Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Sinan Gashi: Një cikël poezish për Kosovën nga Havzi Nela

| E shtune, 20.02.2021, 05:28 PM |


NJË CIKEL POEZISH PËR KOSOVËN NGA HAVZI NELA

-Në 87 vjetorin e lindjes së poetit-

Nga Sinan GASHI

Është numër i madh tragjikesh të shkrimtarëve që nga sistemi në theqafje kanë përjetuar dhunë, tortura e deri edhe në asgjësim fizik, me metoda ndër më të ndryshmet dhe ndër më makabret. Njëri nga ta, të cilin e varen si në mesjetë, mu në mes të sheshit të qytetit, ishte poeti Havzi Nela. Çiltërsia. sinqeriteti, përkushtimi dhe sakrifica që bënin karakterin e tij, të sintetizuar në atdhetarinë e manifestuar me goje, me shkrim dhe me veprim, e portretizojnë realisht të talentuarin Havzi Nela.

Havzi Nela nga Kollozhegu i Kukësit, është i lidur më 20 shkurt 1934. Kreu shkollimin fillor e pastaj edhe të mesëm në Kukës. Si shumë të tjerë, edhe ai përjetoi një varfëri të skajshme, e cila e futi në kujtesë mendimin e shkaqeve që sillte gjithë atë spektër fatkeqësish të një populli. Është mosha e shkollimit të mesëm kur pastërtia njerëzore reflekton ndaj të shëmtuarave që rrethojnë një shoqëri. Mu këtu  Nela mbushet me helm e urrejtje së bashku, ndaj sistemit çfaroses në vend, kur njeriu stërkeqej jo vetëm fizikisht (mungesë ushqimit normal), por edhe shpirtërisht (duke u kushtëzuar që ta luaj servilin, të pafytyrin, dinakun e çka jo), vetëm që ta siguronte ekzistencën, përkatësisht një jetë pak më ndryshe nga të tjerët.

Ambicia për dije e nxit të riun që t’i vijojë studimet në shkollimin e lartë, pra në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër. Duke qenë i brymosur me antipadrejtësi, edhe atje nuk mund të jetë komod dhe ta shikoj vetëm punën e vet, andaj hetohet dhe flakët nga instituti mu për bindjet e tij. U sorollat për ca kohë, deri sa gjeti një vend pune prej mësuesi në fshatin Plan i Bardhë i rrethit të Matit. Nuk vajti shumë kohë kur edhe nga këtu përjashtohet si njeri i propagandës, nga se u lexonte nxënësve poezi të të tjerëve dhe të tijat(!). (Kështu ma ngjalli kujtesën edhe e dhëna e një kolegu të profesionit dhe pasionit të tij, mësues dhe poet, e gjithsesi edhe i fatit të rëndë, se të dy vriten nga pushteti komunist, Fazli Greiçevcit nga Drenica, i cili, para se të zhvillonte mësimin, u lexonte nxënësve poezi! Motivet, po dihet më!).

Havziu kohën nuk e lente që të bjerrej kot, por studionte e shkruante vazhdimisht, sa arriti që me korrespondencë ta mbaroi Institutin e Shkodrës.  Profesionin e shenjt të mësuesit e ushtroi në vijimësi në Krumë, Lojma e Shishtavec deri në vitin 1967. Transferimi iu bë më pastaj në Topojan. Ky ishte vendi dhe kjo ishte koha kur u aktualizuan veprimet makabre ndaj familjes dhe atij vetë, kur u përcoll nga syri i sigurimcave. U paraburgos, pastaj iu kufizua lëvizja dhe madje i ishte caktuar vendi se ku ai mund të frymonte, puna që mund të bënte po në aso kushtesh të përjetimit të rëndë.

Në këto rrethana ndrydhëse për fizikun dhe shpirtin e njeriut, ai mendoi që të gjente shpëtim duke kaluar kufirin për në Kosovë, së bashku me bashkëshorten, në fund prilli 1967. Janë paksa të çuditshme bëmat e poetëve, e në veçanti të atyre idealistë: Havziu, due kaluar kufirin kishte, lë gjurmë vargjet

“Lamtumirë, atdhe i dashun,

Po të la, por zemërplasun ...”

dhe letrën e kishte kacavjerrë në një dru, si shenjë se kishte kryer veprimin e menduar më parë. Por e keqja sikur nuk i kursente ata, kur që të dy jugosllavët do t’i burgosin në Prizren, sa për t’i maltretuar edhe më, duke i marrë në pyetje dhe, më 6 maj po të atij viti, do i kthejnë në atdhe. Atje kalvari tashti rëndohet edhe më, kur ai do dënohej me 15 vjet burg, pasuria e pakët iu konfiskua, ndërsa që edhe e shoqja Lavdia u dënua me 8 vite heqje lirie. Ai përjetoi skëterrat e burgjeve të Spaçit, Qafë Barit, Burrelit, Rrëshenit e Ballshit, duke lënë atje nga një pjesë të torturës, rinisë, ëndrrave e frymëzimit poetik.

Jeta rëndomtësonte dhunën, por Havzi Nela ngelej i njëjti: i pabindur sipas tyre se i pa bindur. Mu për hakmarrje pushtetarët, të cilët e përcillnin gjendjen e tij përmes bashkëpunëtorëve nga jashtë si dhe në burg, ia shtuar edhe 8 vite të tjera, më 8 gusht 1975. Për çudi pse, në dhjetor të vitit 1986 lirohet përkohësisht, sikur bënin eksperiment me bindjet e tija. Por kjo ‘liri’ zgjati fare pak, ngase në tetor 1986 ai arrestohet dhe dërgohet si i internuar në fshatin Arren

Gjykata Popullore e Rrethit të Kukësit, me vendimin nr. 59, dt. 24.6.1988, e dënon me vdekje në litar, të cilin vendim e zyrtarizon presidenti Ramiz Alia.

Akti makaber ndaj poetit e atdhetarit Havzi Nela, u manifestuar në ditën e 10 gushtit 1988, në ora 2 të mëngjesit, mu në sheshin e Kukësit, duke i detyruar njerëzit që të shihnin dhe ‘të mblidhnin mend!’.

Ky veprim kriminal në të vërtetë veçsa shtoi urrejtjen e indinjatën edhe më ndaj pushtetit ‘popullor’.

Havzi Nela - poet

Havziu mbi të gjitha ishte poet, madje poet shumë i talentuar, që bindja mbështeten nga materialet në dorëshkrim që ka lënë ai. Të gjitha ato shkrime arrijnë shifrën e 5.548 vjershave, të cilat i pat krijuar nëpër birucat e burgjeve komuniste, apo edhe kur ishte i internuar në Arren. Përmes atyre vargjeve ai  zbërthente kërkesat e tij, shfrynte urrejtjen ndaj armiqve të kombit shqiptar, kudo që frymonte ai, si dhe psikikisht ndjehej më i liruar gjatë atyre çasteve të krijimit. Në ato rrethana të krijohej art është një veçanti, madje pa pasur as mjetet elementare për evidentin, si laps e fletore. Mjaft nga krijuesit e burgosur kishin gjetur mënyra të ndryshme rrethanore për të thënë diçka, si duke shkruar në fletë të cigareve, në copëra gazetash , në letra të thasëve të betonit, në llamarina të tasave të konzerevave, apo edhe kishin ‘shpikur alfabet individual’, siç bëri Pjetër Arbnri.

Për mënyrën e krijimit të poezive, në çastet e frymëzimit letrar, poeti Nela dëshmon:

“Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndruar në tru dhe duke i përsërit me vetvete, me kokë nën jorgan, ose në vende ku isha ma i vetmuem, kam mund me i ruejt në kujtesë. Gati gjysma janë krijue me mend, pa përdorë laps dhe janë rimue me anë të gishtave. (Havzi Nela: “Shtatë fletore”, përgatiti Rexhep Shahu, Tiranë 2018).

Ai atje derdhi talentin e tij, që gjasojnë me një dritë në errësirën e skëterrës.

Motivimet janë të gjitha pothuaj atdhetare, por disa edhe sociale. Atdhetaria e tij nuk është e përkufizuar kufijsh administrativ, por zgjerimi hap krahët edhe në Kosovë e Çamëri, në të cilat i fut edhe pjesët tjera nën shtetet e Ballkanit.

Mendimi i tij është i zjarrtë, i sinqertë, pa figuracione, sepse i përshtatej natyrës së tillë, sikur mendonte se e ngatërrojnë drejtpërdrejtshmërinë e synimit rrëfimtar.

Cikli poetik për Kosovën

Dashurinë për trojet etnike, të cilat kishin ngelur padrejtësisht jashtë shtetit administrativ shqiptar, poeti e përjetonte si një dhembje të përhershme, e cila e ndiqte edhe në rrugë, edhe në shtëpi, edhe në qeli, edhe në gjykatore, madje edhe në shoqëri, e më së shumti në vetmi.

Të gjitha krijimet e tij poetike u botuan më titullin “Shtatë fletoret” në Tiranë më 1918, në përgatitjen e kujdesshme nga poeti Rexhep Shahu.

Për Kosovën, përkatësisht për personalitet e saja që kanë bërë emër atdhetarie, edhe në përmasa gjithëkombëtare, Havziu kishte kënduar ëmbëlsisht dhe me krenari në një cikël vjershash, të cilat i kishte radhitur pastaj në fletoren numër 6, por që disa të motiveve të tilla i kishte edhe në fletoren numër 5. Këtë cikël e titullon “Kosova Republikë”, që përmban gjithsej 11 krijime me strofa të rimuara, në strofa katër vargshe, si dhe me gjatësi të ndryshme, nga 4 e deri  në 34 strofa.

Madje, vetëm po t’ua lexosh titujt e tyre, nënkupton edhe frymëzimin e tij, sepse vargu i tij është i qartë, i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Kështu ai mendonte se është më funksional domethënia e vargut, si dhe më bindshëm reflekton ajo te lexuesi. Poezia më e gjatë titullohet “Hasan Prishtina”, pastaj “Heroizmi kosovar në skenat tona”, “Si Shqiponjë në ajër u lëshove”, “Si ortek u shkul Prishtina”, “Bijt’ e shqipes nuk po lidhen”, “Nusja e flamurit”, “Tahir Mehja trim i rrallë”, “Djemt luanë çikat drenusha”, “Podujevë kala vigane”, “Lum për ty o Suharekë” dhe “Ferizaj unaz’ e vendit”.

Në të gjitha këto poeti gërsheton format e veçanta trimërore të lokaliteteve të Kosovës, duke e vënë në secilën sosh nga një personalitet shembullor strumbullar, si Haxhi Zeka për Pejën, Sylë Vokshi për Gjakovën, Ali Ibra për Malësinë ku i bashkëngjitën edhe Mic Sokoli e Col Delia, Ymer Prizreni për Prizrenin, Jakup Ferri për Plavë e Guci, Hasan Prishtina në Vuçiternë, Idriz Seferi për Gjilanin, Shotë e Azem Galica për Drenicën, Isa Begu, Bajram Curri si dhe trimat e tjerë të Dibrës, Tetovës e Gostivarit.

Gjithçka këtu është fijezim historie të të ngjarave gjatë viteve të ndryshme, kur ishte dashtë që të mbrohet dinjiteti kombëtar dhe toka e brezave të ardhshëm.

Të kushtëzuar që të sakrifikojnë kaq shumë, këta personalitete korrigjojnë historinë, të cilën e kishin shkruar ata që kishin gllabëruar tokat e huaja.

S’jem kopil, s’na vodhi nana,

S’jemi këtu lypsarë të mjerë,

Brez mbas brezi n’troje tona,

Brez mbas brezi këtu kem lerë.

Mjaft me profka, fjalë të kota

Mitet serbe u banë hi,

E pranoi e tha gjithë bota,

Këtu nuk ka ‘Staraserbi’!

E thanë shkencat, historia

E thanë vorret mijvjeçarë,

Nga kjo tokë flet Iliria,

Dardani banor i parë!

Këtu nuk ka “Serbi të Moçme”

Ka Kosovë, nji komb etni,

Serbi t’moçme as të soçme

Jem shqiptarë, s’durojmë robni!

(“Si ortek u shkul Prishtina”)

Historizmat dhe sakrificat këtu manifestohen në çdo dekadë, atëherë kur lypset që të dëshmohet qëndresa, në të cilën radhiten edhe djem e po ashtu edhe vajza të sakrificës dhe heroizmit, si rrallë kund tjetër. Fati i rëndë bëri që ky vend të nxjerrë shumë dëshmorë e shumë heronj, të cilët i udhëhiqte vetëm një synim - ruajtja e tokës mëmë nga grabitqaret sllavë.

Ja se si përshkruhet kjo sakrificë dhe barazohej me jetën, në pak vargje të një poezie:

Lavdi çikës kosovare,

Si një shqerrë, si një manare

I del tankut i thot “Ndal!”

Rritet, ngrihet sa një mal!

Shih se jam si “lulekuqe”

Lulëkuqe, buzëburbuqe

Jam shqiponja me dy krenë,

Fluturova, mora dhenë.

Për Kosovën republikë

Lëshohem, ngritem nuk kam frikë.

Jam shqiponjë me krah e fletë,

Lëshohem, ngritem gjer te retë.

(“Nusja e Flamurit”)

Si një personalitet i rezistencës së veçantë i kohëve të vona, na del Tahir Meha, shëmbëllesë e rrallë e historisë njerëzore e qëndrimit, vetëm me të atin përballë një ushtrie të armatosur gjer në dhëmbë. Portretizimi i tij është i veçantë, tradicional i malësorit sypatrembur, që e bën luftën si në legjenda, për një obligim të përhershëm këtyre trojeve.

Tahir Mehja trim i rrallë,

Nuk po i pritet n’shesh me dalë,

Nuk po i pritet s’iu durue

Vesh e ngjesh, qenka shtërngue!

Xhurdinë e tirq prej shajaku,

Vesh ferman kuq si gjaku

Këmishë gjanë, opinga lope

Kapuçë bardhë, sahat Evrope!

Ka ngjeshë pushkë, ka ngjeshë revole,

N’xhep të djathtë dy bomba dore,

Njëqind fishekë ia mba kollani,

Paska syrin si filxhani!

(“Tahir Mehja trim i rrallë”)

Nga të gjitha këto krijime kuptohet se poeti e njeh edhe vijimësinë e ngjarjeve dhe lëvizjeve në Kosovë, të cilat fundja pikëzohet në mosdorëzimin para dhunës serbe, e çfarëdo forme qoftë, edhe nëse  humbja është e madhe në raport me forcën ushtarake shtetërore.

Havzi Nela sa ka përjetimin e trishtë për fatin e rëndë të popullit në Shqipëri nën shtypjen e sistemit brutal monist, aq edhe për fatin jetë a vdekje të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në hapësirat ballkanike. Madje ky Kosovën nuk e përkufizon vetëm me kufijtë e saj që ia kishin përcaktuar, por ajo është e gjithë etnia shqiptare në ish Jugosllavinë.

Rrethanat në të cilat u krijuan këto poezi nuk lejojnë që të kërkohet diçka më tepër, pos një konstatimi se këto ishin frymëzime të një poeti shumë të talentuar dhe të një idealisti të rrallë në historinë njerëzore, që nuk thyhet assesi, por i bën ballë dhunës shtetërore edhe përmes fjalës së bukur poetike shqipe.

Dy poezi të Havzi Nelës për Kosovën

Si shqiponjë në ajr u lëshove

Si Shqiponjë në ajr u lëshove

Si shqiponjë nalt vulvitesh

Nanë Kosovë sa fort na gëzove,

N’pjedestal Ante po rritesh!

N’luftë ke lind e n’luftë ke ra,

N’gjoksin tand janë shkri çeliqe,

Faqebardhë gjithmonë je nda

Ke zbraps dallgë, ke mbajt ortiqe.

N’kambë përherë, me “Besa – besë”!

Për Liri, për nder shqiptari,

Lëshon kushtrimin: “Asnjë t’mos mbesë!”

N’log të Burrit gjithmonë i pari.

Kështu sot dhe kësaj here

Me guxim, me vrull luani

Derdhe plot lule pranvere,

Me duhi, me krah vigani!

Dremjt luanë çikat drenusha

Hajde ç’djem që lindi nana,

Hajde ç’djem nana që bani,

Djem të vrullshëm, djem si zana,

Si ka kush si ka Gjermani.

Si ka pamja, ka trinia,

Njikëso djem lind veç Shqipnia,

Njikëso djem lind luanesha,

Nanë Kosova, Sokolesha.

Djem luanë çika drenusha,

I çon mali, i çon fusha,

I çon raca që s’i zdrodhi,

I çon gjaku që këtu rodhi.

Lufton djali, lufton çika

Hiç nuk dinë se çka asht frika

Hiç nuk dinë se çka asht zori

Si për dasëm shkojnë te vorri.