E premte, 19.04.2024, 03:33 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 30 vjet B.S.P.SH.

E enjte, 18.02.2021, 08:26 PM


30 VJET  B.S.P.Sh.

(BASHKIMI I SINDIKATAVE TË PAVARUNA SHQIPTARE)

Në 30 vjetorin e thëmelimit të Saj – Janar 2021

Nga Fritz RADOVANI

30 VJET BSPSH - SHKODER... Kujtojmë sot Shqipninë tonë, mbas ngjarjeve në Rumani në Dhjetorin e vitit 1989, kur komunizmit po i vinte fundi edhe në Ballkanin e shpartalluem nga diktatura sllavokomuniste e enveriste. Radha mërrijti tek “kështjella” e fundit e tij, në një nga shtetet e lanuna mbas dore nga vetë Europa Perëndimore, Shqipnia e martirizueme e Gjergj Kastriotit dhe e Nanë Terezës.

Kjo zonë shumë e vjetër e trazueme e Ballkanit nuk ishte as “Lindje as Perëndim”, prandej vazhdonte rrugën e diktaturës së proletariatit, nga e cila nuk i bahej me u shkëputë drejtuesëve katilë e terroristë shqiptarë, mbasi u dukej se kishin mundësi me vazhdue me kenë edhe per disa vite “flamurtarë të marksizëm – leninizmit” në Botë. Kjo pikpamje e tyne, që kishte gllabrue kokat e mykuna anadollake të udhëheqësve të PPSh, ishte shfaqë haptas edhe mbas sa e sa vizitave zyrtare e private të Shtrausit të Gjermanisë Federale në Shqipni. Krimineli i njohun, skilja Ramiz Alia, mbas premtimeve të Erich Honecker të Republikës Demokratike Gjermane, i pat ndërpre të gjitha mundësitë e shpëtimit të Popullit Shqiptar nga vorfnia dhe mjerimi komunist me Perëndimorët, tue mendue se do të vazhdojnë rrugën e gjetun nga vetë Everi dhe ai që, për 47 vjet kishin rjepë Popullin dhe Shtetin Shqiptar, tue e shfrytzue, plaçkitë, vjedhë, masakrue dhe robnue ma keq se në kohën e rendit skllavopronar.., tue pasunue vetën dhe trashigimtarët e tyne me kapitale të rezervueme në bankat Perëndimore e aziatike dhe, tue u sigurue pasardhësve batakçijë dhe hipokritë edhe postet shtetnore të tyne.

Viti 1990 nuk kje aq i qetë për komunistët shqiptarë, ndonse prania e atij sistemi edhe në Jugosllavi, si gjithmonë, u krijonte njëfarë sigurije me vazhdue rrugën e fillueme bashkë me ta që në vitin 1941, kur në krye të shtetit komunist shqiptar ishin po këta spijun të zgjedhun prej tyne që në themelimin e partisë komuniste nga bolsheviku Tito. Edhe kjo ishte një siguri e tyne për mos me ndryshue kursin e filluem nga sovjetikët, të cilët nuk muejtën me shfrytëzue kurrë Presidentin Ronald Regan, ashtu si pat muejtë me veprue Stalini me paralitikun Ruzvelt në 1945 në Jalta.

Bota tashti fliste një gjuhë tjetër. Janari i 1990 dha tingujt e parë të kumbonëve të Lirisë edhe në Shqipni! Ramja e Murit të Berlinit kje “Shpata e Demokleut”, që i këputi koken Kremlinit bolshevik, masakrues i miljona shtetasve rus!

Rendi kolonial i shekullit XX ndër vendet komuniste humbi të “drejten” e prangave të revolucionit ndër burgje e kampe shfarosje, tue përfshi edhe ata skllavë që punonin me nga tre turne ndër fabrika, minjera, kooperativa e ferma bujqësore.., për pasunimin e byrosë politike dhe spijunëve të saj në sigurimin terrorist të shtetit.

Protesta e Burrave të Malësisë me arkivolin e djalit të vramë Pëllumb Pllumbaj, para komitetit të partisë me 16 Qershor 1990  dhe thirrjet e tyne kundër Nexhmije k... e Ramiz p... ishin sinjali i dytë mbas demostratës së heshtun të 14 janarit për rrëzimin e bustit të Stalinit në sheshin qendror të qytetit të Shkodres, që nuk u realizue sepse sigurimi një natë ma parë arrestoi të gjithë organizatorët e saj, bashkë me denoncuesin në ambasaden gjermane Martirin Rin Monajka. Sistemi “socialist” edhe i shteteve Përendimore kishte pësue aq shumë deformime, sa dukej kjartë paaftësia e tyne me ndalue ramjen e “Murit të Berlinit”, dhe me përballue thirrjen e zanit të fuqishem të Papës trim polak Gjon Pali II, drejtue Popujve të shtypun: “Mos keni frikë!”.

Ishte ajo thirrje që i dha forcë edhe Don Simon Jubanit, i porsa dalun nga burgu i Burrelit, që me 11 Nandor 1990, me thye “dyertë e hekurta” të byrosë politike të PPSh, që deri atëherë ishin të betonueme me 700.000 bunkera anë e kand Shqipnisë.

Thirrja e Don Simonit me 13 Nandor në Rrëmaji për formimin e partisë demokristjane në Shkodër me Prof Nush Radovanin, shpartalloi përfundimisht frikën gjysëshekullore të Shqiptarëve! Hija e zbehtë e tradhëtarit Ramiz Alia filloi mos me i besue postit të “sekretarit të parë” të PPSh e natën për hanë, u ndrye në pallatin mbretnor të “brigadave”, tue kërkue që nga “tribuna” e kalbun e atij parlamenti 46 vjeçar, me grumbullue rreth vetës studentat universitarë, me muejtë me i drogue me fjalët e tij hipokrite dhe mashtruese, për me ruejtë kokën dhe karrigen e thyeme nga krimet mizore, vepër të cilën e ka dëshmue edhe atë natë me studenta.

Shqiptarët këputën prangat e robnisë komuniste! Për mos me lejue krijimin e partisë së re demokristjane apo popullore me pjestarë të besimeve të ndryshme në Shkodër, “një ditë” pa u kujtue askush... Në Dhjetor të 1990 u shpall Partia Demokratike Shqiptare në Tiranë. Mbas pak ditësh shkuen në Venecia dy udhëheqësit kryesor të dy partive që kishte zgjedhë vetë Ramiz Alia, ai i partisë socialiste, Fatos Nano, dhe Sali Berisha i partisë demokratike, në përshtatje të plotë me të gjitha udhëzimet e dhanuna nga Gorbaçovi në Kotovicë, ku Shqipninë “komuniste” e përfaqsonte “shoku” veteran Sofokli Lazri, një maskë sllavo – orthodokse e Ramiz Alisë, i njohun me kohë... Në Venecia u nënshkrue “marrveshja” mes tyne, ku i pranishem ishte De Mikelis i Italisë dhe shqiptari me qendrim në Itali Mentor Qoku, i cili vdiq shpejt mbas atij takimi!! Po, një fakt asht i njohun edhe sot: Politika shqiptare vazhdon me kenë “besnike” e asaj marrëveshje!

Atëherë ky takim pat mbetë i fshehtë dhe ende sot nuk bahet fjalë për këte “pakt” që të dy partitë bija të PPSh, nënshkruen dhe vazhdojnë me i qendrue edhe sot atyne dy firmave.., të Venecies. Populli Shqiptar nuk mund të vazhdonte ma me kenë rob i çifligarëve komunistë, kur në vendet e Europës Lindore përmbysja e sistemeve komuniste ishte e paevitueshme. Minatorët e Valiasit u ngujuen në minjerë. Në “dhomat e partisë” ku erreshin organizatat e partisë komuniste tue thurë intriga, poshtërsi, plane arrestimesh, vrasjesh e pushkatimesh, filloi me u pa ditën e natën “flakadani” i teserave të hjedhuna në zjarrin e dëshprimit, e ndokush prej tyne, guxoi me i shoqnue këta zjarre me veprat e despotit të ngordhun pak vite ma përpara!

Viti i Ri 1991 ishte viti i realizimit të shpresave të vdekuna të Popullit Shqiptar!Liria dhe Demokracia lypnin sakrifica por edhe Bashkim e Trimni...

***

Punëtorët Shqiptarë shpartallojnë perfundimisht “shkollat e komunizmit”, bashkimet profesionale!

Me datën 10 Janar 1991, unë u zgjodha nga puntorët e fabrikës së Pëlhurave në Shkodër, kryetar i organizatës profesionale ku, një punëtore e stampimit, e quejtun Albina Mëshkalla, thirri me forcë “Rroftë Lekë Valesa!”...Një thirrje që edhe sot më topitë kur e mendoj..., Me datën 14 Janar, i njoftuem nga z. Zef Prela, kryetar i organizatës së ndërmarrjës metalike, rreth orës 16.00 u ndodha tek Fermentimi i duhanit...

Ishim një grup i vogël që shkuem në Uzinën Mekanike dhe hyme në një dhomë ku nuk zente ma shumë njerëz se ishim aty. Organizator të atij takimi ishin Ferdinand Temali dhe Arben Borshi, të dy punëtorë të larguem ato ditë nga puna nga ndërhymja e sigurimit në drejtorinë e tyne, mbasi spijunët kishin ra në gjurmët e veprimit të tyne “kundër ligjit” për krijimin e Sindikatës Pavarun... Por Ata të dy pa frikë vazhduen rrugen e fillueme.

Ajo ditë ishte hera e parë që njoha afër Ferdinandin.., aso kohe Ai ishte 36 vjeç, një djalë i pashëm, i gjatë mbi 1.80 m, zeshkan, me një za Burri dhe të fortë, që ushtonte mbrenda asaj dhome të vogël aqsa me tu dukë se kushedi sa vetë kishte përpara...Vinte nga minjera e Valiasit dhe do të merrte përsipër detyrën e madhe të luftës pa asnjë mëdyshje kundër komunizmit gjakatar... Ferdinandi tregoi se punonte shofer, por nuk dukej se kishte mbetë në kufinin e profesionit të vet, kishte elokuencë dhe rrjedhshmëni fjale, por ajo që tregonte syni i Tij i mprehtë ishte “Trimnija e një Burri” të formuem parakohe...Aty mora vesh se ishte djali i mësuesit Mark Temali, po kur pashë mbas sa ditësh në familjen e Tij, një grumbull fëmijësh, nusen e Tij të re Fioren dhe dy prindët... Mendova, se.., me të vërtetë ka në Shkodër endè Burra që e duen me shpirt Lirinë dhe Demokracinë, po edhe që... interesin e Atdheut e venë mbi gjithshka...pra, Ferdinandi kishte një Ideal të Naltë për të cilin luftonte pa iu tutë syni!... Në kushte vorfnije, shpesh edhe pa bukë, i çonte fëmijët me fjetë, por kurrë nuk epèj me u ankue, se: “Kështu, janë konditat e të gjithë Popullit tonë nën komunizëm!”, kjo ishte arësyeja për të cilën: “Duhet ta përmbysim sa ma parë komunizmin!..” Sekretar që mbante proces-verbalin pranë Ferdinandit ishte Arben Borshi, të cilin e njihshe nga larg, se asht nipi i Martirëve Shyqyri Borshi dhe Qemal Draçini, antikomunistë të njohun plot lavdi në qytetin e Shkodres. Fjala e zjarrtë e Ferdinandit dhe mbas Tij e Arbenit, tregoi kjartë se beteja duhej fillue sa ma parë, por duhej besë, organizim, guxim dhe vendosmeni.

I pari e mbështeti fjalën e tyne Arben Hafizi e mbas Tij të gjithë të pranishmit. Ishte mjaft terr e errësinë kur dolëm, por mbyllja e kënaqëshme na dukej se jemi tue iu afrue një “drite” që binte nga nalt dhe ndriçonte rrugën që kishim përpara drejt së cilës ishim nisë plot guxim e vendosmeni!

Në mbledhjen e parë ku ishim shumë kryetarë të organizatave profesionale, u vendos pa asnjë votë kundër nga të pranishmit që organizatat profesionale të njihen menjëherë Anëtare të Bashkimit Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë dhe Kryetar i Sindikatës së Shkodres (BSPSH), u zgjodh Ferdinand Temali.

Bashkpuntorët e Asaj beteje aq të madhe, por edhe të rrezikëshme, nuk besoj se kanë harrue mbledhjet e atyne darkave në “Selinë e BSPSH”, ku dyshemja tundej kur ecte Ferdinandi, mbasi tjetër godinë “nuk kishte” Shkodra për né, vetëm ajo mbi kafe “Moska”... E, me të vërtetë nuk na duhej tjetër mbasi pikërisht ajo kafe dikur ishte çerdhe spijunazhi, prandej detyra kryesore e jona ishte: “Se, në BSPSH nuk ka vend ma për komunista e spijunë me drejtue klasën e shtypun të puntorëve të Shkodrës!..”

Dhe ishte Ferdinandi që filloi me guxim luftën kundër “drejtorëve” të ndërmarrjeve dhe shefave të kuadrit në të gjithë Shkodrën, tue kërkue me forcë ndryshimet ose shkarkimet e tyne nga kryetaria e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, atëherë zj. Tereza Marubi.

Shkodranët e masakruem në rregjimin komunist, nuk mbaheshin ma! Rinia e Kështjellës “Rozafat” errej e zgjohej pranë dy godinave, asaj të BSPSh dhe asaj të Muzeut Ateist, ku kishte zanë vend Kryesia e Partisë Demokratike të Shkodrës... Distanca e shkurtë mes këtyne godinave tashma lidhej me vargun e të përsekutuemve politik dhe rinisë heroike shkodrane, ku thirrjet e tyne ishin: “Poshtë komunizmi” dhe “Duem Shqipninë si gjithë Europa!”..., por edhe që nuk pushonin një minut!

Në muejn Shkurt 1991 u organizue një takim i madh në teatrin “Migjeni”, të cilin e drejtoi Ferdinand Temali. Mbledhja u hap me një historik të shkurtë nga Fritz Radovani, i cili tregoi luften sindikaliste të fillueme që në 1905 e deri në 1944 po në qytetin e Shkodres, ardhjen e komunistëve dhe prishjen e atyne përpjekjeve të puntorëve shkodranë, si dhe për rrugen e së ardhmes së BSPSh tashti në vitin 1991.

I pari që mbështeti luften antikomuniste që do të zhvillojnë BSPSh ishte i paharrueshmi trim i nderuem Don Simon Jubani, fjala e të cilit u prit me shumë interes nga të gjithë të pranishmit. Theksi i fjalës së Tij ishte bashkpunimi vllaznor i puntorëve shkodranë pa asnjë paragjykim fetar dhe krahinor. Lidhjet e BSPSh me Komunitetet fetare janë kenë të shkelqyeshme. Ndërlidhës i ynë me Ata ishte antari i Kryesisë së BSPSh Fritz Radovani, i cili bashkë me Arben Borshin dhe Kryetarin Ferdinand Temali, ka ndihmue me anën e atyne komuniteteve edhe në ruejtjen e unitetit të Sindikatës, kur në një rast u pat shfaqë një rrezik i përçamjes së Saj nga një grup fanatikësh anadollakë, të cilët ma shumë ishin të shtymë për këte përçamje nga ndonjë element i lidhun me sigurimin e shtetit. Dështimi i kësaj tentative u dha me kuptue të gjithëve se uniteti ynë ishte i pathyeshëm.

***

Në muejn Mars 1991, jo vetëm që BSPSH ishte e pranishme në ma shumë se 75% të ndërmarrjeve të Shkodrës, por ajo ishte formue në disa pika kyqe, si në hidrocentralin e Vaut të Dejës, Stacionin hekurudhor (që fatkeqsisht nuk më kujtohet emni i thëmeluesit, një ndër ma aktivët), Uzinat e mëdha të Fermentimit të duhanit ku vepronte i riu Arben Broci. Shpejt u përfshi edhe ajo e letrës, mekanike etj. Në uzinen e telave të bakrit e kabllove elektrike vepronin edhe dy anëtarë të asaj sindikatë që meritojnë me u kujtue zz. Paulin Pepa dhe Bep Pjetri. Shpejt BSPSh arriti me marrë me vete edhe armaten e madhe të mësuesve me kryetarin Qazim Lika e Xhelal Fejzo, ku nuk harroj kurrë me sa dashuni mësuesit ishin të gatshem me na ndihmue për çkado që kishim nevojë, e pra, ishte ajo armatë e madhe ku komunistët nuk kishin kursye asgja për shpartallimin e moralit, edukatës dhe ndërgjegjes së “njeriut të ri, vepres më të shkelqyer të partisë”.

Formimi i BSPSh në spitale dhe në Poliklinikë me kryetar mjekun Leonard Kçira, përfshi këtu ma vonë edhe klinikën dentare, asht kenë për mue krejt e papritun mbasi mbrenda asaj Sindikatë elementi ishte shumë i dyshimtë, ndonse unë, ishe gabue mbasi përkrahja e tyne ndaj nesh asht kenë pa asnjë rezervë. Nuk imagjinohej kurrë nga komunistët se ndërmarrja e Minjerave me kryetar Agron Sykja e ajo Gjeologjike me kryetar Ingj. Gjon Suma, forca në favorin tonë aqsa, kur shkova dhe ju fola atyne për rolin që do të lozin BSPSH në të ardhmen e minatorëve, kujtoj kryetarin e posazgjedhun Agron Sykja, i cili më tha: “Mos prano me pi kafe këtu, se nuk ka asnjë siguri jete!..”

Me datën 26 Prill u anëtarsuen në BSPSH edhe 91 nëpunës të qendres informatike, ku u zgjodh drejtues z.Valter Paci, qender shumë me vlerë...

Me 29 Prill 1991 BSPSH mori edhe kokën drejtuese të arësimit dhe kulturës shkodrane, me serena nga Xhavit Xhurkaj, elektriçist në Institutin Pedagogjik, të cilin në këte 30 vjetor e falnderoj fort për veprimet e tij burrnore e vllaznore. Aty kam numrue 68 profesora nga 103 vetë ku, përjashtohej grupi i spijunëve me Sadik Ramën e Angjelin Kumrinë në krye etj..., të cilët, as nuk i kemi pranue në sallën e madhe ku janë zhvillue zgjedhjet kur u zgjodh kryetar Prof. Gjovalin Kolombi. Dy institucione me vlerë për ne ishin PTT dhe Radio Shkodra, sidomos e dyta Radio, ka luejtë rol kryesor mbas shkuemjes drejtor aty të z. Anton Çefa. Me që nga Sindikata më ishte ngarkue mue puna me propaganden e Sindikatës, më ra rasti me u lidhë afer me personelin e Radios dhe kujtoj se me sa interes priteshin nga shkodranët njoftimet e BSPSH në Kavajë, Tiranë etj. Ashtu si Shkodra mbarë priste emisionet e demaskimit të komunizmit, po me atë andje e dashni qytetarët tonë vraponin me u interesue a mërrijti gazeta “Sindikalisti” nga Tirana...

Me datën 25 Shkurt 1991, Ferdinandi mori pjesë në zgjedhjet e Kryesisë BSPSH për Republikën e Shqipnisë në Tiranë, dhe u zgjodh anëtar i asaj Kryesije, me të gjitha votat pro të të gjithë pjesmarrësve. Ai asht kenë ndër organizatorët kryesorë të saj në të gjitha betejat. Ferdinandi aso kohe shkëmbente shumë mendime dhe punonte për rrugzgjidhje me mjete paqësore me Kryesinë e Tiranës, z. Gëzim Shima, Eqrem Kavaja, Gëzim Kalaja etj., por një besim të patundun kishte tek i riu, studenti Arben Broci, i cili aso kohe ishte në ndërmarrjen e Fermentimit të duhanit në Shkoder ku organizonte edhe Ai Sindikatën e asaj fabrikë. Kujtoj një takim me Arbenin kur më shpjegoi “darken e fundit” të atyne të rinjve me tradhëtarin Ramiz Alia në pallatin e brigadave dhe, qendrimin e pabesë të tij ndaj një vajzës trimneshë vlonjate po atë natë...

Datat 31 Mars dhe 1 Prill 1991, ishin ditët e shkrepjes së armëve të “fitores” së fundit për ata që besoj kujtojnë mirë automatikët e sigurimit që lajmonin hajninë e votave nga komunistët! Ferdinand Temali punoi shumë për lidhjet e BSPSH me Tiranën dhe Kavajen, qendrat ku BSPSH po hartonte ramjen e qeverisë komuniste... dhe, duhet vue në dukje roli i madh i rinisë shkodrane i pasuem nga mbarë Populli i Shkodres, në protesten e paorganizueme para selisë së komitetit të PPSH në mbasdreken e 1 Prillit 1991, kur turma mijra vetësh u drejtuen nga ajo seli, mbas thirrjeve tek busti i Stalinit dhe Leninit, në sheshin qendror për me shkue tek komiteti i PPSh, parti e cila kishte vjedhë votat ashtu si kishte veprue për 45 vjet rresht me rezultatin e njohtun 99.99% në favor të saj. Ferdinand Temali kërkoi me ngulm nga protestuesit mjete paqësore, kështu mbas orës 21.00, u shpërnda protesta tue thirrë në bulevardin e Shkodres mbarë Populli liridashës: “Nuk e duam komunizmin jo, jo, jo...!”

           Vazhdon Pjesa e dytë.

           Melbourne, 16 Shkurt 2021.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora