Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Vota e përlotur e elektoratit rugovian!

| E shtune, 20.02.2021, 09:54 AM |


Vota e përlotur e elektoratit rugovian!

Shkruan: Florim Zeqa

Me keqardhje duhet të konstatojë se ndodhi ajo që e kisha parashikuar para zgjedhjeve; "LDK-ja rrezikon ndarjen më të madhe pas kuvendit të VI-të në vitin 2006"! Fatkeqësisht pas 'kuvendit të karrikeve", të ndarjes në dysh të LDK-së, me ç'rast LDK-ja kishte humbur më shumë se gjysmën e elektoratit, përkatësisht nga 45, 3 %  më 2004, bie në 21, 8 %. Kurse nga ndarja e elektoratit në zgjedhjet e 14 shkurtit, LDK nga 24,5 % nga zgjedhjet e 2019-s, bie në kuotat më të ulëta në 13 %!

Dy ndarjet fatale të LDK-së

Përderisa ndarjen fatale të vitit 2006 e kishte shkaktuar akademik Nexhat Daci, ndarjen e dytë katastrofale të LDK-së e shkaktoi Vjosa Osmani.

Dallimi i këtyre dy ndarjeve përveqse në kohë dhe hapësirë, qëndron edhe në përmbajtje. Përderisa Nexhat Daci elektoratin e solli në partinë e tij (LDD), Vjosa Osmani elektoratin e LDK-së e solli në një parti tjetër, dhe atë në partinë më rivale të LDK-së, në partinë më antirugoviane në skenën politike kosovare.

Sikurse në rastin e parë (2006), edhe në rastin e dytë (2021) shkaqet janë personale dhe motivet karrieriste. Sikurse të parin (Nexhat Dacin), edhe të dytën (Vjosa Osmanin), i identifikon egoja personale për pushtet dhe tendenca e dominimit apsolut në elektorat duke e paraqitur veten si të gjithëdijshëm dhe të pazavendësueshëm në LDK.

Përderisa Nexhat Daci duke u thirrur në ekuacionin e papërfunduar matematikor të "shumës së pjesëve"e humbi shumën e partisë, Vjosa Osmani duke u thirrur në "nismën politike" inekzistente, e solli votën e elektoratit të LDK-së në partinë antirugoviane!

Thirrja në filozofinë rugoviane, mashtrim për votë e Vjosa Osmanit

Thirrja në mbrojtjen e parimeve të fillozofisë politike rugoviane, duke e bartur votën e elektoratit rugovian në LVV ishte mashtrimi më i madhë dhe më i pazakont në historinë politike jo vetëm të LDK-së. Ky hipnotizim i elektoratit rugovian të LDK-së u përcoll me dhimbje të mëdha shpirtërore.

Çuarja e votave të elektoratit të LDK-së në Vetëvendosje është njëjtë sikur me i marrë tjegullat nga çatia e shtëpisë sate për ta mbuluar shtëpinë e fqinjit përtej rruge!

Në fakt, vota e një rugovisti për LVV-në ishte pak më tepër se sfiduese, ishte ndjenjë e përzier me dhimbje dhe trishtim. Mjafton të dëgjosh rrëfimet e rugovistëve që e votuan LVV-në; "betohem në gjithçka, se ky ishte momenti më i vështirë i jetës time, me sy të përlotur dhe zemër të coptuar e votova LVV-në, ah bre çka na bëri Isa Mustafa",...vazhdon i dyti, "jam me ndjenja të përziera, nuk dua parti tjetër më shumë se LDK-në, por e tepruan me padrejtësi", ndërsa i treti e thotë kështu "as këta të VV-së nuk janë ëngjëj, por këta që qeverisën deri më sot e bënën Kosovën sikur të ishte plaçkë lufte  duke vjedhur e plaçkitur çdo gjë në këtë vend"!

Bazuar në rrëfimet e sipërcekura dhe të atyre që vendosën t'i qëndrojnë besnik tri shkronjave të arta LDK, dy shkaktarët më të mëdhenjë, por jo edhe të vetëm të ndarjes së elektoratit në dysh dhe të rënjes katastrofale të LDK-së janë Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani, kurse më e merituara për ngritjen epokale të LVV-së është Vjosa Osmani me shoqëruesit e saj!

Çarje e thellë me pasoja të mëdha

"Zonja dardane" i shkaktoi çarjen më të thellë elektoratit të LDK pas kuvendit të vitit 2006. Si pasojë e aventurave të pakontrolluara politike dhe ambicieve të sëmuara për pushtet të zonjes Vjosa Osmani, sot elektorati LDK-së  është i ndarë dhe i përçarë si asnjëherë më parë.

Votat e elektoratit të LDK-së për deputetët e krahut rugovian në listën e LVV-së ishte votë në adresën e gabuar, ajo ishte votë për ngritjen e LVV-së dhe fuqizimin e Albin Kurtit.

Kjo nuk e nënkupton urrejtjen dhe as kundërshtinë time ndaj Albin Kurtit, përkundrazi, ai e gëzon respektin tim për konsistencën e qëndrimeve në arritjen e qëllimeve politike, sikurse që e gëzon secili lider tjetër në vend që mbron ideologjinë dhe konceptet e tij partiake.

Mirëpo për dallim nga Albin Kurti që e mbrojti me fanatizëm konceptin dhe ideologjinë e tij politike, Vjosa Osmani me sejmenët e saj e ngritën LVV-në në piedestalin më të lartë, duke e ulur njëkohësisht trashëgimin rugoviane të tri shkronjave të arta LDK në kuotat më të ulëta në historinë e saj.

Për aq sa është fajtor Isa Mustafa për shkatërrimin e LDK-së, aq është fajtore  Vjosa Osmani për ndarjen e LDK-së.

Dorëheqje e vonuar, e panderë dhe e pavlerë e Isa Mustafës!

Kërkesat për dorëheheqjen e Isa Mustafës kanë qenë të hershme dhe të përhershme nga elektorati i LDK-së në Kosovë dhe Diasporë. Madje në disa raste edhe u materializuan në formë të peticioneve siq ishte ai i dhjetorit të vitit 2015.

Por fatkeqësisht kërkesat sinqerta dhe plot dashuri të elektoratit nuk dëgjuan nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së!

Se fundmi, pas caktimit të datës së zgjedhjeve, sërish ju drejtova disa strukturave të LDK-së me propozimin, se dorëheqja apo shkarkimi i Isa Mustafës do të garantonte suksesin në zgjedhjet e jashtëzakonshme, mirëpo  kjo ishte e pamundur shkaku  barrikadimit të servilëve dhe sahanlëpirësve të pushtetit rreth liderit të partisë.

Nuk mjaftuan humbjet e njëpasnjëshme të LDK-së nga 2010-ta për reflektim të strukturave partiake.

Vetëm tani pas kulminacionit, të humbjes fatale dhe poshtëruese të LDK-së, gjegjësisht pas përmbushjes së misionit shkaktërrimtar, i bie ndër mend misionarit të shkatërrimit të LDK-së të shesë "moral" politik për humbjen katastrofale!

Tani pas rënjes në fund të pusit, dorëheqja e Isa Mustafës është e pamjaftueshme. Ajo duhet të pasohet dhe plotësohet jo me dorëheqjen e kryesisë dhe këshillit të përgjithshëm, por me shkarkimin e tyre nga kuvendi i partisë për të filluar një proces të pandikuar zgjedhor nga Isa Mustafa dhe sejmenët e tij, filluar nga poshtë-lartë, gjegjësiht nga reformimi i degëve e deri në nivelin qendor.

Ndryshimi i statutit të partisë është hapi parë drejtë reformave të mirëfillta!

Çdo e keqe e ka të mirën mbrapa!

17.02.2021