E marte, 23.04.2024, 04:48 PM (GMT+1)

Mendime

Fritz Radovani: Mbas një takimi me Imzot Ernesto Çoben

E hene, 15.02.2021, 09:44 PM


Nga Fritz RADOVANI: (Pjesa e VIII)

MBAS NJË TAKIMI ME IMZOT ERNESTO ÇOBEN...

Me pat tregue njëherë vetë Padër Meshkalla sesi e kishte thirrë  në Argjipeshkvi Imzot Ernesto Çoba, atë kohë në të cilën Ai kryente detyrën e Famullitarit të Shkodrës, dhe i kishte thanë: -A të pelqen me dijtë se çfarë ka shkrue profesori yt kujdestar në karakteristikën që ai ka sjellë prej Austrijet, kur ke mbarue studimet universitare? –Sigurisht që po, ishte përgjegjë ky. Imzot Çoba i kishte dhanë letrën origjinale që kishte shkrue me dorën e tij profesori austriak për Pader Mëshkallën dhe Don Kolec Prennushin dhe, që e kishte përcjellë atë leter atëherë këtu në Argjipeshkvinë e Shkodrës.

Për Pader Meshkallën, kishte shkrue: “...Që asht studioz, i përgatitun në filozofi dhe teologji shumë mirë, por asht nervoz dhe kryefortë, prandej nuk ban me kenë në drejtim të Klerit. Ka aftësi dhe prirje të veçantë për organizimin dhe edukimin e rinisë... Ndërsa për Don Kolecin shkruhej që asht kenë student i shkelqyeshëm në mësime, shumë i përgatitun në filozofi dhe teologji, por asht natyrë shumë e mbyllun dhe e kemi pasë të pamuejtun me e studjue në mbrendësi karakterin e Tij, prandej asht e mira që të kihet nën kujdes për me pa ma vonë natyra e Tij.” Mbasi më tregoi këte, qeshte me atë të qeshunin e Tij karakteristik dhe e pohonte: “...se asgja nuk ka gabue profesori, unë nuk e kam dijtë deri tashti mbas 40 vjetësh, se ai profesori që më donte aq shumë dhe më afronte tej mase, më paska ba atë karakteristikë pa gabue asgja. Ta kishe dijtë – e thonte me të qeshun – makare, do t’i ishe ruejtë mos me më kuptue “kryefortësinë”, mandej fliste gjatë për konsideratën që kishte për përgatitjën e dajës Don Kolec, vullnetin e Tij të hekurt dhe për qendrimin konseguent ndaj dogmave të Kishës, gja të cilën e ka tregue edhe në kohën e diskutimit të “Statutit të Kishës” në mbledhjet që janë ba nga Kleri, në Argjipeshkvinë e Shkodrës, para vitit 1950, para se Ai të vdiste. Kur fliste për kambnguljën e Don Kolecit për mos me e nënshkrue Statutin dhe për ato çeshtje që edhe vetë Pader Mëshkalla ishte i pakënaqun ashtu si ka kenë Ai, nuk i zinte në gojë kurrë ata që me vëprimët e tyne kanë punue për aprovimin e atij Statuti ndër ato mbledhje, por atypëraty vlerësonte pamasë qendrimin  heroik të Don Dedë Malajt, i cili u pushkatue mbas një qendrimi shumë burrnor në gjyqin e Tij të famshëm dhe të paharrueshëm për popullin e Shkodrës, që u zhvillue në kinema “Republika” në muajn prill të vitit 1959. Don Deda vdiq pa e firmue Statutin, ndër të paktët klerikë. Unë ruej kujtime të veçanta për Té dhe do t’i shkruaj veçmas, mbasi meriton ma shumë se këto pak rreshta.

Pader Mëshkalla tregonte se, kur ka marrë vesh vdekjën e Don Kolecit, kur ishte në Burrel, “...kam kja për të parën herë në jetën teme, kaq shumë jam pikllue. Ai ishte shoku dhe miku i vetëm i gjithë jetës seme!..”.

Prej Pader Mëshkallës pata marrë vesh se kur jezuitët banin ushtrimet e shpirtit në Kolegjën “Saveriane” të Shkodrës, Don Koleci asht kenë ndër të paktët ata priftën që u thirrnin me mbajtë konferenca filozofike para jezuitëve.

Ai më ka tregue se Don Kolec Prennushin, jezuitët e kanë vlerësue aq shumë, sa vetë Pader Zef Valentini S.J., e kishte cilësue: “Futuro Cardinale d’Albania”.

Me kenë se ra fjala për ushtrimet e shpirtit, njëherë, një prift i ri, i shuguruem mëshehtas në vitin 1962 nga Imzot Çoba, meqë do të hynte përherë të parë në ushtrimët e shpirtit, i tregon Pader Mëshkallës, se si Imzot Çoba i kishte mësue priftit të ri “gjashtë arësyet që njeriu duhet me heshtë!..” Mëshkalla i thotë atij: -“Shko e thuej Imzot Çobës me të mësue gjashtë arësyet që duhet me folë, se s’asht koha me heshtë ma!”...

Kuptohët se në jetën e Pader Mëshkallës nuk ka asnjë çast vend për heshtje, sepse Ai nuk e njihte frikën, madje jo vetëm se nuk e njihte frikën, por e luftonte edhe tek të tjerët.

Kur e kishin çue në burgun e Burrelit Imzot Irené Banushin, Ipeshkëv orthodoks, që u dënue bashkë me Pader Mëshkallën, në herën e parë (1947), disa të burgosun e kishin pyetë Imzot Irenéun, se përse ishin dënue aq shumë vite?.. Ai u ishte përgjegjë: “Mund të dënoheshim ma pak vite, po nuk mujt me ndejë pa folë ashtu si e ka zakon Pader Mëshkalla!..”

E pra, flisni, flisni edhe ju bashkvuajtësit e Tij... Flisni, se kjo asht ajo kohë që e paralajmëronte Pader Mëshkalla...

Harroni edhe ju gjashtë kushtet që duhet me heshtë!

Flisni ju, o nxanësit e Tij, flisni, mos heshtni... Flisni nëse në gjakun tuej rueni Idealin me të cilin ju mësoi dhe ju edukoi Mësuesi Juej i pavdekshëm, flisni, flisni ju, o Shqiptarë, flisni, se duhët me folë si fliste Ai!..

Kurrë mos harroni porositë e Padër Mëshkalles!..Bisedat e Tij të rrjedhëshme gjithmonë kishin një qellim, prandej koha që kalonte njeriu me Té për të gjithë ishte një shkollë. Çdo fjalë e Tij të mësonte dishka të mangët në atë që mujshe me ditë ti.

Melbourne, 12 Shkurt 2021.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora