Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (II)

| E merkure, 26.11.2008, 05:07 AM |


Fillesa e një dite epike

 

· "Nuk kam pasë dëshirë ta mendoj Drenicën pa Fehmi Lladrovcin" - Adem Demaçi

· "Fehmiu kishte lindë për me vdekë për Kosovën" - Ramadan Avdiu

 

Ishte mëngjesi i 19 shtatorit 1998, kur krejt zakonshëm dhe thjesht, si të fliste për diçka të kuptueshme, ai u kishte  thënë shokëve të tij se, sipas informacionit që i kishte ardhur nga miqtë e tij në Prishtinë, në tri ose katër ditët e  ardhshme, ushtria serbe do të sulmojë në shkallë të gjerë njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

I kishte thënë këto fjalë ndërsa po ndizte cigaren e tij dhe ishte ndjerë i qetë. Kishte thënë po ashtu se ishte i bindur  se sulmi më i furishëm do të ishte pikërisht në zonën operative të Drenicës. Pastaj kishte shtuar se, nëse dikush kishte  patur dëshirë për të luftuar kundër ushtrisë serbe, ajo ditë kishte ardhur. Kishin qenë në dhomën e tij Sami Lushtaku, Ilaz  Kodra, Sylejman Selimi, Nuredin Lushtaku, Zenun Kodra, Fadil Kodra dhe luftëtarë të tjerë. E kishin parë me vëmendje bacën  Fehë dhe e kishin besuar plotësisht. Qetësia e tij, krejt e zakonshme, njëlloj si në të gjitha ditët e tjera, kishte hyrë  tek ata dhe çdo gjë kishte qenë si zakonisht. Më pas, njëri nga miqtë e tij, Sami Lushtaku, në një natë maji, disa vite më  vonë, në shtëpinë e ringritur nga hiri i luftës, do të më thoshte: "Kurrë më i qetë nuk kishte qenë baca Fehë."

 

Në mbrëmje kishte pasur disa mysafirë nga larg. Njërin prej tyre, gazetarin britanik Paul Wood, kishte disa muaj që e  njihte dhe ishin bërë miq. Edhe të tjerët nuk ishin të panjohur. U kishte bërë vend në dhomën ku rrinin. Kishin ardhur me  Shaban Shalën, njërin ndër më të afëmit e tij. Kishte qenë përsëri një mbrëmje si gjithë të tjerat, pa asnjë lloj ankthi  apo tendosjeje, gjithçka që ndjehej ishte nata e zakonshme e mesit të dytë të shtatorit. Të dukej sikur vinte erë mollë.

 

Shaban Shala tregon:

 

"Tri ditë para se të vinte 22 shtatori, kemi qenë në odë të bacës Tush, në shtëpinë e tyre të vjetër. Ishim me disa  gazetarë anglezë, po bënin një film dokumentar, i kishte dërguar Bedri Islami. Oda ishte plot, si gjithmonë. Njerëzit  flisnin e qeshnin, dikush pyeste për punët e luftës. "Shiko Fehmi, i thashë, largoju këtij vendi ku i keni pozicionet, ti  je shumë i madh dhe mustaqet i ke shumë të mëdha. Çoji më të vegjëlit aty, çoje për shembull Asllanin. Për besë, je shumë i  madh". E ka kuptuar humorin dhe e ka dashtë".

 

Mysafirët nga larg do të bënin edhe fotografitë e fundit, të cilat, shumë muaj më pas, do t’ua dhuronin familjes Lladrovci.  Askush nuk do e dinte se pas këtyre nuk do të kishte foto të tjera. Paul Wood i kishte kërkuar të bënin një fotografi së  bashku dhe kishin mbetur të fiksuar ashtu, të dy të hijshëm, Fehmiu pak më i gjatë se ai, mjekra i është derdhur deri afër  gjoksit dhe, si të duan të thonë se gjithçka ishte normale, sytë janë të qeshur.

