E enjte, 28.03.2024, 01:11 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Arian Shehu i ergjëndtë

E premte, 19.02.2021, 05:28 PM


Arian Shehu i ergjëndtë

Përsiatje

Nga Timo Mërkuri

Një nga grupet iso-polifonike me karakteristika interesante është Grupi “Ergjëria”1 i Gjirokastrës me drejtues artistik Arjan Shehun. Themi se është një grup interesant për arsye se ky grup këndon një tip kënge iso-polifonike që, për tonalitetin e tij me ngjyrim të ngrohtë dhe mënyrën e shtruar të  të kënduarit, është “pagëzuar” me emrin kënga qytetare Gjirokastrite. Kjo tip kënge ka si fillesë stilin e të kënduarit të Xhevat Avdallit, cili këndonte “shtruar” dhe“avash”, ngadalë, me  tonalitet të ulët dhe me harmoni klasike labe.

I- Grupi iso-polifonik “Ergjëria” Gjirokastër është themeluar në vitin 1995, si rrjedhojë e shpërbërjes së grupit të “Të Rrinjve” të Gjirokastrës, grup që e ka nisjen e tij në vitet 1978 dhe ku drejtues dhe  “marrës” ishte Arian Shehu. Në veprimtarinë e tij ky grup  kishte siguruar një përvojë kënge tipike të vetën, që realisht ishte avancim i vijës melodike të grupit të Xhevat Avdallit. Mund të themi se aty ku shkëlqeu kënga “pleqërishte” e grupit të Xhevat Avdallit, aty lindi dhe u rit edhe kënga “djaloshare” e grupit të “Të Rrinjve” të Arian Shehut. Në fakt këtu u ndanë jo vetëm brezat dhe historitë e tyre por edhe historitë e këngëve dhe stilet e tyre muzikore, që duken si të përafërta, sikur “janë“ një, por që në esencë përbëjnë veçori e dallime të theksuara, sidomos kur flasim për tingëllimë origjinaliteti. Arjan Shehu dhe grupi i tij e rinoi  këngën gjirokastritre dhe i dha akcent të veçantë nga grupi i “pleqve”, duke u bërë i dashur dhe i kërkuar jo vetëm  për bashkëqytetarët e tij. “Historia e këtij artisti gjëmon akoma si korife I padiskutueshëm me grupin e “Të Rrinjve”, grupin që habiti dynjanë, popull e studiues me stilin e tij të të kënduarit.

Shpërndarja e grupit të  “Të Rrinjve” në grupin “Argjiro” dhe “Egjëria” erdhi si pasojë e ndryshimeve të kohës,  këngëtarët u rritën në moshë dhe artistikisht dhe normalisht që nisën të pretendojnë afirmimin artistik individual. Përvoja dhe talenti i Arian Shehut, aftësia e spikatur   drejtuese dhe besimi që kishte fituar te shokët gjatë viteve bëri që grupi “Ergjëria” të trashëgojë gati 80%  të grupit “Të Rinjve“ të  Gjirokastrës. Në grupin “Ergjëria” Arian Shehu qysh nga krijimi i tij dhe sot është udhëheqës artistik dhe përcakton vijën melodike, është “marrësi” i shumicës së këngëve, ndërkohë që bën  edhe “hedhësin”. “Marrës” dhe “kthyes” me përvojë 30 vjeçare ka në grup  Adriatik Çenkon, “kthyes“ të talentuar ka Skënder Sinanin dhe “hedhës” i veçantë Axhem Hysenmetaj me përvojë 20 vjeçare. Shokë të tjerë si Iso- Adriatik Çenko, Redjon Korkuti, Mariglen Berberi, Gëzim Haska dhe së fundi edhe e spikatura Juli Çenko. Me një grup të tillë, të përbërë nga artistë të spikatur, vetëm me këngë të arira konkuron në iso-polifoni.

II- Kënga e grupit “Ergjëria” është një këngë melodioze në harmoni të shkallës më të lartë, shumë më e avancuar se klasikja, me ritëm të mesëm dhe tempo ritëm të brendshëm. Elementi bazë i kësaj kënge është “marrësi”, që në këtë rast është një tenor i pastër lirik, me zë vibrues, por me ngjyrim dhe tepër melodioz. Tonaliteti është i lartë. Është këngë me dritë dhe ka veçori qoftë nga kënga bregase, labe dhe gjithë variantet e tjera. Veçoria konsiston në faktin  se bashkë- veprimi i “marrësit”, “kthyesit” dhe “hedhësit” është mjaftë dinamik dhe shumë harmonik. “Hedhësi” apo më saktë “prerësi” e shoqëron “marrësin” gjatë gjithë kohës dhe tenton në pak çaste ta “konkurojë” atë. Në momentin që shtrihet kënga, alternohet me ‘të në mënyrë perfekte. Në pak çaste, kur kënga shtrohet, “prerësi” kalon tek zëri i katërt, që është “iso-ja”. “Kthyesi” është mjaft solid dhe i “kronometruar” në çastet e tij, por jo mjaft i fortë si “kthyesi” lab. “Iso” e grupit të Gjirokastrës është kaba e plotë, e organizuar, jo base, por pikante, me tingull metalik. Kënga e grupit quhet në popull “kënga e re qytetare gjirokastrite” dhe ka dallim nga iso-polifonia e gjithë krahinave të Shqipërisë, përfshi dhe krahinat fqinje. Libohova ka pak afëri me vijën melodike të Gjirokastrës, por pa aritur përsosmërinë e saj, Mashkullora dhe Picari janë pa dredhje zëri, por kanë një veçanti me një zanore të zgjatur.

III-Arian Shehu prezantohet i plotë vetëm nëpërmjet këngës. Me këngën e tij ai ju bën të rrënqetheni dhe ta ndjeni atë në çdo hapësirë të shpirtit. Është një zë natyral, i lindur për të kënduar dhe jo i “mësuar” në shkolla kënge. Në fakt Ariani ka “mare” mësime kënge, por mësimet e para të të kënduarit i mori nga i jati,  Sheh Jonuz Shehu, që ishte një nga antarët e “grupit të pleqve” të Gjirokastrës, grup që ishte ikonë e një epoke. Ndërkohë edhe nëna e tij Lule Shehu, mbesa e Zeman Mashkullorës (bashkëluftëtar i Çerciz Topullit) ishte një këngëtare fine e këngës labe dhe për Arianin ishte mësuesja e parë e iso-polifonisë. Me dy “profesorë” kënge në shtëpi, çdo fëmijë që të ishte, edhe ëndrat do t’i shihte me këngë dhe jo më Arian Shehu që dukej se u “rrëmbente” melodinë nga buza prindërve. Shpejt mësoi të këndonte dhe ende fëmijë, nisi t’i printe këngës si “marrës”. Në këtë drejtim ndikoi edhe fakti se nëna i mësoi variantin tipik gjirokastrit të të kënduarit me “hidh e prit”, variant që duket i “lehtë” por që realisht kërkon një vëmëndje të preçizuar për të kapur momentin e “hyrjes” në këngës, mbajtjen e tonalitetit në këngën-replikë dhe respektimin e distancave kohore me “pritësin” dhe “iso-n”. Më pas, idhulli i tij, që ai e ndiqte çdo ditë pas shkolle ishte Xhevat Avdalli, i cili e dëgjoi, e pëlqeu, e inkurajoi me besim dhe e ngjiti në skenën e kështjellës qysh kur Ariani ishte ende djalosh i ri. Është fat të kesh një “pedagog” të tillë si Xhevat Avdalli pas dy “mësuesve”, prindërve të tij.

Realisht Arjan Shehu kishte një fat më të madh se kaq, ai kishte lindur në Gjirokastër dhe pikërisht në kohën kur kënga iso-polifonike ishte pjesë e jetës në çdo familje. Gjirokastra ishte ndoshta i vetmi qytet në Shqipëri ku çdo lagje kishte grupin e vetë folklorik, me pjesmarrës të rinj, të reja dhe të moshuar dhe ku çdo vit, në muajin shtator ose tetor te sheshi  “Çerçiz Topulli”, në qëndër të qytetit, organizohej takimi i këtyre grupeve folklorike (të lagjeve) dhe  konkuronin me këngë e valle.Dikur Gjirokastra është quajtur “qyteti i vajtimeve” ndërsa koha kur u rrit Arian Shehu e shndroi në qytetin e këngëve. Bënte prova  me shokët gati çdo ditë pas mësimit,  dhe pikërisht kur  mbushi 18 vjeç mori pjesë në një nga festivalet në sheshin e Çerçizit me këngën "Ulu mal të dali hëna". Në atë podium të vogël në krah të Çerçzit ju duk vetja si një shqiponjë. Ajo ishte dalja e tij e parë artistike, më pas dalja e parë në skenën e kështjellës ishte me këngën "Thinjat me lule rinie" në vitin 1978 në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Fluturimi i tij nga skena e vogël e sheshit “Çerçiz Topulli” në skenën e kështjellës i ngjante fluturimit të një shqiponje nga dora e një “rritësi shqiponjash” drejt qiellin e pamatë, sepse Ariani rritej si një shqiponjë për të zotëruar qiellin gjirokastrit të këngës iso-polifonike. Ishte Xhevat Avdalli mjeshtri “rritës i shqiponjave” nga dora e të cilit nisi fluturimin Arian Shehu, që me shokët e grupit, si me krahë të shtrira mbuloi gjithë skenën e Festivalit Folklorik. Aty e ndjeu se ai kishte lindur për këngën gjirokastrite, ta mbronte e ta rriste, ta prezantonte të re e të bukur në të gjithë Festivalet Folklorike të vendit dhe në Festivale të shumë shteteve të botës si në Francë, Zvicër, Korsikë, Suedi, Greqi, Danimarkë prej nga i sillte qytetit të tij çmime, flamurë, çertifikata vlerësimi për sukseset, që e ngritën grupin në nivelin e “Mjeshtër i Madh”. Këngët e Arian Shehut janë gati të gjitha këngët e Gjirokastrës, në të cilat ai ka vënë shpirtin e tij, lotin e tij, dhëmshurinë dhe krenarinë e të qënit gjirokastrit. “Shqipëri të qofsha falë/ Të kam nënë e më ke djalë” janë vargjet e para që të kujtohen nga Arian Shehu sa herë që bie fjala për ‘të, dhe nëpër vijën melodike të kësaj kënge shohim portretin e tij. Realisht portretin e Arian Shehut gjithmon e parafytyrojmë të gdhendur në një bazoreliev me shtëpitë e “ergjëndta” gjirokastrite në sfond. Sepse ai është “Princi i këngës gjirokastrite” dhe nuk e kupton veten pa këngën dhe pa Gjirokastrën. Arian Shehu është personi që më së shumti i përshtatet cilësimi “i ergjëndtë”, sepse te ai përmblidhen tre elementët të “ergjëndtë“ të domosdoshëm për të plotësuar portretin e njeriut të tillë. Ai, së pari është gjirokastrit, bir i atyre shtëpive mbuluar me rrasa guri, që pas shiut, me daljen e diellit ndrijnë si “ergjënd”. Së dyti është drejtues i grupit “Ergjëria” që rrëndom quhet “Grupi i Ergjëndtë” dhe më kryesorja se është këngëtar me “zë të ergjëndtë”, siç thotë populli.      Kjo është arsyeja që qysh në krye e quajtëm : Arian Shehu i“ergjëndtë”, por radha e pruri ta sqarojmë tani.

Të pyesësh Arjan Shehun se në gjithë atë “mal me këngë” të tij, cila është kënga që  i dhëmb më shumë, ai pasi mendohet pak, nis e këndon: “Vito ta kam silloinë/Si do shkosh me djem jetimë /Si gurri në rrokullimë/rrobat në sepet çtu grinë/Vishi Vito,krreje zinë/Se të vdekurit nuk vijnë”2. Pasi pushon një a dy minuta pas mbarimit të këngës, sikur mendohej për fatin e “Vitos me djem jetimë”, ja nis këngës tjetër: “Ç`bën moj ti aty përposh,/ laj fustan e tim zotë./. Laj fustanin e tim zot,/ herë me ujë e herë me lotë./ Herë me ujë e herë me lot,/ bëj durim e s`duroj dot”3...

IV- Një veçori e këngës gjirokastrite është edhe tipi i këngës “hidh e prit”. Për shumë lexues që nuk e njohin këngën gjirokastrite sqarojmë se: tipi i këngës “hidh e prit” është si një “dialogim” midis dy vetave, djalit e vajzës, sigurisht në praninë e grupit, ku: djali këndon një varg dhe më pas vajza i përgjigjet me një varg tjetër. Në mes të  hapësirës  kohore “boshe” mund të futet hedhësi, gjithashtu  me variant gjirokastrit, jo me dredhje zëri por në një plan. “Hedhësi” përsërit ndonjëherë dhe çdo fund strofe, sigurisht para se të futet iso. E tillë është kënga “Aman Andoniqi“:”Në ballkon ku rrije tregon histori/ Aman Androniqi aman un për ty/ Këmbën mbi këmbë, festenë mbi sy/ Aman Androniqi aman un për ty/ Ky fustani yt cipë gjarpëri/ Aman Androniqi aman un për ty/ E ke bërë vetë a peshqesh njeri/ Aman Androniqi aman un për ty/ Ky babai yt një palo njeri/ Aman Androniqi aman un për ty/ Që stë le me djemtë të bësh dashuri/ Aman Androniqi aman un për ty/ Te kjo këngë e tipit hidh e prit,  vargun “Aman Androniqi aman un për ty” e këndon një herë Juli Çenko  dhe një herë Arian Shehu. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për këngën “Aman trëndafile aman borzilok4. Për të interesuarit sqarojmë se origjina e këngës “hidh e prit” është e herëshme, qysh kur njerëzit “dialogonin” me këngëzim dhe “jeton“ ende në qëndrat e banuara me popullatë të herëshme, që i ruajnë traditat dhe zakonet. Për ruajtjen e traditave të artit gojor në Gjirokastër ka shkruar edhe Çelebiu qysh më 1672, kur dëshmon për vajtimet, ligjërimet  mortor në qytet dhe dihet që ligjërimet dhe kënga iso-polifonike janë dy anë të një monedhe. Dëshmi e ruajtjes së traditave është dhe kostumi popullor i Arian Shehut, i cili thekson se: “E kam të trashëguar nga im atë dhe nuk i kam ndryshuar asnjë fije peri dhe asnjë tegel”.

Le të shohim këngën “Ç'bënetë në shtëpinë tënë/ Gjithë valle gjithë këngë” e përshtatur

në variantin “hidh e prit”. Këndohet një varg mashkulli dhe më pas një varg femra. Pas kësaj

futet “hedhësi” në rolin e “marrësit” duke kënduar: “Çu mbush mali plot me rrush”/”Plot me rrush”/ “Thotë nëna janë krushq/Janë krushq”. Pas kësaj futet Ariani me vargun: “Në janë krushq të dalin-o/të dalin-o/ Syzezën le ta marrin-o” etj. duke dhënë në këtë mënyrë një kolazh, ku të gjithë këngëtarëve u jipet  mundësia të bëhen nga pak “marrës” dhe të evidentohen. Në qoftë se e keni parë “Dasma gjirokastrite” ku sa mbaronte njëri, fillonte tjetri këngëtar, atëherë  jam i sigurtë se më kini kuptuar plotësisht.

V-Është e natyrëshme që në Gjirokastër të këndohen dhe tipe më të herëshme këngësh, veç

tipit “hidh e prit” dhe po kaq e natyrëshme është që këto tipe këngësh t’i ketë në repertorin e tij

Arian Shehu. Një tip i hershëm kënge është “monofonia” e cila, kemi shpjeguar se është hapi i parë në shkëputjen nga “logatja” drejt këngës dhe që këndohet në vetminë e jetës baritore, me zë të përvajshëm dhe me tekst dhimbjeje, pasi kryesisht ka motivet e ligjëruara nëpër morte ose të ngjashme me ‘to. Në Gjirokastër Arian Shehu ka “shkuar” më tejë se këto motive. Monofonia e tij ka tjetër fytyrë, më bashkëkohore, më krenare, më qytetare, tipike gjirokastrite kur këndon: ”Gjirokastër moj shqiponjë/Nënë e trimave moj zonjë/Linde Çeçon me kobure/Linde djem e vajza nure”.

Duhet të evidentojmë edhe faktin se Arian Shehu është ndër krijuesit aktivë themeltarë të grupit “Bilbili” në dhjetorin e ’94, ku disa këngë të rregjistruara në marsin e vitit ’95 prej tij mbetën befasuese. Kombinacioni me këngëtaren pilurjote Erimioni Mërkuri te kënga tipike gjirokastrite “hidh e prit”: “Aman trëndafil, aman borzilok” , në të cilën kombinoheshin zërat sipas radhës, Ariani-“Unë të mbolla rrallë, ti më mbive plot” dhe Erimioni: ”Aman trëndafil, aman borzilok” me kthyes  Mehmet Vishe rezultoi në një këngë të niveleve të larta artistike dhe nga më të kërkuarat nga publiku:

Unë të mbolla rrallë/ti më dole plot/aman trëndafil,/aman borzilok…

Ç’më ra havale/një i shkreti zog/aman trëndafil/aman borzilok..
Nuk më la farë/ç’do të mbjellë mot/aman trëndafil/aman borzilok.
Unë e prisja dje moj/ai erdhi sot/aman trëndafil/aman borzilok.

VI-Thamë që kënga e re gjirokastrite është këngë e shtruar dhe shpesh herë pati tekste të

forta, duke e bërë atë dinamike, por karekteristikë e saj është lirika elegjiake dhe ajo erotike. Si

kërkesë e kohës do të ishte larmia e mëtejëshme e motiveve dhe futja në shoqërim të këngëve e istrumentave karakteristikë . Eksperimentimi me zërin e gruas dhe konkretisht e Juli Çenkos është një risi që e kërkonte koha e sidomos turbo folku, është e pëlqyeshme, ndaj po punohet shumë për të krijuar një portret konkret tipik. Nuk është lehtësisht i realizueshëm novacioni në këngën gjirokastrite i ndërmarë nga Arian Shehu dhe Juli Çenkos, por në horizont duket suksesi, sepse kemi të bëjmë me bashkimin e dy talenteve të mëdhenj muzikorë, që shoqërohen nga një grup artistësh “mjeshtra”, janë bij të një qyteti, rritur me të njëjtën  traditë dhe dashuri për këngën popullore dhe qytetin e tyre, që gjithsesi kanë bashkëpunuar edhe më parë në iso-polifoni. Se duhet të dini që Juli Çenko ka kënduar edhe marrëse e grupit iso-polifonik dhe interpretimin e saj mund ta dëgjoni psh. te kënga “Thëllëza që shkel mbi vesë”.

Bashkimi i Arian Shehut (dhe grupit “Ergjëria”) me Juli Çenkon është episod më vete. Juli  është mbesa e Arianit, vajza e kushëririt.Bashkë kanë kënduar nëpër skena iso-polifoninë e bukur gjirokastrite dhe ndjehet tepër i lumtur që tashmë  ajo u bë dhe antare e grupit "Ergjeria". Rruga e Arianit drejt muzikës popullore ishte tepër e rastësishme dhe shpirtërisht e pakundërshtueshme. Vajzat e tij dëshironin që Ariani të këndonte edhe këngë popullore në dasmat e tyre, jo vetëm iso-polifoni dhe për t’ja mbushur mëndjen, nisën t’ja përmëndnin këtë ide “si një arritje që do ti shtohej karrierës së tij muzikore”. Ideja muzikore i pëlqeu dhe sidomos e bëri të buzëqeshte mënyra e tërthortë e paraqitjes. -E cili baba nuk dëshiron të këndojë në dasmën e vajzave?  Më pas ideja u forcua me propozimin  konkret të Julit. “Ishte ditë e  veçantë, dita që Juli Çenko erdhi siç vinte zakonisht në shtëpinë time, për të më takuar e për të marrë ide në lidhje me projektet e saj, por këtë herë erdhi të më prezantonte një bashkëpunim muzikor. Ishtë një ide brilante e ndërthurur me iso-polifoninë. Që nga ajo ditë vendosa të isha krahu i saj, jo vetëm në tekste por edhe në ekran”- thotë me dashamirësi Arian Shehu duke shtuar se bashkëpunon me një artiste të

madhe të këngës, më shumë se sa me mbesën e tij.

Bashkpunimi i tyre qysh në prezantim duket suprizues. Juli Çenko e bukur, si një rini e përjetëshme pranë Arian Shehut, që duket si një mal lëvizës, mbushur plot me lisa. Po ju them se sa herë që unë kam dëgjuar Juli Çenkon duke kënduar, më është dukur se ajo këndon me një zë “me shtatë drita”, valët e të cilave të depërtojnë në zemër para se të kuptosh se çfarë dëgjon, ndaj kam shtangur në vend plot mahnitje, ashtu siç u shtang dhe Moisiu në mal kur dëgjoi zërin e perëndisë që i fliste. Ndoshta Zoti vetë, kur dëshiron të na thotë ndonjë fjalë të bukur e të ngrohtë, na e thotë atë nëpërmjet këngës së këngëtareve me bukuri të përsosur, në pamje, shtat e në zë.

Dhe kënga e tyre, oh ajo këngë, Juli me zë thëllëze dhe Ariani si mal i Sopotit në pranverë,

kur zbret gjithë zërat e bukur të pranverës në përrenj melodie.

Këto këngë dhe këta  këngëtarë vetëm dëgjohen dhe admirohen.

Sarandë, më 13.02.2021

1-Fjala “Ergjëri” është  shndrim folklorik i fjalës “Ergjëndëri” (Argjend)  pasi  Gjirokastra, në kohën e daljes së diellit pas shiut, ndrin e tëra si argjënd, për vetë faktin se çatitë janë të mbuluar me rrasa guri ku përthyehen rrezet e diellit dhe reflektojnë dritë argjendi, fenomen i dukshëm edhe sot. Kjo fjalë nuk ka lidhje me fjalën “Jergjëri” (Kuvendi) dhe  përdorej para  mbajtjes së  kuvendit të Degës së Gjirokastrës të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit (10 qershor 1878 – 1881)..  Në botim të Spiro Dines më 1910 ( ku fjala Ergjëri është shkruar Jergjëri dhe ëhtë përkthyer “Kuvend”) është publikuar  kënga: Kurvelesh e Gegëri/ Ç’u mblodhë në Ergjëri/Të bëjnë komision të ri/Ky Abdyl Bej Frashëri/Çu përpoq i varfëri/Prishi një torbë flori/Dhjetë herë në frëngji (burg)/ …si dhe një variant tjetër të kësaj kënge që gjithsesi nuk e argumenton përkthimin e fjalës Ergjëri në Kuvend por e specifikon te fjala Jergjëri, fjalë e cila s’ka asnjë lidhje me fjalën Ergjëri.

2- Kënduar fillimisht me marrës Arian Shehu, kthyes  Perlat Meli, hedhës Axhem Hysometaj, iso Lili Çenko, Hasan Xhiku, Mevlut Meleqi

3 Kënduar fillimisht me marrës  Arian Shehu, kthyes  Mehmet Vishe, hedhës  Roland dhe Kastriot Çenko...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora