E enjte, 23.09.2021, 10:17 AM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Kozeta Zylo: Adem Jashari - Burri që lindi në Ditën e Flamurit dhe u bë Flamur i Lirisë

E shtune, 20.02.2021, 07:12 PM


Adem Jashari

Burri që lindi në Ditën e Flamurit dhe u bë Flamur i Lirisë

Nga Keze Kozeta Zylo

Zoti kishte planifikuar që në Ditën tonë të Shenjtë të Flamurit të sillte Ëngjëllin mbrojtës të trojeve tona etnike.  Dhe e solli.  Ai ishte Adem Jashari.  Babai i tij dhe familja shtin me pushkë, kur në familjen e tyre erdhi djali.  Gëzim më të madh nuk kishte.  Ai erdhi në Ditën e shenjtë të Kombit.  Babai e uroi: “U bëfsh Lis për Atdhe!

Janë të rastësishme, por ja që më duhet te besoj tek mistikja, tek legjendat e Kombit tim, se 28 Nëntori është Dita e Flamurit, por është dhe dita e lindjes së një Heroi, është dhe dita publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997.

Historitë mahnitëse të luftës së tij të jashtëzakonshme për Kosovën do të tregohen brez pas brezi, historitë e tij do të jenë frymëzuese.

Personalisht e vizitova Kosovën në vitin e Lirisë në korrik të vitit 2008-të dhe u pritëm nga Presidenti i parëi Kosovës Prof.Dr.Fatmir Sejdiu.  Vizita e parë ishte në Kompleksin “Adem Jashari”.  Unë jam rritur me jetën e heroit Asim Zeneli i cili e derdhi gjakun në tokën e prindërve te mi në arën e Gjonajve, aty ku ra heroikisht duke luftuar kundër ushtrisë fashiste italiane. Ne gjithmonë jetonim ngatë parët tanë me heroizmin e tij dhe të popullit mezhgoranas.

Natyrisht qëndrimi im para Kompleksit “Adem Jashari” ishte e një gruaje të pjekur dhe ndjesitë ishin gati si në një çmenduri me hone të zeza që pret të rrëzohesh, por akoma je nën torturë në ajër e pa rrëzuar, e pakallur, kur sheh qindra vrima plumbash në mure, në pemë, në furrë të bukës e kudo…

O Zot, ç’pamje heroike të shfaqet para syve!  Si lis i papërkulur qëndron heroi Adem Jashari përpara shtëpisë së tij, ne Prekaz aty ku ra heroikisht!

Para asaj pamje të pushton një ndjenjë, si rrallë herë!

Aty prek me dorë heroizmin e vërtetë, abstraktja të kthehet në konkrete.  Aty të përshëndet hijerëndë dhe krenar, ai që i dha Kosovës 58 vetë nga familja e tij!

Qëndrojmë përpara varreve, një heshtje dhe kotka lotësh të mblidhen në grykë, ndërsa dy ushtarë të përhershëm bëjnë roje duke nderuar heronjtë që derdhën gjakun lumë për Lirinë e shtrenjtë.Pasi vendosim buqeta me lule, ciceroni Rifat Bejta, një mësues mjat i apasionuar na tregoi me detaje luftën epope të legjendarit Jashari.  Ndërkohë në fushat me hektarë të tërë, pronë e Jasharëve nipi i mbetur gjallë nga lufta, koloneli ushtarak korrte grurin me kombajnë, dhe të gjitha të ardhurat nga kjo tokë kalonin për të vobektit.

Kudo që të hidhje sytë, do të ndesheshe me objekte lufte, oda të mëdhaja miqsh, me oxhaqe, por që kishin parë shumë gjak, vrima plumbash, furrë buke që gatuhej për familjen e madhe të Jasharëve, etj…

Lart në kodër në vijë ajrore dukej pika ku kishin qëndruar serbët, kuçedra me shtatë kokë për të vezhguar gjithë veprimet heroike të Jasharëve, ndërsa përballë ishte bunkieri ku Adem Jashari ishte fshehur për vite me radhë nga shkjau!

Duke u ngjitur në kështjellën e tyre, brenda ishte dhoma shpuar nga plumbat, ku më parë mblidheshin komandantët e UCK-së për organizimin e Luftës kundër serbëve!

Kompleksi “Adem Jashari” është një vend pelegrinazhi për luftën e Kosovës, është një legjendë e gjallë, në një vend me qiell të lirë kosove.

Në këtë kompleks takuam dhe ushtarakë të KFORIT, si A.Ryon nga Austria i cili ishte tepër krenar që shërbenin për Kosovën dhe popullin e saj.

Kjo legjendë e jashtëzakonshme e një familjeje të tillë është e palexuar në ndonje libër ose histori botërore, pasi aty ranë heroikisht burra, gra dhe fëmijë duke luftuar kundër Hitlerit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç.  Ata u flijuan familjarisht për trojet etnike.

Ai është si një Antѐ dhe do të mbetet legjenda më e rrallë në fondin e artë të historisë kombëtare, ai e sfidoi kuçedrën serbe me 7 kokë, sepse nuk i shkëputi lidhjet kurrë me tokën e Drenicës, me tokën e Kombit te tij, ai vazhdon të marrë fuqi prej saj.

Kjo fuqi që merrte nga toka Anteu i Kosovës, të kujton ideologun dhe profesorin ballëndritur Sami Frashërin i cili ka thëne: “Dashuria për Atdhe është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’ju qëndrojë topave më të forte”.

Ai kishte ndërtuar kalane e tij si të Krujës së Skënderbeut për t’i bërë ballë genocidit serb, por me dallim se ushtarët e Anteut ishin familja e tij e madhe.

Me të drejtë Bernard Kouchner kryeadministratori i Parë i Kosovës i njohur me historinë e jashtëzakonshme të Jasharëve ka thënë: “Nëse do të kishte çmim Nobel të Lirisë familjes Jashari i takon të parës”.

Ndërkohë befasohem qe nuk ka çmim për Lirinë nga Nobel, ku për Lirinë vazhdon të derdhet gjaku oqean ndërkohë pa Lirinë je thjesht një skllav.

Adem Jashari është një institucion ushtarako-edukativ.  Adem Jashari është strateg i Luftës heroike.  Ai nuk u dorëzua përballë makinës serbe e cila ishte tejet e fuqizuar në armatim, ushtri, por motoja e këtij Heroi rrënjosur në gjak ishte:

“Armët nuk i kemi marrë që t’ia dorëzojmë armikut, por që ta luftojmë deri në fishekun e fundit.”

Më datat 5, 6 e 7 mars 1998, ranë si heronj dhe më pas u masakruan nga serbët anëtarë të familjes Jashari, 20 prej tyre nga familja direkt e Adem Jasharit.

Në këtë sulm nga më barbarët në histori i mbijetuan Bashkimi, djali i Rifatit, i cili arriti t’i largohej rrethimit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës qe pa tragjedinë me sy si në veprat e Shekspirit.  Unë jam e sigurtë se Adem Jashari po të ishte gjallë do tëna thoshte të gjithëve ashtu siç shkruan Euripidi: “O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep Atdheut”!

Adem Jashari e dinte mirë se mbrojtja e Atdheut kërkon sakrificën më sublime, kërkon dashurinëmëhyjnore, sepse vetëm me këto bëhesh dalazot i Kombit.  Ai para se të vritej në fushën e betejës kishte thënë:  “Nuk do të dorëzohem për së gjalli, vrastarët nuk do të kalojnë veçse mbi trupin tim të vdekur”.

Qe në orët e hershme të mëngjesit të 5 marsit 1998, në Prekaz u sulmua familja Jashari nga kriminelët jugosllavë që përbëheshin nga transportues të blinduar me rreth 7-8 mijë trupa. Sulmi zgjati 3 ditë dhe 2 netë dmth, më datat 5, 6 e 7 mars 1998.  Një predhë e rëndë ra përmes çatisë, duke vrarë një numër të anëtarëve të familjes. Bombardimet e vazhdueshme për nja 36 orë ia mundësuan policisë më në fund të hyjnë në shtëpi.

Organizata "Amnesty International", në një raport të bërë për luftën, tha se sulmi kishte për qëllim eliminimin e të gjithë dëshmitarëve. Adem Jashari së bashku me anëtarët e familjes së tij u vranë. Gjithsej 58 persona janë vrarë, në mesin e tyre 18 ishin gra dhe 10 fëmijë nën moshën 16 vjeçare. Këtij sulmi i mbijetoi vetëm Besarta Jashari (asokohe 11 vjeçare).

Heroizmi i kësaj familje kombëtare do të dëgjohet dhe tregohet brez pas brezi, sidomos në Ditën e Shenjtë të Flamurit, ngase Adem Jashari ishte burri që lindi në Ditën e Flamurit dhe u bë Flamuri i Lirisë.

Për heroizmin e Jasharëve në këtë ditë të Pavarësisë së Kosovës:

Dashkam sonte ta trand botën,

Ngricën e lotit ta bëj krua,

Për Kombin, të ngre Flamurin,

Me Kosovën mish e thua…

Autorja është shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

20 shkurt, 2021

Staten Island, New York



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora