E merkure, 24.04.2024, 06:15 AM (GMT+1)

Speciale » Karanxha

Ilia Karanxha: Binomi Portret - Biografi në Shek. XV-XVI

E merkure, 17.02.2021, 08:13 PM


BINOMI PORTRET- BIOGRAFI NË SHEK. XV-XVI

Nga Ilia S. Karanxha

Mbetet një fakti i mirënjohur  që ikonografia kastriotiane lindi dhe u zhvillua në ambientin e kulturës rilindase të humanizmit italian e atij evropian. Kështu çdo studim në lidhje me fillimet e zhvillimin e kësaj ikonografie nuk mund të veçohet e të realizohet jashtë këtij ambienti. Në këto kushte del nevoja të hidhet edhe një vështrim i shkurtër mbi disa linja kryesore në historikun e artit evropian dhe mentalitetet e kohës që përsëdrejti  kanë influencuar edhe mbi ikonografinë kastriotiane.

Vlerat dokumentare e përkujtimore veç atyre artistike tek një portret kanë qenë qysh nga antikiteti objekt teorish të cilat në rrjedhën e shekujve kanë stimuluar një numër të pafund interpretimesh në ndryshime të vazhdueshme dhe shpesh në kontradiktë me njëra-tjetrën. Për sa i përket raportit mes ngjashmërisë të shëmbëlltyrës të portretizuar dhe modelit të tij, kufizimet e tij, bukuria, roli i tij, pra të gjitha aspektet e lidhura me konceptin e imitacionit, janë të gjitha argumente që gjejnë vend në një studim erudit të Jakob Burckhardt-it(1818-1897) mbi Origjinat e portretizimeve moderne .

Studiues të tjerë kanë shtruar gjithashtu problemin e portretit të një personi nëpërmjet pyetjes: Cila është vetia më shquar tek një portret ? Shumë e gjejnë përgjigjen tek ngjashmëria me origjinalin. Mirëpo, në kohët antike duket që nuk mendohej kështu. Këtë e provon fakti i mosngjashmërisë që takohet në  portretet e ndryshme te të njëjtit personalitet të shquara  grek apo romak prej të cilave del a pamundur të dallosh se cili prej tyre është më origjinali. Duket se të vjetrit i vinin përparësi aspektit shpirtëror përpara atij fizik. Pavarësisht nga këto konstatime që bën Vincenzo Cuoco (Viçenco Kuoko), ai shtron gjithashtu çështjen se çfarë kuptimi ka nëse ky apo ai portret ngjan apo nuk ngjan? - Pjesa fizike e fytyrës tonë është subjekt i vazhdueshëm ndryshimesh për mijëra shkaqe të momentit. Ne vetë duke vërejtur pjesët e ndryshme të një portreti jemi subjekt i të gjitha aksidenteve që shkaktohen nga drita apo nga largësia. Të njëjtat ndjesi që  provon plotësisht shpirti ynë në momentin që vëren një fytyrë ndryshon ndjeshmërinë që e njëjta shëmbëlltyrë shkakton brenda nesh..

Në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, fillimisht Julius von Shloser(Schlosser) e më pas Benedeto Croce  trajtuan problemin e ngjashmërisë së portreti dhe arritën në konkluzionin se artisti fut e shpreh mbi portretin një pjesë të vetvetes siç vërehet nga ndryshimet e portreteve të të njëjtit person të bërë nga artistë të ndryshëm. Kriteri i ngjashmërisë, pra, i një forme ekspresive që korrespondon me të vërtetën dhe e riprodhon është e pashmangshme për artin figurativ, por e gjitha i besohet kapacitetit të artistit për të vërejtur dhe për të fiksuar një aspekt, megjithëse në ndryshim të vazhdueshëm, të personit që ka përpara.

Debati i shek. XIX-XX mbi ngjashmërinë e portretit, mjaft i ngjeshur me probleme dhe me protagonistë dalëngadalë u zhvendos nga teoritë artistike në ato filozofike, estetike e psikologjike. Ato zënë fill në literatura artistike qysh me reflektimet e Leon Batista Alberti-t.

Pjesa më e madhe e autorëve të biografive të ilustruara me portrete në librat e shtypur në gjysmën e dytë të shek. XVI duke përfshirë këtu edhe Vasari-n i kushtuan një vëmendje të veçantë  problemit të  vërtetësisë së portreteve jo vetëm në shtjellimin e biografive të personaliteteve të famshëm që ata trajtuan, por edhe në hyrje të veprave apo në letrat dedikuese. E gjithë kjo përqendrohej te mëdyshja ritrajtim apo imitim i portretit e, më tej akoma , në ballafaqimin në mes artit e natyrës, që mbeti një nga argumentet qendrorë në shkrimet mbi artin në shekujt që pasuan.

Një portret i stampuar në një vepër duke qenë se ishte gjithmonë një riprodhim, merrte pothuajse  gjithmonë vlerën e prejardhjes nga një shëmbëlltyrë e vërtetë e dokumentuar e nxjerrë nga natyra dhe e bërë besnikërisht sipas ngjashmërisë së personit. Ky ishte efekti i menjëhershëm mediatik që ai transmetonte ndërsa verifikimi i burimit primar dhe i vërtetësisë të tij, sidomos kur bëhej fjalë për personazhe të së  kaluarës, ishte mjaft i vështirë dhe shpesh i pamundur.

Shëmbëlltyrat në librin e stampuar, edhe pse fillimisht  mbetej  shumë më poshtë nga portreti i pikturuar, kishte mundësi të mëdhaja  e të paimagjinueshme të përhapjes  gjë të cilën nuk mund ta gëzonte një portret i kavaletit. Për t’i paraqitur sa më denjësisht portretet e grumbulluara nëpërmjet ksilografive Paolo Giovio i shkruante Antonio Farneze Donit më 14 shtator 1548 se kishte shpresë të shikonte portretet e stampuara në Elogia virorum illustrium (Elozhe mbi burat  shquar): të shtuara me ndonjë ngjyrë, për një dinjitet më të madh.. Në realitet kjo dëshirë e Giovios u realizua në ndonjë eksemplari i veçntë por rezultoj në aspektin artistik jo shumë i përshtatshëm.

Problemi i ngjashmërisë nga ana e fizionomisë të portretit, pavarësisht nga çështja e ngjyrave që dalëngadalë nga mjeshtrit e kësaj gjinie filloi të korrigjohej me tonalitetet e ngjyrës së hirtë, nuk ka qenë një problem vetëm i Vasari-t apo i Giovios. Të gjithë autorët që kishin ndërmend t'i kushtoheshin publikimit të një teksti biografik të ilustruar me portrete ndodheshin përballë problemit të vështirë për të mbledhur materialin ikonografik më të pranueshëm për t'ia besuar pastaj artistëve nga të cilat ata realizonin gdhendjet (grafikat) për t'i futur në përmbledhjet biografike. Pra është e ligjshme të pyetet: Sa prej portreteve të publikuar në shek. XV-XVI korrespondonin me të vërtetë në bazë të një ikonografie të njohur e të besueshme dhe sa pastaj ato ngjisnin me modelin natyral?

Vështirësia e hulumtimeve ikonografike për ngjashmërinë e vërtetë të portretit për të realizuar më tej përmbledhjet me shëmbëlltyra në edicione përkatëse doli në pah qysh në fillimet e shek XVI tek autorët e parë që u impenjuan të botojnë volume të numizmatikës antike si Andrea Fulvio(1470-1527), i pasuar nga Jakopo Strada, Guillaume Rouville e Hubert Goltzius. Rreziku i pasaktësive ikonografike dhe akoma më keq i krijimit të shëmbëlltyrave false, duke i paraqitur për të vërteta dhe antike u kritikua nga numizmati dhe gdhendësi i famshëm Enea Vico (1523-1567), autor portretesh të shquara kryesisht të antikitetit. Duke aluduar mbi veprën e Rouville-s, ai shkruante: ...paraqitja e imazheve imagjinare nuk mund të jenë imazhet e vërteta të tjetrit, dhe as mund të kënaqin pastaj dëshirat e lexuesve.. Mirëpo Rouville, nga ana e vet, e ndiente ndërgjegjen e pastër në krijimin e portreteve imagjinare dhe referon një pasazh të Plini Plak : Gjërat që nuk janë, trillohen, dhe fytyrat e panjohur, lindin dëshira. Për këtë shembulli më i qartë dhe demonstrimi i  lumturisë gjendet se është gjithmonë dëshirë e të gjithëve të dinë se kush ka qenë dikushi...

Ksilografia (gdhëndja mbi dru) edhe pse ishte e njohur dhe përdorej qysh nga fundi i mesjetës në Vendet e Ulta, në Itali e në Gjermani ajo u përdor fillimisht në dekorimin e stofrave e më vonë  filloi të zbatohej për portretin vetëm nga fundi i shek. XV, pra, shumë më vonë pas daljes të veprave të para të  stampuara. Nuk mund të thuhet se cila mund të kishte qenë  përshtypja e parë e një vëzhguesi të shek. XV që shikonte një portret jo të ngjyrosur mbi një copë letër, mirëpo zhvillimi e shumëfishimi tepër i shpejtë i imazheve grafike në letrën e stampuar triumfoi mbi mentalitetin e portretit të ngjyrosur që takohej gjithmonë në kodet dorëshkrim në formën e miniaturave. Nuk munguan me këtë rast përpjekjet për të ruajtur traditën duke e kombinuar teknikën e re të gdhendjes me ngjyrosjen e pjesëve të bardha mbi letër. Për këtë qëllim tipografët aty nga fundi i shekullit të XV në krye të kapitujeve linin apostafat vënde bosh ose pubikonin korniza me zbukurime floreale ose gjeometrike përsëri bosh me qëllim që ato të kompletoheshin nga blersi nëpërmjet personave të specializuar në zbukurime minjaturash me ngjyra. Mirëpo pjesa më e madhe e këtyre veprave ka mbritur deri në ditet tona pak a shume ashtu si janë publikuar dhe vetëm në raste të rralla ndonjë familje aristokrate i kompletonin këto vepra me ngjyra. Ishin vitet e tranzicionit nga kodi dorëshkrim i paisur me minatura në libri i stampuar   i paisur me grafika.

Megjithkëtë teknika e re e paraqitjes së imazheve dhe portreti pati shumë shpejt në artin librar mjetin më efikas e të suksesshëm. Shpikja e tipografisë paisej edhe me një element të ri atë të ksilografive që zëvendësoi portretin e ngjyrosur të kodeve dorëshkrim.

I pari artist i madh që mundi t'i jepte portretit të stampuar të njëjtën shkallë bukurie kundrejt atij të pikturuar ka qënë pa dyshim Albert Dürer(1471-1528), i cili diti të kombinonte aftësitë e tij të  jashtëzakonshme të skicimeve me atë të gdhendjes. Portretet e tij madhështore të Erazmit të Roterdamit, Melantone-s, Maksimilianit I etj. me teknikën e gdhendjes kanë mbetur si dëshmitë më origjinale të një gjinie të re të artit të realizuara nga modeli i vërtetë, e cila mori një zhvillim të veçantë duke filluar nga dhjetëvjeçari i dytë i shek. XVI e në mënyrë të veçantë, në botën protestante.

Portreti i parë i ksilografuar mbi librin e stampuar që njihet deri më sot në Itali është ai predikatorit fiorentin, Paolo Attavani, (92 x 66mm) i shtypur në Milano më 28 gusht 1479 nga tipografët Leonhard Pachel dhe Ulrich Scinzenzeler. Ky portret i botuar në fletën e parë (verso) të veprës Breviarium totius juris canonici i realizuar nga një gdhendës anonim paraqet Attavani-n në një profil gjysmë busti në një hapësirë tredimensionale ku evokohet studioja e autorit. Figura në tërësinë e saj të kujton si formën e portretit të shek XV të pikturave mbi dërrasë po ashtu edhe portretet në miniaturë në kodet dorëshkrim.

Paolo Attavani – (1479)

Kronikat e Norimbergut (1493)

Futja e portretit në librat e stampuar si mjet ilustrues bëri që të lindëte brenda një kohe të shkurtër gjinia letrare e serive ikonografike dhe biografike, të cilat filluan të dilnin si në Itali ashtu edhe në vendet e tjera të Evropës duke nisur nga fundi i shek XV. Një nga rastet e para historikisht të njohura si përmbledhje historike-biografike e ilustruar është Liber Chronicorum ose ndryshe Cronaca di Norimberga (1493) i Hartmann Schedel-it me më shumë se dymijë ilustrime mes të cilave shumë portrete në gjysmë bust. Kjo vepër u botua si në latinisht ashtu edhe në gjermanisht e pati një përhapje në të gjithë Evropën. Ekzemplarë  të veçanta e shumë të ralla të kësaj vepre janë ngjyrosur  nga piktorë minjaturistë.

Një vepër tjetër më pak e njohur por jo më pak e rëndësishme, është edicioni mbi jetën e grave më të shquara i titulluar De plurimis claris scelestisque mulieribus, të cilën murgu agostinian bergamask, Giacomo Filipo Foresti, e botoi në Ferrara më 1497 dhe me një dedikim për Beatriçen e Aragonës e datuar më 1493. Vepra e Foresti-t përmbante 182 kapituj biografikë të zbukuruar me 172 portrete të vegjël të ksilografuar të grave heroina sa legjendare, biblike po ashtu edhe historike e ndonjëra prej tyre edhe bashkëkohëse e Forestit. Kështu këto të fundit kanë edhe një farë vlere dokumentare.

Ne mesin e shek. XIV në Rilindjen Italiane e atë Evropiane hidhen në një formë profesionale hapat e para të historiografisë moderne mbi numizmatiken që janë të lidhura me koleksionet e para të monedhave e medaljeve antike. Ndër emrat e parë që u morën me këtë gjini fisnike të koleksionizmit  shquhet edhe emri i poetit e humanistit të madh, Françesko Petrarka,(1304-1374). Me pasionin e tij të shquar për numizmatikën është e lidhur ngushtë edhe vlera historiografike e ikonografike që ai ju jepte portreteve te perandorëve romakë, që dëshmoheshin në këto objekte me një art shpesh të shquar. I frymëzuar nga informacioni që  transmetonin portretet e këtyre monedhave Petrarka përpiloi edhe biografitë e 36 perandorëve në veprën De viris illustribus (Burrat e shquar).

Deri aty nga mesi i shek. XVI ishin të shumta koleksionet numizmatike  e bashkë me to edhe koleksioni i  medaleve të njerzve të shquar . Mes tyre  në linjë të parë shquhen sovranët, princat, papët, kardinalët por edhe humanistë të shquar mes të cilëve mund të përmëndim medaljet e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të  humanistin tonë Nikolla Leonik Tomeo-n (1456-1531) e më pas figura të shquara të humanizmit italia e të huaj si  Paolo Giovion, Pietro Bembon e shumë të tjerë. Koleksionet e shquar të familjeve Durraco në  Gjenova e Albani në Romë i përkasin një periudhe pak më të vonshme e një koleksionimi më kompleks që i bëri të famshme këto familje si në Itali po ashtu edhe jashtë saj.

Medalje dedikuar Nikolla Leonik Tomeos (Skaliti Andrea Briosco Ricci)

Në këtë gjininë e fundit, që na intereson në mënyrë të veçantë, shquhet publikimi mjaft i angazhuar i antikuarit Andrea Fulvio (1470-1527)  me titull Illustrium imagines, të cilën ia dedikonte kardinalit Jacopo Sadoleto (1477-1547). Ai  konsiderohej si një nga koleksionistët më të mëdhenj në Romë prej nga vinin edhe 207 portretet e ksilografuar të botuar në veprën e tij. A. Fulvio vdiq ndoshta gjatë grabitjes të Romës (1527), mirëpo vepra e tij njohu shumë shpejt edhe një botim të dytë në Lion më 1524.

Sipas shembullit të A. Fluvio-s më 1525 doli në Strasburg vepra Imperatorum romanorum libellus me autor Johannes Huttich, prift humanist me origjinë nga Mainz, i cili, krahas portreteve të publikuara nga humanisti roman, pasuroi më tej edhe biografitë e tyre. Vepra e tij u mirëprit e pati edhe ribotime të tjera.

Shumë më vonë nga botimet e sipërpërmendura del në Lion më 1553 vepra e Guillaume Rouillé (1518-1589) Prontuarie des medailles, e cila përmbante 828 portrete të ksilografuar të personaliteteve  të shquar    formën e medaljeve të shoqëruara me biografi të shkurtra. Vepra me një farë regullsie në  një faqe  përmban dy jeteshkrime p.sh. Skënderbeu është së bashku me sulltan Muratin, Pirroja i Epirit së bashku me Aleksandrin e Maqedonisë.  Grafisti ka qenë Alphonse Reverdy dhe të bën përshtypje suksesi i madh që pati ky botim  gjë që tregonte për interesin e madh të publikut për këtë gjini, pa çka se portretet dhe forma e paraqitjes të tyre ishin më shumë një truk editorial, të cilat me sa duket nuk shqetësonin shumë lexuesit e  zakonshëm të asaj kohe.

Skënderbeu në veprën e  Guillaume Rouillé

Po më 1553 në Lion, si për të kundërshtuar veprën e Rouille-s, u botua nga Jacopo Strada (1507-1588) ndryshe edhe Serlio Sebastiano, tregtar i famshëm veprash arti, prej të cilit ka mbetur sot një portret i realizuar nga Tiziano, vepra Epitome thesauri antiquitatum ku paraqitej një koleksion i shëmbëlltyrave  nga Jul Cezari deri tek Karli V fryt i studimeve të tij erudite por edhe i një koleksioni të pasur monedhash që ai kishte mundur të krijonte kur ishte në shërbim të bankierit Hans Jakob Fugger.

Pas disa vjetësh më 1559 po në Lion del vepra e Jean de Tournes me një përmbledhje pseudo-portretesh numizmatike të shoqëruar me biografi të shkurtra njëlloj si ato të Rouille-s me titull: Insignum aliquot virorum icones dhe i dedikohej kryekëput filozofëve e letrarëve të botës greko-romake të antikitetit. Kështu interesi i publikut për këtë gjini letrare të lidhur me numizmatikën me portrete herë të vërteta e herë të trilluara  mbetej gjithmonë i lartë.

Në këtë hulli mund të futim edhe të ashtuquajturën vepra e tretë e Barletit Compendium. (1555) të botuar në Romë nga Engjëllorët ku krahas përmëndjeve me pak fjalë të perandorëve romakë, të sistemura sipas intresave  të Engjëllorëve, u publikuan edhe 24 grafika në formë medaljoni me shëmbëlltyrat e tyre.

Pseudo Barleti : Compendium... Romë 1555

Veprat e falsifikuara të pseudo numizmatëve shkaktuan zemërimin e eruditëve,  numizmatëve të vërtetë e, në mes tyre, edhe të Enea Vico (1523-1567)  i cili i kundërshtoi spekulimet dhe abuzimet e bëra në  këtë drejtim në veprat që shkroi e, në mënyrë të veçantë, në Bashkëbisedime mbi medaljet e antikëve  Vepra e tij  u mirëprit nga bota akademike e atëhershme e pati shumë shpejt, po në Venedik,  edhe dy botime të tjera më 1557 dhe më 1558. Mbi të gjitha dukej i çuditshëm suksesi i jashtëzakonshëm i veprës të Rouille-s kështu E. Viko si ruajtës i kabinetit numizmatik të Alfonso d'Este-s, por edhe si një gdhendës i dalluar, numizmat e antikuar,  botoi edhe një vepër me portretet e grave më të shquara të antikitetit, duke u bazuar me besnikëri në  shëmbëlltyrat e monedhave e medaljeve që vinin nga koleksioni i sipërpërmendur.

Të tjerë grafistë të shquar u morrën seriozisht me publikimin e veprave me vlerë që kishin të bënin me numizmatikën antike mes të cilëve akoma mund të përmendim Hubert Goltzius (1526-1583), i cili publikoi në Anversa një vepër luksi ku portretet e nxjerra besnikërisht nga medaljet ishin zmadhuar gati 10 herë për një lexim më të qartë e të detajuar edhe pse në këtë mënyrë humbiste në një farë mënyre sensi e bukuria e objektit të vërtetë. Si burim i parë për përgatitjen e këtij vëllimi u shfrytëzuan koleksionet e gjeografit të   madh fiaming, Abraham Ortelius (1527-1598) prej të cilit na transmetohet edhe një portret i bërë nga Julius Goltzius, i biri i Hubertit.

Jul Cezari – Gdhendje nga H. Goltzius  1557

Pavarësisht nga reflektimi që patën koleksionet numizmatike në botimet e kohës,  portretet e personave pak a shumë të shquar të realizuar në teknikat më të ndryshme zbukuronin muret e vilave private, pallatet e sovranëve, biblioteka apo vende të ndryshme publike. Zakonisht portretet familjare zinin vend në hapësira të mbyllura,  ndërsa portretet e njerëzve të shquar të farefisit vendoseshin në vende të dukshme në sallonet e pritjes të miqve e shërbenin për të lavdëruar famën e familjes dhe si një dëshmi e forcës të saj.

Nëpër biblioteka mund të shikoje portretet e filozofëve të antikitetit, shkrimtarëve ose humanistëve të shquar të kohës. Por dhe njerëz të shquar të armëve sipas shijeve të krijuesve të këtyre koleksioneve  (p.sh. biblioteka Ambrosiana në Milano ku ndodhet edhe një portret i Skënderbeut). Pra, në koleksione publike apo private portreti zinte një vend të veçantë e shpesh shërbente si pikë referimi e model për artistë të tjerë apo për editorët që donin t'i riprodhonin e t’i publikonin ato.

Fakti që edhe bibliotekat e antikitetit  ishin të zbukuruara me imazhe të ndryshme e me vepra arti,  pra, edhe me portrete,  ishte e njohur gjatë Rilindjes Italiane. I pari që u shty të kuptonte se si ishin organizuar bibliotekat në kohën e antikitetit ishte Fulvio Orsini (1529-1600), letrar, koleksionist dhe bibliotekar i kardinalit Aleksandro Farneze, i cili e zbuloi atë nëpërmjet teksteve antike dhe jo nga gërmimet arkeologjike.   Orsini kujton se Plini shënonte si themeluesin e bibliotekës së parë publike në Romë Asinio Pollione, e cila u realizua me plaçkën e luftës të mbledhur nga fushata ilirike në të cilën ruheshin jo vetëm portrete njerëzish të shquar por edhe shumë piktura.

Ideja e shprehur nga Plini mbi  plaçkën e luftës në fushatat ilire-romake gjen shprehjen në një basoreliev të ngarkuar me figura të shumta e me një simbologji të larmishme të realizuar në kohet moderne nga Bruno Innocenti për të glorifikuar triumfin e Perandorisë Romake në brigjet Adriatike.

Basoreliev mbi fushatat romake  në Iliri - fragment – (B. Innocenti 1940)

Ky basoreliev u paraqit në ekspozitën e pavjonit shqiptar, që u çel në Napoli më 1940 ku ishin ekspozuar gjithashtu edhe 12 skulptura që vinin kryesisht nga gërmimet arkeologjike të bëra në Butrint nga L.M. Ugolini. Mes tyre edhe koka e Oktavion Augustit shëmbëlltyrën e të cilit e gjejmë edhe në medaljet e antikitetit.

Në ambientet e këtij pavijoni u paraqit gjithashtu skulptura me kalë e Skënderbeut, punë e akademikut fiorentin , Romano Romanelli (1882-1968) si dhe një tablo vaji e një bocet përsëri dedikuar Skënderbeut nga piktori Mario Romoli.

Romanshorn 17.II.2021



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora