Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Zholi: Enver Shëngjergji - Festivali i 11-të u dënua pasi ishte mjaft rinor, ritmik

| E shtune, 20.02.2021, 10:10 AM |


Flet pas dekorimit kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji:  Festivali i 11-të u dënua pasi ishte mjaft rinor, ritmik

Titulli “Mjeshtër i Madh” është një përgjegjësi dhe vlerësim

Nga Albert Z. ZHOLI

Ditët e fundit kompozitori i talentuar Enver Shëngjergji mori nga Presidenti Republikës Ilir Meta titullin “Mjeshtër i Madh”, një titull që sipas shumë muzikantëve atij i takonte për vetë kompizimet e shumta në Festivale dhe Koncertet e Majit. Para disa kohësh kompozitori hodhi në treg dhe romanin “Zemra e gjyshit” një roman shumë tërheqës për të cilin ai thekson se: “Për ta shkruar, në vend të bojës, penën e kam ngjyer në pellgun e lotëve të syve të mi, që nuk më kanë pushuar për gati tetë vjet. Shpresoj që ky libër të m’i shterë lotët e dhimbjes, që kanë buruar prej tyre, e vendin e tyre ta zërë shkëlqimi”.

Z. Enver çfarë përbën në jetën tuaj marrja e ttullit të lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidneti Ilir Meta?

Ajo ditë mbetet e shënuar në jetën time për vetë faktin se në situatën që ndodhëm prej 28 vitesh ky titull më ikurajoi, më dha më shumë forcë për të mposhtur vështirësitë dhe pëqr të parë me më përgjegjësi krijimtarinë time. E falënderoj me zemër Presidentin Meta që e vlerësoi punën time në një moment të vështirë. I jam mirënjohës pasi ky titull e ka rritur përgjegjësimë time në krijimtarinë artistike. Tituj të tillë lënë gjurmë te krijuesit.

Ju keni qenë pjesëmarrës në Festivalin e 11-të, si ju vijnë sot mbresat e atij organizimi?

-Festivali i parë që kam marrë pjesë është ai, festivali famëkeq i 11-të. Kam marrë pjesë me këngën “Mbrëmja e fundit”, kënduar nga Bashkim Alibali. Ky festival solli një zhgënjim në atë fazë të parë të krijimtarisë. Kur brenda nesh zienin shumë ëndrra, morëm një goditje që nuk e prisnim, sidomos në brezin i ri. Unë sapo kisha mbaruar Institutin e Lartë të Arteve dhe kisha shumë projekte për të ardhmen.

Sigurisht, krijimtaria juaj nuk fillon këtu?

Krijimtarinë e kam filluar që në vitin 1970, fill pas mbarimit të Institutit. Kënga ime e parë është “Udhëtojmë së bashku”. Ishte periudha e aksioneve të rinisë. Edhe aksionet atëherë ishin të bukura. Mblidhej rinia punonte dhe gëzonte. “Udhëtojmë së bashku” e ka kënduar Naim Kërçuku në anketat muzikore dhe është nderuar me çmimin e parë. Pra kënga ime e parë mori çmim të parë. Kjo më dha impuls që unë të vazhdoja krijimtarinë.

Po Festivalin e 11-të si do ta komentonit?

Festivali i 11-të ishte mjaft rinor, ritmik. Deri atë kohë muzika po lulëzonte. Ky lulëzim vazhdoi deri në vitet ‘70-’73, kohë kur u bë plenumi famëkeq. Aty filloi një censurim drastik. Deri nga vitet ‘73 në radio, por edhe në televizion u bë një lloj tolerimi për sa i përket muzikës. Mëngjesi nuk fillonte më me këngë e valle popullore siç ishte tradita, por u futën edhe këngë të tjera, kryesisht ritmike të muzikës së lehtë. Ishte një festival që i përshtatej aspiratave të rinisë. Të rinjtë në fillim, pa filluar ende kritikat, këngët e atij Festivali i këndonin në rrugë, në shtëpi, në kodrat e liqenit, në auditoret e shkollave, kudo… Ai Festival mbetet si pika kulmore e ëndrrave rinore për të parë drejt perëndimit.

Për të ardhur tek Festivali, çfarë koncertesh të tjera të muzikës kishin bërë bujë?

Pikërisht në vitet 1972-1973 u zhvillua Festivali Rinor. Në ato festivale i gjithë formacioni orkestral ishte i përbërë nga Instituti i Arteve (sot Akademia), ku të gjithë pjesëmarrësit këngëtarë ishin amatorë të mbledhur nga të gjitha fakultetet. Jehona e atyre festivaleve në atë kohë ishte mjaft e madhe. Unë jam përfaqësuar në festivalin e parë me një këngë “Erdhëm që nga larg”. Ideja ishte se nuk na frikësonte asgjë… Këtë këngë e ka kënduar këngëtarja e atyre viteve që la emër dhe bëri epokë Justina Aliaj. Ajo ishte në hapat e para dhe studionte për artin dramatik. Ishte një këngëtare e madhe dhe pastaj u bë edhe një aktore e madhe. Ishin të shoqëruara bashkë edhe vokali edhe temperamenti. Pastaj në festivalin e dytë kam bërë një këngë “Mbaje mend atë natë”. Ka qenë një poeteshë e re ushtarake që bëri tekstin. Këto ishin poezi që lidheshin me dashurinë me botën rinore. Ajo moshë mbi gjithçka ka dashurinë.

-Kush e ideoi këtë Festival?

Ky Festival pati jetë të shkurtër dhe pse la gjurmë. Atë e ideoi dhe drejtoi Robert Radoja.

Pse në atë kohë në qendër të vëmendjes së kompozitorëve e poetëve u vu dashuria?

Të gjithë artistët në botë sidomos të sferës së muzikës e kanë marrë inspirimin nga femra. Njeriu kur shikon diçka të bukur kërkon të shkruaj, evidentojë, ta ngrejë lart atë.

Sigurisht në memorien tuaj Festivali i 11-të mbetet një ditë e zezë?

Në atë vit kur unë isha pedagog filloi ajo kositja që unë e them shpesh. Fill pas Festivalit të 11-të. Ne ishim si një bimë e re që sapo kishim filluar të lulëzonim, pra sa kishin filluar të dilnin filizat e para dhe shumë shpejt mbi kokat tona ra një kosë e rëndë, e madhe. Një kosë që edhe gjak nxori se vuajtje po e po. Të gjithë duke filluar nga unë Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Françesk Radi të u larguam nga Tirana. Dikush shkoi në Kukës, dikush në Fushë-Arrës, unë në malet e Kërrabës. Insistova të mos shkoja (sepse 5 ditë para se të martohesha më është dhënë largimi), isha në kushte shumë të vështira në shtëpi, ishim 13 veta në dy dhoma e një kuzhinë. Unë kisha punuar mbi 4-5 pallate me kontribut vullnetar, dhe ngaqë isha beqar s’më jepnin shtëpi. Kur unë fillova punën vullnetare tek “Rruga Bardhyl”, ku u bë pallati fundit (ku mora shtëpi) atëherë më erdhi largimi im. U detyrova të shkoja në Kërrabë ku qëndrova 7 vjet. Dy ishin rrugët që të mbijetoje në atë kohë, ose duhej të gjeje një rrugë të mesme që as veten mos ta poshtëroje, por të ishe në rregull edhe me ligjet e shtetit, ose të dilje kundër dhe të dënoheshe.

E cilësoni dënim atë që ju ndodhi pas Festivalit 11-të?

Them se i persekutuar dhe i dënuar i Festivalit të 11-të mbetet vetëm Sherif Merdani. Ne të tjerët jemi të larguar. Sepse ne na u mohua e drejta e të kompozuarit vetëm për një vit. Në Festivalin e 12-të asnjë nga brezi im nuk mori pjesë. Por morëm në të 13-in.

Si erdhi transferimi nga Kërraba?

Mbas 7 vjetëve erdha në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Aleksandër Lalo, Françesk Radi u kthye dhe vetëm Sherif Merdani nuk u kthye më. Festivali i 11-të ishte një akumulim i asaj që në fund të fundit ne nuk donim të mbeteshim në atë ngushtësi. Unë këtë e logjikoj edhe sot se ajo ishte e drejtë sepse duhej të këndoja shqip.

Para se të merreshit me muzikë ke pasur dëshira të tjera për të studiuar?

Unë nuk kam lënë pjesë teatrale dhe filma që janë dhënë në Shqipëri pa i parë. Profesori im i parë i muzikës ka qenë mjeshtri Ali Prodani. Edhe Agron Dashi, ish- aktor i Teatrit Popullor, shikonte tek unë që kisha mjaft cilësi të skenës dhe sidomos në prirje në planin e komedisë. Mirëpo ekzistonte një dualizëm midis të dyve. Fitoi Ali Prodani. Unë kam pasur një fatkeqësi në jetë sepse kur mbarova të mesmen nuk më lanë të vazhdoja as dramën as muzikën. Mua më caktuan në kulturën e përgjithshme. Nuk kam shkuar 6 muaj në atë degë dhe shkoja e futesha në degën e muzikës, futesha fshehurazi nëpër leksionet e muzikës. Një profesor thërret babain tim dhe i thotë se çfarë do të bëhet me këtë djalë se unë i di pasionet e tij. Ai thotë se këtë nuk e lë partia të vazhdojë në asnjë degë. Ky është i caktuar të vazhdojë këtu. Kështu unë iu përkushtova muzikës dhe një dege tjetër që nuk kishte lidhje fare me muzikën. Me përkushtimin dhe këmbënguljen time arrita që në fund të bëhem edhe pedagog i instrumentit të solfezhit. Unë nuk mora shkollim të drejtuar profesionalisht. Mbeta në gjininë e këngës, filmit dhe të simfonisë.

Ç’do të veçosh nga krijimtaria jote?

Në vitin 1974 më lindi vajza dhe unë kompozova këngën “O ti, ti e vogla moj bij, bija ime” që e këndonte Vera Dervishi dhe Fatma Zyberi (teksti ishte i Zhuljana Jorganxhi). Atëherë në festival këndoheshin këngët me dy interpretime. Më thërret Marash Hajati që ishte drejtor. Ai me shumë dashamirësi dhe korrektësi dhe thotë, se në ato vite (dy tre muaj përpara) shoku Enver Hoxha kishte qenë në Korçë dhe në Pogradec ku thoshte: Ti shtojmë nipërve dhe mbesave dashurinë për fshatin. Ndaj thotë Hajati, a mund të rregulloni diçka në këtë tekst, ku kjo vajza jote në tekst të bëhet një bujkeshë e mirë. Titulli këngës iu vu “Të më rritesh bujkeshë” dhe gjithë rrethi im familjar më ka thënë se ne nuk kemi as toka as fusha dhe sa shpejt ia dhe zanatin vajzës.