 

Tri ditët kishin shkuar. Ashtu rrëmbimthi, mbushur me shqetësimin e luftës, ecjet e shpejta nga njëri vend në tjetrin,  pagjumësinë dhe përsëri rrugëtimin nëpër pozicione të ndryshme, fjalët e shkëmbyera shkurt me ushtarët, ndoshta ushtarët më  të rinj të ushtrisë më të re në botë. Dhe me hallin e përhershëm të armatimit që mungonte. Njërit prej ushtarëve i ishte  kujtuar se, në ditët e para, komandanti Fehmi Lladrovci u kishte thënë po ashtu qetësisht se "shumë prej nesh ndoshta nuk  do ta presin lirinë e Kosovës. Ne jemi këtu jo vetëm të gatshëm të luftojmë, por edhe të gatshëm për të dhënë jetën për  Kosovën. Mendohuni për këtë që ju thashë, dhe nëse jeni të bindur se jeni të gatshëm të jepni jetën, atëherë rrini.  Përndryshe, do të thyheni".

 

Në tri ditë, Fehmiu kishte parë edhe një herë istikamet, ndërlidhjet, pozicionet, pikat, kishte rregulluar diçka dhe kishte  bërë skicimet e fundit. Diçka që e kishte bërë vazhdimisht. Nuk kishte pasur asgjë të jashtëzakonshme në ato tri ditë.  Vetëm herë pas here, komandanti i Brigadës së 114 të UÇK-së rrinte pak më gjatë në majën që ishte e njohur si "Kodra e  Qëndresës" dhe, si duket, mendonte se ku mund të ishte më i përshtatshëm pozicioni i tij. "Ishte si përherë", do të më  thoshte më pas baba Tush, kur do të mundoheshim të risillnim tri ditët e parasulmit. Shtëpia mbushej me njerëz, ai ishte  përherë në lëvizje.

 

Kishte disa muaj në Kosovë dhe nuk kishte qenë veç pak ditë në shtëpi. Në tri ditët e fundit këtu ka fjetë. Këtu ka qenë  edhe Fatime Hetemi. Ishte një luftëtare e re. Sapo i kishte kaluar të njëzet vitet, mbështetej shpeshherë tek supet e  Xhevës dhe kishte gjetur mirëdashjen e saj".

 

"Kur i kam takuar për herë të fundit", ngulte këmbë në bisedë Osman Zhitia, babai i nderuar i martirit të madh Afrim  Zhitia, "më kanë njohur edhe me Fatimen". E kemi vajzën tonë, më tha Fehmiu, e kemi bërë tonën". Nuk kishin patur fëmijë.  Ndoshta njëra nga ëndrrat e mbetura në mes, por gjithë jetën i kishin dashur fëmijët si rrallëkush.

 

Ishin tri ditë të zakonshme. Në mesin e këtyre tri ditëve, ata kishin pasur njërën më të veçantë, 20 shtatorin, përvjetorin  e fejesës së tyre. Mirëpo nuk kishin patur edhe aq shumë kohë të mendoheshin për të. Vetëm se në mëngjes herët, kur ishin  ngritur, ajo i kishte thënë ngadalë, si gjithë ato vite që ishin bashkë se "sot është dita jonë”. Çdo gjë dukej e  zakonshme, vetëm se në rajonin ku pritej të bëhej sulmi, kishte shumë më tepër punë, njerëzit nguteshin për t'i dhënë  "dorën e fundit" përgatitjes së luftës. Ishte një lëvizje përherë e më e tensionuar, por ajo nuk ndjehej tek baca Fehë. Nuk  ndjehej as tek Xheva. Nganjëherë diçka lëvizte në tiparet e tij, por ajo nuk kishte të bënte me luftën që pritej.

 

Ishte më shumë halli i njerëzve që do ta përballonin atë. Për disa do të ishte hera e parë. Ai i shikonte ata djem e vasha  që i kishte zgjedhur vetë, mes qindra të tjerëve që do të kishin dashur të ishin aty dhe që kishte mundur t'ua jepte nga  një armë. Disa javë më parë, kur u nisën për të sulmuar pikat e pozicionuara të ushtrisë serbe, kishin vetëm nga 15  fishekë. Ai u tha se 14 janë për armikun dhe i fundit, nëse nuk kishte rrugë tjetër, për veten.

 

Për të dy kjo nuk do të ishte lufta e parë. Megjithatë, kishte një veçanti: lufta tash kishte ardhur në truallin ku kishin  lindur, ku u ishin gëzuar dasmave dhe lindjeve, prej nga ishin nisur në aksionet e para, ku krejt shkurt kishin patur  pasmartesën e tyre; në ato vise gjithsesi të dashura, të cilat i kishin parë me sytë e mendjes edhe kur kishin qenë larg.  As njëri dhe as tjetri nuk mund ta dinte se koha që u kishte mbetur, ishte mijëra herë më e shkurtër se ajo që kishte  shkuar.

 

Fehmi Lladrovci donte të mbyllte gjithçka në vështrimin e tij, tepër i pazakontë dhe mrekullisht ngulmues. Krejtësisht pa  dashjen e tij, ai do të ndodhej në ato tri ditë në të gjithë cepat ku kishte shkuar fëmijërinë e hershme dhe, vite më pas,  kur njerëzit ishin përpjekur të rindërtonin tri ditët e fundit të para 22 shtatorit, thuajse të gjithë do të dëshmonin se e  kishin takuar në ato 72 orë, do të kujtonin se mes gjithë asaj ndjesie që po ngrihej, ndërsa pritej ardhja e makinerisë së  stërmadhe ushtarake serbe, ata kishin ndjerë qetësinë se e kishin pasur atë diku. Jo rastësisht, kur gjithçka filloi të  ringrihej, njëri nga luftëtarët e tij, ndërsa rrinte dhe ndjente se i mungonte diçka, u kujtua, si për një mik të madh, i  cili të ka lënë një zbrazëti të madhe, dhe më tha se "atë e kishim si bjeshkë para nesh". Ndjehej i ngushtuar, pasi i dukej  se i mungonin bjeshkët. I dukej po ashtu se gjithçka ishte larguar.

 

Për Fehmi Lladrovcin, çdo trevëzim i kombit ishte njëlloj i shtrenjtë, ai ndjente dhimbje për gjithçka që fliste në gjuhën  shqipe; e megjithatë, ai reliev para shtëpisë së tij, që zgjatej më tej, vargëzimi i çuditshëm i kodrave, njëra pas  tjetrës, pylli që ishte në skajin e shtëpisë, zgjatimi i bjeshkëve përballë, mëngjeset plot dritë dhe mbrëmjet që binin të  papërsëritshme, kishin diçka të veçantë edhe për të. Prej këtu ishte nisur të bënte detyrën e tij për Kosovën.

 

Nëse do të kishte patur kohë të bënte llogarinë e jetës së tij, duhej të ndjehej i qetë. Kishte bërë gjithçka që kishte  mundur, deri në dhimbje; kishte duruar çdo gjë, edhe atë që mund të quhej e padurueshme, dhe tashti, kur po vinte ora e  ndeshjes me ushtrinë serbe, në vendet ku kishte lindur, duhej të ndjehej i qetë.

 

Meraku i tij i madh ishte tek njerëzit që prisnin shumë prej tij. Ishte miti i kthyer në vendlindje. Që përpara se të  rikthehej ai, ishte rikthyer miti i tij. Kishte patur disa herë mesazhe për ardhjen e tij, njerëzit e kishin patur të  nevojshme këtë riardhje, si një mënyrë më shumë për t'u mbështetur diku, ku mund të mbaheshin edhe në çastet më të  vështira. Ai kishte ardhur. Njerëzit ishin ndjerë të qetë. Jo vetëm ata që thjesht kishin dëgjuar për të, por edhe miqtë e  afërt. Njëri prej tyre, Hafir Shala quhej, ilegal i hershëm, do të thoshte se "tash po më pushon zemra qetë, se e paskemi  prej mend. Deri tash e kam pasë frikën, sepse kemi pasë raste që me rënien e shokëve është shuar. Tash që Fehmiu u kthye,  do të thotë se e kemi seriozisht".

 

Pastaj kishte ardhur 22 shtatori. Ishte diçka mes orës katër e gjysmë - pesë e mëngjesit kur e lajmëruan se forcat serbe  dhe makineria e rëndë e luftës ishte vënë në lëvizje. Bishat e hekurta, në gjithëfarë formash, autoblinda, tanke, gryka  artilerie, ishin nisur drejt Drenicës. Duhej thyer Kosova dhe për të thyer atë, duhej thyer Drenica. Për të thyer Drenicën  duhej thyer Fehmi Lladrovci. Ishte një lidhje e njohur.

 

Në atë zonë nuk kishte pasur kurrë vetëm një kullë, një fis, një lagje apo një fshat për t'u thyer. Kishte pasur gjithnjë  më shumë se kaq. Ishin Jasharët, lisa të mëdhenj, ata e kishin nëpërkëmbur furinë serbe dhe u kishin vënë pritën. Kur  kishin rënë, kishin ndezur gjithë vendin. Më pas, njëri nga miqtë e mi, do të më thoshte se "kur kishte krisur pushka e  parë e Jasharëve, në 30 dhjetorin e vitit 1991, ishte zgjuar Drenica; se kur kishte ndodhur rrethimi i dytë i tyre, në  janarin e vitit 1998, ishte ngritur Kosova; dhe se më 5 mars, në fillimin e përjetësisë së tyre, ishte flakëruar krejt  Shqipëria". Kishte qenë vërtet ashtu.

 

Mirëpo këto familje të mëdha të luftës, të vendosura brinjë më brinjë, shpeshherë shpatull më shpatull, si në vitet e  hershme të Arbërit, nuk mund të ishin vetëm. Ishte krijuar një përmasë e jashtëzakonshme, ku secili, Jasharët, Lladrovcët,  Lushtakët, Kodralinjtë, Selimët, Kiçinat, Krasniqët, Demakët, Dërgutët, Nurajt, kishin të veçantën e tyre. Të gjithë e  kishin pritur se do të vinte një ditë lufte, baca Fehë kishte thënë se goditja e dytë, pas asaj të Llapushnikut, do të  vinte shumë shpejt dhe si dukej, ajo kishte ardhur.

 

Dukej një mëngjes i zakonshëm, krejt normal, po të mos kishte qenë ajo lëvizje përbindëshi. Megjithëse ende nuk kishte  filluar lindja e diellit, skajet e qiellit ishin përflakur. Ai priti pak deri sa të bëheshin gati Xheva dhe Fatimja, pa me  kujdes nëse i kishte të gjitha me vete se çfarë i duhej për një luftë të gjatë, pastaj dora i shkoi instinktivisht në  xhepin ku mbante paketën e cigareve. Edhe ajo ishte aty. I pihej një kafe, por nuk kishte kohë.

 

Baca Fehë kishte marrë në dorë snajperkën e tij, pastaj kishte folur me shokët. Kishte qenë një bisedë e shkurtër, ndoshta  më e shkurtra nga të gjitha ata që kishte bërë ai. Tepër shkurt. "Lufta e re erdhi. Për hajr na qoftë. A ka ditë më të mirë  se sot për me vdekë për Kosovën. Këndej nga jam unë, nuk kalojnë vetëm mbi trupin tim. Sa të jem gjallë unë, nuk do të  kalojnë. E nëse kalojnë, ta dini se nuk jam më".

 

Xheva e kishte dëgjuar bisedën dhe kishte shtuar krejtësisht lehtë, si duke dashur t’ia thoshte vetëm vetes, kullës, në të  cilën e kishte pritur kur ai kishte qenë shumë vite i burgosur; themeleve, që nuk do të mund të shqiteshin kurrë nga toka e  të parëve: "Nëse kalojnë, kjo do të thotë se nuk jemi më".

 

Kishte folur në shumës, kishte folur në heshtje dhe askush nuk e kishte dëgjuar. Sami Lushtaku do të më thoshte më pas se e  kishin besuar menjëherë, sepse e gjithë jeta e tij kishte qenë e tillë: e besueshme. Dhe ishte nisur.

 

Fehmiu, Xheva dhe Adem Demaçi

 

Ata ishin më shumë se të ndershëm, ata ishin virtyti.

 

Nganjëherë, një rast fatkob mund të ketë edhe disa nuanca të një rastësie fatlume. Nuk e kishte menduar se, pas një  udhëtimi aq të gjatë, lidhur me pranga, përmbytur nga të nxehtët, krejtësisht të rraskapitur dhe gjithnjë me idenë se ku do  të ishte qelia e ardhshme, në fund do të kishte një fillesë drite në fundin e tunelit. Nuk kishte as se si ta mendonte.  Gjithçka lidhej me një njeri, i cili, edhe më herët ishte i njohur për të, megiithëse asnjëherë më parë nuk ishin takuar.

 

Jo rrallë ndodh që fatet e njerëzve të ndërlidhen me njëri-tjetrin nga rrethana të çuditshme, të pamenduara, krejtësisht  jashtë logjikës normale të rrjedhës së zakonshme.

 

Burgu i Stara Gradishkës; i vjetër, thuajse me gjithçka të lënë pas dore, me birucat e errëta dhe qelitë e mëdha, me  rregullat e ngurta dhe me rrethimin serbomadh nga të gjitha anët, me vetminë torturuese dhe ankthin e pritjes, kishte vetëm  një të mirë, e cila bëhej edhe më e çmuar në gjithë atë që kishte ndodhur.

 

Në Stara Gradishkë gjetën një njeri që ishte prej kohe mit në mendimin e tyre politik, në thyerjen e dëshpërimit, në  krijimin e vizioneve të vyera dhe thyerjen e iluzioneve të paperceptueshme. Një njeri, i cili, tashmë po bënte thuajse  pjesën më të madhe të jetës së tij të ndërgjegjshme pas hekurave dhe megjithatë askush nuk kishte mundur ta thyente. Adem  Demaçi, njeriu që ndjehej i lirë edhe pas hekurave, kur të tjerët ishin të robëruar, megjithëse mendonin se ishin të lirë.

 

Prej aty zuri fill miqësia mes këtyre dy burrave dhe, pas pak, në miqësinë e tyre, me brishtësinë dhe ndjenjën e motrës  njëkohësisht, do të futej edhe një njeri i tretë, i po të njëjtave përmasa, Xheva. Është një trinom i shkëlqyer, të cilët  plotësojnë tek njëri-tjetri gjithçka që mund të mendohej se duhet plotësuar; përmes të cilit rrjedhin ngjarje të njohura  dhe përgatiten shumë nga ngjarjet që do të vijnë; rreth të cilit do të mblidhen shumë të tjerë, si pas diçkaje të  domosdoshme; të cilin vitet që do të shkojnë nuk do e zbehin.

 

Jam i bindur se herët a vonë rrugët e tyre do të kryqëzoheshin një ditë. Do të ishte e pamundur për këta njerëz të mos  ishin miq dhe vëllezër me njëri-tjetrin, të mos e ndjenin të domosdoshme praninë e shoshoqit, sepse, në fund të fundit,  ishin nga i njëjti brum.

 

Demaçi sigurisht që nuk kishte dëgjuar më parë për Fehmi Lladrovcin. E shumta, ai mund ta kishte parë fotografinë dhe emrin  e tij në gazetën "Rilindja”, gjatë procesit gjyqësor, por nuk besoj se i ka shkuar mendja, as atë ditë kur janë takuar për  herë të parë në korridoret e burgut, se do të niste kështu një miqësi e jashtëzakonshme. Themeli i saj qe besimi. Ata  besonin thuajse verbërisht tek njëri-tjetri. Demaçi ishte mësuesi, Fehmiu dhe Xheva do të ishin nxënësit. Ai ishte prindi,  ata ishin pasuesit e tij. Demaçi ishte siguria, ata ishin vazhdimi. Baca ishte fjala, ata ishin sakrifica sublime. Demaçi  ishte ëndrra e ndërprerë, ata ishin flijimi për hir të ëndrrës.

 

Demaçi ishte parafjala e qëndresës që do të vinte, ata ishin epilogu i përkryer i një qëndrese. Demaçi ishte hyjnizimi, ata  ishin dishepujt e tij. Demaçi ishte njëri nga fillesat e mëdha, ata ishin një ndër aktet e mëdha drejt realizimit. Demaçi  ishte deti i ndjenjave, ata ishin bregu ku përplaseshin këto ndjenja. Ai ishte urtësia, Fehmiu ishte stralli, zjarri ku  përndritej urtësia. Demaçi ishte vuajtja, Xheva ishte motra që i heq dertet e vuajtjes. Demaçi ishte legjenda, ata nuk  lejuan kurrë që të bëhej murimi i legjendës. Gjithçka ishte e frikshme rreth tyre, por asnjëri nuk kishte frikë. Ata ishin  pjesë e ripërtëritjes së madhe njerëzore në mënyrë të papërkulshme. Por ishin me logjikë, me ndjenjë dhe me mendim. Kur  janë së bashku logjika, ndjenja dhe mendimi, atëherë nuk ka zemërbutësi dhe thyerje për të arritur atë që do. Të tre donin  arsyen, të drejtën, të ardhmen dhe të të treja këto, arsyeja, e drejta dhe e ardhmja i çonte pashmangshëm drejt lirisë së  Kosovës dhe sakrificës për të.

 

Asnjëherë një mësues nuk mund të ketë gjetur dishepuj më të përkushtuar. Asnjëherë dishepujt nuk e kanë nderuar më shumë  hyjninë e tyre. Nganjëherë ajo merrte edhe trajta të pabesueshme. Demaçi thoshte dhe besonte se "nëse këtë punë është  "zharava” Fehmiu, atëherë është punë e paqtë”. Nuk pyeste se cila punë, nuk pyeste se cili është caku, ai e dinte se është  një punë e mbarë dhe caku ishte Kosova. Këtë cak ata, në kohë të ndryshme, por në të njëjtën rrugë, e kishin përcaktuar së  bashku. Nganjëherë ai shkonte edhe më tej, duke saktësuar se "tek askush tjetër nuk kam më shumë besim se tek Fehmiu" dhe  si duket, e kishte provuar një gjë të tillë. Ishte e rrallë që një Mësues si Ai të jetë ndalur kaq gjatë dhe kaq  mrekullisht në vlerën e një dishepulli.

 

Ata të tre besonin në pjellorinë e mendjes së tyre të çeliktë, besonin se çdo gjë është e drejtë, e ndershme dhe e ligjshme  kur është në shërbim të së vërtetës. Kjo i bënte ata të mos ishin kurrë ekstremë, në të kundërtën i bënte shumë njerëzorë.  Ata ishin më shumë se të ndershëm, ata ishin virtyti. Është një miqësi, e cila, duke u nisur nga një burg i sigurisë së  lartë, u bë pjesë e mëtejshme e qëndresës së përbashkët. Ka një fillesë, por nuk ka fund. Vazhdon edhe sot...

 

Shfaqja e parë e saj është respekti. Të respektosh të afërmit është e natyrshme, të respektosh vizionin është hyjnore. Ata  respektonin vizionin, idenë, mendimin, sakrificën, fjalën. Pra i respektonin të gjitha. Dhe ishte kaq e natyrshme, saqë  zinte vend edhe në letrat e tyre.

 

Me 27 dhjetor 1987, në letrën urim për Vitin e Ri, jo vetëm për Fehmiun, por për të gjithë të burgosurit, Xheva shkruante  edhe këto vargje:

 

Bacës,

 

idol – bir besnik i dheut të shqipes,

flakadan i pashuar i dijes e dritës,

në çdo vatër frymëzon në atdhe

Bacë - gjithmonë në zemër të popullit je.

 

Më 18 shkurt 1990, duke i uruar ditëlindjen, Xheva shkruan:

 

Urime bacë ditëlindjen

Rrofsh sa malet, rrofsh sa malet,

i nderuar ndrit në çdo vatër,

me ty rruga kurrë s'do ndalet

liria është më afër.

 

Bacë- shëndet të plotë e dita t'u bëftë njëmijë

Ardhmëria e një populli fshihet në gjoksin e shkrimtarëve të tij,

Cila është gjëja më e shtrenjtë e njeriut në jetë?

Është liria, atdheu – gjak i freskët në zemër të vet.

 

Dielli lind më shpejt nga mendja juaj flakadan,

Ideali na thërret në zemrën tuaj vullkan

Të merrni ditë nga jeta jonë dhe vjet

Ëndrrën e kahmotshme do bëjmë realitet:

Lulegjaku po shkruajnë emrin tënd të ndritur,

I shtrenjti ynë, baca Adem, n'zemër të popullit duke u rritur,

Nëpër rrugë e nëpër sheshe ku po rrjedh gjaku gurrë,

Ditëlindjen të urojnë me zemër mijëra lulëkuqe,

Jetë të gjatë-hero i gjallë-yll në flamur

E tërë toka e dheu rrjedh çelik për gisht e plugje

Një tufë lule nga Kosova- rrofsh o bacë sa bjeshkët tona.

 

Dhe më 21 shkurt, tepër e lumtur, ajo i shkruan Fehmiut:

 

"Sapo e mbarova një kartolinë urimi për t'ia dërguar bacës për ditëlindje, kur dëgjuam lajmin - u lirua nga burgu. Një  gëzim i madh përshkoi zemrat tona. E paramendonim si një yll që vjen të ndritë çdo skaj të Atdheut, të zhdukë errësirën  shumëshekullore që ka kapluar popullin tonë.

 

Lajmi për Bacën u prit me gëzim të madh. Atë natë, anë e kënd në trojet tona u dëgjuan të shtëna - jehonë në shenjë fitore,  u ndezën zjarre, flaka e të cilëve shndriti deri në kupë të qiellit. Nëpër fshatra e qytete, nëpër shkolla e fakultete sot,  kudo u tubuan masa e gjerë e popullit duke ngritur dy gishtat lart, zëri i popullit tonë kudo po jeton me emrin e Bacës  Adem. Dielli sot lindi më herët nga gëzimi për Bacën dhe qielli na u duk më i kthjellët; dhe nënat e dëshmorëve uruan duke  brohoritur; dhe gjaku i lulëkuqeve që ranë theror shkroi emrin e ndritur.

 

Kjo atmosferë gëzimi zgjati vetëm pak kohë. Re të zeza e të tmerrshme e mbuluan përsëri qiellin që na u duk i kaltër, e  tani po derdhen në shi gjaku e breshër të llahtarshëm. Por në zemër të popullit je o Bacë e tërë Kosovën në këmbë e ke”.  Çfarë mund të thuash për nderimin kur edhe dielli të duket se lind më herët, edhe qielli është më i pastër? Ndoshta  ripërsëritja e thirrjes se "tërë Kosovën në këmbë e ke...”.

 

A ka pasur çaste të mërzisë? Natyrisht që ka pasur. Jeta është e tillë. Fehmiu nuk ishte i një mendjeje me disa çaste  entuziaste të Bacës, pas daljes nga burgu se, "e lashë dimër dhe e gjeta verë” apo me Ballkaninë, por kjo ishte brenda  tyre, ishte si një klithmë në vetvete, asgjë më shumë, sepse e dinte shpirtin qelibar të hyjnisë së tij. Ai nuk i rrëzonte  kurrë hyjnitë nga piedestalet. Sepse ngrinte piedestale të fuqishme.