetit me qëndrue i pastër e besnik i vetvehtes. Gjithçka, sillej rreth përgatitjes së “procesit”, që merrte përpjestime skandaloze, e që shërbente skemën e gjanë të përgatitun nga “shokët lart”. Sa ma shumë që viktima mbahej në “hetuesi” i ndamë nga bota e jashtme, aq ma e fortë bahej trysnia fizike e psikologjike nga dy individët që lejoheshin me komunikue: oficeri hetues e roja e qelive të burgut. Kërkohej rrëfimi i “krimit” e “pendimi”; i pari nuk ekzistonte, i dyti nuk kishte kuptim. Para nji absurdi të këtillë, viktima mbahej “e izolueme” për nji kohë të gjatë, edhe me vite të tana. “Xhelati”, shpresonte se sa ma shumë i bie derës së qelisë, ku mbahej e mbyllun viktima, sa ma shumë që roja vëzhgonte atë nga dritorja e vogël dhe e shante me fjalët ma të ndyta, aq ma e madhe ishte mundësia që kjo viktimë të mos jetë në gjendje me ruejtë pastërtinë morale të tijën, e si rrjedhim, të përfundonte në nji landë pa formë, nga e cila Sigurimi, do të ndërtonte “kukullën” e tij simbas dëshirës së “shokëve lart”. Asgjasimi moral i viktimës torturueme, ishte nji qëllim kryesor!

Në hetuesi, orët zgjateshin pa mbarim. Më dukej sikur nuk kishin fund. Nganjiherë, oficeri i Sigurimit, ishte gjithçka për mue. Kur e shikojsha në fytyrë e përpiqesha me e njohë sa ma mirë, me e kuptue këtë krijesë monstruoze e me komunikue, me provue padrejtësinë e trajtimit tim, zbulojsha vorfninë e inteligjencës tij, dhe paaftësinë me qenë i lirë në mendime, pamundësinë e tij me veprue i pamvarun. Atëherë, dëshprimi më kapllonte në nji mënyrë mbytëse, e më dukej sikur isha jo thjesht i lidhun në pranga kambë e duer, por tanësisht si krijesë e gjallë, kisha mbetë në mëshirën e nji qenie, që jo vetëm nuk ishte njerëzore, por edhe e ndërgjegjshme për rolin e vet si xhelat. “Xhelati”, nuk ishte vetëm nji vegël e makinës shtypëse, motorri i së cilës vetushqehej me fanatizmin e tij e të “shokëve lart”. Ai ishte nji kriminel me dashje! Në këtë atmosferë mbytëse të ndërgjegjeve të fëlliquna, frika “nga shokët lart”, që mbretnonte mbi të gjithë “xhelatët”, thellonte krimin. Aty, zani i ndërgjegjes, kishte heshtë. Nuk kishte vend për guxim, e shpresë se nji ditë drita do të krijonte nji botë të re nga kaosi i palëvizshëm ku jetojshim. Larg nga bota e njerëzve, e kundër saj, “ata” punojshin me duer e thoj për metamorfozën, që do t’i ndrronte ne bisha mishngranëse. Në ditët e para, në mes dy sesionesh torture, e vetëm në qeli, fillova të andrroj mundësitë e ndryshme të shpëtimit: nji tërmet që do të rrënonte burgun e jepte mundësinë e arratisjes, nji kryengritje që do të na nxirrte nga burgu, nji akt i pabesueshëm i nji roje, që i prekun në zemër, do të na ndihmonte me dalë përjashta... Sidomos, përpunojsha besimin se në çdo rast do të prekej ndërgjegja e “botës së lirë” perëndimore, revoltimi i tyne, lajmërimet serioze, përgatitjet ushtarake, e ma në fund, si akti ma humanitar që do të njihte njerëzimi, dhe për këtë isha plotësisht i bindun! – nji ndërhymje drejtpërdrejt, që do të ndryshonte gjendjen, do të dënonte fajtorët, e do të na sillte lirinë...! Këtu ekzaltohesha aq shumë, sa kthehesha prapë te fillimi, përsëritsha vijën e mendimit, përpunojsha justifikimin moral të ndërhymjes, rreshtojsha nji nga nji padrejtësitë që kisha dëshmue, ose ndigjue prej të tjerëve, dhe sikur të isha para Gjykatës Universale të Njerëzimit, mbrojsha tezën time e të shokëve të burgosun, akuzojsha shtypësin, tue kërkue më shumë kujdes, atribute e shprehje konkrete e të përshtatshme...! Përsëri, mbushesha me gëzim, e u galdojsha aq shumë, sa më dukej sikur përjashta ndigjojsha zhurmë lëvizjesh të mëdha, si nji ushtri që marshonte. Nganjiherë, dallojsha thirrje të popullit, që demonstronte për liri, e hymne ushtarake....

E kështu, për orë të gjata, derisa lodhja këpuste fillin e andrrave të mia me sy çelë, e britmat therëse të atyne që torturoheshin në dhomën përbri qelisë sime, më sillte në vehte, ose zani i rojës kuqe, që tue hapë derën, urdhnonte: Ngreu derr! Eja me mua!” Mbas disa orë torture, me tërhiqte rrëshqanë për nji kambë që nga dhoma Nr.15, e më plandoste përsëri në qeli gjysëm të vdekun. Për sa kohë? Nuk e dijsha! Kishte kaq kohë, që nuk kisha pa dritën e diellit, e kisha humbë lidhjet me ecjen e kohës. Por, jetojsha ende me andrrat e mia. Ata, andrra më mbajshin të gjallë e pa u çmendë. Mbas tri ditësh, më prunë përsëri në zyrën e hetuesisë. Oficeri më tha, se kishin daktilografue “thanjet” e mia, e se duhej të firmojsha “proces-verbalin”. I kërkova me e lexue para se të nënshkruejsha. Ai u zemërue, “Nuk ke besim në pushtetin popullor”, m’u kërcënue. “Këtu raportohen vetëm thanjet tuaja.” Unë ngula kambë. Ai më dha nji shuplakë në fytyrë që më ndezi flakë. Heshta, ula kokën, por nuk mora pendën me firmue. Asnjeni nuk foli! Xhelati, mori atëherë kopjen e proces-verbalit, e më tha të firmojsha faqe për faqe. Lexova faqen e parë e firmova. Kur desha të hap faqen e dytë, kuptova se çdo faqe kishte katër kopje tjera, që ai insistoi të firmohen. Unë kundërshtova. -Do të firmoj faqet që lexoj”, i thashë me kambëngulje. “Këtu kam të baj me fatin tim për vjetët e ardhshme. Ky asht dokument me randësi jetësore për mue...” Oficeri u tërbue. Me nji gjest brutal, tërhoqi letrat nga dora ime e i vuni në tryezë, thirri rojën, e filloi nji monolog me shamjet ma të ndyta. “Ti nuk ke besim te pushteti i popullit... Këtu nuk është kuestura e fashizmit.... Këtu janë bijt e popullit...” Ndërkaq, fytyra i ishte skuqë nga inati e unë kuptova, se nji sesion i ri torture ishte në përgatitje. Roja e kuqe pruni nji “jelek” mushemaje, qe ma vunë në trup. Me duer të lidhuna ata përshkuen nji dru të gjatë nën krahët e mbi gjoksin. Mandej, më ngrejtën të dy kambët e i vendosën në skajet e drunit. Në këtë pozicion unë u bana si bretkoca në kurriz, si nji dordolec i rrumbullakët me duer e kambë, e kofshë, e të ndenjunat e ekspozueme, sidomos organet gjenitale.

- Do të firmosh?”, më pyeti me inat.

- Due t’a lexoj ma parë...”, u përgjegja.

Nji breshni shkopijsh u derdh mbi trupin tim të mbërthyem nga ky “jelek”, por kësaj rradhe përveç britmave nga dhimbjet, nuk fola asnji fjalë. Ai vazhdoi me rrahje, me shamje, me kërcënime. Unë heshta. Ma në fund, urdhnoi të më zgjidhnin, e mbasi u ngrita në kambë, me tha të firmoj faqet e para të çdo kopje. Pranova! Lexova me kujdes çdo rresht e kuptova se brenda ishin përfshi edhe akuza, që unë kisha refuzue. U gjeta para nji dileme tashma të pazgjidhshme: ose me firmue, ose me pranue torturën. I dërrmuem nga nji trajtim i këtillë, që zgjati plot trembëdhjetë muej me rradhë, me ndërpremje të shkurta, nuk kundërshtova. “Do t’i hjedh poshtë para Gjykatës”, mendova me vehte. “Shpëto nga torturat, se do të vdesësh në duert e tyne.” Oficeri mori “procesin” e firmuem, urdhnoi rojën të më kthejë në qeli, e u largue. Në qeli, kur roja më tha me mbledhë plaçkat, kuptova, se do të transferohesha. Me leckat në krah, duert e lidhuna me pranga, e kambët që më dridheshin nga dobësia, fillova ecjen në mes të dy rojeve të armatosuna, nëpër rrugët e errëta të qytetit derisa arrijta në burgun e Kuvendit françeskan. Më vendosën në nji dhomë me nji fatkeq tjetër. Lëshova ngarkesën mbi dysheme, hapa dyshekun, e rashë mbi të si i vdekun. Roja më lidhi edhe kambët. Me duer e kambë të lidhuna fjeta deri në mëngjes. “Shoku” i dhomës, më shikoi me habi. I tregova se isha student. Ai më tha se ishte nga katundi, e se akuzohej për premjen e fijeve telefonike. Betohej, se ishte i pafajshëm. Megjithatë, kishte diçka në këtë djalosh që më shqetësonte. Përvoja në burg e vuejtja, me kishin mësue me qenë shumë i kujdesshëm. Fola pak e ndiejsha nji nevojë të madhe për gjumë. Kur roja hodhi dy racionet e bukës nga dera në shesh të dhomës, unë isha i fjetun. “Shoku” i kishte marrë, e mbasi kishte ngranë gjysmën e racionit tim kishte vue gjysmën tjetër pranë meje...

 

*

U zgjova, gjeta bukën, e hangra pa pyetje. Të nesërmen, kur buka erdhi përsëri, kuptova se racioni i zakonshëm ishte ma i madh. Por, nuk kishte randësi. Mbas nji natë e nji ditë pa tortura e me gjumë, fillova me marrë vehten. Nji ditë ma vonë, mora edhe ushqimin nga familja e rrobet e pastërta. Nuk më besohej, se periudha shkatërrimtare e torturës, kishte përfundue. Po përgatitej gjykimi për mue e shokët e mij. Në pritje të torturës, gjatë edhe mbas torturës, kur i gjithë mendimi përqendrohej në rikrijimin e çdo hollësie të orëve të kalueme në dhomën e vuejtjes, ata që u frikësuen njohën frikën e vërtetë, frikën që detyron me heqë dore nga lufta e ndërmarrun, dhe këshillon largimin, ikjen, daljen jashtë botës së rezistencës, ku njerëzit bashkohen me jetue ose me vdekë së bashku. Të tjerët, me dhimbjet në trup folën, ndoshta ma shumë se duhej. Por kur tortura pushi, qoftë edhe për nji ore të vetme, ata gjetën vehten të patundun në besimin e tyne, mbushë me urrejtje për “xhelatin”, e me përbuzje për dobësinë e tyne fizike. Ata ishin material i përgatitun si duhet, për lindjen e ushtarëve të lirisë, ose kriminelëve! Ndryshimi themelor varej nga besnikëria për dinjitetin njerëzor, nga shpresa e gjallë ndërtuese ose mungesa e saj e urrejtja shkatërruese, nga shikimi në të ardhmen ose nga jeta me kujtimet e së kaluemes së hidhun, vraga e së cilës, përfundon në plagë të pashërueshme për jetë! Vuejtja pa shpresë përfundimi të pranueshëm, pa shpresë lirimi, e bante jetën të pamundun e burgun tmerrsisht të padurueshëm. Shpeshherë, më dukej, sikur burgu i vërtetë nuk ishin të katër muret që këto ditë më ndrydhshin brenda ditë e natë, por frika që kisha se këto katër mure shënojshin kufizimin e përhershëm, përfundimtar, të hapësinës sime jetësore, dhe se bota mbrapa tyne, në anën tjetër të tyne, nuk ekzistonte përsëri për mue. Aty do të vdisja, e vuejtjet e së kaluemes, vuejtjet e së tashmes, nuk ishin asgja ma shumë, se rrjedhja e natyrshme e jetës sime të pandryshim, deri në vdekje! Me vdekë gjatë vuejtjeve, ose menjiherë mbas vuejtjeve, ishte tmerri vetë! Vetëm shpresa se jeta nuk do të mbaronte me kaq, dhe se ditë të mbarsuna me “dëshira” do të ndiqshin kohën e zezë që jetojsha, e do të mundësojshin mbijetesën, do të më ngrejshin moralin, më forcojshin qëndresën, dhe do të më ushqejshin mendjen me shujtën ma frytdhanëse të njeriut që lufton, vargun e andrrimeve shpeshherë fëmijnore, e megjithatë shpëtimtare e ringjallëse, më mbante gjallë!

Dy javë ma vonë, dy roje të armatosuna më morën gjatë ditës, e më shoqnuen në ndërtesën kryesore të Sigurimit. Hypëm shkallët, që tashti njihsha shumë mirë, trokitëm në derën e zyrës që u hap, e hymë brenda. Mbas nji tryeze të madhe e luksoze, qëndronte “majori”, me të cilin kisha “dialogue” disa muej ma parë. Më tha të ulem në nji karrike para tryezës, urdhnoi rojet të më zgjidhnin duert, më ofroi nji cigare, që nuk e mora, më shikoi me kujdes që nga koka deri në kambë, e me nji za të pasigurtë më tha: - E ndigjove që vdiq Qemali? - Jo!”, përgjegja. “Nuk dij gja...ashtu i izoluem si jam unë, nuk ndigjoj veçse kambët e rojes në korridor, e bram-bramin e dyerve të randa, që hapen e mbyllen gjithë natën”, thashe tue ngrejtë sytë, si me dashtë me thanë, “ç’ka tjetër pret prej meje?” Por nuk ishte e vertetë. - Vdiq!”, tha. E tue shikue kah dritorja, me duer në xhepa, tundi lehtas kokën, e më la të kuptoj se nji debat zhvillohej në trunin e tij. Mandej, me nji gjest të shpejtë u kthye kah unë, e vazhdoi: - Ashtu e deshti!”, me nji theks keqardhje që dallova menjiherë. Tue ndrrue tonin e zanit, vazhdoi: - Nuk e duroj vuejtjen ma gjatë, vuejtjen e burgut...intelektuali që premtonte...” Tue më shikue drejt në sy: “Të gjithë ju keni pritë shumë nga ajo, apo jo?”, më tha. - Po!”, përgjegja i dërrmuem nga dhimbja, megjithëse vdekjet në duert e oficerëve të Sigurimit, nuk vijshin të paprituna. Tue ngrejtë kokën, nuk u përmbajta pa thanë: - Edhe ju zoti major! Të gjithë kemi pritë shumë nga ai. Fliste kaq shumë për të ardhmen, me kaq shpirt e besim në vetvehte, saqë na frymëzonte...si të thuesh...nji optimizëm në jetë...”. E me nji buzëqeshje të hidhun që nervozoi majorin, thashë: - Vdiq Qemali! Shqipnia më duket ma e vorfën...Nuk më bahet me besue...! - Akoma, akoma nuk zgjoheni ju! Hej, hapni sytë! Nuk e shihni se revolucioni po marshon? S’ka pengesë që na ndalon. Ju, shkollarët borgjezë...juve...do t’ju asgjesojmë...” E tue ulë zanin sikur kishte frikë se mos ndigjohet, shtoi:”...e sidomos, ata që premtojnë si ai...” - Atëherë, pse nuk thoni qe asht vra Qemali?” - Aq budallenj nuk jemi...!” Tue kthye kurrizin vazhdoi: “Ka ngranë sasi të konsiderueshme pluhni DDT, e ka pi ujë...Pikërisht ashtu si duhet...me vdekë, me dhimbje të mëdha...S’ka dyshim që ka qenë plotësisht koshient i aktit vetëvrasës...Sa për ne...”, tha tue u kthye përsëri kah unë, “Sa për ne...ma mirë kështu...nji armik ma pak...nji ekzekutim ma pak...” - Pse ishte caktue për ekzekutim Qemali? - Nuk kishte asnji shpresë për shpëtim, kur e pashë herën e fundit...” E me nji za të ulët shtoi: “Unë mendoj, se kishte të drejtë me mendue ashtu si mendonte...Qemali na njihte mirë...kishte lexue mjaft...ndigjue mjaft...nuk kishte iluzione...e nga druni ose nga plumbi ai do të përfundonte...” E me nji të qeshun cinik shtoi: “Duket se u tremb nga druni...Sa për ekzekutim...nuk besoj se trembej. Ishte guximtar...por, tortura...tortura asht diçka tjetër...” - Tortura... - Pusho!”, më ndërpreu ai. E me tonin e propagandistit, që flet para nji mbledhje gojëmbyllun, vazhdoi: “Komunistët nuk torturojnë!” sikur donte me qetësue vehten. Ulë në karriken e drunjtë, me kokën varun nga tronditja e vdekjes së Qemalit, e lodhja e plotë fizike, më dukej sikur çdo kockë e trupit të dërrmuem në torturë nga druni i pagdhendun, filloi të më dhimbte përsëri, tue mendue orët e fundit të shokut fatkeq, e nji nevojë e madhe me u shprehë, me bërtitë me za të naltë më zotnoi. Por, frika e ndëshkimit, ishte ma e madhe në atë vend torture. Megjithatë, gjeta mjaft guxim me thanë: - Zoti, major! Nuk kam kurajon e nevojshme me dhanë përgjegjen e duhun. Për ma tepër, sa vlen fjala ime sot? - Fol!”, më tha. “Unë kam ardhë me bisedue me ty, e jo me hetue...Rolin e hetuesit e kanë të tjerët...Ti e ke plotësue “procesin”. Apo jo?”, më pyeti. - Po!”, i thashë. “Mbas trembëdhjetë muej hetuesie të randë...Prandej, kjo që tham tashti, në këtë çast, kur flas e mendoj ma qartë se para dy javësh, asht e vërtetë. Jam unë, si njeri e si student me bindje politike pak a shumë të përcaktueme. Unë jam për lirinë e të gjithëve, zoti major, edhe të komunistëve. Kjo asht, si të thuesh, filozofia ime. Ma vonë, kur ju te keni plotësue urdhnat e marruna “nga lart”..., nuk do të jem përsëri unë; do të jetë vetëm nji trup plot plagë e dhimbje që flet me shpresë, se plagë e dhimbje të mëtejshme mund të evitohen...Unë nuk jam ma përgjegjës për fjalët që detyrohem me folë...”. E tue shikue drejt e në sy, shtova: - Zoti major, procesi im asht procesi i nji trupi të derrmuem e plot plagë..., duhet ta besoni!” Ai u pre për nji çast, jo sepse nuk e dinte këtë të vërtetë, por nga fjala ime e hapun. U mendue pak, e u përgjegj: - Sidoqoftë, na përmbushim nji detyrë, nji detyrë që i shërben nji procesi historik, që na drejtojmë, e që përfundon atje ku dëshirojmë. Asgja tjetër, ka ma randësi për ne sot...natyrisht, as jeta e nji krimbi si je ti sot...!” - Nji krimb që mendon, megjithatë”, përgjegja i fyem. - He! Prandej je nji krimb i damshëm. Sikur... - Sikur të mos mendojsha? - Nuk do të ishe këtu...ndoshta. - Por a do të isha nji krimb ... i lirë?”, thashë me gjysëm zani. - I lirë!...Të dogji liria! Do të ishe nji krimb si tjerët...! - Që nuk hapin gojën..., ose që nuk pushojnë së përsërituni litanitë e besimit të rij... - Të paktën, ata po ushqehen me idenë e nji të ardhme ma të mirë...Cila ka qenë e kaluemja e tyne? - Nji boshllëk, keni të drejtë! Por unë nuk kam dyshim, se edhe e tashmja nuk i frymëzon ma shumë. Në qoftë se përpara kishin humbë shpresën e nji jetë ma të mirë,....sot frikësohen për vetë jetën që kanë...Si mund të shpresojë për të ardhmen, ai që mund të vdesë në çdo cast, i pushkatuem në nji shesh publik, ose i mbyllun në burg për jetë, kudo që i pëlqen Sigurimit? - E teprove tashti. Nuk asht edhe aq keq... - Ulu në karriken time, zoti major. Shikoni botën e re, që po ndërtoni me sytë e mij, ndigjoni me veshët e mij ulurimat që ngrihen sot nga nji kand i vendit në tjetrin...kudo në këtë vend ku jetën... - Mjaft fole!”, m’u kthye me inat. E me nji ton tallës: “Je avokat i mirë i reaksionit.” Nuk përgjegja. Isha i sigurtë se kisha kalue kufinin. Por ai, më inkurajoi më fole në fillim. Tashti, në fund, duket se të dy u penduem për atë që u tha. Ra heshtja! Ai thirri rojen, e pa asnji fjalë tjetër, u ndamë, që të mos shihemi ma kurrë. Ishte hera e dytë që bisedojsha me “majorin”, e ai e dinte mirë qëndrimin tim politik antifashist. Ndoshta, diçka kishte mbetë tek ai që e pengonte me u sjellë ashpërsisht me mue. Unë e shfrytëzova për nji moment këtë pikë të dobët të tijën. Por, njikohësisht fillova të mendoj, se ndoshta në fortesën e tij ideologjike kishte fillue nji “e çarë”..., apo isha tepër naiv? Tashti, në praninë e këtij “revolucionari” të kthyem në “oficer Sigurimi”, shihsha mishnimin e aktit degjenerues, që sjellte me vehte forca brute e autoritetit të imponuem, e vazhdimisht të kërcënuem. Mundësia e nji jetë dinjitoze që premtonte “revolucioni”, që ai shërbente e që e kishte frymëzue, ishte avullue para deshirës së zjarrtë për pushtet absolut e kënaqësisë që jepte diktatura e re. Imazhi i nji fati ma të ndritshëm për vendin e për popullin, ishte errësue njiherë e përgjithmonë nga gënjeshtra, urrejtja, e reja e zezë, që mshehtësia e krimit hishte mbi sytë e mbarë nji populli. Kudo mbretnonte e zeza, kudo shtrihej terri i papërshkrueshëm! Për arsye të krimeve të përditshme, e gjithë ideja e lirisë që vjen nga revolucioni ishte njollosë, nxirë, asgjasue. Shpirtet e zemrat e shumë aktivistëve komunistë, ishin kalbë ashtu si kalbeshin kufomat e viktimave të lanuna mbas dorë në rrugët e sheshet e vendit, në poligonet e qitjes, të varrosuna, ose akoma mbi dhe, por gjithmonë monumente kokëfortë, që do t’u kujtojshin të gjallëve, dhe atyne që nuk kishin lindë akoma, sa e madhe ishte pesha e krimit, e sa i thellë ishte boshllëku i nji revolucioni pa bujari, si komunizmi në Shqipni! Nga hovi revolucionar i Luftës Nacional-Çlirimtare, që premtonte lindjen e herojve, “komunistët” shqiptarë, përfunduen në militantizëm stalinist, që i transformoi në antiheroj tipikë...! * Gjatë kthimit, po i afroheshim Kuvendit françeskan, ku ishte qelia ime. Para derës së hymjes, nji grumbull i madh familjarësh përpiqeshin me dorëzue rrobe e ushqim për të dashtunit e tyne. Roja e kuqe i shante, i shtynte, i pështynte, por ata ngulshin kambë. Roja ime përpiqej me hapë rrugën në mes të kësaj turmë fatzeze. Pa pritë, pashë nanën e shikimet tona u kryqëzuen. Kishte ma shumë se nji vjetë, që ishim nda. U përpoqa me buzëqeshë. Ajo më pau, e u lëshue pa mendue fare drejt meje, me shpresë të më përqafonte. Por, nuk bani veçse nji hap, kur roja e kuqe i dha nji shkelm në stomak, plakës së veshun me të zeza. Nana ra në shesh tue mbajtë barkun e lënduem me dorë. Menjiherë, roja më shtyni me forcë. - Cfarë shikon, derr? – më tha. - Asht nana ime -, përgjegja, ndërsa po kalojsha pragun e derës së burgut. Mbas nji çasti, që m’u duk i gjatë sa nji vjetë kohë, nuk u përmbajta pa thanë: “Unë nuk do të shkelmojsha kurrë nanën tande!” Roja brute, më shikoi për disa çaste me sytë e idiotit, që ndigjon e nuk kupton, e thirri “tetarin e rojes”, Merre këtë të burgosun në dorëzim!”, i tha. Dy minuta ma vonë, isha përsëri në qelinë time, me mendje të prishun e zemër të thyeme. * Në qeli gjeta dy të burgosun të rij, katundare nga fushat e Trushit. I përshëndeta, me gëzimin që më pruni prania e dy njerëzve të gjallë pranë meje, mbas nji izolimi të gjatë. Ata kthyen përshëndetjen pa asnji interesim. Kuptova, se kam të baj më të torturuem, që kanë frikë me folë, ose me të rij të paambientuem me burgun. U ula mbi leckat e mie, i vramë shpirtnisht nga skena e policit, që shkelmoi nanën plakë e të përbuzun. U përpoqa me rrmue sa ma thellë në mendjen time, e me gjetë kuptimin e këtyne akteve monstruoze. C’ka mund të justifikonte nji qëndrim të këtillë, nji veprim të këtillë? “Në emën të popullit”, të “revolucionit proletar”, “të klasës punëtore”? Ishte nji seri prrallash nxitëse, e jo bindëse. Dyshimet e mia, se “komunistët” në Shqipni kishin humbë humanitetin e tyne, humanitetin që përshkonte ideologjinë e propagandën e ditëve të luftës, forcohej ma shumë nga ngjarjet që dëshmojsha, sidomos gjatë ditëve të burgimit; ishin gozhdat e fundit në arkivolin ku shtrihej pa jetë shpresa për nji ringjallje morale, e si rrjedhim, nji orientim të ri politik të “pushtetit”, që fitoi me forcë e mbahej në kambë vetëm me dhunë. Nji armatë fanatikësh, që me dashje, ose pa kuptue, kishte përqafue frymën e programin e “Partisë Komuniste të Shqipërisë”, ma vonë “Partia e Punës së Shqipërisë”, marshonte me hap të rregullt në fushatën e vet për shkatërrimin e botës së vjetër, e ndërtimin e “nji botë të re premtuese”. Në këtë ecje marramendëse, turmat e indoktrinueme shkelshin mbi të drejtat ma të shenjta të shumicës së popullsisë, që vuente efektin e punës shkatërruese, e digjej në zjarrin e ndezun nga “revolucionarët”, që tashma ishin thjesht militante të bindun, arrogante, hakmarrës, të pakulturuem. Përfytyrojsha Qemalin në torturë, dhimbjet, britmat, ndoshta edhe lutjet e drejtueme oficerit hetues e xhelat, që ta bindte për pafajsinë e tij, e dridhesha nga frika, që më kishte pushtue mbas sesioneve të torturës së randë. Si ishte e mundun që njeriu të zbresë aq poshtë, sa të torturojë nji tjetër qenie njerëzore, me nji sadizëm të këtillë? Cila ishte ajo doktrinë, që këshillonte e aprovonte dhunën ekstreme kundër kundërshtarit të konceptuem si “armik”, me qëllim që të avancojë parimet e veta “përparimtare”? Çfarë njeriu zbret poshtë vullnetarisht në botën e nëndheshme, ku njerëzit detyrohen me u çnjerëzue, e shkojnë deri në atë pikë sa të vrasin “armiqtë” me drue, hekur, zjarr, litar, me çdo mjet që konkurron me shkaktue nji vdekje, sa ma të egër që të jetë e mundun? E natyrisht, si asht e mundun që shqiptari të vrasë shqiptarin me aq lehtësi, e aq egërsi? Oh, sa pakuptim më dukej shprehja, “vllazën e motra shqiptare”, që mësuem aq herët, e përdoruem aq shumë. Andrrat e mia për nji komb shqiptar, të bashkuem e me nji ideal të përbashkët, të ndërtojmë atdheun tonë, të shpëtojmë popullin tonë nga vuejtja, uria, paditunia, e vorfnia që e mundojshin, po mbyteshin në pellgun e gjakut të burgjeve komuniste, në lumin e lotëve që rrjedhte çdo ditë në çdo shesh qyteti, e çdo rruge katundi të Shqipnisë së martirizueme. As kangët e altoparlantëve zyrtarë, as thirrjet histerike të udhëheqësve partiakë e shtetnore, nuk mbulojshin dënesën e përgjithshme, e vajin e familjarëve në shtëpitë e të vramëve, e të burgosunve, që mbushnin burgjet e kampet e dëbimit të shpërndamë, që nga Konispoli deri në Vermosh. Shqipnia e veshun në të zeza nuk më lente të qetë, e thirrjet histerike të “pushtetarëve”, paralajmojshin ardhjen e ditëve edhe ma të vështira...” Shqipnia, ishte inondue nga paditunia, mashtrimi, urrejtja, hakmarrja instinktive, e dhuna masive e organizueme e legjioneve të kuq, të pamend e të pazemër! * Në qeli, dita pa dritë kalonte pa u kujtue, ashtu si nata e errët në gjumë. Ishte nji lloj vdekje e ngadalshme, e ndërpreme nga sulmet e rojeve të kuqe, mbi të burgosunit “që flasin me zë të lartë”, ose mbi ata që ktheheshin të dërrmuem nga zyrat e hetuesisë. Në mëngjes, ngriheshim nga nji trokitje e fortë në derën e qelisë, e zhurmës së çizmes, ose grushtit partizan. Pa marrë frymë mirë, dera hapej, roja na zgjidhte kambët, e me duer në pranga, dy nga dy, rrëmbejshim kovën e urinës, vrapojshim si të çmendun drejt nevojtores, zbrazshim kovën e mbushun, kryejshim nevojat tona së bashku, e me nji thirrje të çmendun të rojes, ngriheshim e vrapojshim përsëri deri në qeli. Shpeshherë, roja e lodhun nga shërbimi i natës, largonte mërzitjen me shkopin ose zinxhirin që mbante në dorë, e na binte pa mëshirë. Gjatë ditës, roja hapte dritoren e hudhte në shesh tre racione buke. Nuk kishte ushqim tjetër, as edhe çaj. Uji jepej nji herë në ditë. Çdo komunikim me të tjerët, ishte plotësisht i ndaluem. Nuk lejohej pastrimi. Nji herë në muej, berberi i prumë nga jashtë, qethte flokët e rruente mjekrat e rrituna, gjithherë në mbikyqyrjen e rojeve. Ushqimi nga familja ishte i kufizuem, nji herë në javë. Ndajshim gjithçka njeni me tjetrin; ishte e natyrshme. Me gjithë atë pisllëk, mbijetojshim; pis në trup, pis në rrobe, pis në vendin ku gjindeshim, ndërsa era e urinës na merrte frymën. Çdo ditë ndigjojshim dënesa e gjame. Disa ishin të sëmurë. Askush nuk vriste mendjen për ata. Të tjerë vijshin nga hetuesia, të ndjekun me drue nga rojet shoqnuese nëpër korridoret e Kuvendit-burg. Asgja tjetër nuk ndigjohej, e kur binte heshtja, ajo ishte e plotë, heshtje prej varri! Nuk kisha masën e kohës, as nuk dijsha sa ditë kisha kalue në këtë gjendje. Por, mungesa e hetuesisë së matejshme më dha me kuptue, se mbas nënshkrimit të “procesit”, po afrohej koha e “gjykimit”. Plagët e infektueme përmirësoheshin çdo ditë, derisa u mbyllën tue lanë gjurmët e pashlyeme për jetë. Nji ditë nandori, roja urdhnoi me mbledhë leckat, e pa më dhanë kohë me u përshëndetë me shokët e dhomës, më zgjidhi kambët, më lidhi dy duert fort me zinxhirë kafshësh, më kapi për krahu e filluem të ecim me rrobet e ngarkueme në kurriz. Jashtë, në oborrin e Kuvendit-burg, priste nji makinë e Sigurimit. Brenda, ishin edhe tre të tjerë, që nuk njihsha. Pesë minuta ma vonë u shkarkuem në oborrin e Sigurimit, nga ku të burgosunit merren në “hetuesi”. Frika e torturës në nji hetuesi të re, pothuejse më paralizoi. Përsëri i mbajtun për krahu nga roja, u përplasa në nji qeli të vogël me nji dritore hekurash të kryqëzueme, që lejonte pak dritë e ajër. Përsëri vetëm. Nga oborri i jashtëm ndigjoheshin zanet e rojeve, oficerëve e kambët e tyne. Kishte nji lëvizje të pazakonshme. Në qeli, isha vazhdimisht në mendime. Kur pushojsha, nji boshllëk i madh krijohej rreth e rrotull meje. Ngrihesha në kambë, fillojsha me qarkullue në nji përpjekje të dëshprueme me rikapë fillin e mendimit të humbun. Shpeshherë, kalojsha orë të tana në përpjekje me marrë masën e objekteve përreth, muret, derën, dritoren, llampën, dyshemenë e tavanin, e me i krahasue me të tjera të jetës së përditshme, në nji përpjekje me lidhë kontaktin me botën e lanun mbas vehtes. Te nesërmen, roja më pruni rrobe të pastërta nga familja, e më urdhnoi me u veshë menjiherë. Me gjithë frikën e madhe të hetuesisë, mendova se rrobet e pastërta tregojnë diçka tjetër, ndoshta transferimin në nji burg ma “njerëzor”. Kur u kthye, më tha ta shoqnojsha në oborrin e jashtëm, ku më priste berberi që më hoqi flokët e mjekrën e rritun. Në atë gjendje të mjeruem, ai gjeti nji fjalë që theu monotoninë: - Qenke i ri...!”, më tha. - Po!”, përgjegja. “Jam student!” nuk foli, më pruni në qeli, më lidhi duert shtrëngueshëm, mbylli derën me shul, e u largue. Fillova me ecë poshtë e nalt, me shlodhë kambët e zgjidhuna nga zinxhirët mbas kaq kohe, por vetëm për pak minuta, sepse dera u hap përsëri, e nji roje e panjohun më mori për krahu, kaloi nëpër oborr, e hyni në ndërtesën e Sigurimit. Nuk kuptova gja. Trokiti në derën e nji zyreje, hyni brenda, përshëndeti oficerin, e u largue. Në zyrë, oficeri më shikoi me vëmendje. Ishte nji fytyrë e re e jashtëzakonisht e pakandëshme. Më urdhnoi me u ulë në karrike. Më pyeti emnin, mbiemnin, e pa fjalë tjetër shtoi: - Sot mbasdreke, do të dalësh para Gjyqit të Popullit. Aty do të japësh llogari për krimet e bame, që janë të rreshtueme në “procesin” tand. Due të paralajmoj, se para gjyqit nuk ke të drejtë me mohue as edhe nji fjalë nga “procesi”. E kupton? Përndryshe, ti dhe unë do të kemi seanca të gjata, shu-u-më të gjata.... Më kupton?” - Po”, përgjegja shkurt. -Tashti, do të takosh avokatin që ka zanë familja.” Oficeri i ra zilit. Roja pruni avokatin në zyrë, nji burrë rreth katërdhjetë vjeçar, me syza, u paraqit në zyrë. E njoha si fytyrë, por nuk dijsha emnin e tij. Ai më përshëndeti njerëzishëm, më njoftoi se familja kishte kërkue nga ai me ba mbrojtjen time legale, e se ishte gati me më ndihmue. - Do të mbrohemi së bashku”, më tha. “Kam lexue procesin tand”. - Nuk mund të mbrohemi së bashku”, përgjegja pa mendue...” Ti nuk je i akuzuem.” - E kuptoj”, më tha, “po ka disa aspekte teknike të “procesit”, që duhet t’i sqarojmë bashkë, para se të dalim në gjyq sot mbasdreke. Pa mbarue mirë fjalën, oficeri i ra zilit, urdhnoi avokatin me dalë përjashta, e tue m’u drejtue me nji inat të papërmbajtun, më tha: - Po të fillosh me lodrat tueja para gjyqit, mos harro se këtu do të kthehesh...Shpirtin do të marr...E kuptove? Tashti ktheu në qeli...” Rreth orës së drekës, nji oficer më dorëzoi kopjen e akt-akuzës, që përmbante njimbëdhjetë pika. Simbas kësaj akuze, unë kisha ba përpjekje “për të rrëzuar pushtetin popullor me forcë”, në lidhje me “agjentë të fuqive të huaja”. Shumica e akuzave, ishin fallsifikime të thjeshta, që nuk kishin asnji lidhje me mue. Njena nga ata, ishte veçanërisht e rrezikshme, sepse kishte të bante me fatin e Kosovës, e veprimtaria ime kishte “dëmtuar rëndë miqësinë vllazërore me Jugosllavinë e shokut Tito”. Moslejimi i të akuzuemit me folë, me u shprehë, me shpjegue e me justifikue veprimtarinë e vet, don të thotë me dënue njeriun, jo aktin. Ishte pikërisht ky, qëllimi i udhëheqjes komuniste në Shqipni? Zot të gjendjes së brendshme, ata paraqiteshin si agjente të nji obsesioni monstruoz, që kërkonte me justifikue “vijën e Partisë”, me shue çdo za të lirë, me eliminue çdo njeri të lirë...” Në këtë gjendje mendore, në orën dy mbasdreke, më nxorën nga qelia. Nji orë ma vonë, filloi seanca gjyqësore e Gjykatës Ushtarake Speciale në Shkodër.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora