| E enjte, 18.02.2021, 09:30 PM |
PLANI HAKMARRËS I GRAMOZ RUÇIT KUNDËR ATYRE QË RRËZUAN SHTATORET E ENVER HOXHËS
NGA
AGRON TUFA
1. Dokumenti tepër
sekret: të gjenden organizatorët
Ky
dokument, i shënuar «tepër sekret» publikohet për herë të parë. Dokumenti bën
me dije se ministri i sapozgjedhur i Diktaturës, i fundmi në krejt kampin
komunist të Europës Lindore, shoku Gramoz Ruçi (ose, siç e kemi dëshmuar me
dokumenta, «Cigarja» e Sigurimit), u bën thirrje shokëve të vet të Degëve të
Punëve të Brendshme për të nisur një valë arrestimesh pas rrëzimit të
shtatoreve të diktatorit Enver Hoxha. Nuk është vetëm shtatorja e diktatorit që
u përmbys në Sheshin Skënderbej e mandej u hoq zvarrë drejt Kinoklubit Studenti
- trofe për studentët në Grevën e Urisë. Jo, është fjala për përmbysjen e
shtatoreve, statujave dhe statuetave të kësaj perëndiçke komuniste në të gjitha
qytetet e Shqipërisë. Shtetit komunist në grahma të fundit i duhet një dorë e
fortë, një stalinist i përbetuar, një kriminel, që mund të vrasë pa iu dridhur
dora dhe Ramiz Alia e solli nga Tepelena «Cigaren», shokun Gramoz. Fill pas
rrëzimit dhe dhunimit të shtatoreve e statujave të diktatorit nëpër tempujt e
qyteteve komuniste, në skenë hyn nofullakatrori, spiuni e sekretari i Partisë,
për të bërë zap rrokullimën. Ky portret egërshan e tregoi veten menjëherë, sapo
mori detyrën, gjykuar nga shkresa e mëposhtme:
DESHIFRIM (TEPËR SEKRET)
13. 3. 91
D.P. BRENDSHME TIRANË
DHE D.P. BRENDSHME
Ju
kujtoj se populli pret që organet e punëve të brendshme ta informojnë kush i
rrëzoi e dhunoi monumentet dhe bustet e Enver Hoxhës. Porositë e dhëna nuk po
zbatohen, puna për këtë problem të rëndësishëm u kufizua tek disa ekzekutues
dhe në ditët e para kur kërkohej të zbatohej duke u thelluar për të dalë tek
organizatorët. Këmbëngulni të kryeni detyrat. Në një datë të afërt të thirren
kryetarët e degëve për të raportuar.
Gramoz Ruçaj
2. Përbetimi i Gramoz
Ruçit dhe përgjakja e demokracisë në Shkodër
Nuk
do të kalojë një muaj dhe egërshani fanatik «Cigarja», do të formulojë një
urdhër tjetër, që do të sjellë përgjakjen e Shkodrës me 2 prill 1991, duke
vrarë katër djem të rinj, heronj të demokracisë: Besnik Ceka, Bujar Bishanaku,
Nazmi Kryeziu dhe Arben Broci (ky i fundit një figurë e njohur e lëvizjes
studentore që solli pluralizimin). Është interesante se vrasjet e bëra nga
snajperët e pozicionuar nëpër tarracat e pallateve, kanë qenë të planifikuara
sipas urdhërit të ministrit të brendshëm Gramoz Ruçit. Këto vrasje nuk janë
bërë menjëherë, por sipas planifikimit nga ora 8.10 deri në orën 11.00 të datës
2 prill 1991. Ata kanë zbatuar skemën e urdhërit të shtjelluar të dhënë nga
Gramoz Ruçi në tekstin e mëposhtëm, të një dite më parë:
“Për
të vepruar me forcën e shkopit nuk ka askush arsye të pyes përgjegjësin.
Goditni ashpër qysh në fillimet e grumbullimeve. Për të paralizuar ata që nga
turmat mund të godasin me armë forcat tona, zini lartësitë dominuese me qitës
të përgatitur, forcat tona që përleshen me protestues mos shkojnë të
armatosura.”
3. Një Heinrich Himler
në krye të Parlamentit shqiptar pluralist
Për
përmasat e Shqipërisë staliniste, brenda shkallës së zvogëlimit dhe kohës së
pafavorshme për diktaturën komuniste në grahmat e fundit, roli i Gramoz Ruçit
ishte ai i një Henirich Himler-i në qeverinë naziste. Vrulli me të cilën e
filloi punën, egërsia dhe etja për masakër ishte e njëllojtë me vendosmërinë e
pikut të diktaturës, veçse e tradhëtuar në kohë. Që nga dita kur lëshon
urdhërin e paraqitur në këtë dokument e deri në përfundimin e palavdishëm të
detyrës së ministrit të brendshëm pas disa muajsh, tregon kontradiktën midis
egërsisë së tij dhe rrokullimës që kishte marrë diktatura. Megjithatë,
pavarësisht kohës tepër të shkurtër, “Cigarja” që u bë ministër i brendshëm,
karakterizohet nga etja për arrestime, spastrime, survejime, derisa pas një
muaji nga marrja e detyrës e përgjaku demokracinë shqiptare me 2 prill 1991
duke marrë jetën e 4 të rinjve protestues. Nuk është fjala për dalje të situatës
nga kontrolli, por për vrasje të planifikuar me snajperë, siç e dëshmon
dokumenti i mësipërm. Pavarësisht se i shpëtoi gjyqit të parë, kur çështja u
rihap, më 1996, thonë se Gramoz Ruçi kaptoi kufirin shqiptaro-grek i veshur si
grua. Pastaj historia e kthimit në vitin 1997 dihet.
E
pabesueshmja është se ky himleruc shqiptar mbërriti të bëjë karrierë politike
të lartë, aq sa sot e kemi Kryetar të Kuvendit. Një himler shqiptar kryeson
Kuvendin ende tash në vitin 2021!
Si
është e mundur?
Në
një shkrim të 13 shtatorit 2018 në «Panorama» Jan Jansen (ish-vëzhguesi i
Amnesty International përgjatë 14 vitesh (1990-2004) shtron pyetjet e tij
thelbësore dhe shpreh habinë për karrierën marramendëse të Gramoz Ruçit. Habia
e Jan Jansenit ka të bëjë me lidhjet midis Diktaturës I (komuniste) dhe
Diktaturës II (diktatura e dollarit). Pse vallë dhe si është e mundur, që në
krye të shtetit janë po ato figura të diktaturës komuniste? Si shpjegohet? Po e
sjellim të cituar habinë e këtij eksperti me përvojë të «Amnesty International»:
«Duhet të pyesim zotëri Gramoz Ruçin. Ka qenë ministër i Punëve të Brendshme,
d.m.th. përgjegjës për Sigurimin, për Policinë, për sistemin gjyqësor dhe
sistemin e burgjeve. Në praktikë, përgjegjës për vrasje, tortura, maltretime,
burgosje, internime, ridënime, shkurt, për krejt sistemin shtypës të diktaturës
I. Tani është në majën e demokracisë, kryetari i Parlamentit shqiptar. Në
thelbin teorik, ai duhet të mbrojë demokracinë në Shqipëri, sistemin
demokratik. Pyetjet e mia do të kishin të bënin me ndryshimet midis sistemeve
dhe për tiparet që ata i kanë të njëjta”.
Sigurisht
në këtë kohë gazetari me përvojë i “Amnesty Internatonal”, Jan Jansen-i, nuk
kishte si ta dinte që Gramoz Ruçi kishte kaluar sprovën e Sigurimit të shtetit
me pseudonimin “Cigarja”. Po habia e tij është krejt e ligjshme për të gjithë
ata njerëz që e kanë trurin në vendin e duhur dhe e fusin sadopak në punën e
tij, siç e ka jeratisur perëndia.
Ajo
që e habit më së shumti ekspertin europian, është Rrugëtimi i këtyre njerëzve.
Në vend të Gjykatave shqiptare apo Tribunalit të Hagës si i akuzuar për krime
politike të çdo lloj shkalle, “Cigarja” vetëm se ka ngjitur shkallët e
karrierës, madje më fort se gjatë diktaturës I (komuniste). Po si është e
mundur? Çfarë udhe mistike i ka prirë kësaj race? Kush kanë qenë prijësit e
tij, dyert sekrete që i janë hapur si me magji? Cili medium, cili sekt i
fuqishëm satanik e ka bartur lart e më lart përmes mjegullave të rënda të
tymtajës shqiptare? Sigurisht do të na duhet t’i zbardhim këto kthesa, këto
zgëqe e llagëme të nëndheshme, këto lakadredha kacavjerrëse, të cilat pas 30
vitesh nga rënia e Komunizmit na e ngjiti antropoidin tonë në majë të piramidës
shtetërore. Dhe ne rrimë e dëgjojmë, udhëhiqemi, i bindemi, sikur kjo të ishte
diçka më se normale.
Habia
e ekspertit hollandez të Amnesty International shprehet e troçët, e tillë e
thjeshtë, siç nuk kanë pasur kurrë guximin ta shtrojnë parvenytë e shtypit tonë
me mëditje:
“Si
holandez, banor i vendeve të ulëta, nuk e kuptoj. Ne nuk kemi male, d.m.th.,
nuk kemi maja malesh. Një udhëtim nga maja në majë nuk mund ta kuptoj. Ai mund
të ma mësojë se si ka udhëtuar nga maja në majë është vetë Gramoz Ruçi. Supozoj
se në mes të maleve ekziston diçka që e quajmë “luginë”? A ka udhëtuar zotëri
Ruçi nëpër luginë? A ka marrë përgjegjësi për çfarë ka bërë? Ka kërkuar ai
ndjesë? Sipas sistemit të Afrikës së Jugut (pajtimi); apo sipas ndonjë sistemi
tjetër? A ka folur për çfarë ka përgjegjësi? Apo unë jam i gabuar, sepse nuk ka
“luginë” në mes të maleve? Unë si person jam shumë kureshtar, prandaj pyes: si
është e mundur të shkojë nga një majë mali në një majë tjetër pa probleme
psikike, a nuk ka ai ndonjë brengë të madhe? Ju lutem, zotëri Ruçi, ma
shpjegoni!”.
Sigurisht
Jan Jansen nuk ka fort parasysh, që këta antropoidë të Diktaturës I (komuniste)
që janë në krye të piramidës së pushtetit të Diktaturës II (të dollarit), kanë
rreth vetes avatarët e bandave të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve. Avatarët
e Gramoz Ruçit kanë bëma të mëdha që nga viti 1997 dhe tashmë janë klan
familjar me tentakula të forta: ata vrasin, shtypin, dhunojnë, drejtojnë hartat
e trafikut dhe janë të gatshëm të veprojnë ngjashëm sikur e ka pohuar vetë Ruçi
në një video: “Pushteti fitohet me grykën e pushkës dhe mbrohet me grykën e
pushkës”. Pushteti pra, jo liria. Pushteti i mafies i përbërë nga avatarët e
tij të bandës familjare.