| E shtune, 20.02.2021, 11:10 AM |
Flet pas dekorimit kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji: Festivali i 11-të u dënua pasi ishte mjaft rinor, ritmik
Titulli
“Mjeshtër i Madh” është një përgjegjësi dhe vlerësim
Nga
Albert Z. ZHOLI
Ditët
e fundit kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji mori nga Presidenti
Republikës Ilir Meta titullin “Mjeshtër i Madh”, një titull që sipas shumë
muzikantëve atij i takonte për vetë kompizimet e shumta në Festivale dhe
Koncertet e Majit. Para disa kohësh kompozitori hodhi në treg dhe romanin
“Zemra e gjyshit” një roman shumë tërheqës për të cilin ai thekson se: “Për ta
shkruar, në vend të bojës, penën e kam ngjyer në pellgun e lotëve të syve të
mi, që nuk më kanë pushuar për gati tetë vjet. Shpresoj që ky libër të m’i
shterë lotët e dhimbjes, që kanë buruar prej tyre, e vendin e tyre ta zërë
shkëlqimi”.
Z. Enver çfarë përbën në
jetën tuaj marrja e ttullit të lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidneti Ilir
Meta?
Ajo
ditë mbetet e shënuar në jetën time për vetë faktin se në situatën që ndodhëm
prej 28 vitesh ky titull më ikurajoi, më dha më shumë forcë për të mposhtur
vështirësitë dhe pëqr të parë me më përgjegjësi krijimtarinë time. E falënderoj
me zemër Presidentin Meta që e vlerësoi punën time në një moment të vështirë. I
jam mirënjohës pasi ky titull e ka rritur përgjegjësimë time në krijimtarinë
artistike. Tituj të tillë lënë gjurmë te krijuesit.
Ju
keni qenë pjesëmarrës në Festivalin e 11-të, si ju vijnë sot mbresat e atij
organizimi?
-Festivali
i parë që kam marrë pjesë është ai, festivali famëkeq i 11-të. Kam marrë pjesë
me këngën “Mbrëmja e fundit”, kënduar nga Bashkim Alibali. Ky festival solli
një zhgënjim në atë fazë të parë të krijimtarisë. Kur brenda nesh zienin shumë
ëndrra, morëm një goditje që nuk e prisnim, sidomos në brezin i ri. Unë sapo
kisha mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe kisha shumë projekte për të
ardhmen.
Sigurisht,
krijimtaria juaj nuk fillon këtu?
Krijimtarinë
e kam filluar që në vitin 1970, fill pas mbarimit të Institutit. Kënga ime e
parë është “Udhëtojmë së bashku”. Ishte periudha e aksioneve të rinisë. Edhe
aksionet atëherë ishin të bukura. Mblidhej rinia punonte dhe gëzonte.
“Udhëtojmë së bashku” e ka kënduar Naim Kërçuku në anketat muzikore dhe është
nderuar me çmimin e parë. Pra kënga ime e parë mori çmim të parë. Kjo më dha
impuls që unë të vazhdoja krijimtarinë.
Po
Festivalin e 11-të si do ta komentonit?
Festivali
i 11-të ishte mjaft rinor, ritmik. Deri atë kohë muzika po lulëzonte. Ky
lulëzim vazhdoi deri në vitet ‘70-’73, kohë kur u bë plenumi famëkeq. Aty
filloi një censurim drastik. Deri nga vitet ‘73 në radio, por edhe në
televizion u bë një lloj tolerimi për sa i përket muzikës. Mëngjesi nuk
fillonte më me këngë e valle popullore siç ishte tradita, por u futën edhe
këngë të tjera, kryesisht ritmike të muzikës së lehtë. Ishte një festival që i
përshtatej aspiratave të rinisë. Të rinjtë në fillim, pa filluar ende kritikat,
këngët e atij Festivali i këndonin në rrugë, në shtëpi, në kodrat e liqenit, në
auditoret e shkollave, kudo… Ai Festival mbetet si pika kulmore e ëndrrave
rinore për të parë drejt perëndimit.
Për
të ardhur tek Festivali, çfarë koncertesh të tjera të muzikës kishin bërë bujë?
Pikërisht
në vitet 1972-1973 u zhvillua Festivali Rinor. Në ato festivale i gjithë
formacioni orkestral ishte i përbërë nga Instituti i Arteve (sot Akademia), ku
të gjithë pjesëmarrësit këngëtarë ishin amatorë të mbledhur nga të gjitha
fakultetet. Jehona e atyre festivaleve në atë kohë ishte mjaft e madhe. Unë jam
përfaqësuar në festivalin e parë me një këngë “Erdhëm që nga larg”. Ideja ishte
se nuk na frikësonte asgjë… Këtë këngë e ka kënduar këngëtarja e atyre viteve
që la emër dhe bëri epokë Justina Aliaj. Ajo ishte në hapat e para dhe
studionte për artin dramatik. Ishte një këngëtare e madhe dhe pastaj u bë edhe
një aktore e madhe. Ishin të shoqëruara bashkë edhe vokali edhe temperamenti.
Pastaj në festivalin e dytë kam bërë një këngë “Mbaje mend atë natë”. Ka qenë
një poeteshë e re ushtarake që bëri tekstin. Këto ishin poezi që lidheshin me
dashurinë me botën rinore. Ajo moshë mbi gjithçka ka dashurinë.
-Kush
e ideoi këtë Festival?
Ky
Festival pati jetë të shkurtër dhe pse la gjurmë. Atë e ideoi dhe drejtoi
Robert Radoja.
Pse
në atë kohë në qendër të vëmendjes së kompozitorëve e poetëve u vu dashuria?
Të
gjithë artistët në botë sidomos të sferës së muzikës e kanë marrë inspirimin
nga femra. Njeriu kur shikon diçka të bukur kërkon të shkruaj, evidentojë, ta
ngrejë lart atë.
Sigurisht
në memorien tuaj Festivali i 11-të mbetet një ditë e zezë?
Në
atë vit kur unë isha pedagog filloi ajo kositja që unë e them shpesh. Fill pas
Festivalit të 11-të. Ne ishim si një bimë e re që sapo kishim filluar të
lulëzonim, pra sa kishin filluar të dilnin filizat e para dhe shumë shpejt mbi
kokat tona ra një kosë e rëndë, e madhe. Një kosë që edhe gjak nxori se vuajtje
po e po. Të gjithë duke filluar nga unë Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi,
Françesk Radi të u larguam nga Tirana. Dikush shkoi në Kukës, dikush në
Fushë-Arrës, unë në malet e Kërrabës. Insistova të mos shkoja (sepse 5 ditë
para se të martohesha më është dhënë largimi), isha në kushte shumë të vështira
në shtëpi, ishim 13 veta në dy dhoma e një kuzhinë. Unë kisha punuar mbi 4-5
pallate me kontribut vullnetar, dhe ngaqë isha beqar s’më jepnin shtëpi. Kur
unë fillova punën vullnetare tek “Rruga Bardhyl”, ku u bë pallati fundit (ku
mora shtëpi) atëherë më erdhi largimi im. U detyrova të shkoja në Kërrabë ku
qëndrova 7 vjet. Dy ishin rrugët që të mbijetoje në atë kohë, ose duhej të gjeje
një rrugë të mesme që as veten mos ta poshtëroje, por të ishe në rregull edhe
me ligjet e shtetit, ose të dilje kundër dhe të dënoheshe.
E
cilësoni dënim atë që ju ndodhi pas Festivalit 11-të?
Them
se i persekutuar dhe i dënuar i Festivalit të 11-të mbetet vetëm Sherif
Merdani. Ne të tjerët jemi të larguar. Sepse ne na u mohua e drejta e të
kompozuarit vetëm për një vit. Në Festivalin e 12-të asnjë nga brezi im nuk
mori pjesë. Por morëm në të 13-in.
Si
erdhi transferimi nga Kërraba?
Mbas
7 vjetëve erdha në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Aleksandër Lalo,
Françesk Radi u kthye dhe vetëm Sherif Merdani nuk u kthye më. Festivali i
11-të ishte një akumulim i asaj që në fund të fundit ne nuk donim të mbeteshim
në atë ngushtësi. Unë këtë e logjikoj edhe sot se ajo ishte e drejtë sepse
duhej të këndoja shqip.
Para
se të merreshit me muzikë ke pasur dëshira të tjera për të studiuar?
Unë
nuk kam lënë pjesë teatrale dhe filma që janë dhënë në Shqipëri pa i parë.
Profesori im i parë i muzikës ka qenë mjeshtri Ali Prodani. Edhe Agron Dashi,
ish- aktor i Teatrit Popullor, shikonte tek unë që kisha mjaft cilësi të skenës
dhe sidomos në prirje në planin e komedisë. Mirëpo ekzistonte një dualizëm midis
të dyve. Fitoi Ali Prodani. Unë kam pasur një fatkeqësi në jetë sepse kur
mbarova të mesmen nuk më lanë të vazhdoja as dramën as muzikën. Mua më caktuan
në kulturën e përgjithshme. Nuk kam shkuar 6 muaj në atë degë dhe shkoja e
futesha në degën e muzikës, futesha fshehurazi nëpër leksionet e muzikës. Një
profesor thërret babain tim dhe i thotë se çfarë do të bëhet me këtë djalë se
unë i di pasionet e tij. Ai thotë se këtë nuk e lë partia të vazhdojë në asnjë
degë. Ky është i caktuar të vazhdojë këtu. Kështu unë iu përkushtova muzikës
dhe një dege tjetër që nuk kishte lidhje fare me muzikën. Me përkushtimin dhe
këmbënguljen time arrita që në fund të bëhem edhe pedagog i instrumentit të
solfezhit. Unë nuk mora shkollim të drejtuar profesionalisht. Mbeta në gjininë
e këngës, filmit dhe të simfonisë.
Ç’do
të veçosh nga krijimtaria jote?
Në
vitin 1974 më lindi vajza dhe unë kompozova këngën “O ti, ti e vogla moj bij,
bija ime” që e këndonte Vera Dervishi dhe Fatma Zyberi (teksti ishte i Zhuljana
Jorganxhi). Atëherë në festival këndoheshin këngët me dy interpretime. Më
thërret Marash Hajati që ishte drejtor. Ai me shumë dashamirësi dhe korrektësi
dhe thotë, se në ato vite (dy tre muaj përpara) shoku Enver Hoxha kishte qenë
në Korçë dhe në Pogradec ku thoshte: Ti shtojmë nipërve dhe mbesave dashurinë
për fshatin. Ndaj thotë Hajati, a mund të rregulloni diçka në këtë tekst, ku
kjo vajza jote në tekst të bëhet një bujkeshë e mirë. Titulli këngës iu vu “Të
më rritesh bujkeshë” dhe gjithë rrethi im familjar më ka thënë se ne nuk kemi
as toka as fusha dhe sa shpejt ia dhe zanatin vajzës.