E merkure, 03.03.2021, 12:00 PM (GMT)

Kryeshkrim

Prend Buzhala: Mutualizmi social-politik dhe ai artistik

E shtune, 20.02.2021, 11:39 AM


MUTUALIZMI SOCIAL-POLITIK E AI ARTISTIK

(Replikë me realitetin)

Nga Prend BUZHALA

Nga letërsia po zbresim pak në truallin social-historik e politik.

Jo vetëm në letërsi, po edhe në fushat tjera të dijeve humanitare, përdoren terme me burime nga shkencat e natyrës. I tillë është termi mutualizëm (anglisht: mutualism), që e kishte krijuar zoologjisti e panteologjisti belg Pierre-Joseph van Beneden. Ndryshe, në shqip përdoret edhe termi simbiozë. Porse mutualizmi përcaktohet si ndërveprim midis organizmave të dy specieve të ndryshme, në të cilat secili organizëm përfiton nga bashkëveprimi i tyre: "Këto lloje të ndërveprimit janë të zakonshme dhe të kudogjendur në të gjithë ekosistemet, dhe shkencëtarët gjithnjë e më shumë njohin rolin e rëndësishëm që ata luajnë në ekologji... ; megjithatë, jo të gjitha marrëdhëniet simbiotike janë të ndërsjella." Ndërkaq, më vonë, në jetën politike,  kjo fjalë tregonte formën e moderuar të socializmit t[ dëshirueshëm, në vend të një konflikti a lufte të dalë jashtë kontrollit, "për të vendosur një reciprocitet të tolerueshëm", siç e përkufizoi socialisti frëng Pierre Jozef Prudon.

1.

Nëse në letërsi parapëlqehen, në poetikën moderne e postmoderne, hibridizmet e zhanrit, alkimia zhanërkrijuese (brenda një teksti ka ligjërime poetike, romanore, dramatike, dokumentare etj etj); në historinë e lëvizjeve punëtore përmenden format e shoqatave të ndryshme ndër shekuj, që bashkëvepruan përballë rreziqeve dhe vështirësive sociale (papunësia, sëmundjet, aksidentet, pleqëria, vdekja e një mbajtësi të familjes) - dhe vepruan për ta siguruar për mbijetesën përmes sigurimit social, solidariteti apo ndihma reciproke, etj. Le ta shohim gjendjen tonë gjatë viteve '90, se si shoqatat bamirëse në krye me atë "Nëna Tereze", fondet brenda lëvizjeve politike, sindikatave etj, qenë krijuar vullnetarisht për ta kapërcyer gjendjen e vështirë që imponoi regjimi serb, për të ndihmuar jo vetëm financiarisht, por edhe në forma tjera. Origjina e shoqatave të tilla, në Evropën perëndimore, ka origjinë që nga Mesjeta, kur i plotësonin veprimtaritë kishtare, si bartës të mirëqenies sociale, bamirësisë fetare etj. Kur ndodhën revolucionet industriale, lëvizja e solidarësisë dhe e reciprocitetit shkoi në rritje, pasi shteti nuk po ndërhynte. Por shteti nuk vepronte ku ndër tyre në Evropë, ndryshe nën Serbinë që u burgosën e besa edhe u vranë jo pak veprimtarë të këtyre lëvizjeve humanitare. Ende ndër ne mungojnë sigurimet sociale, prandaj edhe lulëzojnë edhe sot shoqatat e tilla (fatkeqësi si vdekja, sëmundja, papunësia, rrezikojnë ndjeshëm ekzistencën e individit dhe familjes në nevojë), qoftë edhe përmes lëmoshës (sa lypës të pafund mbushullojnë sot ambientet e rrugëve e kafeneve në Kosovë); apo përmes solidaritetit e ndihmës përmes të afërmit (për të mërguar jashtë), përmes ndihmës nga një autoritet shtetëror, fetar etj. krijohen edhe fonde të ndryshme solidariteti (dje e sot, për të burgosur). Nuk është e habitshme përse edhe sot gëlojnë shoqata që mbrojnë kategori të ndryshme: fetare apo shtresa shoqërore, ... deri te ato shoqatat e famshme të jashtme që duan të ndikojnë edhe në formimin kulturor e identitar, krejtësisht i ndryshëm nga ai nacional shqiptar, sidomos ato me origjinë nga orienti. Nuk ka më si dikur shoqata zejtarësh apo artizanateve, tregtarëve etj, por formime e asociacione tjera, me interesa të ndryshme. Vlojnë edhe përplot OJQ që po ashtu, më parë se sa të interesohen për thelbin e tyre të krijimit, formohen me qëllime përfitimi. Tashmë shoqatat e zjarrfikësve, apo të katastrofave natyrore, janë pjesë e veprimtarisë institucionale të shtetit. Por ende nuk është bërë një paraqitje tipologjike e këtyre shoqatave e OJQ-ve ndër ne.

2.

Nga ana tjetër, qytetarët, edhe ndër ne, janë bindur se partitë e deritashme, që i kishin fituar zgjedhjet, nuk iu sigurojnë as perspektivë, as zhvillim, as punësim, as liberalizim të vizave.

Prandaj, kryesisht masat e të rinjve u futën në Lëvizjen Vetëvendosje. Aty u futën edhe përplot kategori tjera: njerëz me prirje orientale, shtresa që kërkojnë të drejtat e shamisë orientale në Kosovë, të vetëdeklaruar të djathtë, por pa perspektivë jete, të majtët tradicionalë  me origjinë nga ideologjitë e së kaluarës (marksiste-leniniste apo dhe të regjimit jugosllav). Aty ka edhe demokristianë të deklaruar, karshi figurave që mohojnë historinë tonë nacionale! Madje, shtresat qytetare, që kanë qenë larg vatrave të luftës me armë, me shpresën se do ta rikthejnë "kohën e artë", tashmë e kërkojnë këtë nostalgji të dikurshme diku tjetër. Aty tashmë janë grupuar edhe të pakënaqurit e luftës së partive "të dala nga lufta" e ku ende i mban në këmbë ideja "e bashkimit kombëtar".

Të gjithë u gjendën, në një kohë tejet të shkurtër, së toku! Për ndryshim nga "partitë tradicionale" që nuk lanë derë pa trokitur për një votë, amalgama politike e LVV nuk ua mësyu ashtu kolektivisht dyerve të të tjerëve!!! Thjesht, u bashkuan pa e njohur njëri-tjetrin, pa biseduar fare me njëri-tjetrin dhe pa mbajtur fare "tubime të përbashkëta"! Ashtu, krejt spontanisht, u gjendën së bashku!

Për ta ndryshuar gjendjen, realitetin, “shtetin e kapur”!

Secili tash e kërkon hisen e vet "ideologjike" e ekzistenciale: ekzistencën sociale dhe ekzistencën e mbijetesën politike brenda një subjekti e subjekte politike veç e veç! Kërkojnë, bashkërisht, “funksionimin e ligjit”.

A thua, mos ka ardhur në zgrip mbijetesa e një kombi?!

Instinktivisht, njerëzit e nuhasin atë rrezik dhe rreziku përsëri i bën bashkë, si macen e miun në kohë dimri. Fillimisht, kur njerëzit gjenden në këtë shkallë "bashkëpunimi", nuk i theksojnë dallimet. Nuk i theksojnë as dallimet politike, as ato fetare e as ato ekonomike. As qëllimet tjera.

I vetmi qëllim është një ndryshim që duhet të ndodhë!

Me votën e qytetarëve ky ndryshim ndodhi.

Mutualizmi tipik politik do t'i detyrojë të kenë një interaktivitet të qëndrimeve, shtresave, bashkësive të ndryshme, për të pasur secili nga secili një përfitim.

Do t'i japin e marrin diçka njëri-tjetrit në këtë ndërveprim e reciprocitet politik.

Nëse, tash, në këtë “fazë”, mënjanohen përbërësit e ndryshëm që e sollën me votë LVV aty ku tash gjendet, për të mbrojtur vetëm interesa të veçanta, atëherë mund të ndodhë edhe ndonjë shpërbërje tjetër të prekshme.

Steven Pinker, psikolog kanadezo-amerikan, gjuhëtar dhe autor shkencave të popullarizuara, avokat i psikologjisë evolucionare dhe i teorisë kompjuterike të mendjes, thotë: "Kontradiktat mbeten rreth detajeve, por sot asnjë biolog nuk dyshon se dinamikat evolucionare si reciprociteti, farefisnia dhe format e ndryshme të reciprocitetit mund të zgjedhin për prirje psikologjike që, në rrethanat e duhura, mund t'i çojnë njerëzit të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore."

Meqë shoqëritë perëndimore kanë përjetuar realitete e praktika të ngjashme, na duket interesant edhe mendimi i Errico Malatesta-s, anarkist dhe socialist revolucionar italian: “Në mjedisin anarkist, komunizmi, individualizmi, kolektivizmi, dualizmi dhe të gjitha programet e ndërmjetme dhe eklektike janë thjesht mënyrat që konsiderohen më të mirat për arritjen e lirisë dhe solidaritetit në jetën ekonomike; mënyrat që besohet se korrespondojnë më ngushtë me drejtësinë dhe lirinë për shpërndarjen e mjeteve të prodhimit dhe produkteve të punës midis njerëzve. Bakunin ishte një anarkist dhe ai ishte një kolektivist, një armik i hapur i komunizmit, sepse ai pa në të mohimin e lirisë dhe, për këtë arsye, të dinjitetit njerëzor. "

Kur më vonë u vendos sistemi social-komunist, realitetet e tilla ndryshuan dhe çuan në totalitarizëm.

E tash, të gjithë e ndiejnë, për një çast, veten të pasigurt. Pasigurinë nuk e do askush. Madje, njerëzit, përpara lirisë e demokracisë, e duan sigurinë. Sigurinë sociale e ekzistenciale , apo atë politike a ideologjike!

Procese simbiotike politike kanë ndodhur menjëherë pas luftës: krahët politikë, që urrenin njëri-tjetrin në shkallë të lartë konfrontuese, zunë të bënin qeveri të përbashkëta komunale deri te niveli qendror. Ishin krejtësisht të padobishme ato urrejtje krejtësisht irracionale, kundruall nevojave të vendit dhe identitetit nacional e njerëzor. Dhe po ky irracionalizëm veproi më tutje në simbiozën e tillë: si proces strukturash të marrëdhënieve të pavetëdijshme: njerëzit ndiejnë nevojën që të afrohen përballë konfrontimeve aq shpesh të afishuara e të shqiptuara në të kaluarën! Ekstremistët e të gjitha ngjyrave afrohen, për t'i gjetur zgjidhjet... e mandej secili shkon rrugës së vet! Njerëzit thonë: kam nevojë për siguri, kam nevojë për strehim, kam nevojë për punë, po edhe për miqësi dhe siguri biznesi.

Dhe, me veprimin e përbashkët mund të arrihen sfidat që i ka përpara ky komb dhe kjo hapësirë.

Dhe njerëzit afrohen, sepse kanë nevojë për njëri-tjetrin. Është njësoj si raporti bashkëpunues që e ndërtojnë shkrimtarët, regjisorët e aktorët për veprën e përbashkët.

3.

E tash, po zbresim nga jeta shoqërore e politike në art. Më saktësisht: nga imagjinata letrare që lidhet me jetën. Thuhet: arti është arti i të jetuarit. Mu ashtu si leximi e jeta që nuk ndahen nga njëri-tjetri. Johann Wolfgang von Goethe thotë: "Arti i të jetuarit drejt është si të gjitha artet; duhet të mësohet dhe praktikohet me kujdes të pandërprerë."

Ti ëndërron dhe ëndrrën tënde e bashkon me realitetin.

Paradoksalisht: art qenka edhe politika!

Ti e hedh hapin tënd në errësirë, në rrugën e panjohur, dhe e pret hapin tjetër për ta hedhur me besim e vetëbesim. Me qëndrueshmëri e durim. "Me pranimin e të gjitha aspekteve të jetës, të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës, gjërave tua e gjërave të mia, jetës statike e asaj mbrojtëse, me të cilat janë mallkuar shumica e njerëzve, shndërrohet në një valle, 'vallëzim të jetës', bëhet metamorfozë" (Henry Miller).

Të kërkosh magji në art e në jetë?!

Në art po, po jo edhe në jetë!

Sado që kreacioni është magji frymëzimi, aty operon gjuha (në letërsi) apo ngjyra (në pikturë), apo tingulli (në muzikë), apo të gjitha së bashku në teatër e film. Arti ka krijuar përvojat modelet e veta shpërndërruese, transformuese. Ka prodhuar hibridizim përvojash krijuese dhe zhanërkrijuese.

Por arti, sado që është paraqitje e realitetit, ai megjithatë, është një mjet që e formon këtë realitet; ai nuk zgjidh probleme të zhvillimit a të kapitalit, por të formimit të ndërgjegjes, të pasurimit të shpirtit e të lirisë.

Arti predikon lirinë e individit. Predikon të bukurën. "Bukuria do ta shpëtojë botën”, klithte Dostojevski.

Dhe kjo liri është komplekse. Kurse arti e bën të qartë e të dukshme.

Fjala e fundit e njerëzimit qenkan liria dhe e bukura.

Sepse ajo që realizohet në art, qenka e përfytyrueshme në jetën e përditshme.

Me një fjalë: arti t’i jep burimet edhe për artin e jetës, po edhe të jetës shoqërore.

(19 shkurt 2021)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora